SI T’A PËRBALLOJË I KRISHTERI KUNDËRSHTIMIN E FAMILJARËVE, MIQVE PËRKUNDREJT BESIMIT?
August 6, 2025 at 5:54 pm,
No comments

Nga Katekisti: Miron Çako
Zoti Krisht, si i drejtëpërdrejtë me nxënësit e tij, iu thoshte atyre :
“ Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. Sepse erdha të shkaktoj ndarje: birin kundër të atit, bijën kundër së ëmës dhe nusen kundër vjehrrës. Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.” (Mattheu. 10: 34-36)
Kur i lexojmë ose i dëgjojmë këtë fjalë të Krishtit që janë aktuale në çdo kohë, sepse vetë Krishti na siguron se : “ Qielli dhe toka do të kalojnë por fjalët mia nuk do të kalojnë ”( Mateu 24-35), neve njerëzve na duken si fjalë të ashpra dhe ndoshta skandalisemi, çuditemi dhe pyesim me habi : “Si mund t’i thoshte këto fjalë të ashpra Zoti Jisu Krisht, Ai që është Fjala dhe dashuria e mishëruar Perëndisë.” ( Joani 1-14) ( Joani 3-17).
E para, duhet të kuptojmë ashtu siç na katekizon Kisha Apostolike, se Zoti ynë nuk është duke folur këtu për qëllimin e drejtpërdrejtë të ardhjes së Tij si “ Princi i Paqes” ( Isaia 9-6), i cili u shfaq në botë si Perëndi- njeri absolutisht që të vendoste paqen midis Perëndisë dhe njerëzimit, e prishur nga rebelimi njerëzor në kopshtin e Edenit. ( Zbulesa 3: 6-7), sepse fjalët e Krishtit të Ngjallur tek nxënësit :“ Po ju lë paqen, po ju jap paqen time ” ( Joani 14-27) , ose “ Lum ata që bëjnë paqe, se do të quhen bij të Perëndisë” ( Mattheu 5-9) do ishin kontradiktore .
Por në këtë rast Zoti Krisht po flet ju nxënësve për pasojën konfliktuale pothuajse të pashmangshme të kësaj shfaqje të Krishtit paqësor në jetët tona personale, në lidhje me familjarët , miqtë, shoqërinë, në këtë botë ku mbizotëron pabesia , rebelizmi , mëkati dhe armiqësia me Zotin.
Zoti Jisu Krisht është duke thënë një të vërtetë të vërtetuar ,se kurdoherë që njerëzit e ndjekin Atë si dishepuj, nuk duhet të mendojnë se besimi , bashkimi, jeta e re dhe pohimi i tyre si nxënës të Krishtit do t’i sjellë patjetër marrëdhënie paqësore me të afërmit, familjarët, miqtë apo shoqërinë , përkundrazi ata duhen të pregatiten për të pritur kundërshtim të hidhur, të egër , deri në antihuman, martirik.
Vetëm në këtë këndvështrim kanë kuptim fjalët e Krishtit: “ Mos mendoni se erdha të sjell paqen në tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën. (v. 34)
Shpata është një mjet prerës që ndan, kështu dhe fjala e Krishtit është si shpatë që ndan botën tonë të brendshme ,mendësinë, veprimet dhe marrëdhëniet tona jo vetë personale mes Zotit dhe botës por edhe ato me familjen edhe shoqërinë.
Të jesh një i krishterë orthodhoks ,domethënë besimtar i rrugës së drejtë në Krishtin, pa devijuar majtas dhe djathtas , nuk të lejohet të jesh oportunist , me dy standarte , me hipokrizi në marrëdhënien mes Krishtit dhe vetes ,familjarëve dhe shoqërisë ,por mardhënie të ndara si nga shpata nëpërmjet fjalës së Zotit: “Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës. ( Hebrenjve 4:12)
Fjalët profetike të Krishtit :“ Në të vërtetë, armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vetë”, ( Mateu 10-36), fatkeqësisht dhe fatmirësisht janë realizuar.
E para , fatkeqësisht, se po bëhet fjalë për një armiqësi brenda familjes dhe miqve për shkak të besimin tonë në Krishtin, që askush nuk do të dëshironte t’a përballonte për veten ,si një kryq shumë i rëndë,sepse do të duhet që mes Krishtit dhe atyre që na kundërshtojnë për besimin, duhet të shkojmë pas Krishtit dhe automatikisht do ndahemi me dashurit tanë në këtë jetë ndoshta edhe në përjetësi .
E dyta , fatmirësisht, sepse kjo armiqësi iu ka sjellë një të mirë të madhe atyre të krishterëve që duruan dhe përballuan kundërshti dhe armiqësi për emrin e Krishtit me familjarët dhe miqtë e tyre, sepse një lumërim dhe shpërblim i madh i pret në qiell, ashtu Krishti siguron :” Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim.Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''. (Mattheu 5-12)
Ata të krishter vërtetë u kundërshtuan,u përbuzën,u përjashtuan, madje dhe u martirizuan nga familjarët dhe miqtë e tyre , por si shpërblim fituan birësinë e Perëndisë, u bënë vëllezër dhe motra të Krishtit, u bënë krishtër, u bënë familjarë të familjes së Perëndisë, bashkëqytetarë të shenjtorëve,sepse :“ Të gjithë atyre që e pranuan, Ai iu dha pushtetin të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e Tij, të cilët nuk janë lindur nga gjaku, as nga vullneti i mishit, as nga vullneti i burrit, por janë lindur nga Perëndia.” ( Joani 1-12)
Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin, historia e krishterimit kurdoherë na ka treguar , po na tregon dhe do të na tregojë deri në fund të jetës, që në përgjithësi kur njerëzit janë kthyer te Zoti Jisu Krisht, Shpëtimtari i gjallë, i dashur, paqësor dhe tek Kisha Apostolike ,që është Trupi i Krishtit ( Efesianëve 1-3) , të krishterët në përgjithësi janë përballur me kundërshti, armiqësi, abuzime, janë përqeshur, janë keqtrajtuar, konfiskuar pasuri, përjashtuar nga trashëgimia, janë dëbuar nga shtëpia, janë spiunuar , janë burgosur jo vetëm nga të huajt, paganët, barbarët, antikrishtët , por në shumë raste janë keqtrajtuar madje janë vrarë nga familjarët dhe miqtë, të cilët u transformuan frikshëm nga miqësor në armiqësor të palogjikshëm, duke therorizuar fëmijët e tyre, të afërmit , miqtë e tyre, duke meduar se po bënin gjënë e drejtë ata u bërë një “Abram” i djallit.( Zanafilla 22 -10) që kërkon viktima të pafajshëm , ashtu si dhe Zoti Krisht paralajmëroj : “madje po vjen ora kur, kushdo që t'ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë” ( Joani 16-12).
Këtë fakt e vertetojnë jetët e shenjtorëve , p.sh . Shën Varvara ( 4 dhejtor) u torturua dhe u vra nga i ati i saj idhujtar, po ashtu Shën Kristina ( 24-Korrik) u martirizua nga babaj pagan , Shën Markela (22 korrik) u persekutua dhe u vra nga i ati i pandershëm, epshor ,Shën Thomaidha u vra nga vjehrri i saj imoral , e e shumë të tjerë shenjtorë që i kujtojmë në sinaksarët e shenjtorëve që u shanë, u mallkuan, u përjashtuan, u rahën u vranë nga të afërmit e tyre vetëm pse u bënë të krishterë dhe jetuan sipas porosive të Krishtit.
Përmendim gjithashtu shumë e shumë besimtarë të krishterë, që kanë vuajtur dhe po vujanë edhe sot luftën brenda familjes, miqësisë , shoqërisë, vetëm se zgjedhin të jenë dhe të jetojnë si të krishterë orthodhoks në familje dhe në shoqëri.
Madje dhe sot, ku të drejtat njerëzore janë të ligjëruara dhe të mbrojtura me me ligje ndërkombëtare , si e drejta për të besuar dhe ushtrimi i fesë sipas dëshirës , përsëri ka vende ku feja përkatëse , fanatizmi, eksteremizmi, ndalon konvertimin në të krishterë, për më tepër jo vetëm e ndalon por edhe i persekuton e dënon me vdekje konvertimin dhe ushtrimin e besimit të krishter.Ashtu siç kemi histori pa fund të neomartirëve, të cilët vazhdojnë deri më sot të martirizohen jo vetëm nga shteti, shoqëria antikrishte por edhe nga familja dhe fisi fanatik.
Kur Krishti na thotë se :“ Armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.” ( Mattheu 10-34), kjo fjalë hyjnore ka një kuptim akoma dhe më të gjerë se shtëpia e lidhjeve të gjakut ,sepse ne besimtarët kemi dhe një shtëpi frymore shpirtërore, që është Kisha “Shtëpia e Perëndisë” dhe familja e madhe e krishterë , (1 Petros 4-17), por përsëri edhe aty fatkeqësisht ndodhin, padrejtësi , armiqësi , kundërshti deri dhe krime kundër besimtarëve vullnetmirë .
Ata nuk përndiqen nga Kisha që është e pagabueshme, por nga njerëzit që sjellin brenda institucionit kishtar dobësitë dhe pasionet e tyre karjeriste ose dashakeqe. Fatkeqësisht historia kishtare dhe jetët e shenjtorëve na tregojnë raste të përsëritura, që besimtarë të devotshëm, klerikë të shenjtë , predikues të vërtetë , oshënarë të ndershëm iu bënë shpifje , u akuzuan, u kundërshtuan, u padrejtësuan , u shkishëruan, anatemuan , u persekutuan, u burgosën, u internuan edhe nga instituciuoni kishtar i keqmenaxhuar nga ziliqarët,smirëzinjtë , hipokritët , heretikët, nga këta pseudoprofetë, ose “ujqër me lëkurë delesh”, që persekutuan edhe brenda Kishës delet e Zotit.
Përmendim këtu p.sh. Shën Joan Gojëarti ( 27 Nëntor) që u shkishërua dhe vdiq në internim, Shën Athanasin e Madh( 2 Maj), që shumë peshkop heretik e përfolën , shpifën e çkishëruan, e internuan , Shën Nektarin e Pentapolit (9 Nëntor ) që aq shumë vuajti nga shpifjet prej kolegëve klerik , po ashtu edhe të tjerë shenjtorë dhe besimtarë, që janë dëshmuar në historinë kishtare si shembuj padrejtësie por edhe qëndrese dhe durimi në Krishtin , apo të tjerë që i di Zoti në qiell.
Kjo kundërshti deri në armiqësi kurrsesi nuk vjen se e do Krishti ynë, përkundrazi, Ai do që të gjithë njerëzit të shpëtohen,të jetojnë në paqe dhe të duan njeri- tjetrin, ashtu si ai na do ne të gjithë ( Joani 5-12) , por ëshë djalli njerivrasësi ( Joani 8-44), që kërkon t’a fusë këtë armiqësi mes njerëzve, sidomos kur ata besojnë tek Krishti, që t’i pengojë besëmirët që të ecin mbas Atij që tha: ''Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet Meje” ( Joani 14-6), por Zoti Jisu Krisht e lejon që të ndodhë kjo kundërshti dhe armiqësi, si një dëshmi e besnikërisë, si një mundësi për rrëfimin tonë publik dëshmisë sonë në Krishtin përpara njerëzve edeh të familjes që të fitojmë edhe ne pohimin e Krishtit përpara Atit në qiell , sepse ; “kushdo që më rrëfen para njerëzve, edhe unë do ta rrëfej para Atit tim që është në qiej” ( Mateu 10 -32) dhe të fitojmë merita dhe kurorë të përjetëshme në qiell, sepse:“ Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do t’a fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij. ( Zbulesa 3-5) si dhe : “ Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.” ( Zbulesa 3: 21-22)
Kur Krishti i tha këto fjalë tek nxënësit, Ai ishte përballuar edhe vetë me këtë kundërshti në familje dhe në popullin judaik .
Zoti Jisu Krishti kishte përballuar mosbesimin e të afërmve, familjarëve , në fillim vëllëzërve, që ishin bijët e Josifit , që nuk e besonin për atë çfarë Ai ishte dhe çfarë mund të bënte : “ Sepse edhe vëllëzërit nuk besonin në të” ( Joani 7-5). Jo vetëm ata të familjes nuk besonin por edhe të afërmit dyshonin dhe thoshin nuk është në vete ; (Mateu 3-4).Po ashtu njerëzit bashkëqytetarët me të cilët ishte rritur, në Nazaret, kur ai i mësonte e qesëndisnin me sarkazëm , si birin e marangozit, Josifit, ( Mateu 13-15) dhe me dyshim thoshin ''Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme? ( Mateu 13-54) dhe kur Ai u foli të vërtetën se është përmbushja e fjalës së profetëve : “ Fryma e Zotit është mbi mua, sepse Ai më vajosi për të ungjillëzuar të varfërit; Ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e shikimit të të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit” ( Luka 4 : 18-19), ata u xhindosën dhe të egërsuar kërkonin ta hidhnin poshtë në humnerë për t’a vrarë ( Luka 4-29), prandaj Krishti tha : “ Me të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk pranohet në vendlindjen e tij”( Luka 4-24), por akoma : “ Ai erdhe tek të vetët dhe të vetët ( izraelitët ) nuk e pranuan ( Joani 1-11), por përkundrazi e shanë, e mallkuan dhe e blasfemuan si heretik që është i demonizuar, duke i thënë me përbuzje :“ A nuk themi me të drejtë se ti je samaritan dhe se ke një demon?”( Joani 8-48) e quajtën bashkëpunëtor me djallin:“ Kurse skribët, që kishin zbritur nga Jerusalemi, thonin: “ Ai ka Beelzebulin dhe i dëbon demonët me princin e demonëve” ( Marku 3-22) ,e arrestuan si kusar ( Marku 14-48),e akuzuan padrejtësisht në sinedër ( Marku 14: 56-57), e akuzuan tek autoritetet romake si kryengritës( Luka 23: 1-2),kërkuan që të kryqëzohet ( Marku 15-14), e tallën dhe blasfemuan poshtë kryqit ( Marku 29-31), edhe pse : “ Ai nuk bëri asnjë mëkat dhe nuk u gjet asnjë mashtrim në gojë të tij. Kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen, kur vuante, nuk kërcënonte, po dorëzohej tek Ai që gjykon drejtësisht.Ai vetë i mbarti mëkatet tona në trupin e Tij mbi drurin e kryqit, që ne, të vdekur për mëkatet, të rrojmë për drejtësi; dhe me plagët e Tij ju u shëruat” ( 1 Petros 2: 22-23).
Kështu, të jesh i krishterë, do të thotë të imitosh, të ecësh në gjurmët e Krishtit, i Cili nuk të imponohet, por të fton në liri të plotë :“ Kush dëshiron të vijë pas meje, le t’a mohojë veten, të marrë kryqin e vet çdo ditë e të më ndjekë.” ( Luka 9: 23-34).
Të mohosh veten do të thotë të mohosh jo vetëm egon, mëkatet dhe pasionet që të ndajnë nga Krishti , por edhe lidhjet instinktive dhe të sëmura të gjakut, interesat egoiste mes miqve dhe oportunizmin shoqëror, duhet të ngresh kryqin deri në fund , d.m.th. kundërshtimin, mundimin , persekutimin dhe martirizimin që të vjen nga familjarët, miqtë që bëhen kundërshtarë, për hir të besimit në Krishtin.
Gjithmonë është një paradoks shoqëror, që edhe pse je i krishterë, t’i duhet t’a respektosh dhe nuk duhet t’i imponohesh tjetrit, sidomos edhe në aspektin fetar , madje i krishteri është obliguar të bashkëjetojë pa problem me të tjerët, ashtu siç na mëson Apostulli i kombeve : “ Po të jetë e mundur dhe aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me gjithë njerëzit” (Romakëve 12:18), kuptohet deri në atë masë që ata nuk të cënojnë besimin , moralin e krishterë , kurse të tjerët që nuk janë të krishterë, edhe pse brenda familjes, përsëri e kanë të vështirë dhe ndonjëherë të pamundur t’a pranojnë të krishterin në familje , në miqësi dhe shoqëri, edhe pse ky kundërshtim është krejt i paarsyeshëm dhe absurd.
Për shembull,edhe pse një prind kur mëson se fëmija i tij është duke u bërë i krishterë, për hir të besimit dhe katekizmit të krishterë dhe po ndryshon për mirë moralisht ,dmth ai heqë dorë nga veset , gabimet , pasionet , abuzimet, respekton dhe i ndihmon më shumë prindërit, sepse ka mësuar nga Krishti : “Ndero atin dhe nënën tënde dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.” ( Mattheu 19-19), përsëri ka raste që prindi ateist , antikrisht, në vënd që të gëzohet se fëmja e tij po ndryshon për mirë, po bëhet një njeri i përgjegjshëm , punëtor i ndershëm dhe po i nderon dhe i shërben atyre , ai si prind çuditërisht hidhërohet, mërzitet , xhindoset dhe do të preferonte që fëmija të ishte si më parë i pamoralshëm , egoist , pa dashuri për prindërit , problematik për shoqërinë, por vetëm i krishterë mos ishte bërë, sepse e shikon besimin e krishter të fëmijës si tradhëti të fesë familjare, pengesë për një jetë normale , mashtrim , izolim social ,marrëzi , ose çmënduri .
Kjo kundërshti , armiqësi i vjen prindit jo nga logjika e shëndoshë , por nga fryma që mbart brenda vetes dhe ajo fryma kontrollon mendjen dhe gjithë aktivitetin pro ose kundra Krishtit, pra varet çfarë fryme mbartim,frymën e Krishtit, apo atë të antikrishtit , sepse na sqaron Apostull Pavli :“ Prandaj ju bëj të ditur se askush që flet në Frymën e Shenjtë nuk thotë: “ Mallkuar qoftë Jisui !” dhe asnjë nuk mund të thotë: “ Jisui është Zot, veçse në Frymën e Shenjtë.” (1 Korintasve 12-3)
Kush është antikrisht ka frymën e djallit :“ Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jisui është Krishti? Antikrishti është ai që mohon Atin dhe Birin.” ( 1 Joanit 2 -22)
I krishteri, është gjithmonë i vëmendshëm dhe shikon gjërat në frymë dhe e kupton pse vjen kjo kundështi , edhe kur bëhet fjalë mes familjarëve edhe miqëve, ashtu si apostull Pavli sqaron : “Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë.Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit.” (Romakëve 8 5-9)
Dhe Apostull Joani sqaron : “Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia. Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jisu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; kjo është fryma e antikrishtit, për të cilën keni dëgjuar se do të vijë; madje tashmë është në botë”. (1 Joani 4:3-4)
Besimi në Zot nuk është as familjar, as gjenetik, as kolektiv apo thjesht kulturor. Edhe pse këta faktorë mund të ndikojnë, ata nuk janë përcaktues. Besimi është një përjetim personal mes njeriut dhe Zotit : “Unë besoj” (Marku 9:24). Ai lind nga një takim i drejtpërdrejtë me Zotin. Prandaj edhe Pavli thotë: “Unë besova, prandaj edhe fola”. (2 Korintasve 4:13-15)
Duke qenë se besimi është personal dhe jo i trashëguar, kjo shpesh sjell përplasje mendimesh dhe sjelljesh edhe brenda vetë familjes. Ka raste kur prindërit besojnë, por fëmijët jo, ose e kundërta; ndonjë fëmijë beson, ndërsa tjetri jo. Sepse besimi është çështje fryme, jo vetëm logjike, ose je i mbushur me Frymën e Krishtit, ose je nën ndikimin e frymës së antikrishtit, nuk ka qëndrim neutral. Prandaj Krishti thotë: “Kush nuk është me mua, është kundër meje” (Mateu 12:30).
Kur Krishti shfaqet në një ambient familjar, shoqëror apo miqësor, përmes dikujt që është bërë i krishterë, atëherë fillon ndarja dhe kundërshtimi. Kjo ndodh sepse ndryshon orientimi, morali, cilësia dhe mënyra e jetesës, sipas udhëheqjes së Frymës së Shenjtë . Kjo mënyrë jetese nuk përputhet gjithmonë me bindjet dhe frymën e atyre që nuk besojnë.
Në këto raste, të tjerët jo vetëm që e kundërshtojnë këtë mënyrë jetese, por shpesh rekrutohen shpirtërisht nga fryma e antikrishtit, domethënë nga demonët. Kështu, të manipuluar prej tyre, ata jo vetëm refuzojnë, por edhe e persekutojnë të krishterin, madje edhe brenda familjes ose në rrethin shoqëror. Fillon prishja e harmonisë biologjike, paqes familjare dhe marrëdhënieve shoqërore, duke çuar deri në ndarje të thella dhe madje në viktimizime shpirtërore dhe fizike.
Krishti e konfirmon këtë kur thotë: “Kush nuk mbledh me mua, shpërndan” (Mateu 12:30), dhe gjithashtu: “Kush nuk është kundër nesh, është me ne.” (Luka 9:50)
Prindërit, të afërmit apo miqësia, këtë kundërshti që kthehet në armiqësi demonike, e justifikojnë me dashurinë, por ajo është një dashuri mishore, instinktive, shtazore dhe që ndryshon nga ajo që është hyjnore, e vërteta që zbret nga lart dhe ka prioritete, duke iu drejtuar Perëndisë në fillim, pastaj të afërmve,ashtu si mësonte Krishti ; “Dhe Jisui tha: "Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënde dhe me gjithë mendjen tënde". Ky është urdhërimi i parë dhe i madh. Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët." (Mateu 22:37-40)
Kjo aksiom hyjnore e dashurisë është arsyeja që Krishti mëson përsëri : "Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit e motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im." (Luka 14:26)
Kur thotë Krishti “urren”, nuk do të thotë të urresh në kuptimin e zakonshëm, sepse kjo kundërshton ligjin e dashurisë si veten për të afërmin (Mateu 22:40), por nënkupton se dashuria mbi veten që i detyrohemi Perëndisë (Mateu 22:37) nuk ka aspak përngjasim me dashuritë e tjera, madje, dashuritë e tjera, për prindërit, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat dhe vetveten, përballë dashurisë që i dedikohet Perëndisë, duken si urrejtje.
Domethënë, duhet të urrejmë çdo gjë që nuk është e perëndishme, mendim apo veprim, që na ndan nga dashuria për Perëndinë edhe nëse ato vijnë nga të afërmit apo nga vetja jonë mëkatare.
Nxënësi besnik i Krishtit nuk bën kompromise, por u tregon prindërve dhe të afërmve: “Unë e dua më shumë Perëndinë se ju”, kurse ata i do sipas dashurisë së Perëndisë, të cilën apostulli Pavl e përshkruan në mënyrë poetike:“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën; i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i mban çdo gjë. Dashuria nuk ligshtohet kurrë.” (1 Korintasve 13:4-8)
Kundërshtimi i prindërve apo i të afërmve kur bëhemi të krishter vjen edhe nga egoizmi dhe xhelozia , sepse kur përballen me një fëmijë, vëlla apo motër të krishterë që e do Perëndinë më shumë se ata, aty lind xhelozia tek prindërit, vëllezërit, motrat, miqtë, sepse zemrat e tyre janë të mbushura me egoizim ,vetëdashje. Ata nuk duan me të vërtetë , sepse dashuria “gëzohet me të vërtetën” , dhe “nuk kërkon të sajat” por ata duan veten etyre egoiste. Janë aq egoistë, sa kalojnë kufijtë e bashkëjetesës familjare dhe shoqërore sa duan të jenë zotër të jetës sonë dhe kur nuk na tërheqin dot drejt vetes së tyre egoiste me një dashuri instinktive, ajo kthehet në urrejtje patologjike ndaj fëmijës, vëllait, motrës apo mikut të krishterë.
Në këto raste, këta kundërshtarë bëhen të ngjashëm me djallin, i cili u bë egoist dhe u dashurua me veten (Ezekieli 28:16), dhe kështu u armiqësua me Perëndinë dhe me ata që i qëndrojnë besnik Atij.
Prandaj, kur i krishteri beson dhe pohon se: "Jisu Krishti është Zot" (Romakëve 10:9), “I cili është përmbi çdo gjë, Perëndi i bekuar përjetë” (Romakëve 9:5)
“I cili shkoi në qiell dhe është në të djathtën e Perëndisë, ku i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqi” (1 Pjetrit 3:22), “Që në emrin e Jisuit do të përkulet çdo gju, në qiell, në tokë dhe nën tokë, dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:10-11), atëherë demoni që banon në zemrat e prindërve dhe të afërmve egoistë fillon të veprojë me zili dhe urrejtje përmes tyre, kundër Zoti Jisu Krishtit që është tek i krishteri.
Prandaj edhe Apostull Pavli na thotë ;” sepse beteja jonë nuk është kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të botës së errësirës të kësaj epoke, kundër frymërave të mbrapshta në vendet qiellore” (Efesianëve 6:12)
Fatkeqësisht, kjo armiqësi që shfaqet në forma edhe trajta të ndryshme si psikologjike, verbale, fizike, është jo vetëm djallëzore në frymë, por edhe djallëzore në veprim, sepse ka raste që, kur prindërit, të afërmit kur nuk arrijnë dot ta mposhtin të krishterin besnik që është fëmijë , vëlla, motër, bashkëshortë, miku i tyre , atëherë ata antikrisht kërkojnë edhe drejtpërdrejt ndihmën e djallit, duke bërë vetë ose me anën e të tjerëve rite magjike, yshtje, që kështu të mund ta posedojnë besimtarin e krishterë dhe ta shkëpusin nga bashkimi me Krishtin dhe ta largojnë nga rruga e jetës së përjetëshme.
Por edhe në të tilla sulme djallëzore, i krishteri nuk duhet të ketë frikë dhe duhet të qëndrojë, sepse apostull Jakobi na thotë: “Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju.” (Jakobi 4:7) “Sepse ai që është në ju (Krishti), është më i madh se ai që është në botë (djalli) (1 Joani 4:4).”
Edhe nëse armiqësia shkon deri aty sa të arrijë në kufirin e krimit, e rrezikut për jetën, përsëri i krishteri besnik duhet të mos ketë frikë edhe të dorëzohet, sepse Zoti Krisht thotë: “Po ju them juve, o miq të mi, të mos keni frikë nga ata që vrasin trupin, por pas kësaj nuk mund të bëjnë asgjë tjetër. Unë do t`ju tregoj prej kujt duhet të keni frikë: druani nga ai që, pasi ka vrarë, ka pushtet të të hedhë në Gehena; po, po ju them, nga ai të keni frikë (Luka 12:4-5).”
Çështja është se si të krishterët nuk duhet të skandalizohen më Krishtin, sepse:
“Lum ai që nuk do të skandalizohet nga unë!” (Mateu 11:6), edhe kur janë në të tilla sprova martirike brenda familjes, sepse Krishti na ka paralajmëruar:“Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin. Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë (Mateu 10:21-22).”
Zoti i ngjallur na ka thënë: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, por jo siç e jep bota; zemra juaj mos u tronditë dhe mos u frikësoftë (Joani 14:27) .”Kjo është “Paqja e Perëndisë, që kapërcen çdo mendim, dhe do të ruajë zemrën tuaj (Filipianëve 4:7).”
Paqja e Perëndisë është dhe qëndron bashkë me të vërtetën, prandaj edhe i krishteri nuk mund të bëjë një paqe të rreme me të afërmit e tij kundërshtar, duke mohuar të vërtetën në Krishtin, sepse: “Nuk duhet të tradhtojmë të vërtetën për paqen, sepse paqja që nuk mbështetet në të Vërtetën është vetëm një mashtrim.” Shën Maksimi Konfesori.
Nëse i krishteri, nga frika apo dobësia mishore, nga dashuria instinktive, do të bëjë kompromise me të vërtetën në Krishtin dhe do t’i nënshtrohet presionit prindëror, familjar, shoqëror për një paqe të rreme, ai jo vetëm që humbet dashurinë e Zotit dhe shpëtimin e përjetshëm, por humbet edhe mundësinë që të shpëtojnë ata që ai i do si familjarë dhe miq të tij dhe kështu do të jetë skandal, fajtor për humbjen e tyre përpara Zotit. Krishti e tha : “Mjerë bota për skandalet! Sepse është e nevojshme të vijnë skandalet, por mjerë ai njeri për faj të të cilit do të vijë skandali!” (Mateu 18:7)
Përkundrazi, rezistenca e të krishterit në besim, deri në sakrificë përpara familjarëve, miqve, shoqërisë është një mundësi që ata që sot edhe pse ata mund të jenë të gabuar, armiq të besimit në Krishtin, nesër nga durimi dhe qëndresa jonë në Krishtin mund të preken dhe të kthehen ata tek Jisui me besim dhe të shpëtojnë, sepse: "Kur njeriu vendos Krishtin mbi të gjitha, atëherë gjithçka tjetër bie në vendin e vet. Edhe ata që sot janë kundër teje, nesër do të shohin dritën dhe do të ndryshojnë." Shën Paisi i Malit të Shenjtë.
Kemi raste të tilla tek shumë shenjtorë, si p.sh. tek Shën Prokopi (8 Korrik), që nëna e tij ishte pagane dhe ishte ajo që e dorëzoi të birin e krishterë tek autoritetet antikrisht, por kur ajo pa qëndrimin martirik të të birit dhe të grave senatore që u martirizuan për shkak të qëndrimit të Shën Prokopit, në fund edhe ajo u pendua, besoi, u pagëzua në Krishtin, pohoi besimin dhe u martirizua bashkë me Shën Prokopin, dhe nderohet si martire, Shën Theodosia ( 8 Korrik).
Kur të tjerët, edhe familjarët apo miqtë, kërkojnë të na prishin paqen me Perëndinë, nuk do t’i lejojmë, por edhe nuk do t’i luftojmë, por do të vazhdojmë t’i duam në Zotin, do t’i bekojmë, do t’i durojmë edhe do t’i falim, do të lutemi për ata, do t’i mësojmë kur na dëgjojnë, me shpresën se edhe ata do të kthehen te Krishti, që si Perëndi: “Nuk do vdekjen e mëkatarit, por që të kthehet edhe të jetë gjallë”( Ezekeli 3-11), prandaj Shën Serafimi na thotë: "Mos lejo asnjë njeri të të largojë nga rruga që të çon te Zoti. Nëse qëndron i qetë dhe me dashuri, vetë Zoti do të preki zemrat e të afërmve të tu."
Edhe pse prindi, familja, bashkëshorti, bashkëshortja, miqtë na kundërshtojnë për hir të besimit, i krishteri nuk do t’i braktisë ata, përkundrazi do t’i dojë më shumë, që, në mos me fjalë, të kthehen nga sjellja e mirë e krishterë ( 1 Petro 3-1), vetëm nëse ata e largojnë me dhunë të krishterin, ose blasfemojnë, shajnë besimin, apo Perëndinë, Krishtin, Hyjlindësen, shenjtorët, misteret e Kishës, Ungjillin, ose kërkojnë ndihmën e djallit drejtpërdrejt me magji ose yshtje demoniake, i krishteri në këtë rast duhet të distancohet dhe të qëndrojë, sa është e mundur, në distancë sigurie, pa urrejtje për ata, por të urrejë veprimet e tyre antikrishte, sepse apostull Pavli na thotë:
“Mos hyni në një zgjedhë bashkë me të pabesët, sepse ç’lidhje ka drejtësia me paudhësinë? Dhe çfarë afrimi ka drita me terrin? Dhe ç’harmoni ka Krishti me Belialin? Ose ç’pjesë ka besimtari me jobesimtarin? Dhe çfarë marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? Sepse ju jeni tempulli i Perëndisë së gjallë, sikurse tha Perëndia: ‘Unë do të banoj në mes tyre, dhe do të ec ndër ta; do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im. Prandaj, dilni nga mesi i tyre dhe ndahuni prej tyre, thotë Zoti, dhe mos prekni asgjë të ndyrë, dhe unë do t’ju pranoj dhe do të jem si një Atë për ju, dhe ju do të jeni për mua si bijtë e bijat, thotë Zoti i Plotfuqishëm (2 Korintasve 6:14-18)”.
Madje jo vetëm në familje të gjakut: prindër, fëmijë, vëllezër, motra, por edhe në jetën bashkëshortore, kur dikush nga bashkëshortët bëhet i krishterë dhe pala tjetër është jo e krishterë, të krishterët këshillohen të mos e braktisin lidhjen, por të qëndrojnë dhe të jenë shembull dashurie. Por nëse pala tjetër bëhet antikrishte, kundërshtare, dhe kërkon të ndahet, është i lirë.
Apostulli i kombeve, Pavli, këshillon në të tilla raste të pazakonta: “Dhe të tjerëve u them unë, jo Zoti: në qoftë se një vëlla ka një grua jobesimtare dhe ajo pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë. Edhe gruaja që ka një burrë jobesimtar, në qoftë se ai pranon të jetojë bashkë me të, të mos e lërë atë, sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë. Nëse jobesimtari ndahet, le të ndahet; në këto raste vëllai ose motra nuk janë më të lidhur; por Perëndia na ka thirrur në paqe. Sepse çfarë di ti, o grua, nëse ke për ta shpëtuar burrin? Ose ç’di ti, o burrë, nëse ke për ta shpëtuar gruan?”(1 Korintasve 7:12-16)
Prandaj të dashur të krishter , edhe nëse familjarët, miqtë na hidhërojnë, sulmojnë, përsekutojnë edhe na martirizojnë, duhet të imitojmë Zotin: “që, kur e fyenin, nuk e kthente fyerjen; kur vuante, nuk kërcënonte, por dorëzohej te Ai që gjykon drejtësisht” (1 Pjetrit 2:23) dhe nuk duhet të kemi frikë nga braktisja e tyre, sepse “Edhe sikur babai im dhe nëna ime të më kishin braktisur, Zoti do të më pranonte” ( Psalmi 27 -10).
Ne duhet të imitojmë edhe shenjtorët që vuajtën u martirizuan nga shtëpiakët , prandaj, “Mos ki frikë nga ata që të përçmojnë për besimin tënd, qoftë edhe nëse janë më të dashurit e tu. Dashuria për Zotin është mbi çdo dashuri tjetër, prandaj Zoti mëson : “Kush e do nënën a atin më shumë se Mua, nuk është i denjë për Mua” ( Mateu 10-37) (Shën Luka i Krimesë)