Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

FËMIJËT DHE KISHA !

October 28, 2025 at 1:25 pm, No comments

Nga Katekisti: Miron Çako

Që t’a trajtojmë këtë temë që është shumë e gjërë dhe specifike, le të mbështetemi tek përqasja e Zotit Jisu Krishtit me fëmijët .

Në ungjijtë sinoptikë (të ngjashëm) të Shën Markut dhe shën Lukas, ne lexojmë dhe njihemi se si i trajtonte Krishti fëmijët . “ Atëherë i sollën disa fëmijë, që të vinte duart mbi ta, por dishepujt i qortuan. Kur i pa, Jezui u zemërua dhe iu tha: «Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se Mbretëria e Perëndisë iu përket atyre që janë si ata. Me të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon Mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë, nuk do të hyjë në të». Pastaj i mori në krahë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.” (Mt 19:13-15; Lk 18:15-17)
Pra, na tregohet se disa prindër i sollën fëmijët e tyre të vegjël te Jisui për t’u bekuar nga Mësuesi dhe Bariu i njerëzve . Apostujt burra e panë këtë si të tepërt , si diçka të bezdisshme për Krishtin madje dhe i qortuan prindërit, por Jisui ndërhyri me ato fjalë, që qysh atëherë e kanë bërë Atë të dashur për fëmijët e çdo epoke:

“ I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë, sepse atyre iu përket Mbretëria e Qiejve.”

Disa mësime të rëndësishme dalin nga ato fjalë të Krishtit për fëmijët dhe Kishën :

Në radhë të parë apostujt dhe më pas Kisha Apostolike nuk duhet t’i nëvlerësojnë fëmijët sepse ato janë ikona të Perëndisë , prandaj Krishti na thotë:

''Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua; dhe kushdo që më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më ka dërguar'' (Marku 9:36-37)

Përveçse janë ikona ata janë dhe të pastër nga mëkatet personale dhe Zoti i do dhe i mëshiron më shpejt se të rriturit. Madje edhe Fjala e Zotit ndikon tek ata sepse ata janë të thjeshtë në mendje e dhe të përulur në shpirt, e pranojnë ungjillin e Zotit, katekizimin e Kishës ndoshta më shumë se një i rritur, që me egoizmin e kalçifikuar i rri kundra mësimit të Zotit, prandaj tek Fjalët e Urta na thuhet :

“ Mësoji fëmijës rrugën që duhet të ndjekë, dhe ai nuk do të largohet prej saj edhe kur të plaket”. (Fjalët e Urta 22:6)

Edhe pse fëmijët nuk e kanë mendjen e një të rrituri për të kuptuar koncepte teologjike dhe sotiriologjike në Krishtin , përsëri Shpirti i Krishtit ndikon tek zemrat e tyre dhe ata shprehin me mënyrën e tyre fëminore dashurinë për Zotin dhe shenjtorët si dhe dëshirën e mirë për Kishën .

Fëmija është shumë i hapur ndaj gjërave të shenjta , ai belbëzon “baba Zoti” puth ikonat me dëshirë , buzëqesh kur merr Misteret e Shenjta,si Pagëzimin, Kungimin , Ajazmon , këto janë shprehje infantile të asaj që është mbjellë nga Zoti , prindërit dhe Kisha tek ata që në embrion, foshnjë , fëmijë , ashtu siç thuhet tek Psalmi:

“ Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t'i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit.” (Ps. 8:2)

Kjo profeci u vërtetua kur Krishti hyri në Jeruzalem. Të Dielën e Palmave, ndërsa Jezusi hyri mbi gomar në Jeruzalem dhe më pas shëroi të verbërit dhe të çalët në tempull, fëmijët e vegjël e panë dhe thirrën me zëmër të mbushur dhe gojën plotë: “Hosana Birit të Davidit” (Mat. 21:15).

Armiqtë e Jezusit, krerët e priftërinjve dhe skribët, u indinjuan dhe i kërkuan Jezusit që të mos e lejonte këtë gjë. Jezusi iu përgjigj duke cituar vargun:

“ Po! A nuk keni lexuar kurrë: ‘Nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi’?” (21:16)

Kisha duhet të mbjellë që në lindjen e fëmijës farën e besimit , ashtu siç është urata e lindjes në ditën e tretë , vënia e emrit në ditën e tetë , kushtimi në tempull ditën e dyzetë dhe pagëzimi , mirosja dhe kungimi sa më shpejt që të jetë e mundur në bashkëpunim me prindërit dhe nunin.

Së dyti Fëmijët që dëshirojnë të rrëfejnë besimin e tyre në Zotin Jisu, edhe në mënyrën e tyre fëminore, duhen inkurajuar dhe jo frenuar nga Kisha , prandaj është e domosdoshme pjesëmarrja e fëmijëve në ambjentin kishtar por dhe në Shërbesa dhe Liturgjinë Hyjnore. Të gjitha moshat kanë të drejtë të pohojnë apo të mohojnë Zotin dhe askush s’e di moshën e personit më të ri në parajsë apo në ferr. Ne kemi shenjtorë që në moshën tre-vjeçare, si Shën Kiriku, që pohuan besimin për Krishtin dhe u martirizuan, së bashku me nënën e tyre .

Për shembull Shën Julita jetoi në kohën e perandorit Dhioklitian. Ajo mori djalin e saj Kirikun dhe shkoi në Selevki e më pas në Tarso. Në Tarso u arrestua nga përndjekësi i të krishterëve Aleksandri, i cili filloi t’i bënte tortura nga më të tmerrshmet përpara djalit të saj. Më pas u përpoq të merrte pas vetes djalin e saj të vogël, por as fëmija nuk pranoi të mohonte Krishtin, madje, pasi thirri emrin e Jisuit, e goditi me një shkelm në bark përndjekësin e ashpër. Xhelati u inatos kaq shumë saqë e hodhi nga shkallët Kirikun e vogël, duke i thyer kokën. Me këtë mënyrë mori Kiriku i vogël kurorën e martirizimit. Kremtimi i Shenjtorëve Kiriku dhe Julita festohet më 15 Korrik.
Përmendim një tjetër shenjtor fëmijë anonim , 3 vjeç, që u martirizua me djegie me nënën e tij, që nderohen në 25 Tetor.

Po ashtu, ka fëmijë që për shkak të mëkateve të prindërve vuajnë në had, ashtu siç tregohet nga historitë kishtare, p.sh. për një fëmijë të sëmurë që shante Zotin, sepse fëmija i sëmurë shante duke imituar babanë e tij ateist, që blasfemonte Zotin sikur të ishte Ai fajtor për sëmundjen e fëmijës. Fëmija në agoni i thoshte të atit të dëshpëruar dhe blasfemues : “ Baba kam frikë , po shikoj disa hije të zeza që po vijnë të më marrin.”

Nëse një fëmijë dëshiron me të vërtetë të shpëtohet, atij nuk duhet t’i thuhet nga Kisha se është shumë i vogël dhe nuk mund t’a pagëzojmë , ashtu si kisha heretike heterodokse,të cilat i privojnë fëmijët nga kishërimi dhe pagëzimi sepse sipas tyre , ata nuk mund të pohojnë besimin në Krishtin.

Kisha Katholike Apostolike Orthodhokse i kishëron dhe pagëzon foshnjat që mbas 40 ditësh , po ashtu edhe i kungon mbas pagëzimit , pavarësisht nëse ata nuk kuptojnë me mendje, por me zemër pranojnë Zotin dhe shpëtimin.

Patjetër, fëmijët duhet të mbrohen nga metodat tepër reklamuese të ungjillëzimit dhe të katekizohen sipas moshës, për këtë arsye klasat e katekizmit funksionojnë në Kishë për çdo moshë, duke përshtatur mësimdhënien me fjalë, literaturë dhe me çdo mënyrë katekizuese .

Së treti, këto fjalë të Zotit tonë i japin përgjigje pyetjes : “ Çfarë ndodh me fëmijët që vdesin përpara se të arrijnë moshën e përgjegjësisë dhe nuk janë kishëruar , pagëzuar? ”

Jisui iu tha: “ Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i pengoni, se Mbretëria e Perëndisë iu përket atyre që janë si ata”.

Kjo fjalë e Krishtit është një siguri e mjaftueshme për prindërit që kanë humbur fëmijët e tyre me vdekje të parakohshme . Fëmijët e pagëzuar, të cilët largohen nga kjo jetë, janë në paqe të lumtur në Mbretërinë e Perëndisë .Prindërit besimtarë mund të mërziten dhe të ndiejnë mall për fëmijët e tyre që nuk i kanë dhe nuk i shohin fizikisht, por kurrë nuk lejohen të dëshpërohen sikur i kanë të humbur fëmijët e tyre në varre , ashtu si bëjnë ateistët. Ajo që duhet të shqetësojë një prind vërtetë dhe të vajtojë, është kur ai ka humbur fëmijën pa e pagëzuar.

Fëmijët që nuk janë pagëzuar dhe kanë kaluar 40 ditëshin nuk shkojnë në parajsë, por kalojnë në proçese për pastrim dhe shenjtërim, pa vuajtur dënimet e Hadit, duke pritur Ardhjen e Dytë të Krishtit, siç dëshmojnë Etërit e Shenjtë. Shën Kozmai thotë: “Më mirë të vrasësh 100 njerëz, se sa të lësh një fëmijë të vdesë i papagëzuar.”

Shën Gabrieli i marrë për Krishtin thotë: “ Fëmija duhet të pagëzohet tetë ditë pas lindjes. Nëse jeta e tij është në rrezik, mund të pagëzohet edhe më parë. Nëse ai vdes i papagëzuar brenda dyzet ditëve, zbatohen ligjet e vjetra .Por po vdiq pas dyzet ditëve i papagëzuar, shpirti i fëmijës shkon përkohësisht në Had, por nuk torturohet. Në Gjykimin Përfundimtar, këto shpirtra do të ngjiten nga Hadhi, por nuk do të shohin madhështinë e Zotit, do jenë si të verbër , sepse nuk kanë marrë Shpirtin e Shenjtë.” ( Sepse ata nuk janë bërë krishtër nga Pagëzimi dhe Mirosja, dhe kështu nuk kanë sy shpirtërorë për të parë Lavdinë e Zotit )

Prandaj, është e rëndësishme që fëmijët të marrin Misteret e Shenjta dhe të marrin pjesë në shërbesat fetare, veçanërisht Liturgjinë Hyjnore sa më shpesh që të jetë e mundur. Ambjenti kishtar me heshtjen mistike, nën dritën e qirinjve dhe aromën e temjanit, me korin e psalmistëve, me shijen e kungatës , ndikon në psiqikën e fëmijës dhe lë gjurmë në subkoshiencën e tij për gjithë jetën , prandaj duhen sjellë fëmijët në kishë që foshnjë, sepse ata përqasen që të vegjël me Kishën e Zotit që është Shtëpia e Perëndisë , por edhe shtëpia e besimtarit që kërkon Zotin, përfshirë më të vegjëlit.

Shumë shenjtorë janë preokupuar për kishërimin e fëmijëve të vegjël dhe kanë dhënë dhe opinionet dhe këshillat e tyre.

Shën Joan Gojarti thotë: “ Mësoje fëmijën të qëndrojë në Kishë. Mësoje të bëjë kryqin, të lutet me zemër të pastër. Mos e shtyj për më vonë, sepse çdo ditë e humbur është plagë për shpirtin e tij.”

Shën Ambrozi i Optinës: “ Kur fëmijët i çon në Kishë, mos harro t’i bekosh dhe t’iu thuash: ‘Zoti është këtu.’ Fjalët e buta të prindit janë si frymë e shenjtë që i udhëheq drejt Zotit.”

Shën Pais Agjioriti thotë: “ Zemra e fëmijës kupton para mendjes. Edhe nëse nuk kuptojnë gjithçka që ndodh në Liturgji, zemra e tyre mbushet me hir.”

Prandaj, fëmijët duhet të vijnë në Kishë me dëshirë, jo me imponim. Në moshat e vogla, siç thamë, fëmijët nuk kanë ende fjalë të thella për besimin, por zemra e tyre ndien dhe kupton madje më mirë se një i rritur, sepse është e pastër, e dlirë dhe pa pasione, prandaj fëmijët janë të drejtpërdrejtë përballë të shenjtave ose janë dashamirës, të qetë , puthin ikonat , marrin kungatën me kënaqësi, ose janë kundërshtarë, reagojnë negativisht.

Në këto situata të pazakonta, nuk është sepse fëmija është i ligë në shpirt , por ky reagim negativ ndodh kur prindërit nuk i kishërojnë rregullisht fëmijët, d.m.th i sjellin shumë rallë për kungim , atëherë sipas ligjeve shpirtërore merr ndikim një frymë demoniake , por kjo edhe nga mëkatet e prindërve , apo një energji negative nga syri i keq që e zë fëmijën, sepse nuk kishërohet rregullisht nga prindërit. Prandaj fëmijët e gjorë reagojnë dhunshëm , qajnë , grinden , bërtasin , pështyjnë, kundërshtojnë dhe nuk pranojnë gjërat e shenjta si Ajazmon, Vajin e Bekuar dhe Kungatën Hyjnore!

Duhet që fëmijët në kishë të vijnë me dëshirë dhe jo me imponim, d.m.th që prindi ose nuni, apo një vëlla ose motër e rritur, t’iu flasi se do shkojnë në kishë tek Zoti me zë të butë, të ëmbël dhe me dashuri, që fëmija e ndjen dhe e stampos në psiqikën e tij, që Kisha është një vend i mirë për të.

Shën Porfir Kavsokaliviti thotë: “ Mos i detyroni fëmijët të rrinë në Kishë me frikë, por me dashuri. Nëse ndiejnë dashurinë për Krishtin, ata vetë do t’a kërkojnë Kishën.”

Prandaj duhet të kemi kujdes, nëse Kisha iu shfaqet fëmijëve si vend i ngrohtë, i dashur, ku Zoti është Atë i mirë dhe i afërt, ata do t’a ndiejnë mallin për këtë vend. Por nëse përballen me frikë ose ndëshkim për ardhjen në kishë, kjo është e gabuar sepse do të lidhin me Kishën një kujtim të ftohtë. Dashuria lind besimin, jo frika.

Shën Ambrozi i Optinës këshillon prindërit t’i bekojnë fëmijët e tyre me fjalë të mira para se t’i drejtojnë në kishë “ Kur fëmijët i çon në Kishë, mos harro t’i bekosh e t’u thuash: ‘Zoti është këtu.’ Kështu zemra e tyre do të ndjejë praninë e Tij më shumë se çdo mësim tjetër.” Fjalët e buta të prindit që fton me dashuri, jo me detyrim , janë si frymë e shenjtë që i udhëheq drejt Zotit.

Shën Nikolla Velimiroviç: “ Kisha është shkolla e qiellit. Fëmijët që rriten në Kishë mësojnë të duan Zotin më shumë se lodrat e kësaj bote.”

Të çosh fëmijën në Kishë, është të mbjellësh farën e përjetësisë në shpirtin e tij. Edhe atë që ke mbjellë, atë do të korrësh. Edhe pse fëmija nuk kupton gjithçka që bëhet në kishë, Hiri I Shpirtit të Shenjtë i ndihmon të rriten njerëz shpirtërorë dhe kjo i ndihmon shumë që kur të rriten të kuptojnë,ata nuk do e kenë vështirë t’i nënshtrohen vullnetit hyjnor, madje edhe n.q.s. do të rebelohen kur të bëhen adoleshentë apo të rinj, ajo që është mbjellë tek ata,vështirë se do të zhduket, por do t’a rizgjojë përsëri dëshirën për Zotin dhe Kishën. Pra,si njerëz që u rebeluan kur u rritën, u kthyen përsëri tek Kisha, sepse kujtonin që fëmijë prindërit, gjyshërit, nuni i sillnin në kishë, kujtonin aromën e temjanit, zërin e korit, qetësinë e mistershme, ëmbëlsinë e kungatës , dhe kështu në zemër do të zgjohet kujtimi i Zotit.E gjetën dashurinë e parë dhe u kthyen përsëri si djali plangprishës.

Kështu duhet t’i kishërojmë fëmijët, sepse ata jo thjesht “rrinë” në Kishë, por rriten në Kishë dhe bëhen me Hirin e Zotit dhe kujdesin e Kishës dritë për botën dhe kripë për njerëzimin.

Por duhet kujdes dhe një tërheqje vëmendje edhe për diçka tjetër jo të mirë kur sjellim fëmijët në kishë , konkretisht për zhurmën e fëmijëve gjatë shërbesave dhe sidomos në Liturgjisë Hyjnore, që është lutja zyrtare e kishës.

Fatmirësisht ka prindër që i sjellin dhe i kishërojnë fëmijët e tyre në Liturgjinë e të dielës dhe të kremteve , por fatkeqësisht ka raste kur prindërit i sjellin fëmijët në kishë dhe i lënë të lirë të lëvizin , nëpër kaos ,të qajnë, të flasin, të luajnë, të hanë , madje e tolerojnë zhurmën e fëmijëve të tyre edhe kur thuhen lutjet ose predikimi. Këta prindër nuk shqetësohen, duke menduar se mjafton që i sollën në kishë, tek Zoti.

Por jo ,Zoti vërtet tha lërini fëmijët të vijnë tek unë, por nuk tha lërini fëmijët të bëjnë rrëmujë dhe madje pa dashjen e tyre dhe me neglizhencën e prindërve, të prishin qetësinë në Liturgji dhe të tërheqin vëmëndjen e klerit dhe të popullit. Këta fëmijë të zhurmshëm nuk janë si ëngjëjt të pastër që rrinë me frikë para Perëndisë dhe Altarit, por kthehen ,pa e ditur ata vetë, në engjëj rebelë dhe përdoren nga i ligu për të prishur rregullin, qetësinë dhe disiplinën që duhet të kemi në kishë, shërbesat fetare dhe Liturgjinë Hyjnore .

Përgjegjësia në këtë rast nuk është aspak e fëmijës por e prindit , madje edhe e të rriturve të tjerë , si kishtarit, katekistit , priftit,të cilët e lënë këtë situatë në kishë dhe nuk marrin masa për disiplinimin e prindërve, dhe nëpërmjet atyre, të fëmijëve.

Madje, duke përdorur gabimisht edhe shprehje të jerondëve dhe klerikëve :
“ Sikur nuk ka problem të bëjnë fëmijët zhurmë në kishë...”.
Kjo situatë e pazakontë kthehet në normalitet. Por ne duhet të mbështetemi në traditën e Kishës dhe mësimet e shenjtorëve. Le të kujtojmë rastin kur Zoti Krisht bëri mrekullinë e shumimit të pesë bukëve dhe dy peshqëve , (Marku 6; 30-44).

Ai i tha apostujve t’a organizojnë turmën në grupime të vogla, para se të ndajnë bukët dhe peshqit e shumëfishuara nga bekimi i Krishtit . Këtu kemi një disiplinim të turmës që u ushqye me bukë dhe peshq , gati 15 mijë vetë si burra , gra , fëmijë , por aq më tepër kur në kishë marrim trupin dhe gjakun e Zotit ; "i Cili copëtohet dhe nuk përndahet , i Cili hahet gjithnjë dhe nuk mbaron kurrë, apo shenjtëron ata që kungohen" në Liturgjinë Hyjnore.

Thirrjet paqësore : “ Për këtë shtëpi të shenjtë dhe për ata që hyjnë brenda në të me besë , shprestari dhe frikë Perëndie, le t’i lutemi Zotit; ose “ Le të qëndrojmë mirë , le të qëndrojmë me frikë , le të kemi kujdes , që t’a blatojmë me paqe theroren e shenjtë”; apo thirrja e klerit para Kungimit “ Me frikë Perëndie, besë dhe dashuri, afrohuni”.
Mos janë vetëm për të rriturit dhe jo për fëmijët , d.m.th ata të bëjnë zhurmë dhe të luajnë në kishë ?!

Jo, të gjithë , të rritur dhe fëmijë, duhet të rrinë me frikë Perëndie në kishë dhe kjo kultivohet që kur je fëmijë, pavarësisht moshës .

Etërit e Kishës janë preokupuar dhe kanë dhënë këshillat e tyre edhe për këtë çështje që nuk është e parëndësishme, por shumë e rëndësishme, sepse ka të bëjë me adhurimin e Perëndisë.

Thënie të Etërve për zhurmën e fëmijëve gjatë Liturgjisë

1. Shën Vasili i Madh: “ Në vendin e shenjtë çdo veprim duhet të ketë urtësi dhe qetësi, sepse aty flet Zoti. Prindërit të jenë kujdestarë të fëmijëve që zhurma e tyre të mos prishë paqen e lutjes, por as të mos shuhet gëzimi i fëmijërisë.”

2. Shën Theofani i Mbyllur: “ Kjo është provë për prindin: të ruajë paqen e tij dhe të mësojë fëmijën e tij me durim. Nëse e qorton me zemërim, nuk ka fituar as qetësinë, as fëmijën.”

3. Shën Porfir i Kavsokalivit: “ Në Kishë ka rregull, por jo ashpërsi. Ka qetësi, por jo ftohtësi. Kështu duhet të sillemi edhe me fëmijët: me kujdes, që ata të mësojnë nderimin pa u frikësuar.”

4. Shën Pais Agjioriti : “ Nëse fëmijët janë shumë të vegjël, më mirë është që një prind t’i nxjerrë për pak minuta dhe t’i kthejë sërish, që të mos shqetësojnë të tjerët. Kjo nuk është përjashtim, por dashuri për të gjithë — edhe për fëmijën, edhe për Kishën.”

5. Shën Nikolla Velimiroviç: “ Zoti e dëgjon çdo zë në Kishë — edhe zërin e fëmijës. Por kur fëmija bëhet shkak që të tjerët të humbasin vëmendjen, atëherë prindi është thirrur të bëhet mësues i qetësisë.”

6. Shën Emiliani i Simonopetrës “ Liturgjia është si fryma e shenjtë — e qetë, e butë, e mbushur me mister. Fëmijët duhet t’i mësojmë ta ndiejnë këtë frymë me dashuri, duke mos e kthyer Kishën në vend loje, por as në burg të heshtjes.”

Shën Theofani shkruan : “ Fëmija mëson të qëndrojë në Kishë ashtu siç sheh prindërit të qëndrojnë. Nëse prindi rri me vëmendje, me përulësi dhe me lutje, atëherë edhe fëmija do t’a mësojë këtë mënyrë.”

Prindi është liturgjia e parë që sheh fëmija. Në sytë e fëmijës, mënyra si prindi qëndron, si lutet, si bën shenjën e kryqit, janë më të forta se çdo fjalë. Kështu, shpirti i fëmijës pasqyron shpirtin e prindit.

Nga të gjitha këto mësime, Etërit na mësojnë:

1. Respekti për Misterin e Shenjtë është i domosdoshëm. Kisha nuk është vend loje, por vend i shenjtërisë dhe duhet të qëndrojmë me frikë Perëndie si të rriturit ashtu edhe fëmijët.

2. Prindi është përgjegjës për rendin, jo fëmija.
Nëse duhet, prindi mund t’a nxjerrë pak jashtë dhe t’a rikthejë me qetësi.

3. Nuk duhet të merren ushqime në kishë për fëmijët , përveç ndonjë biberoni për fëmijët e gjirit.

Kisha Orthodhokse kërkon jo vetëm nga të rriturit agjërim të plotë nga mesnata deri në marrjen e kungimit, por edhe për fëmijët nga tre vjeç e lartë . Përjashtohen fëmijët e gjirit, që mund të konsumojnë gjirin e nënës ose qumësht, një orë para kungimit.
Marrja e ushqimeve të tjera, i krijon idenë fëmijës se po shkon në kopësht dhe sillet sikur të jetë aty, i shkujdesur, por edhe nuk dallon atë që merr nga Kisha .
Kanonet Kishtare ndalojnë konsumimin e çdo ushqimi në kishë, përveç asaj që ofron kisha , kungata , nafora , uji i bekuar, gruri i përshpirtjes , ose nga pesë bukët e bekuara.

4 Nuk duhet të lejohet që fëmijët të lëvizin nëpër kishë , ose të shtrihen për tokë, apo t’i kthejnë kurrizin altarit. Prindërit dhe të rriturit duhet të bëjnë kujdes t’i mbajnë në krahë , pranë tyre , në këmbë ose ulur .

5. Po ashtu, nuk duhet fëmijët të marrin kukulla, lojëra argëtuese në kishë, libra për ngjyrosje etj, sepse edhe pse mund të rri urtë, por duke u marrë me lojërat e tij në kishë, ai mësohet gabim, që kisha është vend argëtimi si shtëpia dhe kopshti, dhe e ka të vështirë pastaj të disiplinohet .

6 Duhet që fëmijët të vijnë në kishë të veshur sipas gjinisë , ashtu siç është rregulli edhe për të rriturit , që; gruaja nuk duhet të veshi rrobat e burrit dhe anasjelltas .

Shën Joan Krisostomi na thotë : “ Në Kishë duhet të ketë nderim dhe vëmendje, sepse aty qëndron vetë Mbreti i gjithësisë. Por nëse ndodh që një fëmijë të qajë, mos u hidhëroni: është më mirë të kesh një zë fëmije në Kishë sesa një zemër të ftohtë pa dashuri.”

Prandaj duhet të kemi kujdes dhe vëmëndjen e duhur për këtë situatë , duhet t’iu ruhemi ekstremeve d.m.th as të mos i shtrëngojmë fëmijët me frikë të dhunshme që ata të mos bëjnë zhurmë në kishë , por edhe as mos t’i lëmë që të prishin qetësinë dhe atmosferën e qëndrimit me frikë Perëndie në Kishë.

Por mos të harrojmë se problemet në të shumtën e rasteve janë tek të rriturit, që edhe pse ndoshta mund të kenë qetësi absolute në kishë, prapë janë të shpërqendruar, ashtu siç thotë një murg i vjetër i Malit Athos :

“ Nëse fëmijët bëjnë zhurmë gjatë Liturgjisë, shiko më parë zemrën tënde: ndoshta nuk është qetësia e tyre që prishet, por qetësia jote që mungon. Qetësia e vërtetë vjen nga dashuria, jo nga mungesa e zhurmës.”

Prandaj : “ Shembulli i prindërve është mësimi më i fortë! ”
(Shën Theofani i Mbyllur)

No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • ATDHEDASHURIA , NË KËNDVËSHTRIMIN BIBLIK
    28 Nov, 2025
  • Homelia XV mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e dytë )
    25 Nov, 2025
  • Homelia XV mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )
    21 Nov, 2025
  • BESTYTNITË NJË MARRËZI, BLASFEMI DHE TALLJE DEMONIAKE !
    20 Nov, 2025
  • ATI SHPIRTËROR & PSIKOLOGU !
    15 Nov, 2025
  • Homelia XIV mbi Ungjillin sipas Mateut
    11 Nov, 2025
  • KË DUHET TË DËGJOJMË – PROFETËT E ZOTIT APO KONSPIRACIONISTËT E BOTËS?!
    7 Nov, 2025

Shkrime nga Katekisti Miron Çako

Publikimet e vitit 2025

  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako