Intervistë me Z. Miron Çako
July 21, 2025 at 3:39 pm,
No comments

Intervistë me Z. Miron Çako
Përgjegjës i Zyrës së Katekizmit të Kryepiskopatës të KOASH -it
I. Edukimi fetar në Shqipëri – perspektivë teologjike dhe shoqërore
1. Z. Çako, si do ta përkufizonit edukimin fetar në kontekstin shqiptar dhe pse është i rëndësishëm në formimin e individit dhe të shoqërisë?
Edhe pse shoqëria jonë është një shoqëri laike, edukimi fetar është i domosdoshëm, sepse ai arsimon njerëzit e një shoqërie mbi atë që është e vërteta absolute, që është Zoti, Krijuesi i të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme, Krijuesi i natyrës sonë njerëzore. Dhe nëse ne ia mohojmë vetes apo të tjerëve këtë të drejtë mbi të vërtetën absolute, patjetër që do të biem në mendime apo edhe veprime të gabuara, ashtu siç e ka treguar edhe historia.
Historia e vendit tonë, kur ne mohuam ekzistencën e Zotit edhe me ligj, madje edhe të shprehur në arsimin tonë, solli degradimin e shoqërisë sonë. Shoqërisë duhet t’i jepen konceptet për transhendenten, pra për hyjnoren, ashtu siç e kanë edhe vendet e tjera të civilizuara e demokratike, të cilat në shkollat e tyre ofrojnë përveç teorisë së Darvinit edhe lëndë të tjera ku paraqiten teza të ndryshme për krijimin. Kjo u jep mundësi nxënësve të zgjedhin nëse duan të marrin informacion teist apo materialist.
Ne nuk duhet ta privojmë shoqërinë tonë nga e vërteta hyjnore, që është Perëndia, Krijuesi i çdo gjëje.
2. A mendoni se mungesa e edukimit fetar në shkollat publike krijon një boshllëk në edukimin e përgjithshëm të fëmijëve dhe të rinjve?
M. Në qoftë se ne nuk i japim informacionin e përgjithshëm për ekzistencën e një Krijuesi dhe për ligjet dhe moralet që rrjedhin prej Tij — sepse Zoti është moral, nuk është thjesht një energji — atëherë ne po privojmë brezat e rinj nga një themel i domosdoshëm për jetën. Këto ligje morale janë të shkruara në Bibël, por janë gjithashtu të ngulitura në zemrat e njerëzve. Ne kemi ligje të shkruara, por edhe ligje natyrore — dhe edhe ligji natyror është një ligj i shkruar nga Zoti në zemrat dhe ndërgjegjet e njerëzve.
Duke i privuar fëmijët dhe brezin e ri nga njohuria për këto të vërteta, ne krijojmë një vakum të brendshëm tek ata, sepse, nëse përjashtojmë idenë e ekzistencës së një Krijuesi, ky boshllëk do të mbushet me gjëra të tjera, që shpeshherë janë të gabuara dhe të rrezikshme, siç e kemi parë në histori. Rrjedhimisht, kjo sjell jo vetëm probleme psikologjike te individi, por edhe probleme sociale në shoqëri.
Këto janë realitete që nuk janë vetëm të vendit tonë, por janë eksperimentuar edhe në vende të tjera, dhe kanë rezultuar të dështuara. Një njeri që mohon ekzistencën e Zotit, patjetër që nuk arsyeton drejt. Mendoni tani kur mungesën e Zotit t’ia imponojmë njeriut — atëherë do të krijojmë një shoqëri pa ekuilibrin e duhur mendor dhe shpirtëror, dhe produkti i saj do të jetë një realitet kontradiktor dhe armiqësor.
3. Cilat janë pasojat që ka sjellë ndarja e mësimit fetar nga shkolla në shoqërinë tonë post-komuniste?
Kjo nisi me sistemin ateist komunist. Unë personalisht kam lindur në vitin 1968, kështu që u rrita në një ambient ateist. Patjetër që u bëra një ateist dhe nuk besoja në ekzistencën e Zotit. Por sot, kur bëj një retrospektivë të jetës sime — si isha atëherë, si mendoja, si jetoja kur nuk besoja në Zot — dhe si mendoj e jetoj sot, vërej se kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha tek unë si person.
Atëherë isha thjesht si një kafshë që vegjetoja, jetoja një jetë instinktive, dhe mendoja se kjo ishte jeta njerëzore — t’i nënshtrohesh instinktit. Por kur njeriu nuk ka mundësi t’i shfaqë këto ndjenja, dhe i mbyll ato brenda vetes, atëherë krijohen probleme psikike, emocionale, fizike e të tjera.
Sot mendoj ndryshe. Besoj se ekziston një Krijues. Besoj se nuk jam këtu rastësisht, por se jeta ime ka një qëllim, dhe unë duhet ta përmbush atë. Akoma më shumë, kam mësuar se ligjet morale nuk janë thjesht produkt i instinkteve, por janë të vendosura nga një Ligjvënës, i cili një ditë do të na kërkojë llogari. Kjo më ka bërë që jetën ta shoh me përgjegjësi. Nuk jetoj më instinktivisht, por logjikisht, dhe këtë e ka bërë e mundur besimi im në Zot.
Ajo që i bëri shoqërisë sonë ateizmi dhe ajo që po vazhdon të ndodhë edhe sot — përmes neglizhencës ndaj mësimeve për Zotin — ka sjellë një shoqëri të zhytur në materializëm, ku nuk i jepet rëndësi as logjikës, as vlerave morale dhe shpirtërore. Prandaj edhe kemi këtë tranzicion kaq të gjatë dhe të dhimbshëm, ku si shoqëri akoma nuk jemi stabilizuar.
Kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e sistemit ateist, e cila pati pasoja katastrofike në atë kohë, por që fatkeqësisht vazhdon të ndikojë edhe sot. Ne ende nuk jemi të orientuar si shoqëri, ende nuk kemi kuptuar se nuk jemi të rastësishëm, nuk jemi zotërues të kësaj bote. Ka një Krijues, ka një Gjykatës, dhe jeta jonë duhet të jetë e përmbushur me përgjegjësi.
II. Roli i Kishës në mungesë të edukimit fetar institucional
4. Si e ka përmbushur Kisha Orthodokse këtë boshllëk përmes strukturave të saj katekistike?
Kisha gjithmonë ka pasur misionin e saj, ashtu siç Krishti urdhëroi apostujt: "Shkoni në të gjitha kombet dhe predikoni lajmin e mirë. Kush do të besojë dhe do të pagëzohet në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë, do të shpëtohet." (Marku 15-5). Që në shekujt e parë, krishterimi erdhi në Shqipëri dhe ndryshoi tërësisht mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit të këtij populli, i cili ishte pagan. Ky ndryshim ndikoi jo vetëm në gjendjen morale të popullit, por edhe në ekzistencën e tij, duke e mbajtur të gjallë deri në ditët e sotme.
Megjithatë, ndodhi një “aksident” historik me Kishën në Shqipëri. Në vitin 1967, ajo u mbyll, dhe u shpall me ligj famëkeq, i vetmi në botë, që "Zoti nuk ekziston". Nuk ka tjetër shembull në historinë e njerëzimit ku një popull me ligj shtetëror të mohojë ekzistencën e Zotit. Plutarku thotë: "Nuk ka qytetërim pa tempull", dhe ne e bëmë pikërisht këtë: krijuam një qytetërim pa tempull — dhe si rrjedhojë, qytetërimi vetë u shkatërrua.
Por le të flasim për ringjalljen e Kishës. Tempulli u rishfaq sërish — pra, Kisha — dhe në vitet e para pas riformimit të saj, në 1992, 1993, 1994, iu dha rëndësi e madhe katekizmit të njerëzve të të gjitha moshave. Unë kam pasur privilegjin të jem ndër të parët që mora këtë mision nga Zoti, përmes bekimit dhe frymëzimit të Kryepeshkopit Anastas. Ai erdhi fillimisht si eksark, dhe më pas u bë Kryepeshkopi kanonik i Kishës.
Në takimin tim të parë me Kryepeshkopin, i thashë: "Kemi një thirrje nga Zoti për të ungjillizuar." Ai m’u përgjigj: "Bindjuni." Ishim disa të rinj që kishim përjetuar një zbulesë hyjnore, si një thirrje e drejtpërdrejtë: "Përhapni Ungjillin." Por vetëm dëshira nuk mjafton. Ne kishim nevojë edhe për formim të duhur, prandaj Kryepeshkopi u kujdes që të hapej menjëherë në Shqipëri seminari teologjik, i cili më vonë u shndërrua në Akademi Teologjike. Edhe unë kreva studimet atje.
Pas formimit, nisëm katekizimin e njerëzve, duke filluar nga Manastiri i Shën Vlashit, e më pas në thuajse gjithë Shqipërinë. Katekizonim njerëz të çdo moshe. Këtë shërbim e bënim edhe pranë shkollave — pa hyrë brenda tyre, pasi vendi ynë është laik — por i prisnim fëmijët jashtë mjediseve shkollore për t’u folur dhe për t’i edukuar mbi besimin. Në ato vite të para pati shumë pagëzime. Dhe që nga ajo kohë e deri më sot, katekizimi vazhdon të jetë një shërbesë thelbësore në Kishë.
Kryepeshkopi Anastas, duke qenë vetë një misionar, i dha rëndësi të madhe kësaj shërbese. Sot, unë jam përgjegjës i Zyrës së Katekizmit pranë Kryepeshkopatës, dhe vijojmë këtë mision me përkushtim.
Megjithatë, do të ishte shumë më mirë nëse do të kishim hapësira edhe në ambientet shkollore për të ofruar një informacion të përgjithshëm mbi ekzistencën e një Krijuesi. Jo në mënyrë specifike e dogmatike, por përmes koncepteve të përgjithshme fetare që edukojnë shpirtërisht dhe moralisht. Deri tani, megjithëse është diskutuar shumë, ende nuk ka një ligj që ta bëjë këtë të mundur. Aktualisht, katekizmi zhvillohet në ambientet e të gjitha kishave në vendin tonë.
5. A janë të mjaftueshme grupet e katekizmit në kisha për të arritur një formim shpirtëror të gjerë e të qëndrueshëm për fëmijët?
Në qoftë se një enori, e cila drejtohet nga një ose disa klerikë, nuk ka një klasë katekizmi, atëherë ajo nuk funksionon normalisht. Klasa e katekizmit është si një fidanishte, ku mbjellim farën, rrisim filizin që më pas të japë fryt. Po kështu është edhe njeriu, si një pemë që mbillet në arën e Kishës për të dhënë fruta shpirtërore. Çdo gjë fillon nga fara dhe nga filizi, prandaj klasat e katekizmit janë të domosdoshme për një enori që të jetë e gjallë dhe frytdhënëse.
Kisha vazhdon ta ketë këtë mision themelor, prandaj është një kërkesë themelore që i bëhet çdo kleriku të një enorie që, përveç shërbesës liturgjike dhe sakramentale që kryen si klerik, të ketë domosdoshmërisht edhe një klasë katekizmi. Priftin në këtë shërbesë e ndihmojnë edhe teologët dhe katekistët, të cilët janë gjithmonë pranë klerikëve për të kryer së bashku misionin e shenjtë të katekizmit.
6. Sa bashkëpunim ekziston ndërmjet institucioneve arsimore dhe komuniteteve fetare në Shqipëri sot?
Nuk kemi ende një bashkëpunim të mirëfilltë ligjor, edhe pse janë bërë përpjekje në këtë drejtim. Aktualisht, institucionet fetare nuk kanë mundësi të hyjnë në ambientet shkollore për të dhënë informacion me përmbajtje teiste. Kjo gjendje shpeshherë duket absurde, pasi janë lejuar grupe të tjera që mbështesin doktrina antiteiste apo ndonjëherë edhe jo natyrore – për shembull, janë lejuar në ambientet shkollore përfaqësues të lëvizjeve LGBT për të dhënë informacionet e tyre, ndërkohë që ne si institucione fetare – duke përfshirë të gjitha komunitetet fetare në vend – nuk lejohemi të japim mësim apo informacion rreth besimit dhe vlerave shpirtërore.
Për këtë arsye, komunitetet fetare kanë paraqitur ankesat e tyre, por fatkeqësisht deri tani këto janë hasur me një "vesh të shurdhër" dhe ende nuk është marrë një vendim i drejtë që të mundësojë prezencën e arsimit fetar në ambientet shkollore, qoftë në formën më të përgjithshme dhe informative.
Kjo është një gjendje e vështirë që reflekton një kolaps institucional për sa i përket balancës dhe të drejtës për informim të barabartë. Megjithatë, ne vazhdojmë misionin tonë me përkushtim, aty ku na krijohen mundësitë – në enoritë tona, por edhe në vende të tjera ku njerëzit kanë dëshirë të informohen për të vërtetat e besimit tonë dhe për të gjetur kuptim më të thellë në jetën shpirtërore.
III. Pyetje për figurën dhe vizionin e Kryepeshkopit Anastas.
7. Cili ka qenë roli i Kryepeshkopit Anastas në zhvillimin e edukimit fetar pas rënies së regjimit komunist?
Kryepeshkopi Anastas ishte një personalitet i veçantë, sepse erdhi në një Shqipëri post-ateiste, në një vend që e kishte mohuar Zotin me ligj dhe kishte lënë pas vetes vetëm rrënoja – siç e ka thënë edhe vetë: "Kur erdha këtu, pashë vetëm gurë…". Por ai ishte një njeri me përvojë të thellë misionare. Përpara se të vinte në Shqipëri, kishte shërbyer në shumë vende të tjera, madje edhe në Afrikë – një kontinent jo vetëm me vështirësi të mëdha ekonomike, por edhe me mungesë të theksuar informacioni, për shkak të prapambetjes dhe ndërrimeve të shumta historike.
Në Afrikë ai shkoi për të ringjallur Kishën Apostolike Orthodhokse në vende që dikur kishin qenë të krishtera, por që me kalimin e kohës dhe nën ndikime të ndryshme, e kishin humbur identitetin e tyre të krishterë. Atje krishterimi nisi të ringjallej sërish, falë përkushtimit të misionarëve si ai.
Pas misionit në Afrikë, ai erdhi në vendin tonë – në një vend të veçantë, të cilin edhe vetë Kryepeshkopi Anastas e ka quajtur unik në historinë e njerëzimit, sepse ishte i vetmi vend në botë ku ateizmi ishte i detyruar me ligj. Shqipëria kishte mohuar Zotin institucionalisht dhe kishte shkatërruar gjithçka që kishte të bënte me fenë.
Në këto kushte, ai mori përsipër një nga misionet më të vështira që mund t’i besohej dikujt: ringjalljen e një Kishe që praktikisht nuk ekzistonte më. Ishte i vetmi njeri në Kishën Ortodokse të përgjithshme në botë që kishte përgatitjen, forcën shpirtërore dhe vizionin për të përmbushur këtë mision.
Ai nuk u mjaftua vetëm me rindërtimin fizik të kishave – sepse Kisha nuk është vetëm infrastrukturë. Ajo fillon nga zemrat e njerëzve. Dhe për të rizgjuar besimin në zemrat e njerëzve, ai i dha rëndësi të jashtëzakonshme katekizmit. Kryepeshkopi ishte mbështetësi kryesor i katekizmit, duke e vendosur atë në qendër të veprimtarisë së Kishës. Kjo frymë vazhdon deri më sot.
Kryepeshkopi Anastas ishte një zë universal në Kishën Ortodokse, gjithmonë duke na kujtuar porosinë e Krishtit: "Shkoni në të gjitha kombet dhe nxënësojini ato…". ( Mateu 28-19).
Për fat të keq, për shkak të kushteve historike dhe ndarjeve të thella, Kisha Ortodokse në rajon e kishte harruar këtë porosi, duke menduar se mjaftonte të ruaje besimtarët e enorisë tënde lokale. Por ky nuk është qëllimi i Kishës. Kisha nuk është një geto që mblidhet vetëm për zbukurim – ajo ka një mision apostolik.
Ne kemi katekizuar edhe në vende ku nuk kishte kisha, por njerëzit na kanë mirëpritur dhe kanë qenë të etur për të dëgjuar fjalën e Zotit. Dhe pikërisht në ato vende, me kohë, janë ngritur edhe kisha të reja.
Ne patëm fatin e madh që në këtë etapë historike të kishim Kryepeshkopin Anastas – një njeri me frymë të thellë apostolike, një misionar që bëri të mundur ringjalljen e Kishës Ortodokse në Shqipëri, duke mbjellë besim, shpresë dhe dashuri në zemrat e njerëzve.
8. Si ka ndikuar vizioni i tij në mënyrën si mendohet dhe strukturohet katekizmi në Kishën Orthodokse?
Kryepeshkopi vuri në praktikë anën teorike, si një misionar i vërtetë. Siç e kam theksuar më parë, ai kishte qenë misionar në shumë vende, veçanërisht në Afrikë. Madje popullit afrikan nuk i erdhi mirë që ai u largua prej tyre për të ardhur në Shqipëri. Por Kryepeshkopi u përgjigj: “Shqipëria është një vend me më shumë probleme sesa ju.” Pra, ne ishim më keq se Afrika në aspektin shpirtëror, moral dhe fetar.
Vështirë se ndonjë person tjetër do të merrte përsipër detyrën që atij iu besua. Ai pati kundërshti edhe nga miqtë e tij për të ardhur në vendin tonë, por Kryepeshkopi e mori këtë si një urdhërim nga Krishti, si një mision hyjnor. Ashtu siç asnjë Apostull nuk e refuzoi të shkonte në vendin ku iu caktua të ungjillizonte, edhe nëse kjo do ta çonte në martirizim, po ashtu edhe Kryepeshkopi vijoi këtë mision deri në konsumimin e vetvetes për kauzën që iu besua.
Ai kishte një përvojë të jashtëzakonshme pune praktike dhe, padyshim, kjo ndihmoi që të kishim një strukturë të ndërtuar nga një njeri që e jetonte misionarizmin në thelb. Ai na drejtonte në situata të vështira, duke ndikuar jo vetëm përmes fjalës, por mbi të gjitha përmes shembullit të tij personal, brenda kontureve të Kishës.
Kisha Ortodokse është një Kishë shekullore, dhe ajo ka shumë qartë mënyrën sesi e kryen misionin e saj apostolik. Ajo nuk ka devijime, prandaj nuk është bërë asnjëherë problematike në atë çfarë ka dashur të mësojë. Kisha respekton lirinë e njeriut, pa imponuar.
9. A mund të thuhet se fryma ndërfetare e Kryepeshkopit ka ndihmuar në ndërtimin e një kulture bashkëjetese në arsim dhe në jetën publike?
Kryepeshkopi Anastas është një figurë fetare frymëzuese, jo vetëm për ne të krishterët ortodoksë, por për të gjithë ata që besojnë se ekziston një Zot. Duhet të kuptojmë se të jesh besimtar i vërtetë nuk do të thotë të jesh liberal apo thjesht tolerant, por të jesh një njeri që respekton lirinë e tjetrit. Kurrë nuk duhet t’i kuptojmë këto çështje me ekstremizëm. Nuk duhet ta shohim fenë e tjetrit si një shtojcë të fesë sonë. Ne nuk mund të bëjmë një përzierje fetare apo një sinkretizëm të besimeve – kjo do të ishte një tradhti ndaj vetë besimit tonë.
Gjithashtu, nuk duhet kurrë t’ia imponojmë fenë tonë tjetrit. Një qasje e tillë do të ishte prozelitizëm i dhunshëm, i cili, edhe kur është përdorur nga fryma të ndryshme të krishterimit, gjithmonë ka dështuar. Edhe sot, kur disa besime të tjera e praktikojnë këtë formë imponimi, dështimi nuk mungon, pavarësisht rezultateve të momentit.
Kryepeshkopi Anastas ishte shumë i qartë në këtë pikë. Ai ndikoi jo në “tolerancën” fetare – term që në fillim përdorej shpesh – por e zëvendësoi atë me konceptin më të drejtë dhe të thellë të bashkëjetesës dhe harmonisë fetare. Sepse “toleranca” nënkupton që ti e duron tjetrin, i jep hapësirë sepse të vjen keq për të. Ndërsa bashkëjetesa nënkupton respekt, pranim dhe marrëdhënie të ndershme, pavarësisht se nuk jemi dakord me njëri-tjetrin.
Kjo qasje e re ishte në përputhje me vetë përvojën historike të shqiptarëve, të cilët – përballë rrezikut të asimilimit dhe përçarjes përmes fesë – patën mençurinë ta ndanin fenë nga çështjet kombëtare dhe të jetonin në paqe me njëri-tjetrin.
Kryepeshkopi i dha frymë kësaj trashëgimie dhe e solli në epokën e re të demokracisë, duke theksuar nevojën për të respektuar fenë e tjetrit dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi. Kjo frymë na ka lejuar që edhe sot të bashkëpunojmë me komunitete të tjera fetare për çështje të përbashkëta, siç janë formimi kulturor i vendit, mbrojtja e mjedisit, përballimi i katastrofave natyrore apo fatkeqësive kombëtare, si dhe përpjekjet për solidaritet dhe paqe – gjithmonë duke patur si themel parimin se çdo njeri është krijesë e Perëndisë dhe në çdo njeri, ne duhet të shohim praninë e Zotit. Ashtu siç na udhëzon vetë Zoti Krisht:“Në të vërtet çfarë ja keni bë këtyre vëllezërve më të vegjëlve ma keni bërë mua” ( Mateu 25-40)
Pra, thirrja për të besuar është personale, pa imponim. Më kujtohet gjithashtu fjala e Kryepeshkopit gjatë konfliktit Serbi–Kosovë, kur disa qarqe tentuan ta shndërronin këtë konflikt në një luftë fetare. Në atë kohë, Kryepeshkopi ndikoi në ambientet kishtare në Serbi që të dëgjonin zërin e arsyes, si dhe i drejtoi një mesazh të qartë autoriteteve shtetërore: "Vaji i kandilit të Kishës nuk duhet përdorur për të ndezur urrejtjen fetare." Ai theksoi se misioni i Kishës është të pajtojë njerëzit, jo t’i përçajë. Feja duhet të jetë një urë paqeje, jo një armë përçarjeje.
Gjithashtu, Kryepeshkopi dha një kontribut konkret dhe domethënës gjatë kësaj kohe, duke pritur dhe strehuar 33 mijë refugjatë nga Kosova. Ai i ndihmoi me përkushtim të thellë, pa u predikuar për besimin, por duke u shërbyer si njerëz – si vëllezër. Ishin vetë kosovarët që të prekur nga përkujdesja njerëzore e Kishës Orthodhokse në Shqipëri ,më pas dëshmuan: "Ne i njihnim të krishterët ndryshe."
Kryepeshkopi Anastas përfaqësoi në mënyrë të shkëlqyer jo vetëm rolin e një primati të krishterë, por edhe figurën shembullore të një të krishteri të vërtetë përpara njeriut, në momentet më të vështira të dhimbjes njerëzore.
IV. Edukimi fetar dhe mësuesit në Shqipëri
10. Si mund të përgatiten mësuesit që të jenë në gjendje të përçojnë njohuri fetare pa indoktrinim, por në mënyrë edukative dhe respektuese?
Së pari, një mësues i katekizmit duhet të besojë vetë në ato që mëson.
Ka raste kur dikush mund të ketë njohuri teologjike apo informacion fetar, por nuk i beson ato në zemër. Në këto raste, mësimi fetar kthehet thjesht në një formë oratorie, pa asnjë fryt shpirtëror. Prandaj, është thelbësore që mësuesi të jetojë me bindje të thellë mesazhin që përcjell.
Së dyti, nuk duhet t’i imponojmë askujt besimin tonë, madje as fëmijëve. Fëmijët duhet të marrin pjesë në katekizëm me miratimin e prindërve të tyre, sepse përgjegjësia për edukimin e tyre është fillimisht e familjes. Ne nuk jemi të thirrur për të manipuluar apo detyruar dikë, por për të dëshmuar me dashuri dhe respekt.
Fjala katekizëm do të thotë “mësoj me zë të lartë”, që do të thotë se ne nuk mësojmë fshehurazi, por hapur dhe me transparencë. Dera e klasës së katekizmit duhet të jetë figurativisht dhe realisht e hapur, në mënyrë që kushdo të mund të hyjë dhe të dëgjojë atë që ne mësojmë fëmijëve .
Nuk u mësojmë atyre gjëra që ne vetë mendojmë apo shpikim, por ato që na mëson vetë Kisha, sepse mësimi i saj është i pagabueshëm dhe nuk cenon lirinë njerëzore. Një katekist duhet të jetë i bindur mbështetur në Shkrimin e Shenjtë dhe në Traditën e Kishës; përndryshe, vetë mësimi i tij mund të sjellë një efekt të kundërt – duke larguar fëmijët nga besimi, në vend që t’i afrojë.
Nëse përpiqemi të mbjellim besimin me dhunë apo imponim, jo vetëm që nuk do të korrim asnjë përfitim, por do të bëjmë dëm më të madh, sepse do të shkatërrojmë imazhin e Zotit në sytë e atyre fëmijëve – një imazh që ndoshta nuk do të mund ta rindërtojnë më kurrë.
11. Cili është roli i teologëve sot në krijimin e një modeli të pranueshëm të edukimit fetar në shkollat shqiptare?
Sot, ne nuk kemi një rol real në shkollat shqiptare, sepse nuk na lejohet – as si teologë, as si katekistë – të hyjmë në ambientet shkollore për të dhënë informacion.
Fatkeqësisht si thamë, ende nuk ka një ligj apo marrëveshje të miratuar, edhe pse janë bërë përpjekje të shumta për të arritur një dakordësi midis shtetit, Kishës dhe të gjithë komuniteteve fetare.
Ajo që është më shqetësuese është se nuk na lejohet as të japim një informacion bazik dhe jo-fetar, thjesht një mendim mbi botëkuptimin teist për krijimin e botës, që është një qasje filozofike dhe kulturore shumë e rëndësishme. Një informacion i tillë nuk ka për qëllim predikimin apo imponimin fetar, por ofrimin e një perspektive ndryshe mbi ekzistencën, e cila është pjesë e trashëgimisë njerëzore dhe mendimit të civilizuar.
Shumë universitete serioze në botë kanë përfshirë në programet e tyre module mbi teizmin, filozofinë fetare apo marrëdhënien mes shkencës dhe fesë, si pjesë e një edukimi të plotë dhe të ekuilibruar. Ndërsa ne këtu vazhdojmë ende të mbështetemi vetëm te teoria e Darvinit, duke e paraqitur si të vetmen rrugë të vlefshme të mendimit mbi origjinën e jetës.
Ky është një boshllëk serioz në sistemin tonë arsimor dhe një padrejtësi ndaj të rinjve, të cilëve nuk u jepet mundësia për të dëgjuar alternativat, për të reflektuar dhe për të formuar lirisht bindjen e tyre.
12. A do të ishte e mundur, sipas jush, futja e një lënde mbi kulturën fetare në kurrikulën shkollore pa cenuar parimet e shtetit laik?
Të gjitha këto diskutime na çojnë te një e vërtetë thelbësore: në Shqipëri, në shkollat publike, fatkeqësisht mungon një informacion serioz, objektiv dhe i strukturuar rreth besimeve fetare dhe, sidomos, mbi botëkuptimin teist për krijimin e botës.
Edhe pse në disa tekste të edukatës qytetare apo të historisë përmenden shkurtimisht fe të ndryshme si islami, krishterimi apo budizmi, ky trajtim është krejtësisht sipërfaqësor dhe i kufizuar në përshkrime të thata teorike, pa u ndalur fare në përmbajtjen thelbësore të mesazheve të tyre apo në vizionin që kanë për botën, jetën, njeriun dhe Zotin.
Veçanërisht mungon një informacion teist, pra një paraqitje e konceptit të një Zoti krijues, që është themelor në të gjitha fetë monoteiste – qoftë në krishterim, islam apo judaizëm. Këto besime nuk janë thjesht trashëgimi kulturore, por mbartin një vizion mbi jetën dhe ekzistencën që ka ndikuar thellësisht qytetërimin njerëzor dhe meriton të trajtohet në mënyrë të denjë në shkolla.
Do të ishte një hap i madh përpara nëse shteti shqiptar do të krijonte një hapësirë të rregulluar dhe të mbrojtur, ku komunitetet fetare – pa bërë propagandë, pa imponim – të mund të kontribuonin me informacionin e tyre mbi besimin, historinë dhe vizionin shpirtëror që ato ofrojnë.
Nëse kjo hapësirë nuk krijohet, atëherë vetë komunitetet fetare nuk mund të japin këtë kontribut – jo për mungesë vullneti, por sepse nuk kanë bazë ligjore dhe institucionale për të vepruar, gjë që përbën një boshllëk serioz në edukimin gjithëpërfshirës dhe në zhvillimin kulturor e shpirtëror të brezit të ri.
V. Rinia, teknologjia dhe edukimi shpirtëror
13. Në një epokë dixhitale, ku të rinjtë ekspozohen ndaj shumë ideologjive dhe ndikimeve, si mund të ruhet identiteti shpirtëror dhe fetar i tyre?
Kryepeshkopi Anastas shpesh theksonte: “Sot kemi shumë informacion, por nuk kemi dije.” Kjo thënie shpreh një realitet të thellë të kohës sonë. Jetojmë në një epokë ku informacioni është i kudondodhur, i menjëhershëm dhe i lehtë për t’u marrë – por mungon përpunimi i thellë, reflektimi dhe kuptimi i vërtetë i tij.
Dixhitalizimi i shoqërisë, pa dyshim, ka sjellë shumë përparësi dhe mundësi të reja për arsimimin dhe komunikimin. Por, siç theksonte edhe vetë Kryepeshkopi, teknologjia është një mjet, jo një qëllim në vetvete – vlera e saj varet nga mënyra se si e përdorim.
E keqja më e madhe që shoqëron këtë zhvillim është prirja e njerëzve për të kërkuar gjithçka “të gatshme” dhe “të menjëhershme.” Sot, shumë prej, fëmijëve , të rinjve – por jo vetëm – marrin informacion nga interneti, duke "gugulluar" ose duke përdorur inteligjencën artificiale, por pa kaluar në një proces të thelluar përvetësimi dhe kuptimi. Kjo çon në një dije sipërfaqësore, që më shumë harrohet sesa mbetet.
Kryepeshkopi e ka krahasuar dijen e vërtetë me frytin që vjen nga mundi dhe përpjekja. Ashtu si toka që jep fryt pas punës së bujkut, edhe dija e thellë kërkon përkushtim, durim dhe sakrificë. Prandaj, duhet të krijojmë një ekuilibër të shëndetshëm, duke shfrytëzuar të mirat e teknologjisë, por gjithashtu duke mësuar të dallojmë dhe të përzgjedhim midis informacionit të dobishëm dhe atij të rremë, midis asaj që ndërton shpirtin dhe asaj që e ngatërron ose e zbraz atë.
Kjo është një sfidë e re për edukimin fetar: t’i mësojë të rinjtë të kërkojnë të vërtetën me përulësi, me përkushtim dhe me frymë kritike, jo vetëm duke mbledhur të dhëna, por duke formuar mendjen dhe zemrën në të vërtetën që çon drejt Zotit.
14. Çfarë platformash dhe mjetesh përdorni ju vetë për të komunikuar me të rinjtë dhe për të bërë katekizëm në mënyrë moderne?
Teknologjia është një mundësi e artë – mjafton të dimë si ta përdorim. Personalisht, shpesh kam reflektuar mbi këtë dhe them me bindje: sikur Shën Pavli të kishte akses në mjetet mediatike dhe teknologjinë që kemi sot, ai do të kishte kryer mrekulli të tjera përmes atij zelli apostolik që e karakterizonte. Ai kreu katër udhëtime të gjata në një kohë me mjete shumë të kufizuara, duke e përhapur Ungjillin në të gjithë botën e njohur të kohës – e sa më shumë do të kishte arritur, nëse do të kishte pasur mundësitë që kemi sot?
E njëjta gjë vlen edhe për apostujt e tjerë, që lanë gjithçka dhe shkuan në të gjithë botën për të predikuar. Prandaj, mjetet e teknologjisë sot nuk janë një kërcënim për besimin, por një shans i jashtëzakonshëm që kërkon përgjegjshmëri dhe mençuri në përdorim.
Në praktikën tonë si Zyrë e Katekizmit, i përdorim të gjitha mjetet dixhitale të komunikimit dhe jemi dëshmitarë të shumë përfitimeve konkrete. Kemi pasur mundësi të marrim përshëndetje, pyetje dhe ndjekës nga vende të ndryshme të botës – duke krijuar ura komunikimi për katekizimin .
Teknologjia na lejon të arrijmë atje ku këmbët nuk mund të shkojnë. Me anë të saj mund të përcjellim mesazhin e Krishtit në çdo cep të botës, duke respektuar lirinë e tjetrit, por edhe duke ushtruar misionin që na është dhënë nga vetë Zoti.
Ungjilli që lexohet në momentin e pagëzimit na kujton: “Shkoni në mbarë botën dhe predikoni Ungjillin.” (Marku 16-15) Ky urdhër hyjnor nuk është vetëm për klerin, por për çdo të krishterë të pagëzuar. Ne të gjithë kemi përgjegjësi misionare. Sot, në një botë të dixhitalizuar, çdo postim, çdo video, çdo fjalë që ndajmë në hapësirat online – nëse është në frymën e dashurisë dhe të së vërtetës – mund të bëhet një farë besimi që mbillet tek të tjerët .
15. A është katekizmi një hap drejt formimit të ndërgjegjes morale dhe qytetare?
Pa katekizëm – pra pa mësimin e ligjit moral të Zotit – nuk mund të kemi as individë të formuar, as një shoqëri me bazë morale të qëndrueshme. Nëse sot jemi dëshmitarë të një shoqërie që shpesh është amorale, kjo ndodh sepse mungon – për arsye të ndryshme – informacioni i katekizmit, d.m.th. formimi shpirtëror, etik dhe biblik që i jepet njeriut që nga fëmijëria.
Ka raste kur edhe vetë institucionet tona katekizuese , për arsye të ndryshme, janë penguar dhe janë tërhequr nga kjo mësimdhënie kaq jetike. Dhe këtë e themi me dhimbje, sepse një shoqëri që nuk edukon moralisht përmes Ungjillit, është një shoqëri që po e çrrënjoset nga e vërteta.
Megjithatë, edhe nëse gjendemi në një “shkretëtirë shpirtërore”, nuk duhet të heshtim. Detyra jonë është të flasim deri në fund, të shpallim të vërtetën edhe kur nuk dëgjohemi – që Zoti të mund të thotë në ditën e fundit: “Unë ju dërgova një zë, por ju nuk deshët ta dëgjoni.” (krh. Ezekieli 3:18–21)
Ne nuk duhet të tërhiqemi – as përballë mosbesimit, as përballë indiferencës, as përballë braktisjes. As Krishti nuk u tërhoq, Ai shkonte fshat më fshat, qytet më qytet për të përhapur lajmin e mirë, pavarësisht refuzimeve. As apostujt nuk u tërhoqën, as profetët e Dhiatës së Vjetër, as shenjtorët e Dhiatës së Re. Të gjithë këta folën edhe kur nuk u dëgjuan, edhe kur u kundërshtuan, edhe kur u martirizuan.
Sepse “besimi vjen nga dëgjimi” (Romakëve 10:17) – dhe nuk ka dëgjim pa zë, nuk ka kthesë pa lajmërim, nuk ka moral pa shpallje të së vërtetës.
VI. Sfida, mision dhe shpresë për të ardhmen
16. Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni në punën tuaj me edukimin fetar në Shqipëri?
Sot, sfida më e madhe është një lloj apostazie moderne – një largim i heshtur dhe i vazhdueshëm nga besimi i gjallë. Sikurse kam përmendur më herët, kam pasur bekimin e një thirrjeje personale shpirtërore dhe gjithashtu bekimin e Kryepeshkopit Anastas dhe të shumë miqve e vëllezërve në besim, për të përhapur Lajmin e Mirë dhe për të bërë katekizëm që në vitet e para të rihapjes së kishave në Shqipëri.
Ato ishin vite të bekuara. Edhe pse nuk kishim shumë mundësi materiale, kishte një etje të madhe për Zotin. Njerëzit vinin me dëshirë, dëgjonin me vëmendje, pyesnin, përqafonin besimin me gëzim. Kishim gëzimin e një entuziazmi të natyrshëm dhe të dëlirë: ndodhte që të pagëzohej një fshat i tërë, ose një lagje e tërë e qytetit. Kishat mbusheshin dhe kjo të jepte një ndjesi të thellë kënaqësie shpirtërore dhe frytshmërie apostolike.
Por sot, po përballemi me një tkurrje të dukshme. Njerëzit largohen nga kisha, nuk kanë më të njëjtën etje. Informacioni është bërë i tepërt dhe i përzier, ndërsa mirëqenia materiale ka krijuar një rehati të rreme. Shpesh Zoti shihet thjesht si një “aksesor shpirtëror”, që mund të vendoset apo të largohet sipas nevojës, një “opcion” midis shumë të tjerave.
Shoqëria kapitaliste ka krijuar një realitet të ri, ku jeta mbushet me formë, adrenalinë dhe zhurmë – por jo me përmbajtje. Shumë njerëz, veçanërisht të rinj, ndjekin emocione të shpejta dhe kënaqësi kalimtare, shpesh edhe të mëkatshme, në vend që të kërkojnë të vërtetën që u jep qetësi dhe drejtim.
Kjo largim nga jeta kishtare, nga liturgjia, nga katekizmi, është një sfidë e vërtetë për ne sot. Është një sfidë që kërkon lutje, durim, përkushtim dhe qëndrueshmëri nga ana e klerikëve, katekistëve, por edhe nga çdo i krishterë i pagëzuar, sepse jemi të gjithë të thirrur të jemi dëshmitarë të së Vërtetës.
17. A ekziston rreziku që brezat e rinj të humbasin lidhjen me trashëgiminë shpirtërore të vendit?
Sigurisht që rreziku ekziston, sepse brezi i ri formohet nga informacioni që merr – qoftë nga familja, shoqëria, institucionet arsimore, fetare, por edhe nga komuniteti ku jeton. Prandaj Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, të cilën e veçoj nga të gjitha komunitetet e tjera fetare, ka një mision të jashtëzakonshëm jo vetëm në formimin shpirtëror dhe fetar, por edhe në ushqimin e dashurisë për Atdheun.
Është e vetmja Kishë dhe komunitet fetar që bekon flamurin kombëtar, që kremton me solemnitet Ditën e Pavarësisë 28 nëntor, që ka përfshirë në liturgjinë e saj dhoksologjinë për flamurin dhe që e mëson njeriun jo vetëm të besojë, por edhe të shërbejë me përulësi e dashuri ndaj vendit të tij.
Një njeri që beson në Zot dhe e do Zotin dhe nuk mund të mos e dojë edhe vendin ku Zoti e ka vendosur të jetojë. Sepse vetë zemra e besimit tonë të krishterë është e përmbledhur në dy porositë më të mëdha:
“Duaje Zotin, Perëndinë tënde, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde; dhe duaje të afërmin tënd si veten tënde.” (Marku 12:30-31)
Kur ti e do të afërmin tënd, në mënyrë të natyrshme do edhe vendin ku banon i afërmi yt, tokën ku jeton, gjuhën, traditat dhe historinë e tij. Kështu, i afërmi përkthehet edhe si bashkëkombësi, bashkëatdhetari, dhe në këtë mënyrë, dashuria për Perëndinë dhe për të afërmin nuk mund të jetë e plotë pa dashurinë për Atdheun.
Siç thotë edhe vetë Fortlumturia e tij Kryepeshkopi Joan , një figure fetare që e ka mishëruar këtë dashuri me vepra dhe jo thjesht me fjalë, duke lënë një jetë edhe mision kishtar pa probleme në SHBA dhe erdhi për të shërbyer me përkushtim në KOASH :“Ai që do Zotin, do edhe Atdheun e tij. Dhe ai që nuk do Zotin, nuk mund të dojë as Atdheun.”
Prandaj, të formosh një njeri të mirë në Krishtin, do të thotë njëkohësisht të formosh një qytetar të ndershëm, të ndërgjegjshëm dhe atdhedashës. Kjo është arsyeja pse katekizmi nuk është thjesht një mësim mbi fenë, por një shkollë e jetës, një formim gjithëpërfshirës që ndihmon në ndërtimin e një shoqërie të drejtë, të dashur dhe të qëndrueshme.
18. Si e shihni të ardhmen e edukimit fetar në Shqipëri, brenda dhe jashtë kishës?
Urojmë që edukimi fetar brenda Kishës të vazhdojë gjithmonë, sepse kjo është detyra e saj themelore dhe misioni i saj hyjnor. Kisha nuk mund dhe nuk duhet të ndalojë përçimin e së vërtetës së Ungjillit, deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Ndërsa jashtë Kishës, jemi të kushtëzuar nga ligji dhe nga rregulloret e shtetit laik. Nëse shteti nuk krijon hapësira për futjen e edukimit fetar në ambientet publike, kjo nuk na e ndalon detyrën tonë që ta përmbushim deri në fund misionin biblik, sipas urdhëresës së Zotit:“Shkoni në mbarë botën dhe predikoni Ungjillin çdo krijese.” (Marku 16:15)
Prandaj, ne jemi të thirrur që të ungjillizojmë njerëzit, si brenda ambienteve të Kishës, por edhe jashtë tyre, kur ata vetë dëshirojnë dhe kërkojnë të marrin këtë informacion shpëtimtar në Zotin. Respektimi i lirisë së njeriut për të zgjedhur është thelbësor në mësimin e krishterë, por gjithmonë me dashuri dhe përkushtim, Kisha do të vijojë të jetë pranë çdo njeriu që kërkon të vërtetën.
VII. Apel dhe vizion personal
19. Cili është mesazhi juaj për institucionet arsimore shqiptare në lidhje me nevojën për edukim shpirtëror dhe kulturor fetar?
Sot, vetë institucionet arsimore ndiejnë mungesën e edukimit fetar, për shkak të vakumit moral që vihet re gjithnjë e më tepër në ambientet shkollore. Janë të shumta ngjarjet shqetësuese që ndodhin brenda apo rreth shkollave, siç janë vrasjet midis adoleshentëve , të rinjve, përdorimi i lëndëve narkotike, bullizmi dhe degradimi i sjelljes morale. Edhe pse në programet shkollore ekziston një lëndë si edukata qytetare ose edukata shoqërore, ato nuk mjaftojnë për të formuar personalitete të thella dhe të qëndrueshme moralisht, sepse nuk ndërtojnë një themel të brendshëm shpirtëror dhe etik pa frikën e Perëndisë , siç thotë Shkrimi i Shenjtë:“Frika e Perëndisë është fillimi i diturisë.” (Fjalët e Urta 1:7)
Një edukim që e formon fëmijën me ndjenjën e përgjegjësisë ( frikës) përpara Zotit krijon një njeri të ndershëm dhe të qëndrueshëm, i cili edhe kur ndodhet përballë tundimeve, pasurisë apo mëkatit, nuk abuzon, sepse e di se Zoti e sheh, e gjykon dhe e shpërblen. Kjo është forca e brendshme që asnjë sistem edukimi laiko-materialist nuk mund ta japë. Prandaj, kontributi i edukimit fetar, që instalohet që në fëmijëri, është një ndër kontributet më të mëdha që mund t’i bëhen një shoqërie. Për këtë arsye, shoqëritë që kanë besuar në Zot dhe kanë ndërtuar edukimin mbi baza teiste, janë shoqëri më të shëndetshme moralisht dhe më të qëndrueshme në kohë.
Në mënyrë të gabuar, shkollat publike në Europë edhe në Shqipëri vendosën të largojnë simbolet fetare dhe edukimin fetar nga kurrikula shkollore, duke ndikuar drejtpërdrejt në zbehjen e ndjenjës së shenjtërisë dhe frikës ndaj Perëndisë tek fëmijët dhe të rinjtë. Ky veprim nuk krijoi neutralitet, por prodhoi një boshllëk shpirtëror dhe në shumë raste nxitjen e një forme të heshtur ateizmi, ku feja shihet si diçka private, jo thelbësore dhe pa vend në jetën publike. Si pasojë, mungesa e edukimit fetar ka sjellë një humbje të referencave morale, e cila duket qartë në sjelljen e brezave të rinj, të cilët shpesh kanë humbur ndjenjën e përgjegjësisë përpara një autoriteti më të lartë shpirtëror.
Frika ndaj Perëndisë, që për shekuj ka qenë një element formues i ndërgjegjes dhe i sjelljes së drejtë, është zëvendësuar me relativizëm etik dhe mungesë orientimi moral, gjë që përbën një sfidë serioze për edukimin e brezave të ardhshëm.
20. Së fundi, cili është vizioni juaj si përgjegjës i katekizmit për të ruajtur, rinovuar dhe përhapur vlerat e besimit në shoqërinë shqiptare?
Zyra e Katekizmit, e cila aktualisht jamë përgjegjës vazhdon të ushtrojë veprimtarinë e saj në bekimin dhe nën kujdesin e Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, si edhe nën mbikëqyrjen e Hirësisë së Tij, Mitropolitit të Fierit dhe Apollonisë, Hirësi Nikollës.
Zyra nuk vepron si strukturë e pavarur, por është një organikë e drejtpërdrejtë e Kishës, një instrument në shërbim të misionit të saj të shenjtë. Qëllimi kryesor i kësaj zyre katekizmi nuk është thjesht realizimi i disa objektivave të përkohshëm, por vazhdimi pa ndërprerje i katekizmit përmes të gjitha formave dhe mundësive që ofron koha: në ambientet kishtare, në terren, nëpërmjet mjeteve të komunikimit modern, si dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me ata që kërkojnë të dëgjojnë fjalën e Zotit.
Ky mision është i njëjtë që nga themelimi i zyrës dhe besoj se nuk do të ndërpritet për sa kohë ekziston Kisha në vend , sepse Zyra e Katekizmit e Kryepiskopatës KOASH-it i përmbahet thirrjes ungjillore për të “shkuar e për të bërë dishepuj të gjithë popujt: (Mateu 28-19) ” duke mbetur një dritare e hapur e besimit, që përçon dashurinë e Perëndisë në Krishtin për botë ( Joani 3-16) , mësimet e Krishtit dhe Apostojve, frymën e Kishës Apostolike Orthodhokse në çdo cep të vendit dhe në çdo aspect të jetës së besimtarëve, e vetëdijshme se për çdo shpirt që i është besuar do të jepet një ditë llogari përpara Zotit. Deri më sot me hirin e Perëndisë dhe bekimin Kishës sipas punëve që duken, vepron me përkushtim të palëkundur, me dashuri dhe pa lodhje, duke qenë gjithmonë në shërbim të së Vërtetës në Zotin dhe të njeriut kush do qoftë ai .
Intervistoi: Ekaterina (Olta) Duka ( për temën e diplomës )