PSE GRUAJA NUK MUND TE BËHET PRIFTËRESHË?

Nga Katekisti: Miron Çako
Le të përpiqemi ti japim përgjigje shteruese kësaj pyetje që sot po i prekuopuan shumë liberalët, të cilët kërkojnë të tejkalojë çdo gardh natyror edhe ligjor në këtë brez rebel ,të pabesë edhe imoral edhe kur bëhet fjalë për natyrën edhe funksionin e gruas jo vetëm në familje, shoqëri por edhe në fe.
Në radhë të parë ne duhet të dimë se kush është në thelb gruaja dhe kush janë funksionet e saj natyrore, shoqërore që në zanafillë të jetës njerëzore deri më sot dhe për këtë përgjigje do ti referohemi Skrimit të Shejntë dhe Traditës kishtare .
Adami kur e pa gruan e njohu dhe tha: “kjo është kockë e kockave të mija dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua se doli nga burri” (Zanafilla 2-23).
Këto atribute nuk ju dhanë gruas nga Perëndia , por gruaja si ndimësja e burrit kishte një detyrë tjetër madhore e cila na tregohet tek emri që ju vu asaj nga burri: “Edhe njeriu i vuri gruas emrin Eva, sepse ajo është nëna e të gjallëve”(Zanafilla 3-20).
Gabimi i parë i gruas së parë ishte se ajo e mashtruar nga djalli nëpërmjet gjarpërit, kërkoi të hajë frutin e ndaluar që të bëhej perëndi para burrit dhe kështu të ishte mbi burrin që të merrte ajo rolin drejtues, si mbretëreshë, profetëshe dhe priftëreshë.
Perëndia kishte urdhëruar Adamin të ruante kopshtin dhe të mos hante nga pema e të mirës edhe e të keqes duke e urdhëruar : “Ha lirisht nga pemët e kopështit por mos ha nga pema e njohjes së të mirës e të sëkeqes, sepse ditën që do hashë prej saj ke për të vdekur me siguri (Zanafilla 2,16-17), këtë porosi hyjnore gruaja e kishte marë nga burri si zëdhënësi i Zotit, por gruaja kërkoi ta përballojë vetë tundimin duke kaluar nga ndihmëse dhe e bindur ndaj burrit në protagoniste, dhe kështu në vendimarrje të gabuar, në rebelim, në sakrilegj, në mëkat, ndaj vetes , burrit, krijimit , Zotit.
Aq shumë u degradua shoqëria njerëzore dhe vetë kombinimi burrë-grua, sa shpesh herë gratë të nxitura nga fryma gënjeshtare e djallit siç u tundua Eva prishën rendin burrë-grua dhe krijuan shoqëritë matriarkale, ku gruaja u bë mbretëreshë për të sunduar burrat, profeteshë për të drejtuar burrat dhe priftëreshë për ti shërbyer perëndive në tempujt, madje për ta bërë veten perëndi i dha edhe Perëndisë gjininë e saj femërore, dhe hyjnizoi seksin e saj si “perëndia nënë”.
E shikojmë tek perëndeshat e Olimpit, në mitologjine greke, ku arkeotipi femëror përfaqësohet në "perëndesha" të ndryshme që marrin rolin e burave duke e hyjnizuar veten.Në antikitet ishin shpikur perëndi si Artemisa luftëtarja, Athinaja strategia, Nemesida perëndesha e drejtësisë që rivendoste rregullin hyjnorë, Persefona perëndesha e nënëtokës, sirenat magjistaret e deteve edhe priftëreshat e famshme të antikitetit si psh priftëresha e famshme Pitia, ose priftëreshat e Orakullit të Delfit.
Kurse gruaja që u bë për burrin (1Korintasve1-11) mund të marrë pjesë në këto atribute, por jo si protagoniste por si ndihmëse, frymëzuese bashkë me burrin në gëzimin e shërbesave fetare. P.sh. motra e Mojsiut e cila e ndoqi nga pas Mojsiun i cili kur shpëtuan nga faraoni duke kaluar detin në këmbë i këndoi këngë falënderimi Zotit bashkë me burrat e Izreaelit: “Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit i kënduan këtë kantik Zotit dhe folën duke thënë: "Unë do t'i këndoj Zotit, sepse u lartësua shumë; hodhi në det kuaj dhe kalorës” (Eksodi 15-1), pastaj : "profetesha Miriam, motra e Aaronit, mori në dorë dajren, dhe të gjitha gratë e ndoqën nga pas me dajre dhe me valle”( Eksodi.15-20) “Dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Prëndisë tuaj, ju, bijtë dhe bijat tuaja, shërbëtorët dhe shërbëtoret tuaja”(LiP.12-12).
Në historinë e Izraelit nuk kemi gra që kanë bërë rolin e drejtimit të popullit si mbretëresha, por ka nga ato që kanë tentuar fshetas për këtë rol drejtues që nuk ju takonte duke ndikuar negativisht tek burrat e tyre mbretër, madje duke i dërguar në idhujtari dhe rrugë të gabuar si gratë e Solomonit (1Mbretërve 11,1-8) apo mbretëresha idhujtare Jezebel që e devijoi Ashabin nga adhurimi i Zotit tek adhurimi i Balit, një idhull demoniak i filistinëve (LiP.16-31).
Këto gra e morën hirin profetik që Zoti të përulte burrat mëkatar të Izraelit të cilët nuk kishte midis tyre një të drejtë që të udhëhiqte popullin në ato kohë.
Po ashtu edhe pse Zoti Krisht pranon të ndiqet nga gratë që i shërbenin (Luka 8-1) ,dhe gratë qëndruan me Zotin Jisu deri në fund posht kryqit ndryshe nga burrat apostuj që e braktisën Krishtin (Joani 19 -20) dhe ishin ato të parat që e panë të ngjallur Krishtin dhe i bekoi (Mateu 28,9-10), madje i ngjallur ju beson atyre mision të lajmërojnë për ngjalljen burrave , apostujve të frikësuar (Joani 20-17), edhe pse ato qëndronin me apostujt në lutje për pritjen e Shpirtit të Shejntë, ku: “Të gjithë këta ngulmonin me një mendje të vetme në lutje dhe përgjërim së bashku me gratë, me Marinë, nënën e Jisuit, dhe me vëllezërit e tij (Veprat.1-14) dhe ashtu si burrat morë Shpirtin e Shejntë ditën e Pendikostisë ( Veprat 2 1-4) asnjë nga ato gra miraprurëse dhe besnike nuk bëri shërbesën priftërore që ju ishte ngarkuar nga Zoti vetëm apostujve si në darkën mistike: “Bëjëni këtë në përkushtimin tim”( Luka 22-19).
Patjetër kjo ka një domethënje teologjike se tashmë takimi dhe bashkimi me Krishtin nuk do ishte më i drejtëpërdrejtë fizikisht si para ngjalljes , por mistikisht nëpërmjet mistereve të Kishës Apostolike që është Trupi i Krishtit të lavdëruar (Efe.1:23) dhe veçanërisht ky bashkim unik bëhet në misterin e Falenderimit Hyjnor, kur ne marim nga duart e episkopit, priftit Trupin dhe Gjakun e Krishtit për ndjesën e mëkateve dhe jetë të përjetëshme, Ky është misteri më i madh autentik që Zoti ja besojë vetë apostujve burra në darkën mistike “ bëjeni këtë në përkujtimin tim “ ( Luka 22-19) dhe ata ja u besun ta kryejnë sipas vazhdimësisë apostolike vetëm , episkopëve edhe prezviterëve ( priftërinjtë) burra.
Lexojmë se si apostulli i kombeve Pavli edhe pse shumë revolucionar për rolin e ri të gruas në Krishtin, që është e barabartë dhe pa asnjë dallim shoqëror me burrin (Galatasve 3-28), përsëri është shumë i qartë edhe përcaktues për rolin e gruas në shërbesat kishtare edhe ato katekizuese.
Kështu gruaja nuk ka një rol protagonist në Kishë që është trupi i Krishtit, por gruaja as nuk duhet të flasë në kishë (1Korintasve.14-34) (1Tim.2-12), pra nuk ka të drejtë të mësojë zyrtarisht nga katedra e kishës ose të predikojë në shërbesë kishtare edhe në Liturgjinë hyjnore.
Kisha Apostolike në organizimin e saj pranoi që gruaja të mund të shkojë deri në shkallën e dhjakonisë dhe kjo jo për shërbesën fetare në altar, por në komunitet për arsye specifike, duke i besuar disa grave të zgjedhura dhe bekuara si dhjakonesha disa detyra të tilla si ndihma në pagëzimin dhe vajosjen e grave të rritura, vizita e grave në shtëpitë e tyre ku burrat priftërinj sipas kanoneve nuk lejoheshin.
Dhjakoneshat e lashta gjithmonë mbulonin kokën në kishë, në përputhje me traditën apostolike (1 Kor 11:3-16). Ato nuk i mbanin orarët e tyre mbi supe siç bëjnë dhjakonët, por rreth qafës. Ata nuk kishin asnjë rol në adhurimin publik përveç këndimit të himneve dhe përgjigjeve të njerëzve. Ato nuk bënin litanitë, e as nuk lexonin Ungjillin apo Apostullin.
Dhjakonia e grave nuk ishte diçka e zakontë për Kishën Apostolike dhe kjo nuk ekzistonte në mënyrë universale, madje pjesa më e madhe e kishës së hershme nuk kishte kurrë dhjakonesha, aq më shumë priftëresha ose kryepriftëresha.
Kështu edhe në shekujt XIX dhe XX kur propozimet që erdhën nga fryma liberale, anglikane, protestante që edhe në Kishën Orthodhokse të bëhej e mundur përsëri hirotonisja e grave për të emëruar përsëri dhjakonesha nuk morën mbështetje të mjaftueshme për të shkaktuar një ringjallje të qëndrueshme të kësaj praktike të kishës së hershme, që siç thamë ishte specifike dhe jo e përgjithshme.
Gruan sot në këto vende e shohim të mbrojtur nga ligjet jo vetëm ta konkurrojë burrin por ta sundojë dhe madje të drejtojë shoqërinë, botën. Gruaja ka dalë në rrugë dhe ka braktisur shtëpinë “mbretërinë” e saj duke lënë pas dore amësinë dhe edukimin e fëmijëve të sa dhe kështu ka dështuar në misionin e saj edhe pse mburret edhe ulëret shesheve me histeri se ka fituar liri të bëjë çfarë të dojë, të jetojë të vishet , të punojë drejtojë si burrë madje ka fituar të drejta të vrasi me anën e abordit fëmijët e saj. Kjo sot nga lëvizja feministe propagandohet si liri barazi dhe dinjitet për gruan moderne dhe një kohë e re për njerëzimin.
Është e qartë sipas Biblës dhe Traditës së Shejntë se gruaja kurrë nuk mund të marrë rolin drejtues dhe shenjtërues në kishë. Kjo shërbesë drejtuese dhe shenjtëruese ju është dhënë nga providenca hyjnore vetëm burrave të zgjedhur dhe mbushur nga Shpirti i Shejntë në Misterin e Priftërisë, sipas ikonës së Kryepriftit të madh Jisu Krishtit që sipas gjinisë ishte mashkull dhe një burrë i pjekur , ashtu si na thuhet: “Sepse ne një kryeprift i tillë na duhej, i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i ngritur përmbi qiej, i cili nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri një herë e mirë, kur e kushtoi vetveten. Sepse ligji vë kryepriftërinj njerëz që kanë dobësi, por fjala e betimit, që vjen pas ligjit, vë Birin (Jisu Krishtin) që është i përkryer në jetë të jetës” (Heb.7,26-28).
Por sot këta teolog “open mind” që po hapin kutin e pandorës duke përmbysur gjthçka, sa të bardhës i thonë e zezë edhe të zezës të bardhë dhe po vendosin të ndyrën, perversen në vënde të shenjta, duke u përpjekur me argumente fallco të qetësojnë feministët dhe vajzat e altarit, po përpiqen me dinakërinë e djallit të mësojnë njerëzit se Kisha Apostolike me të vërtetë ka qenë e gabuar gjatë gjithë kohës në mohimin e grave në një rol të barabartë në adhurim. Dmth Kisha Apostolike ka gabuar, gratë duhet të bëjnë gjithçka që bëjnë burrat, prandaj sot duhet një tjetër krishterim jo ai i vjetëruari, anakronik, fanatik, por ai modern i kohës së re , që e dimë se nuk është gjë tjetër veçse fryma dhe koha e antikrishtit .
Në të gjithë këtë trend nuk duket gjë tjetër në horizont veçse gënjeshtra e vjetër e Leviatianit, gjarpërit dredha-dredha” (Isaia 27-1) që tundoi dhe përdori gruan e parë, Evën për të rrëzuar Adamin dhe shkatërroj gjithë Edenin, (Zanafilla 3,1-7) dhe krijimin në një varrezë kozmike (Zanafilla 3-18).
Po kështu sot po ai djalli babai i gënjeshtrës (Joani 8-44), do të shkatërojë botën por edhe Kishën e Krishtit, nëpërmjet tundimit të gruas për të qënë e njëjtë me burrin jo thjesht si qenie njerëzore, por si funksione edhe atë priftëror.
Ka disa grupe heterodokse që fjalët e apostull Petros: “Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme; ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.”, ose tek libri i Zbulesës: “Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.( Zbu.1- 6) “dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe”(Zbulesa 5-10), i kanë interpretuar sikur edhe tek Shkrimi i Shenjtë nxitet priftëria për të gjithë edhe pa dallim gjinie.
Shën Ambrozi shkruan për interpretimin e fjalëve të mësipërme : “… Lyerja (Mirosja) mbas pagëzimit ju shenjtëron ju që të jeni pjesëmarrës në priftërinë e besnikëve. I tërë trupi i Kishës është lyer për të kryer një funksion priftëror, për të afruar një sakrificë shpirtërore lavdërimi, ashtu siç shën Pjetri na thotë në letrën e tij të parë: ‘Po ju jeni një racë e zgjedhur, një priftëri mbretërore, një komb i shenjtëruar’, popull që fitoi Perëndia, që të rrëfeni mirësitë e atit, që ju thirri juve nga errësira në dritën e tij të mrekullueshme” (1 Pjetr. 2:9)… Të gjithë ju… jeni lyer nga Shpirti i Shenjtë për të marrë pjesë në mbretërinë e Perëndisë si edhe në priftërinë e besnikëve”.
Pra Zoti Jisu Krisht i zgjodhi nga populli këta burra hyjnorë duke i ngarkuar me ofiqin pimantik të punës me popullin dhe të kryerjes së Mistereve Hyjnore., dmth “Lutjeje (liturgjike) edhe shërbesës së fjalës (predikimin) “ (Veprat 6-4)
Kështu kur të shikoni një grua që është si veshur si priftëreshë, ose kryepriftëreshë, dm th “apostulleshë” moderne që bekon dhe shenjtëron nëpër altaret e kishave heterodokse, jo vetëm mos e pranoni dhe turbulloheni ,por përbuzeni me neveri si veprim djallëzor, dhe ato si punëtore të antikrishtit ,duke kujtuar fjalët e apostullit të kombeve Pavlit: “Të tillë apostuj të rremë, janë punëtorë hileqarë, që shndërrohen në apostuj të Krishtit. Dhe nuk është për t'u çuditur, sepse satanai vet shndërrohet në engjëll drite. Nuk është, pra, gjë e madhe, nëse edhe punëtorët e tij shndërrohen në punëtorë (marrin trajtën e punëtorëve) të drejtësisë, fundi i të cilëve do të jetë sipas veprave të tyre”.(2 Kor.11:13-15).