Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

SI DREJTËSOHET MËKATARI

July 18, 2025 at 7:57 pm, No comments

518328911_2523359641361002_2387826482415864848_n.jpg

Nga Katekisti: Miron Çako


Ndonjëherë na krijohet ideja se disa njerëz janë të lindur të drejtë, të mirë, ndërsa të tjerët janë të lindur mëkatarë, të ligj, dhe kështu janë të përcaktuar të ndryshojnë që në fillim, si një fat i parapërcaktuar.

Duhet të dimë se të gjithë njerëzit janë lindur njësoj si qenie, jo thjesht për shkak të ADN-së apo prejardhjes së përbashkët nga Adami (Zanafilla 1:26), por edhe sepse të gjithë lindin me mëkatin e Adamit (Zanafilla 3:6-7), që ndryshe quhet mëkati stërgjyshor, ose origjinal.

Kështu, njeriu ngjizet në mëkat, lind në mëkat (Psalmi 50), dhe vjen në një botë të mbushur me mëkat, prandaj të gjithë vdesin në këtë tokë si "varrezë kozmike", sepse: “Paga e mëkatit është vdekja” (Romakëve 6:23). “Mëkati hyri në botë nëpërmjet një njeriu, dhe nëpërmjet mëkatit hyri vdekja. Kështu vdekja depërtoi te të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan.” na thotë Apostull Pavli. (Romakëve 5:12)

Asnjë njeri që ka lindur nga fara e Adamit nuk i shpëton këtij rrethi vicioz të lindur për të vdekur, sepse është lindur mëkatar dhe bën mëkat , ashtu siç thuhet në Psalme: “Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë nëse ndonjëri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë. Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjëri nuk bën të mirën, as edhe një.” (Psalmi 14:2-3)

Atëherë, nëse të gjithë janë mëkatarë, çfarë e bën një njeri të drejtë?

Dikush mund të thotë veprat e tija . Por jo, nuk janë veprat tona, sepse, duke qenë se njeriu lind me mëkat dhe jeton në një botë të kontaminuar nga mëkati, çdo gjë që ai bën është e ndotur, jo vetëm fizikisht, por dhe moralisht, sepse dalin nga zemra e ndyrësuar që në emrion , ashtu si thotë Zoti Jisu Krishti : “Sepse nga brenda, domethënë nga zemra e njeriut, dalin mendimet e mbrapshta, shkeljet e kurorës, kurvërimi, vrasjet, vjedhjet, lakmitë, ligësitë, mashtrimet, pafytyrësia, smira, blasfemia, kryelartësia, budallallëku. Të gjitha këto të mbrapshta dalin nga brenda dhe e ndotin njeriut." ( Mateu 7 21-23).

Veprat tona janë si paçavure përpara Zotit, sepse janë të përziera me interesa personale, egoizëm, hipokrizi, etj.

Që të vërtetohet se njeriu nuk bëhet i drejtë përmes veprave, atëherë njerëzve iu dha Ligji, si ai i shkruar në zemrat e tyre ndërgjegjja njerëzore, ose ligji natyror: “Mos i bëj tjetrit atë që nuk do të të bëjnë ty”, po ashtu edhe Ligji i shkruar që iu dha Izraelit përmes Moisiut në Malin Sina, rreth vitit 1446 para Krishtit: dhe “I mallkuar është kushdo që nuk qëndron në të gjitha ato që shkruhen në librin e ligjit për t’i praktikuar.” ( Galatasve 3-10)

Por as ligji natyror i ndërgjegjes, as Ligji Mozaik i shkruar, nuk e bëjnë të drejtë njeriun, sepse ato shkelen, në zemër, në mendje dhe në çdo vepër njerëzore, ashtu siç na thuhet në Shkrimin e Shenjtë

:“Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një. Nuk ka asnjë që të kuptojë, nuk ka asnjë që të kërkojë Perëndinë. Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë bërë të padobishëm; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën, as edhe një. Gryka e tyre është një varr i hapur; me gjuhët e tyre kanë thurur mashtrime; ka helm gjarpërinjsh nën buzët e tyre.Goja e tyre është plot mallkim dhe hidhësi. Këmbët e tyre janë të shpejta për të derdhur gjak; në udhët e tyre ka rrënim dhe gjëmë.Dhe nuk e kanë njohur udhën e paqes.Nuk ka frikë të Perëndisë përpara syve të tyre . Por ne e dimë se gjithçka që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën ligj, me qëllim që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota t'i jetë nënshtruar gjykimit të Perëndisë, sepse asnjë mish nuk do të shfajësohet para tij për veprat e ligjit; me anë të ligjit në fakt arrihet njohja e mëkatit. (Romakëve 3:10-20).”

Atëherë, kush e bën një njeri të drejtë?

Kriteri përmes të cilit një njeri mëkatar drejtësohet, është besimi në Zotin .

Ky është kriteri që e ka vendosur vetë Zoti. Ashtu si për engjëjt kriteri i drejtësisë është bindja, sepse ata nuk kanë nevojë për besim se e shohin lavdinë e Zotit në vendet qiellore, dhe çdo rebelim ndaj Zotit dënohet përjetësisht si një rënje pa kthim , siç ndodhi me Luciferin (Isaia 14-2) , dhe me engjëjt rebelë ( Zbulesa 12-9) ) që ranë si vetëtima nga Parajsa qiellore. (Luka 10:18).

Ndryshe nga engjëjt, njeriu nuk mund ta shohë Zotin për shkak të verbërisë shpirtërore pasojë e mëkatit stërgjyshor, prandaj Perëndia vendosi si kusht drejtësie për njerëzit besimin mendor.
Perëndia është i padukshëm për shqisat tona fizike në këtë “ mishi mëkatar, edhe për mëkat” ( Roamakt 8-3),por Ai mund të “shihet” përmes syve të mendjes dhe të shpirtit,dmth përmes besimit, që quhet edhe “shqisa e gjashtë”. Kjo shqisë shpirtërore është mbjedhë tek të gjithë njerëzit si një fare, ose si një dritë që ndizet nga Zoti brenda nesh: “ që ndrit çdo njeri që vjen në botë” ( Joani 1-9) , por jo të gjithë e përdorin dhe mbeten në pabesi , prandaj : “Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta”( Joani 3-19)

Duke qenë se njeriu, ndryshe nga krijesat e tjera gjallore në tokë, është një qenie mendore, të gjithë nëse vënë mendjen në punë, patjetër do të besojnë në Zotin si Krijuesin, ashtu siç thuhet në Shkrim e Shenjtë: “ ajo që mund të njihet prej Perëndisë është bërë e dukshme brenda tyre, sepse vetë Perëndia ua ka shfaqur. Cilësitë e Tij të padukshme, fuqia e përjetshme dhe hyjnia, që nga krijimi i botës janë bërë të dukshme nëpërmjet veprave të Tij, me qëllim që njerëzit të jenë të pafalshëm për mosbesimin e tyre. Prandaj, të besosh në Perëndinë është diçka natyrale për njeriun, ndërsa të mos besosh është kundër natyrës së tij dhe një marrëzi, ashtu si thuhet: “Thotë i marri në zemrën e tij: ‘S’ka Perëndi.” ( Psalmi 41-1)

Ai që mendon dhe shikon me sytë e shpirtit, patjetër arrin të arsyetojë për ekzistencën dhe veprimin e Perëndisë dhe përmes këtij besimi drejtësohet.
Kështu ndodhi me Abramin, rreth vitit 2091 para Krishtit, i cili, duke arsyetuar se ka një Perëndi në qiell që krijon dhe sundon gjithçka, besoi dhe kjo i’u numërua për drejtësi. Ai u quajt mik i Perëndisë. Aftësinë për ta pranuar Perëndinë e ka çdo njeri me mendje të shëndoshë, madje edhe foshnjat, sepse “nga goja e të vegjëlve dhe e foshnjave në gji Ti ke përgatitur lavdi”( Psalmi -8)

Por çfarë është besimi?

Sipas Apostull Pavlit : “ Besimi është siguria për gjërat që shpresohen dhe bindja për gjërat që nuk shihen. Nëpërmjet tij, të parët tanë morën dëshminë e mirë. Me anë të besimit, kuptojmë se gjithësia u krijua me fjalën e Perëndisë, në mënyrë që gjërat që shihen, janë bërë nga ato që nuk duken.” (Hebrenjve 11:1-3)

Besimi nuk është vetëm të pranosh se Perëndia është Krijuesi, se si qiejt u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe gjithë ushtria e tyre me frymën e gojës së Tij, se Ai foli dhe gjëja u bë, urdhëroi dhe ajo u shfaq. (Psalmet 33:6), ose: “Ai bëri tokën me fuqinë e tij, ka vendosur botën me diturinë e tij dhe ka shpalosur qiejt me zgjuarsinë e tij. (Jeremia 10:12)

Besimi i plotë është të pranosh gjithashtu veprën që Perëndia bëri për të na shpëtuar nga mëkati dhe vdekja, duke na drejtësuar.
Perëndia Ati na shpëtoi nëpërmjet Fjalës, domethënë Birit të Tij të vetëmlindur, i cili; “ për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, u bë njeri prej Shpirtit të Shenjtë dhe gjithmonë Virgjëreshës Mari”.( Simboli i Besimit), ose siç thuhet: “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne; dhe ne pamë lavdinë e Tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir dhe të vërtetë” ( Joani 1-14) ;“por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë”. (Galatasve 4:4-5)

Fjala e mishëruar është Jisu Krishti, një person i vetëm me dy natyra: natyrën hyjnore, të lindur prej Atit nga përjetësia , dhe natyrën njerëzore, të lindur nga Virgjëresha Mari. Ai ishte njeri si ne, por pa mëkat të trashëguar dhe personal.

Kjo e bën atë të ndryshëm nga ne që trashëgojmë farën dhe mëkatin e Adamit dhe mëkatet personale .

Jisu Krishti mori mbi vete mëkatet e të gjithë njerëzimit dhe shkoi vullnetarisht drejt vdekjes si njeri në kryq në Golgotha në vitin 33 ps K për të shpenguar mëkatet tona, sepse mëkati lahet vetëm me gjak. Shkrimi e thotë : “ se jeta e mishit është në gjak dhe për këtë arsye Perëndia urdhëroi që gjaku të vihej mbi altar për të bërë shlyerjen e fajit për jetën e njeriut, sepse është pikërisht gjaku që bën shlyerjen” (Levitiku 17:10, 11) “ Dhe sipas ligjit, gati të gjitha gjërat pastrohen me anë të gjakut; dhe pa derdhur gjak nuk ka ndjesë” ( Hebrejnve 9-22).

“Kjo është arsyeja pse nuk u shpenguam me gjëra të prishshme si ari apo argjendi nga mënyra e kotë e jetës së trashëguar nga etërit tanë, por me gjakun e çmuar të Krishtit, si të një Qengji të patëmetë dhe të panjollë, i cili ishte i paranjohur që përpara krijimit të botës, por u shfaq në kohët e fundit për ne.”( 1 Petros 1-18)

“Ai vetë i barti mëkatet tona në trupin e tij mbi drurin e kryqit, që ne, të vdekur ndaj mëkateve, të jetojmë për drejtësinë; dhe me plagët e tij jemi shëruar. Dikur ishim si dele që endeshin pa drejtim, por tani jemi kthyer te Bariu dhe Ruajtësi i shpirtrave tanë.” ( 2 Petros 1-24) “Sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë, por janë shfajësuar falas me anë të hirit të Tij, nëpërmjet shpengimit që është në Krishtin”.( Romakëve 3 23-24)

Njerëzit sot ndahen në dy grupe: në besimtarë të drejtësuar dhe në të pabesë mëkatarë, edhe jo sepse lindin të tillë, por sepse zgjedhin në mënyrë të lirë gjatë jetës tokësore, ose qëndrojnë në Adamin e parë, njeriun që mëkatoi, dhe në të gjithë mëkatuan e vdesin ( Roamakëve 5 12-13), ose besojnë në Krishtin, në Adamin e dytë (1 Korintasve 15:45) “Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë” (Romakëve 5:19), dhe kështu marrin drejtësimin përmes veprës dhe mundimeve të Krishtit në kryq, sepse : “ ai u plagos për shkeljet tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi që na dha paqen ra mbi të dhe me plagët e tij ne u shëruam”. (Isaia 53:5)

Gjaku i Jisu Krishtit, Birit të Perëndisë, na pastron nga çdo mëkat, sepse : “ Nëse themi se jemi pa mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Por nëse i rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë për të na i falur dhe për të na pastruar nga çdo paudhësi.” ( 1Gjonit 1:7-9)

Apostull Pavli e shpjegon qartë ndarjen midis Adamit dhe Krishtit. Ai thotë se, “nëse përmes mëkatit të vetëm të Adamit vdekja mbretëroi për të gjithë, atëherë shumë më tepër ata që marrin bollëkun e hirit dhe dhuratën e drejtësisë do të mbretërojnë në jetë nëpërmjet një njeriu të vetëm, Jisu Krishtit. Ashtu si përmes një shkeljeje të vetme dënimi ra mbi të gjithë njerëzit, po ashtu edhe përmes një akti të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi të gjithë për shfajësimin e jetës. Ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm shumë u bënë mëkatarë, po kështu nga bindja e një të vetmi shumë do të bëhen të drejtë.” .( Romakëve 5 18 -19)

Ilustrimi më i qartë që dëshmon se njeriu është vetë ai që zgjedh të bëhet i drejtë apo të mbetet mëkatar, është momenti i kryqëzimit të Jisu Krishtit në Golgotha, i cili u kryqëzua në mes të dy kriminelëve, njëri në të majtë dhe tjetri në të djathtë, siç e përshkruajnë ungjillorët sinoptikë ( të njëjtë).

Ungjillori Lukai na jep një pamje të qartë të këtij momenti, ku thuhet se; “kur arritën në vendin që quhet Kafka, e kryqëzuan Atë bashkë me keqbërësit, njërin në të djathtë dhe tjetrin në të majtë. Jisui tha: “O Atë, fali ata, sepse nuk dinë ç’bëjnë.”..." Ndërsa një nga keqbërësit e kryqëzuar e shau duke thënë: “Nëse ti je Krishti, shpëto vetveten dhe edhe ne!” Por tjetri, duke iu përgjigjur, e qortoi dhe i tha: “A s’ke frikë nga Perëndia, kur je nën të njëjtin dënim? Ne me të drejtë jemi dënuar, sepse po marrim atë që meritojmë për veprat tona, por ky nuk ka bërë asnjë të keqe.” Pastaj iu drejtua Jisuit dhe tha: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.” Dhe Jisui iu përgjigj: “Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë.”( Luka 23;33;38-42)

Këta dy kriminelë përfaqësojnë të gjithë bijtë e Adamit, të cilët lindin, rriten dhe bëjnë mëkat duke shkelur Ligjin e Perëndisë dhe që, sipas drejtësisë hyjnore, meritojnë vdekjen dhe ndëshkimin, sepse mëkati sjell vdekje. Por, sipas providencës hyjnore, vetë Krishti u kryqëzua si një keqbërës, edhe pse i pafajshëm, në mes të tyre, për të na shpëtuar. Sepse, siç thotë Shkrimi: “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, duke u bërë vetë mallkim për ne, pasi është shkruar: ‘I mallkuar është kushdo që varet në dru”. Galatasve 3-13).

Krimineli në të majtë përfaqëson ata që zgjedhin të mbeten në mëkat, që shajnë, refuzojnë dhe përbuzin shpëtimin nëpërmjet Krishtit. Ata, me vetëdije, e mohojnë mëshirën e ofruar dhe pranojnë të vdesin me një vdekje të hidhur shpirtërore, duke pasur pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë, ( Zbulesa 21-8), ndarja e përjetshme nga Perëndia.

Ndërsa krimineli në të djathtë përfaqëson ata mëkatarë që, edhe në momentet e fundit të jetës, pendohen sinqerisht për mëkatet e tyre, besojnë në Krishtin dhe i drejtohen Atij me lutje e përulësi, duke kërkuar mëshirë. Ky është shembulli i vërtetë i shpëtimit përmes besimit, ku Jisui, duke parë besimin dhe pendimin e tij, e drejtësoi dhe i premtoi: Luka 23 33 ;39-41)

Ky dialog dhe kjo ngjarje madhështore zbulojnë thelbin e Ungjillit: se shpëtimi nuk vjen nga veprat tona, por nga besimi i gjallë dhe i përulur në Krishtin e kryqëzuar dhe të ringjallur.
Zoti Jisu Krishti, përmes besimit të sinqertë dhe përmes mistereve të Kishës së Tij Apostolike, shfajëson mëkatarin e drejtëson dhe i premton jetën e përjetshme, ashtu si kriminelit të penduar në kryq. “Sot do të jesh me mua në parajsë” ( Luka 23-41).

Ai që beson dhe thërret Zotit Jisu Krishtit, edhe në momentin e fundit të jetës drejtësohet, sepse : "Nëse rrëfejmë mëkatet tona, Ai është besnik dhe i drejtë për të na falur mëkatet tona, dhe për të na pastruar nga çdo padrejtësi". (I Joanit 1: 9)“Sepse Ai (Perëndia), bëri të jetë mëkat për ne, Ai që nuk njohu mëkat, që ne të bëhemi drejtësia e Perëndisë në Të.” (2 e Korintasve 5:21)

“Tani kemi një avokat te Ati, Jisu Krishtin, të Drejtin. Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për mëkatet e gjithë botës” . ( 2 Joanit 2-1)

“Prandaj, nëse dikush është në Krishtin, ai është një krijesë e re; gjërat e vjetra kanë kaluar, dhe ja, gjithçka është bërë e re. Të gjitha këto janë nga Perëndia, që na pajtoi me veten nëpërmjet Jisu Krishtit dhe na dha shërbimin e pajtimit. Sepse Perëndia e pajtoi botën me veten në Krishtin, duke mos ua llogaritur njerëzve fajet e tyre.”(2 e Korintasve 5:17-19)

Nga ana tjetër, vetë Krishti paralajmëron: “Prandaj ju thashë se do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se Unë Jam, do të vdisni në mëkatet tuaja.” ( Joani 8-24)

Prandaj e gjitha kjo do të thotë se gjithçka që ka të bëjë me drejtësimin nuk është çështje fati apo paracaktimi, por zgjedhje e lirë e njeriut si për të rriturit, dhe për fëmijët është përgjegjësi e prindërve që mund të drejtësohen me Besim në Perëndin në bashkim me Krishtin .

Kushdo që arsyeton dhe beson me gjithë zemër në Perëndinë , dhe pranon se Jisu Krishti është Biri i Perëndisë dhe Biri i njeriut , Zoti dhe Shpëtimtari i botës, nëse ai/ajo pagëzohet në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë , do të shpëtohet ( Marku 16 ) dhe do të drejtësohet.

“Sepse nuk e dini se të gjithë ne që u pagëzuam në Jisu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e Tij? Ne, pra, u varrosëm me Të nëpërmjet pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me lavdinë e Atit, edhe ne të ecim në risinë e jetës. Nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të Tijën, do të jemi gjithashtu pjesë e ringjalljes së Tij, duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me Të, që trupi i mëkatit të anulohej dhe që të mos i shërbejmë më mëkatit...Sepse, kur ishit shërbëtorë të mëkatit, ishit të lirë ndaj drejtësisë. Por çfarë fryti kishit atëherë nga ato gjëra për të cilat tani ndjeni turp? Fundi i tyre është vdekja. Tani, pasi u liruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të Perëndisë, keni për fryt shenjtërimin dhe në fund, jetën e përjetshme. Sepse paga e mëkatit është vdekja, por dhuntia e Perëndisë është jeta e përjetshme në Jisu Krishtin, Zotin tonë” .( Romakëve 6 ;3-7;20-23)Amin.


No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • Homelia IX mbi Ungjillin sipas Mateut
    29 Jul, 2025
  • Lutja,frymëmarrja e shpirtit!
    29 Jul, 2025
  • Liria në Krishtin!
    28 Jul, 2025
  • Dashuria,përsosmëri shpirtërore!
    25 Jul, 2025
  • PSE TRUPAT E DISA SHENJTORËVE NUK PRISHEN ?
    24 Jul, 2025
  • Përulësia!
    23 Jul, 2025
  • PSE GRUAJA NUK MUND TE BËHET PRIFTËRESHË?
    23 Jul, 2025

Shkrime nga Katekisti Miron Çako

Publikimet e vitit 2025

  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako