Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

DERI KU MUND TË NDRYSHOJMË ESTETIKISHT VETEN TONË ?!

October 17, 2025 at 1:49 pm, No comments
567677625_2610445949319037_1818794077100612890_n.jpg

Nga Katekisti: Miron Çako


Ajo që po vihet re në këtë brez avangard ose “Kohës së Re” , është një tendencë në rritje për t’u marrë shumë më tepër me kujdesin e trupit dhe kurimin e fytyrës, për t’u bërë sa më të përsosur, tërheqës, joshës. Kaq shumë po fiksohen njerëzit me këtë trend, sa që pamja e jashtme sot po bëhet një standard i vlerës së një individi dhe status shoqëror, d.m.th sa më pamje të jashtme të kuruar të ketë dikush , aq më shumë është i vlerësuar në shoqëri, pavarësisht vlerave morale, aftësive intelektuale,profesionale apo shoqërore që ka me të vërtetë.

Pra sot me pamjen po veprohet si në marketing, ku reklama shet mallin, pavarësisht përmbajtjes , sot njerëzit po vlerësojnë më shumë gunën se sa punën dhe vlerën morale të një individi, sa që kjo risi po bëhet një ligj i pashkruar që po i nështrohet turma. Këtë gjë sot e bënë të mundur edhe zhvillimi i teknologjisë estetike, që po përhapet gjithandej nëpër botë,aq sa tendenca në rritje për ndërhyrje estetike po kthehet në një epidemi shoqërore, ashtu siç është bërë edhe tatuazhi.

Ndërhyrjert estetike më të përhapura janë:

1. “Rinoplastika”- që vazhdon të kryesojë listën e kërkesave, e preferuar nga ata që kërkojnë përmirësime të formës së hundës, por edhe për të ndihmuar frymëmarrjen.

2. “Filler-at”- janë një nga trajtimet më të kërkuara për ata që duan të rifitojnë volumin dhe të përmirësojnë konturet e fytyrës pa ndërhyrje kirurgjikale.

3. “Brazilian Butt Lift (BBL) - kjo procedurë përdor dhjamin e trupit të vetë pacientit për të shtuar volum në zonën e vitheve dhe për të krijuar forma të plota, por natyrale.

4. Liposkulptura - trupi i përsosur, është trendi më i ri për të arritur konturimin e trupit në mënyrë të personalizuar.

5. Mikrodermoabrazioni dhe White Peeling - ndërhyrje për ata që kërkojnë një përmirësim të lehtë në shkëlqimin dhe pastërtinë e lëkurës.

6. Estetika Gjenitale - për defektet kongenitale të organeve gjenitale.

Duhet të dimë se që nga lashtësia njerëzit janë marrë me ndërhyrje për estetikën e fytyrës dhe trupit, aq sa mund të lejonte edhe mundësia e mjeteve, si për defekte te lindura ose gjymtime aksidentale gjatë jetës, kjo bëhej me ndërhyrje kirurgjikale, proteza, makijazhe,pomada , etj. Por sot me zhvillimin e teknologjisë operacionet dhe ndërhyrjet plastike në masë të madhe e kanë humbur rolin e vet primar si të nevojshëm dhe të domosdoshëm për korrigjimin e defekteve dhe aksidenteve, sepse sot këto ndërhyrje janë shndërruar në një garë ku klientët kërkojnë nga estetistët ndërhyrje nga më të dhimbshmet, të kushtueshme,të rrezikshme,kjo jo për domosdoshmëri funksionale apo nevojshmëri estetike , por thjesht vetëm për dukje, për të tërhequr vëmendjen e turmës lakmiqare dhe xheloze, deri në atë masë sa mbushen me silikon dhe po ndryshojnë edhe indetitetin natyral të pamjes së jashme duke u bërë njerëz plastikë , apo barbi ( kukulla).

Sipas të dhënave statistikore nga Shoqata Internacionale e Kirurgëve Plastikë (ISAPS), vendet më me shumë ndërhyrje estetike janë:

1. SHBA me 17.9% të popullsisë që ka bërë ndërhyrje estetike
2. Brazili me 10.7% të popullsisë
3. Japonia me 4.8%.
4. Italia me 4.1%.
5. Meksika me 3.9%.

Por edhe Ballkani nuk mbetet pas, madje turizmi estetik në Ballkan është konsoliduar shumë, sepse ka tarifa më të ulta se në BE. Edhe në Shqipëri kemi një bum të ndërhyrjeve estetike dhe duke mos pasur një rregull, por një vakum ligjor për këto ndërhyrje, Shqipëria është konsideruar nga Blogjet italiane, si: “Shqipëria, xhungla e ndërhyrjeve estetike”.

Në Shqipëri, çmimi i trajtimeve të vogla estetike si shtimi i volumit të buzës apo edhe i mollëzave kushton rreth 50 euro, kurse në vende të tjera të BE , një seancë e vetme kushton nga 300-600 euro, po ashtu nuk mungojnë edhe ofertat promocionale të tipit “Sill 3 shoqe dhe do të kesh zbritje me 30%”.

Në një artikull të përbashkët të " Eur Activ . com" & AFP, jepte alarmin se sallonet e bukurisë në Shqipëri, që nuk kanë ekspertizë dhe mbikëqyrje mjekësore, janë duke ofruar shërbime kozmetike të rrezikshme. Ata që joshen më shumë nga ky trend dhe industri të estetikës, janë ata të moshave minorene dhe të rinjtë nga 20 -30 vjeç, të cilët ndikohen dhe peshkohen nga ndikimi i influencerëve dhe blogerëve në rrjetet sociale ose nga figurat publike të show- bizit dhe reklamës që iu bëhet atyre në rrjetet sociale për lukun e tyre me pamje perfekte të rregulluara nga këto ndërhyrje estetike, duke përcaktuar standardet e bukurisë sipas modës sot.

Edhe pse kemi një trend në rritje të ndërhyrjeve estetike, duhet të dimë nga ekspertet dhe mjekët esteticist se përveç benefiteve, kjo epidemi e kohës, ka edhe shumë probleme sa psikologjike, shëndetësore edhe etike, që është mirë që të kihen parasysh kur vendoset të bëhet një ndërhyrje estetike.

Problemet dhe risqet psikologjike dhe shëndetësore janë shumë më të mëdha se përfitimet në dukje të një luku perfekt, sidomos kur kemi ndërhyrje në moshat e reja. Kjo është një moshë në zhvillim dhe ndërhyrjet estetike kirurgjikale ndërhyjnë në këtë proces të rritjes, duke sjellë më shumë dëm se sa rezultat, sepse ato pengojnë zhvillimin natyral të shqisave, trupit dhe e drejtojnë drejt anomalive dhe difekteve të pakorrigjueshme.

Kjo situatë e pakëndshme sjell dhe probleme psikologjike, deprepsion, ankth, aq më shumë kur rezultatet e operacionit nuk janë ato të pritshmërisë, madje klienti kthehet në pacient duke i bërë një dëm, deformim të pariparueshëm vetë vetes për gjithë jetën. Doktorët specialistë janë të drejtëpërdrejt, ata thonë psh: “ Nëse acidi hialuronik injektohet në enët e gjakut mund të krijojë nekrozë, një zonë të nxirë në lëkurë, që mbetet gjithë jetën.”; “ Pasojat, më së shumti shkaktohen nga përdorimi i tepruar i filler-it (substancë mbushëse për lëkurën), një pjesë e të cilave janë të ndaluara në vendet e Bashkimit Europian”; “Mos steriliteti i injeksonit me silikon jep reaksione alergjike në organizëm, granuloma dhe nekroza të indit, pra shkatërrim të indit ku injektohet dhe pasojat e një materiali të kontaminuar, mund të çojnë deri në marrjen e jetës.”

Një nga problematikat e tjera shëndetsore, është dhe shtimi i infektimeve me HIV/AIDS pas ndërhyrjeve estetike.

Prandaj para se të shkohet tek një qëndër estetike dhe të paguhen paratë për ndërhyrje, duhen menduar mirë edhe pasojat psikologjike dhe shëndetësore. Por le të flasim edhe për pasojat etike, sidomos për ata që besojnë në ekzistencën e një Zoti,Krijues dhe Gjykatës. Duhet të dimë se njeriu është krijesa më e veçantë që dallon nga çdo lloj gjallese jo vetëm nga inteligjenca e spikatur, por edhe nga statura e trupit dhe bukuria e fytyrës që i jep autoritet, individualitet të papërsëritshëm. Kjo performancë fizike e njeriut nuk është thjesht një rastësi e teorisë utopike të evolucionit nga majmuni tek njeriu, por është krijesa e Perëndisë ashtu siç na zbulon Bibla:
“Pastaj Perëndia tha: Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhé.
Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën.” ( 1 Zanafilla 26-27).

Prandaj njeriu si një qënje psiko-somatike është një shëmbëllyrë e krijuar e Perëndisë Trinitare së Pakrijuar.

Ai është i tillë jo vetëm në botën e tij shpirtërore, si mendje, fjalë dhe shpirt, ose në intelektin, lirinë dhe pavdeksinë e shpirtit, por edhe në staturën e tij të jashtme, si në në fytyrën dhe trupin e tij, sepse ai duhet të reflektojë Perëndinë jo vetëm shpirtërisht por edhe në një botë fizike dhe materialiste, me trupin e tij. Sipas Etërve të shenjtë edhe trupi i njeriut, i cili me shpirtin e krijuar sipas ikonës së Perëndisë, formon një njeri të plotë , nuk mund të përjashtohet krejtësisht nga shëmbëlltyra e Zotit, sepse dhe në trup pasqyrohet deri në një farë pike karakteri i shpirtit i krijuar sipas ikonës.
Sipas Shën Grigorit të Nisës:
“ Është e gjithë natyra njerëzore që përbën ikonën e Perëndisë tek njeriu, ikonë që nuk gjëndet në asnjë pjesë të tij të veçantë, por në tërësinë e tij ( shpirt dhe trup)”.

Aq më shumë trupi njerëzor u krijua i tillë, sepse ai do të mbante vetë Perëndinë, Birin dhe Fjalën Perëndisë e mishëruar në Bir-Njeriun, ashtu siç e profetizoi Danieli:

“ Unë po shikoja kështu në vegimin e natës: kur qe, në retë e qiellit, po vinte dikush si Biri i njeriut! Arriti deri tek i Tejetlashti i motit dhe qe paraqitur para tij. Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë. Të gjithë popujt, fiset e gjuhët u shtruan nën shërbimin e tij: pushteti i tij, pushtet i amshuar që kurrë s'do të merret, mbretëria e tij kurrë nuk do të prishet ” ( Danieli 7: 13-14), ose si e dëshmon Joan Ungjillori “ Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit prej Atit, plot hir e të vërtetë” ( Joani 1 -14) apo si Apostull Pavli sqaron misterin e Perëndi –njeriut Jisu Krishtit: “ Tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.” (Korintasve 2:10).

Njeriu u krijua sipas modelit të Perëndisë Triadik, Atit , Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, d.m.th një nga esenca, por në shumë persona, hipostaza, prandaj njerëzit janë të krijuar nga Krijuesi të dallueshëm jo vetëm në intelektin, ndjenjat, virtytet dhe dhuratat shpirtërore që krijojnë personalitetin e tyre të papërsëritshëm para Perëndisë dhe njëri -tjetrit, por ata ndryshojnë edhe në pamjen e fytyrës dhe të staturës trupore, si mashkull dhe femër.

Ata kanë dallime individuale fizike dhe gjinore të veçanta dhe të papërsëritëshme, që i dallojnë nga njëri-tjetri, prandaj çdo tipar i yni nuk është i rastësishëm apo thjesht rrjedhojë gjentike, por një krijim i veçantë i Zotit për secilin prej nesh, një kryevepër e personalizuar e Mjeshtrit të Madh. Kjo është arsyeja që na thuhet tek psalmi:
“ Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarsi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.” (Psalmet 119:73)

Por një pyetje ndoshta na shqetëson: “ Pse në botë lindin njerëz me gjymtime apo me tipare të deformuara, mos janë vepra të dështuara të Zotit?!”

Jo, aspak, nuk mund të jetë aspak dështimi apo mall skarco, sepse Ati është një mjeshtër i përsosur dhe asgjë nuk mund të dali e deformuar, e shëmtuar apo e pavlerë nga duart e Tij, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë .

Nëqoftëse Ai do të dështonte së bëri shpirtra dhe trupa të përsosur , atëherë nuk do ishte një Perëndi absolut dhe i përsosur, edhe kur krijon. Ajo që ne e shohim sot në botë si të deformuar ose edhe të shëmtuar në krijim, është rrjedhojë e mëkatit, që u bë në zanafillë në Eden ( Zanafilla 3; 6-7), e mëkatit stërgjyshor, e njerëzve të parë të krijuar, mëkat që me pasojat e tij trashëgohet tek të gjithë njerëzimi si një virus , por edhe atij prindëror, që trashëgohet tek fëmijët deri në brezin e katërt , ashtu siç thotë edhe psalmisti:

“Në mëkat më lindi nëna ime” ( Psalmi 50).

Zoti Perëndi njerëzit e parë që i krijoi me vetë duart e tij, si Adamin (Zanafilla 2: 2-7) dhe Evën (Zanafilla 2; 21-22) , i krijoi të përsosur në shpirt dhe në trup, kurora e krijimit material, një miniaturë e përsosur e Zotit, por fëmijët e Adamit dhe Evës, u krijuan pas mëkatit, nga Krijuesi në bashkupunimin me njerëzit
( Zanafilla 4-1).

Këtu fillon deformimi shpirtëror dhe trupor i njeriut, sepse pasojat e mëkatit transmetohen shpirtërisht në pasione dhe gjenetikisht në deformime. Prandaj sa më i madh të jetë mëkati prindëror, aq më pak lejohet Perëndia të ndërhyjë në krijimin e një njeriu të ri, dhe për shkak të mëkatit fëmijët lindin si ikona të deformuara të Perëndisë.

Njerëzit e kanë dëshirë përsosmërinë sepse ata janë krijuar të tillë, që të pasqyrojnë si ikona përsosmërinë e Zotit, aq sa mund të bëhen të ngjashëm me Zotin në aspektin shpirtëror dhe moral, por kjo edhe në aspektin fizik në botën fizike, sepse njeriu është një qënie shpirt-trup. Njerëzimi, i cili vdiq shpirtërisht nga pasoja e mëkatit fillestar se u rebelua (Zanafilla 2; 16-17), ai e humbi orientimin moral dhe për virtyt, për të qënë ikonë dhe i ngjashëm me Zotin, kështu pra thirrjen e brëndshme të qënit ikonë me potencial që të bëhet i ngjashëm me Zotin ( Zanafilla 1-26), ai filloi t’a shikonte thjesht në botën e jashtme, në botën materiale edhe fizikun e tij.

Aq shumë u dha pas trupit, sa e ktheu trupin në një idhull, ku masa e vlerës dhe statusit shoqëror mes paganëve, u bë trupi i përsosur dhe fuqia fizike dhe jo morali dhe virtuti që burojnë nga shpirti , zemra dhe mendja.

Kështu grekët e lashtë për t’a hyjnizuar trupin, krijuan perënditë e Olimpit me një pamje humane të përsosur, por edhe me pasionet që i shkonin për shtat paganëve, d.m.th natyrës së rënë njerëzore, që ishte bërë vetëm mish
( Zanafilla 6-3).

Ata formuluan filozofitë dhe mitet klasike, sikur njerëzit janë krijuar nga perënditë dhe duhet t’i ngjajnë sa më shumë atyre në pamje dhe në dëshira. Prandaj, morali në Greqinë e lashtë, shkonte paralelisht me bukurinë dhe kujdesin për trupin, fytyrën, flokët dhe me ushtrimin lirisht të kënaqsive trupore, si një përngjasim i perëndive të Olimpit. Në atë kohë pagane, një sinonim i të qenit një qytetar i denjë dhe me status, ishte të kishe një trup të kujdesshëm dhe të trajnuar mirë, një fytyrë të bardhë dhe një trup të depiluar, ashtu siç e shikojmë dhe në shëmbëlltyra të krijuara artistike skulpturë, pikturë të kohës, që cilësohet si arti klasik.

Kështu dhe sot, në një botë të rënë moralisht dhe të vdekur shpirtërisht, pa vlera morale, virtute dhe ideale të shenjta, njerëzit po i kthehen vetëm pamjes dhe fizikut të jashtëm si e “perëndive”. Ky është një tundim për krenari, rivalitet, pasion, joshje dhe status në një shoqëri neopagane. Prandaj gjithmonë, edhe sot në këtë botë anti-Zot, të prishur moralisht dhe estetikisht dhe të mallkuar për prishje me vdekje dhe asgjësim ( Zanafilla 3-18), bukuria dhe përsosmëria jo vetëm që nuk arrihen , por më shumë janë një problem se sa mirëqënie për njeriun, si për ata që e kanë të lindur duke i rrëzuar në krenari dhe tundim për të tjerët, si për ata që e dëshirojnë në lakmi,por edhe atyre që iu mungon në zili dhe armiqësi.

Kështu këtë botë mëkatare të prishur , të dalë jashtë planit Hyjnor fillestar të parajsës tokësore ( Zanafilla 2-8), ku mbizotëron me tepri egoizmi, lakmia, zilia, armiqësia dhe që shkon pashmangshmërisht drejt dekadencës përfundimtare , Ekonomia Hyjnore nuk i jep shumë rëndësi bukurisë së jashtme të trupit që do vdesi dhe prishet në varr, por i jep rëndësi botës së brendshme të njeriut , të ringjalljes shpirtërore nëpërmjet besimit në Krishtin e ngjallur , me Misteret e Kishës Apostolike dhe zbukurimit të shpirtit njerëzor me dritën dhe virtytet e Shpirtit të Shenjtë , si :

“ Dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli”.( Galatasve 4-22).

Bota e rënë shpesh fokusohet te pamja jonë e jashtme, por Perëndia në këtë jetë shikon zemrën tonë, ashtu siç thotë profeti Samuel, që kërkonte mbret për Izraelin nga pamja: " Mos ia shiko as pamjen as shtatgjatësinë, sepse unë e kam refuzuar, sepse Zoti nuk shikon si shikon njeriu, njeriu shikon pamjen, kurse Zoti shikon zemrën". (1 Samuel 16:7).

Perëndia si Mjeshtër i Madh, patjetër që nuk ka hequr dorë edhe nga trupi njerëzor, por e përsërisim në këtë jetë të përkohshme ku vdekja do të asgjësojë të gjithë bukurinë e trupit, e rëndësishme është ringjallja dhe zbukurimi i shpirtit, që duhet t’i paraprijë ngjalljes së trupave të të vdekurve, ngjarje esaktologjike që do të ndodhi në Ardhjen e Dytë të Krishtit, “ I Cili do të vijë përsëri me lavdi të gjykojë të gjallë dhe të vdekur” ( Zbulesa 20: 11-13).

Kështu, ata shpirtra që do gjenden të bashkuar dhe të shpëtuar shpirtërisht në Zotin Jisu Krisht, si bij të adoptuar të Perëndisë ( Romakëve 8-14) dhe vëllëzër dhe motra të Krishtit ( Mattheu 12: 50), Perëndia do t’i ngjall trupërisht dhe do të restaurojë përfundimisht në ata kryevrepërën e tij njerëzore shpirt -trup të ngjallur, të lavdëruar, të hyjnizuar, sipas hirit të Shpirtit të Shenjtë, ashtu siç e shohim tek Krishti i ngjallur dhe që psalmisti Shën David na e përshkruan me profeci : “Ti je i bukur, më i pashmi ndër bijtë e njerëzve, u zbraz hiri në buzët e tua, prandaj Perëndia të bekoi për amshim”( Psalmi 42)

Ndërsa për besnikët e ngjallur të Perëndisë , vetë Zoti Jisu Krisht profetizon: “Atëherë të drejtët do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!”. (Mattheu 13:43).

Kurse, Apostull Joani na shkruan për ata që presin me besim dhe shpresë (të krishterët orthodhoks) kur të ngjallen në Krishtin :

“Shikoni ç'dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.”
Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç'do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet Ai, do të jemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim se si është Ai”. ( 1 Joanit 3;1-2).

Edhe Kisha Katholike, Apostolike, Orthodhokse ka një qëndrim kritik- etik deri ku duhet të shkojmë në ndërhyrjet estetike në këtë trup të përkohshëm.

Sipas apostull Pavlit: “Trupi i njeriut është tempulli i Zotit, është një kishë e gjallë, si një tempull i Shpirtit të Shenjtë” (1 Kor 6:19), si një dhuratë e shenjtë e Zotit që duhet ruajtur dhe respektuar, jo ndryshuar, zhgaravitur, apo rimodeluar sipas modës apo egoizmit tonë.

Prandaj Kisha lejon, bekon, lutet për suksesin edhe për ndërhyrjet estetike për të korrigjuar defekte të lindura apo nga aksidente përgjatë jetës, sepse kjo nuk bëhet nga egoizmi, por nga kujdesi dhe mirëqënia e trupit, që ai të fuksionojë, që të jetë sa më efikas në shërbim të shpirtit dhe mos kompleksojë psikologjikisht personin njerëzor.

Këtë e shohim edhe tek veprat shëruese të Zotit Jisu Krishtit, që me fuqinë hyjnore ndërhyri sipas dhembshurisë të Tij dhe besimit njerëzor të rregullojë gjymtime të shqisave, deformime dhe gjymtime të gjymtyrëve të trupit njerëzor, p.sh. krijimi i syve të atij që kishte lindur i verbër, (Joani 9: 6-8), drejtimi i gruas së kërrusur prej 18 vitesh (Lukai 13 ;11-13), ose shërimi i njeriut me dorë të tharë (Marku 3-5), etj .

Vërtetë, mjekësia ëshë një dhuratë e Perëndisë për përkujdesjen njerëzore, këtu bën pjesë edhe mjeksia estetike, që kërkon, ashtu siç u krijua në fillim, për korrigjimin sa është e mundur të defekteve të lindura apo të dëmtuara gjatë jetës, por Kisha është kundër tendencës së kohës, ku njeriu i sotëm i mbushur me pabesi, imoralitet, egoizëm është i tunduar gjithnjë e më shumë për t’u bërë nga ana e jashtme sa më i përsosur, për të tërhequr vëmendje, për joshje dhe mburrje, duke e bërë veten një idhull modern.

Kjo është arsyeja që kanonet kishtare ndalonin tek të pagëzaurit që të mos merreshin shumë me veten së jashtmi, por të ishin sa më natyralë, p.sh. Kanoni 6.96 Sinodi i 6 Ekumenik thotë: “Ata ose ato që janë pagëzuar dhe përsëri kujdesen për flokët duke i bërë gërshet duke i dredhur, duhet një pendese atërore, sepse një gjë e tillë është e gabuar përderisa josh të tjerët dhe sepse nuk duhet të zbukurohemi së jashtmi, por të zbukurohemi me virtyte së brendëshmi. Kushdo që shkel këtë kanon duhet të aforizohet".

Kjo e bazuar në fjalën e Apostujve: “Zbukurohuni, jo vetëm nga jashtë, duke gërshetuar flokët dhe duke vënë stoli ari, por nga brenda, me një frymë të butë dhe të qetë, që është e çmuar para Perëndisë.” (1 Pjetrit 3:3).

Nuk duhet të shkojmë në ekstrem në kuptim dhe interpretim, sikur nuk duhet të merremi fare me kujdesin dhe kurimin e vetes. Fjalët e Apostullit dhe Kanonit Kishtar kanë si qëllim të parandalojnë tendencën për teprime të panevojshme të mbarëvajtjes dhe zbukurimit të vetes, tendencë dhe praktika pagane të theksuara në ato kohë për mburrje dhe joshje në publik, por të rishfaqura përsëri dhe në këto kohë neopagane.

Shumë shenjtorë kanë folur për tundimin e bukurisë së jashtme, për t’u dukur ose për të joshur si me makijazhe, bizhu, por këtu futen edhe ndërhyrjet estetike jo të nevojshme apo të domosdoshme, le të përmëndim disa .

“ Zbukurimi i jashtëm është shenjë e varfërisë së brendshme. Ai që zbukuron trupin, shpesh harron shpirtin”, “Zoti të ka dhënë fytyrën tënde — mos e ndrysho me duar njerëzish, por zbukuroje me virtyt.” (Shën Joan Gojarti (Krisostomi shekulli 4)

“Njerëzit sot kujdesen për trupin, jo për shpirtin. Rregullojnë fytyrën, por jo zemrën. Dhe pastaj pyesin pse nuk kanë paqe”, “Nëse njeriu dashuron Krishtin, bukuria e brendshme e dritës hyjnore shndrit edhe në fytyrë.” (Shën Paisi i Athosit, shekulli 20)

“Kur zemra është e qetë dhe plot dashuri, atëherë edhe fytyra ndriçon. Paqja shpirtërore është kozmetika më e përsosur.”, “Mos kërko ta ndryshosh pamjen që Zoti të dha, por lutu që Ai të ndryshojë zemrën tënde.” (Shën Porfir Kavsokaliviti, shekulli 20).
“Kur njeriu përpiqet të ndryshojë fytyrën e tij për t’u pëlqyer të tjerëve, ai dëshmon se nuk e ka kuptuar se është bërë në shëmbëlltyrën e Zotit.” (Shën Theofani i Mbyllur)

Në këtë thënie të shenjtorit ndodhet thelbi i antropologjisë orthodhokse: ne jemi shëmbëlltyra e Zotit ( Zbulesa 1-26). Tendenca për të ndryshuar fytyrën pa një dosmosdoshmëri nuk është vetëm një gabim moral dhe etik, por është më shumë akoma, është edhe një fyerje ndaj Providencës Hyjnore që ka lejuar të krijohesh në atë mënyrë që ai do, si një shëmbëlltyrë e papërsëritshme e Zotit.

“Mos e fyeni krijimin e Zotit me ndryshime të kota. Zoti nuk gabon në asgjë që krijon.”, “Kur kërkojmë të ndryshojmë trupin, shpesh e bëjmë, sepse nuk e kemi pranuar veten si bij e bijat e Zotit.” (Shën Nektari i Egjinës, shekulli 19)

“Sa më shumë e do Zotin, aq më shumë dashuri ndjen edhe për trupin që Ai të ka dhënë — jo për t’a zbukuruar, por për t’a ruajtur si tempull të Tij.” (Shën Siluan Athoniti shekulli 19)

Shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë thotë: “ Dëshiron të dukesh bukur? Jini të kënaqur me tiparet dhe bukurinë që ju ka dhënë Krijuesi dhe mos doni të ndërhyni në të, sepse në këtë mënyrë tregoheni gjasme se jeni ju më të përsosur dhe më të mençur se Zoti dhe për këtë arsye dëshironi të korrigjoni krijimin e Tij”, siç na thotë Shën Joan Gojarti:
“Doni të dukeni mirë dhe të bukur? Të jeni të kënaqur me shëmbëlltyrën që ju ka dhënë Krijuesi. Pse shtoni dhe ndërhyni për të korrigjuar krijimin e Zotit në këtë mënyrë?" (Fjalimi 1 drejtuar Kolosianëve).

Prandaj Kisha Orthodhokse nuk gjykon në mënyrë të verbër, ekstremiste, në lidhje me ndërhyrjet estetike si në fytyrë edhe në trup, por Kisha që është Trupi i Krishtit (Efesianëve 1-23) dhe "Shtylla dhe mburoja e së Vërtetës" (1 Timotheu 3:15) dhe ka mendjen e Krishtit, (1 Korintasve 2:16 ) dhe vetë është spitali i madh për shpirtrat dhe trupat njerëzorë, duke përdorur medikamente hyjnore që janë Misteret e shenjta, përshëndet edhe ndihmën mjekësore për shëndetin e njeriut dhe për estetikën, është pro ndërhyrjeve mjekësore estetike për korrigjime të nevojshme dhe të domosdoshme, si deformime të lindura, apo aksidentale që ndikojnë në cilësinë e jetës dhe psikologjinë e njeriut , dhe është kundër ndërhyrjeve estetike të panevojshme, për zbukurim nga kotësia, krenaria ,joshja ose mungesa e pranimit të vetes ashtu siç janë të krijuara nga Perëndia. Në rastet e para, ndërhyrja mund të jetë një akt shërimi dhe mirënjohjeje ndaj Zotit dhe mjeksisë si një instrument i bamiësisë hyjnore për njeriun, ashtu siç thotë urtësia e Sirakut: “ Nderoje mjekun si i takon se edhe atë e ka krijuar i Tejlarti” (Sirakidi 38-1), por në rastet e dyta ndërhyrjet estetike si në fytyrë edhe në trup konsiderohen nga kisha një akt krenarie dhe mosbesimi, një përpjekje për të zëvendësuar dorën e Krijuesit me dorën e njeriut, ose një sakndal për tundim dhe joshje seksuale, që meriton gjykim hyjnor , ashtu si e cilëson edhe Shën Isidor Pelusioti: "Dije edhe këtë: Një grua krenare kur zbukurohet për të joshur ata që e shohin, edhe sikur ajo ende të mos ketë joshur dikë, do të konsiderohet sikur ta kishte joshur atë".

Aq më shumë kur me ndërhyrje estetike ndryshohet pamja apo gjinia përkatëse, është një përversion dhe cilësohet mëkat i vdekshëm, kundra natyrës dhe Kisha në këto raste është kategorikish kundra. Në spiritualitetin orthodhoks bukuria e vërtetë nuk është as simetri, as rinore, por prania e hirit. Shenjtorët që kanë vuajtur nga gjymtime të lindura ose të marra gjatë jetës , apo pleqëria , por kanë jetuar me përulësi e dashuri, pa ankesa apo edhe përpjekje për korrigjim , shpesh kanë pasur fytyra të ndritshme ,të bukura , një ndriçim apo bukuri që nuk vjen nga kozmetika, apo estetika por nga hiri i Zotit sepse:
“ “Kush ka Krishtin në zemër, ai është i bukur edhe në pleqëri.” ( Thënie Oshënare)

Së fundi, tendenca e sotme për të krijuar me teknologji çdo gjë të përsosur dhe simetrike bie ndesh edhe me ligjet estetike natyrore të bukurisë. Simetria, shpesh quhet burim i bukurisë, por simetria absolute nuk është bukuri tërheqëse, por shpesh e mërzitshme dhe e velur. Asimetria harmonike e bën bukurinë më të veçantë, më të pëlqyer dhe tërheqëse, këtë e shohim edhe në natyrë, që kurrë nuk është plotësisht simetrike dhe pikërisht tek papërsosmëritë ose asimetritë qëndron tërheqja dhe bukuria e personalizuar në bukuritë e natyrës, në objekte dhe gjallesa, aq më shumë tek njeriu që është kurora e krijimit.

Prandaj, nëqoftëse nuk keni nevojë të vërtetë dhe të domosdoshme për ndërhyrje estetike në fytyrë dhe në trup, kënaquni me bukurinë natyrore ose e thënë më mirë ,me atë që ju ka bërë të veçantë Mjeshtri i Madh, Perëndia , që thotë:
“ Ja, unë të kam gdhendur mbi pëllëmbët e duarve të mia! ”
( Isaia 49: 16)

No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • ATDHEDASHURIA , NË KËNDVËSHTRIMIN BIBLIK
    28 Nov, 2025
  • Homelia XV mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e dytë )
    25 Nov, 2025
  • Homelia XV mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )
    21 Nov, 2025
  • BESTYTNITË NJË MARRËZI, BLASFEMI DHE TALLJE DEMONIAKE !
    20 Nov, 2025
  • ATI SHPIRTËROR & PSIKOLOGU !
    15 Nov, 2025
  • Homelia XIV mbi Ungjillin sipas Mateut
    11 Nov, 2025
  • KË DUHET TË DËGJOJMË – PROFETËT E ZOTIT APO KONSPIRACIONISTËT E BOTËS?!
    7 Nov, 2025

Shkrime nga Katekisti Miron Çako

Publikimet e vitit 2025

  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako