ATI SHPIRTËROR & PSIKOLOGU !
November 15, 2025 at 9:58 am,
1 comment

Nga Katekisti: Miron Çako
Sot në botën moderne besimtari i krishter përballet me dy lloj personash për të zgjidhur problemet shpirtërore , atin rrëfyes (shpirtëror) ose psikologun.
Le të sqarojmë kush janë, çfarë përfaqësojnë , rolet dhe ndikimi i tyre tek besimtari për të paqtuar shpirtin . Shkaku i të gjitha vuajtjeve shpirtërore, trupore dhe i humbjes së paqes tek njeriu është mëkati, që e ka zanafillën tek mëkati stërgjyshor. ( Zanafilla 3;6-7)
Autoritetin për t’iu falur mëkatet njerëzve,e ka vetë Zoti Jisu Krisht si “Qengji i Perëndisë që shlyen mëkatet e botës.” ( Joani 1-29) , prandaj edhe apostull Joani shkruan: “ Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ato të të gjithë botës.” ( 1 Joanit 2 ;1-2),por këtë autoritet si dhe të tjera autoritete dhe fuqi si p.sh. për të shëruar sëmundje dhe lëngata në popull ( Luka 9 ; 1-2) Zoti ia u dha apostujve : “ Atë mëkat që do falni,do jetë i falur dhe atë mëkat që nuk e keni falur,nuk është i falur.” ( Joani 20-23) .
Apostujt, këtë autoritet falës në emër të Krishtit, ia u lanë Kishës Apostolike . Prandaj doktrina e Kishës Orthodhokse pranon misterin e Pendim-Rrëfimit,një mister shekullor i themeluar nga vetë Zoti Jisu Krisht tek apostujt. Misteri i Pendim-Rrëfimit është një nga shtatë misteret e Kishës dhe jeta shpirtërore e një të krishteri, duhet të kalojë patjetër nga ky mister për mëkatet që janë kryer pas pagëzimit, ashtu si shkruan Apostull Jakovi : “Rrëfejani fajet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni”. (Jakovit 5:16)
Besimtari orthodhoks këshillohet të ketë kontakt me një at rrëfyes ose shpirtëror dhe sipas mësimit të Kishës, duhet patjetër të bëjmë një rrëfim gjatë vitit,të paktën një herë ,për të rrëfyer mëkatet ose për të konstatuar gjendjen e tij shpirtërore.
Sipas Etërve të Shenjtë : “ Nuk ka jetë shpirtërore,pa një guidë shpirtërore!”
Por në shekullin e XIX-të, doli në Perëndim një lloj shkence e re, që quhet Psikologji,që ushtrohet nga psikologët. Psikologët vlerësojnë dhe adresojnë çrregullimet emocionale,problemet e sjelljes dhe vështirësitë ndërpersonale të një individi, me anë të seancave dëgjimore dhe pretendohet se ai ndihmon në stabilitetin e gjendjes emocionale të një pacienti me problemi psikologjike .
Mund të themi se nga pikëpamja emocionale, sidomos në vendin tonë ku shkenca e Psikologjisë dhe konkretisht psikologu, pas viteve 90, sidomos nga brezi i rritur, shikohet si një lloj specialisti, në të cilin shkojnë njerëzit,veçanërisht ata që kanë probleme psiqike ,ky është një mendim ekstrem, i gabuar . Një person që shkon për seanca tek një psikolog, ai jo domosdoshmërisht ka probleme psiqike, sepse përveç psikologut, ekziston dhe psikiatri, i cili merret me problemet psikike, me sëmundjet e trurit,prandaj gjërat duhet t’i ndajmë. Por përsa i përket brezit të ri,një brez i cili u mësua me psikologun, sepse tashmë është vendosur në institucionet arsimore, ose në vendet e punës edhe në ambientet tona shoqërore, psikologu dhe funksioni i tij tashmë shikohen ndryshe, pa keqkuptim.
Të rinjtë sot ,kanë një lloj qartësie në lidhje me psikologun dhe kanë kontakt të vazhdueshëm me të, sidomos në shkollat,në të cilat krijohen kontaktet midis nxënësve dhe psikologut. Por po stacionohet dhe një tjetër lloj mendimi ekstrem që vjen nga moshat e reja,të cilët e shikojnë tashmë psikologun si një lloj trendi të kohës dhe shkuarjen tek ai si një lloj domosdoshmërie , që patjetër duhet të shkojnë që të hapin mendjen e tyre dhe të tregojnë problemet e tyre private, duke e anashkaluar atin rrëfyes ( shpirtëror) .
Ky trend po ndikohet jo vetëm nga inkurajimi dhe nxitja që iu bëhet këtij brezi të ri nëpër shkolla por edhe nga mediat të cilat tregojnë për njerëzit vipa ose show bizi, influencer, që shkojnë tek psikologu dhe janë ndikuar prej tyre.
Të dy këto mendime, pra që disa e shohin psikologun si një psikiatër dhe disa të tjerë e shohin si një lloj trendi ose mode,mund të themi që janë të gabuara. Sipas mësimit të Kishës Orthodhokse, është shumë e gabuar që besimtarët dhe të rinjtë e krishterë të mos kenë kontakt periodik me atin rrëfyes , sepse ata pretendojnë se tashmë u “rrëfyen” tek psikologu.
Si e shikon Kisha Katholike Apostolike Orthodhokse rolin e psikologut në raport me atin shpirtëror?
Psikologjia si term përbëhet nga dy fjalë “Psikia” dhe “Logos”,që do të thotë flas për shpirtin ose është një lloj shkence e arsyes. Pavarësisht se ky term ka lidhje me shpirtin, fjala “shpirt” në psikologji ka një kuptim krejt ndryshe nga kuptimi i kësaj fjale në fushën fetare apo religjioze. Kur psikologët i referohen shpirtit,ata iu referohen intelektit,mendimit, pra gjërave që lidhen më shumë me trurin se sa me shpirtin,që për teologjinë është krejt ndryshe, sepse shpirti është vetë personi njerëzor brenda një trupi dhe truri është instrument i mendjes që është atribut i shpirtit.
Pra për psikologët, ky është objekti i studimit të tyre, mendimi dhe ndjenjat dhe nuk do të thotë se një psikolog beson patjetër në shpirtin e njeriut,ashtu siç beson një prift,teolog apo besimtar laik. Psikologjia është një lloj shkence dhe psikologu është një lloj shkenctari,i cili është mësuar të përdorë teknika të ndryshme për zgjidhjen e problemeve,kjo bëhet në bazë të formimit teorik dhe trajtimeve që ka marrë psikologu. Ai mund të jetë një eksperimentues, një gnostik, një skolastik dhe në varësi të kësaj ai përdor metodat shëruese që pretendon ai tek personat që i hapen,i rrëfehen psikologut. Kisha jonë Orthodhokse nuk është kundra shkencës në përgjithësi kur ato i shërbejnë mbarvajtjes së jetës njerëzore edhe natyrës , pra nuk është kundra edhe shkencës së psikologjisë, pavarësisht se psikologjia mund të jetë një lloj plagjiature e asaj që ka bërë Kisha Apostolike në shekuj, që si një spital me medikamente hyjnore është marrë me trajtimin , shërimin e shpirtit , mendjes dhe trupit të njeriut, ashtu si thotë filozofi dhe shenjtori Agustin :
“ Kisha nuk është ekspozitë e shenjtërisë, por spital për mëkatarët që kërkojnë ngushëllim dhe shërim shpirtëror.”
Duhet të dimë se njeriu në botën e tij të ndërlikuar psikologjike është si një lloj tenxhere me presion, sepse kur njeriu akumulon brenda vetes mendime,ndjenja,emocione ka nevojë që t’i shpreh apo t’i nxjerrë ato jashtë. Pra duhet te hapet valvula shkarkuese që të nxjerrë jashtë këto energjira mendore, ndjesore që mban brenda tij. Njeriu kur ka probleme psikologjike, ose vrasje të ndërgjegjes apo emocione të mëdha gëzimi apo hidhërimi ,duhet patjetër t’i nxjerrë këto jashtë,t’i rrëfejë tek dikush sepse ai mund të “plasë” psikologjikisht .
Këto rrëfime besimtari i bënte tek ati rrëfyes, por tashmë, kur në shek XIX-të u shfaq shkenca e Psikologjisë bashkë me psikologun, tani njerëzit kanë një derë tjetër, pra t’i drejtohen psikologut dhe anshkalojnë atë të rrëfyesit . Njerëzit sot e mendojnë psikologjinë si një lloj arritje të shkencës dhe e shohin psikologun si një terapist të kohëve moderne me shumë efikasitet, kurse rrëfimin si mister i kishës, si diçka të prapambetur dhe rrëfyesin si demode.
Kisha është shumë e qartë për rolin që ka ati rrëfyes,i cili nuk është vetëm një dëgjues i problemeve, shqetësimeve, gjendjeve emocionale njerëzore, por është edhe shërues në Zotin. Kuptohet që ati shpirtëror është njeri si psikologu, por ndryshon nga psikologu, sepse psikologu është thjesht vetvetja, kurse ati shpirtëror është një instrument i Perëndisë,i cili jo vetëm dëgjon problemet e personit por i jep atij terapinë e duhur. Prandaj duhet të dallojmë rolin që ka një at shpirtëror nga roli i psikologut.
Për shembull Shën Paisi i Malit të Shenjtë na thotë se: “ Ati shpirtëror është një mjek i shpirtrave. Ai shëron plagët e brendshme që s’i sheh njeriu. Por nëse dikush nuk i hap plagët e veta, si do t’i trajtojë Zoti?”
Kurse At Serafim Rose: “ Psikologjia moderne shpesh përpiqet të shërojë njeriun pa Zotin, duke harruar se plagët më të thella janë në shpirt, jo në mendje.”
Terapitë e ndryshme që njeriu ka shpikur,gjithmonë me lejen e Perëndisë,duke përfshirë psikologjinë dhe psikiatrinë,nuk ofrojnë shpëtim antologjik,që do të thotë nuk ofrojnë shpëtim tërësisht të qenies njerëzore.Ato thjesht japin një lehtësim dhe shërim të disa komplikacioneve të natyrës së rënë të njeriut,siç janë problemet emocionale por nuk e shëron njeriun tërësisht,ashtu siç e shëron Zoti, sepse :
“ Psikologu ndihmon njeriun në nivelin e ndjenjave dhe mendimeve.Ai ndihmon për të kuptuar veten, për të përballuar stresin, ankthin, traumën.Por psikologjia nuk mund të japë dritën e hirit – ajo mund të rregullojë pasqyrën, por jo burimin e dritës që është Zoti. ”
Kisha nëpërmjet Mistereve të saj dhe një nga misteret e rëndësishme të saj është Misteri i pendim-rrëfimit që ushtrohet nëpërmjet atit rrëfyes, jep një shërim dhe shpëtim antologjik shpirt-trup njeriut , sepse : “ Shpirti i jep jetë trupit” . Natyra njerëzore është e rënë dhe nuk është e përbërë vetëm prej mishi, d.m.th. prej nervave, trurit dhe gjendjes emocionale që ato shkaktojnë, por natyra njerëzore përbëhet edhe nga shpirti. Duhet të dallojmë shpirtin nga trupi. Shpirti është vetë Uni, vetë personi njerëzor, i cili është një qenie jomateriale dhe prandaj është i padukshëm kur del nga trupi.Shpirti përbëhet nga vullneti,dëshirat,mendimi.Shpirti qëndron brenda trupit dhe përdor trupin për të shprehur të gjitha veprimet dhe dëshirat e tij.Shpirti komunikon me trupin nëpërmjet trurit dhe sistemit nervor,prandaj duhet t’i kuptojmë gjërat që të kuptojmë rolin që ka ati rrëfyes dhe psikologu. Ati rrëfyes merret me shpirtin ndërsa psikologu merret me emocionet që paraqet sistemi nervor por edhe vetë trupi ynë. Shërimi që bën ati rrëfyes është një shërim tërësisht i qenies sepse duke u marrë me shpirtin njerëzor që është vetë njeriu,duke u paqtuar shpirti, paqtohet edhe sistemi nervor, ndjenjat, emocionet,që shprehen nëpërmjet trupit.
Psikologu duke mos pasur akses tek shpirti, sepse psikologu nuk e beson shpirtin, kjo në përgjithësi ,sepse ka edhe psikologë që e besojnë atë,por vetë shkenca e psikologjisë nuk pranon se shpirti njerëzor ekziston sepse pastaj do ishte një shtojcë e teologjisë , kështu psikologët merren me pjesën e jashtme të problemit dhe nuk futen brenda shpirtit njerëzor,qëndrojnë në sipërfaqe të problemit psikologjik .
Psikologët krijojnë një lloj qetësie emocionale, ndonjëherë kjo është e rreme,e gënjeshtërt,një lloj anestezie që nuk shëron problemet shpirtërore që vijnë për shkak të mëkateve , p.sh. është sikur të vendosin qetësues sipërfaqësor , ose anestezi lokale në plagët kanceroze pa i shëruar ato. Sa kanceroze dhe vdekjeprurëse është mëkati!
Gjithë natyra njerëzore e humbi paqen e brendshme dhe krijoi konflikt të brendshëm mendor, psikik dhe emocional.Kjo shprehet fizikisht edhe në mimikën e tij, sepse natyra njerëzore pranoi mëkatin dhe kujtojmë mëkatin stërgjyshëror ose origjinal të Adamit dhe Evës( Zanafilla 3: 6-7), nga ku nisi fara e çdo mëkati personal . Në momentin që ata pranuan mëkatin,patën konflikt të brendshëm,ky konflikt u shpreh në marrëdhënien me Perëndinë,me njëri-tjetrin si dhe me natyrën.( Zanafilla ) Ky mëkat i trashëguar, që fuqizohet akoma më shumë nga mëkatet tona personale, është shkaku i prishjes së ekuilibrit psikologjik të njeriut. Gjendja e rënduar emocionale e njeriut, një gjendje që shkon drejt një neuroze dhe bëhet patologji ,nuk është gjë tjetër veçse shkaku i mëkatit. Për shembull Shën Porfirios na thotë se :
“ Mërzitja,dëshpërimi dhe probleme të tjera të kësaj natyre,nuk janë gjë tjetër veçse pasojë e mëkatit”.
Këtu përjashtohen rastet kur truri është i dëmtuar dhe nuk lejon artikulim normal të mendimit dhe veprimit, këtu nevojitet psikiatri me terapinë dhe medikamentet që ofron mjekësia . Për problemet që vijnë nga mëkatet,psikologu dhe psikiatri nuk kanë aftësinë për t’i trajtuar ato.
Sa herë që bëjmë një mëkat, ky i fundit qëndron brenda nesh si plagë dhe aty vjen një demon me energji negative . Për shembull në momentin që dikush gënjen,gënjeshtra frymëzohet nga demoni i gënjeshtrës dhe kur dikush e thotë gënjeshtrën,atëherë demoni që frymëzon gënjeshtrën merr të drejta mbi personin në fjalë dhe futet brenda në shpirtin dhe trupin e tij dhe qëndron aty.
Duke qënë se demoni është qënie shpirtërore e degraduar, konfliktuale , e ngatërruar, me ankth dhe frikëra, e gjitha kjo gjendje demoniake ndikon në psikologjinë dhe fizikun e mëkatarit. Sa më shumë mëkate të bëjmë aq më shumë energji demoniake marrim dhe atëherë gjendja jonë psikologjike dhe fizike pëson konflikte ,ngatërresa , frikëra, ankthe, deri sa humb lirinë dhe kontrollin mbi veten, bëhet një i demonizuar .
Psikologu nuk mund të thotë siç thotë ati rrëfyes: “Bir,të janë falur mëkatet”, që kështu të largohet demoni i cili e ka pushtetin tek mëkati, si mizat tek plehrat. Në qoftë se ne nuk shkojmë te ati rrëfyes për të rrëfyer mëkatet tona, atëherë mëkatet nuk janë falur dhe demonët mbeten brenda nesh, prandaj gjendja jonë nuk stabilizohet tek psikologu, edhe pse për pak kohë shikojmë një stabilitet, situata psikologjike përsëritet, madje më shumë të ndërlikuara si një rreth vicioz.
Çfarë thonë Etërit e Kishës, që kishin eksperiencë në luftën kundër mëkatit?
Ata thonë se mëkati është brenda njeriut,kur ne përpiqemi t’a harrojmë mëkatin,mëkati zhytet brenda në subkoshiencën tonë dhe ne mendojmë se tashmë mëkati është harruar dhe vazhdojmë jetën normalisht.Por mëkati herë pas here ngrihet lartë,shfaqet dhe bashkë me to fillon edhe djalli aktivitetin e tij,atëherë gjendja emocionale ndryshon.Kjo gjendje është komplet e pamenaxhueshme dhe e pajustifikuar.
Për shembull ata mund të jenë në një ambient shumë komod apo relaksues,por ndihen të mërzitur,të hidhëruar,të dëshpëruar,nuk dinë se çfarë kanë.
Kjo gjendje që është pasojë e mëkateve,nuk do qetësohet kurrë sepse është prezenca e të ligut brenda tyre,prandaj nuk mund të kenë qetësi.Për shembull çiftet edhe pse relaksohen me kënaqësi seksuale jashtë martesore, kur i mbarojnë ato, fillojnë të grinden madje edhe të ndahen , sepse këtu ka ndikim djalli për shkak të mëkatit të kurvërisë , ashtu si thotë edhe Shën Pais Agjioriti : “ Çdo marrëdhënie jashtë martesore është një injeksion i djallit në çift.”
Nga Jerondikoja na tregohet se si një murg shkoi të rrëfejë mëkatin e tij tek ati rrëfyes.Ai kishte problem me ngrënien e ushqimit në kohën e caktuar ,sepse e merrte uria dhe nuk e përballonte siç duhej në përputhje me disiplinën e manastirit.
Kështu merrte ushqim fshehurazi nga menca.Murgu thotë se kur ai e rrëfeu mëkatin e tij tek ati rrëfyes,pa djallin që doli si zjarr nga trupi i tij.
Sa herë që ne rrëfejmë një mëkat,atëherë një demon largohet prej nesh.Kështu ne çlirohemi nga energjitë demoniake dhe vetëm atëherë vjen qetësia e shpirtit,kjo sjell edhe qetësinë mendore,relaksimin fizik dhe shëndetin trupor.
Duhet të kemi një lidhje shumë të ngushtë me atin shpirtëror.Quhet shpirtëror sepse ai na rilind shpirtërisht.Mëkati e vdes njeriun.Njeriu lind me mëkat,pra është i vdekur shpirtërisht,por njeriu ngjallet shpirtërisht kur ai bashkohet me Krishtin në misterin e Pagëzimit,vishet me Krishtin dhe bëhet një krijesë e re.
Kur ne bëjmë mëkate pas pagëzimit,sidomos mëkate të vdekshme,atëherë pësojmë përsëri një lloj goditje dhe vdekje shpirtërore,por Zoti Jisu Krisht,duke pasur një dashuri të veçantë për natyrën njerëzore dhe duke e kuptuar natyrën tonë,na dha misterin e pendim-rrëfimit,në të cilin rrëfejmë mëkatet me pendim,mbas pagëzimit.
Ati rrëfyes përfaqëson Kishën Apostolike dhe ai na ngjall shpirtërisht në emër të Krishtit dhe me fuqinë e Krishtit.Ndaj atit shpirtëror duhet të kemi bindje,nëse nuk kemi atëherë nuk do funksionojë marrëdhënia me të.Bindja është një nga misteret dhe sukseset për shpëtimin e shpirtit dhe te jetës. Zoti Krisht iu bind Atit në të gjitha,edhe ne duhet t’i bindemi atit shpirtëror,i cili është një përfaqësues i Zotit.Pa bindje nuk ka shpëtim.Bindja sjell fruta,frutat e shpëtimit që e ëmbëlsojnë jetën tonë.
Atë shpirtëror nuk mund të zgjidhet çdo klerik,por një klerik i cili ka përvojë shpirtërore,pra që ka kaluar nëpër sfidat e jetës shpirtërore,ka pjekuri shpirtërore dhe mbi të gjitha ka dashuri për besimtarët.Duhet t’i lutemi Perëndisë për të na dhënë atin shpirtëror që i përshtatet karakterit tonë. Ati shpirtëror e kryen detyrën e tij në bazë të Traditës Orthodhokse,që është një Traditë shekullore. Ndërsa psikologu e kryen punën e tij në bazë të shkencës së Psikologjisë, një shkencë relativisht e re dhe shpeshherë është plagjiaturë e asaj çfarë Kisha ka bërë ndër shekuj, d.m.th. ka marrë problemet shpirtërore dhe i ka trajtuar si të vetat,duke hequr rolin e atit rrëfyes dhe e ka zëvendësuar me psikologun.
Psikologu nuk mund të zëvendësojë atin rrëfyes në asnjë rast të vetëm dhe nuk mund të mohojë misterin e pendim-rrëfimit që ushtrohet pikërisht nga ati shpirtëror. Psikologu kërkon të ekuilibrojë psikologjikisht njeriun,ndërsa ati shpirtëror kërkon të shpëtojë njeriun,shpëtimi vjen nga Perëndia nëpërmjet ndjesës së mëkateve. Psikologu jep një qetësim të përkohëshëm,por Zoti nëpërmjet atit rrëfyes, jep paqen dhe shpëtimin e përjetshëm të njeriut.
Psikologu përdor pikëpamjet e shkollës që përfaqëson,ndërsa ati rrëfyes përdor Fjalën e përjetëshme të Perëndisë,prandaj thotë fjalët e Zotit tek paralitiku, që përfaqëson gjithë njerëzimin mëkatar të paralizuar nga mëkati : “ Merr zemër, biri im, të janë falur mëkatet”( Mattheu 9-2)
Psikologu mendon që problemet janë shfaqur për shkak të traumave të njerëzve,të cilat kanë mbetur në subkoshiencën e tyre.Ndërsa ati rrëfyes është i vetëdijshëm që problemi nuk lidhet vetëm me përvojat e së kaluarës,por lidhet edhe me mëkatet dhe energjitë negative të akumuluara në shpirtin e njeriut,të cilat sjellin pasionet dhe robërinë në jetën njerëzore. Psikologu jep zgjidhje nga vetvetja,nisur nga ato që ai ka studiuar dhe ato që ai mendon se duhet për rastin konkret. Ndërsa ati shpirtëror me anën e hirit të Zotit,drejton njeriun drejt pendimit dhe transformimit të tij antologjik,jo nga vetvetja,por nga ajo që e frymëzon Zoti dhe e mëson Kisha në përvojën shpirtërore shekullore.
Së fundi, mund të themi se psikologu ofron një shërim të përkohëshëm të gjendjes,që shpesh herë është një lloj anestezie,ndërsa ati shpirtëror e udhëheq shpirtin dhe njeriun drejt rrugës së duhur,drejt Krishtit që thotë :
“ Unë jam Udha,e Vërteta dhe Jeta.Askush nuk vjen tek Ati,veçse nëpërmjet Meje!” (Joani 14: 6)
Ati shpirtëror me anën e hirit të Perëndisë,ndihmon njeriun të kapërcejë armiqtë më të mëdhenj që ka qenia njerëzore , të cilët janë: mëkati,djalli dhe vdekja (shpirtërore) që sjell vdekjen trupore. Këto probleme që i kanë të gjithë njerëzit, nuk mund të kapërcehen duke bërë seanca dëgjimi dhe rrëfimi tek psikologu.
Problemet zgjidhen duke besuar tek Krishti,duke shkuar në Kishë, duke marrë pjesë në Misteret e Kishës, veçanërisht në misterin e Pendim-Rrëfimit! Ati shpirtëror është udhërrëfyes i shpirtit , jo këshilltar psikologjik. Ai ndihmon për t’u çliruar nga mëkati, pasionet, frika shpirtërore dhe errësira që ndan njeriun nga Zoti.Në këtë kuptim, rrëfimi është terapia e shpirtit , ndërsa hiri i Zotit është “ilaçi”.
Dhe diçka tjetër shumë e rëndësishme , kur ne shkojmë për rrëfim tek ati shpirtëror, mëkatet që ne rrëfejmë mbeten të varrosura në ndërgjegjen e atit rrëfyes dhe janë sekret , pra nuk duhet të nxirren në asnjë mënyrë jashtë për informacion publik. Ekziston një kanon kishtar për këtë, nëse ati rrëfyes, në dobësinë e tij, i nxjerrë jashtë këto mëkate të thëna në rrëfim, ai dënohet jo vetëm nga Zoti, por edhe nga Kisha,e cila bën zhveshjen e tij, për arsye sepse ka shkelur sekretet e misterit të pendim-rrëfimit.
Pra,ky mister i shenjtë është personal, privat dhe çdo gjë që thuhet mbetet aty . Kurse, psikologu nuk ka ndonjë detyrim që të mbajë të fshehura ato që dëgjon në seancat që bën. Në dobësinë e tij njerëzore, psikologu mund t’i thotë diku tjetër ato që dëgjon në seancat e tij dhe kështu shkelet privatësia e personit, gjërat personale të pacientëve nuk mbeten më të tilla, për shkak se tregohen gjetkë.
Madje,ato mund të arrijnë deri në faqet e gazetave apo revistave të ndryshme, ashtu si shikojmë rëndomtë për personazhet (show biz) Zoti Krisht thotë :
“ Mos u jepni qenve gjërat e shenjta e mos i hidhni margaritarët tuaj para derrave, që të mos i shkelin e pastaj të kthehen kundër jush e t'ju shqyejnë.”( Mattheu 7-6)
Të krishterët orthodhoks duhet të kenë kujdes të ndajnë mirë rolin dhe funksionin e atit rrëfyes nga ai i psikologut , ashtu si thotë edhe At Sofroni (Saharov) , dishepull i Shën Siluanit:
“ Psikologjia mund të ndihmojë njerëzit në Perëndim, por është e tmerrshme kur ortodoksët mësojnë psikologjinë dhe e vendosin atë në vend të traditës së kthjelltësisë shpirtërore”, e cila gjendet hirplotë prej shekujsh në Kishën Apostolike , Katholike , Orthodhokse.
1 comment - ATI SHPIRTËROR & PSIKOLOGU !
Elio - November 21, 2025 at 2:38 pm
Fjalet i keni te bukura , por porosite e Krishtit i shkelin te paret sherbetoret e KISHES. Cfare ndihme mund te me jape nje klerik qe ju e quani at shpirteror , i cili ne kishe predikon fjalen e Krishtit dhe sapo del jashte shpif , ben thashetheme dhe shkel me kembe njerezit ??? Tek ky njeri , banon Krishti apo ndonje demon ???? Nese banon demon , ndihma qe mund te jape ai eshte me e keqe se e psikologut.Kjo eshte situata qe mbizoteron sot ne ambjentet e institucioneve te Kishes . Eshte e tmershme te shohesh njerez me veshje kleriku madje edhe me grada te larta , qe predikojne ne meshe , dhe kur dalin jashte tallen me ato qe sapo thane sepse i shkelin vete ato.Nese nje mjek eshte i semure vete nga kanceri nuk mund te sheroje njeri pa u sheruar vete , ashtu edhe nje at shpirteror , nese eshte i semure vete nuk sheron dot njeri.