GABIMI I MADH QË BËJNË NJERËZIT

Nga Katekisti: Miron Çako
Njerëzit shpesh gabojnë shumë kur ngatërrojnë Zotin me njeriun.
Ata u besojnë njerëzve në premtimet për mbrojtje, investime, ekonomi, shëndetësi, shpëtim jete, deri aty sa i adhurojnë ata, sikur ata janë Zoti i tyre.
Njerëzit harrojnë se vetëm Zotit i besohet 100%.
Vetëm Zoti i mban premtimet, sepse është i gjithëpushtetshëm dhe i paprekshëm nga e keqja. Ndërsa njeriu është i dobët, i vdekshëm dhe i korruptuar nga e liga, sepse zakonisht e mundin tri tundimet kryesore në tokë: lakmia e syrit, dëshirat e mishit dhe krenaria e jetës, dhe për këtë mëkaton (Zanafilla 3-6).
Njerëzit zakonisht harrojnë Perëndinë dhe nuk ia besojnë jetën e tyre Zotit, sepse Ai është i drejtë dhe nuk bëhet bashkëpunëtor në të padrejtat, të pamoralshmet, antiligjoret, apo antinjerëzoret.
Prandaj, në demokraci, nëse dikush nuk voton për një kandidat deputet apo parti që ka një program politik, ekonomik dhe moral në të mirë të gjithë shtetasve, pa dallim, që garanton paqe, dinjitet njerëzor, ligj dhe moral natyror, por voton për interesa të vogla meskine, egoiste, familjare, frikë, apo thjesht për tifozllëk partiak, pavarësisht se kandidati apo subjekti politik që ai mbështet ka në program ide ateiste (anti-Zot), lidhje okulte, apo veprime antihumane që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor, natyralitetin dhe respektin për jetën familjare, ose ka kryer veprime arbitrare që dëmtojnë shoqërinë në përgjithësi, ai ka bërë një gabim të madh dhe shpejt do të zhgënjehet nga premtimet e pambajtura të njeriut që i ka besuar jetën me votë.
Por jo vetëm kaq, ai do të zhgënjehet, por edhe do të dëmtohet vetë, sipas ligjit të heshtur të kompensimit: “Po bëre keq, keq do të gjesh; zemra mos të të dhëmbi.”
Kurse njeriu, kjo krijesë e vdekshme, është i “mirë” relativisht, madje shumë i dobët për t’i besuar gjithçka dhe për të rivalizuar Zotin.
Fatkeqësisht, ne njerëzit bëjmë një gabim të përsëritur, dyshojmë në mirësinë e Zotit dhe anashkalojmë përkujdesjen hyjnore, duke besuar në premtimet e njerëzve, edhe kur ato janë të padrejta, premtime boshe, dhe i bëjmë ata zotat tanë. Kjo është e thënë në Bibël: “Duke e deklaruar veten të urtë, u bënë të marrë, dhe e shndërruan lavdinë e Perëndisë së pakalbshëm në një shëmbëllim të ngjashëm me atë të një njeriu të kalbshëm” (Romakëve 1:22).
Por kur ai na ka dalë një zot i gënjeshtër, sepse interesat tona meskine, familjare, ekonomike dhe sociale janë prishur nga ato çfarë ka urdhëruar "zoti" ynë, atëherë vijmë në vete dhe fillojmë të thërasim , rebelohemi , shajmë dhe mallkojmë , nuk e duam atë që vetë e bëmë zotin tonë me dëshirë dhe votë.
Prandaj, para se të shash dhe të mallkosh zotin, që ti e ke krijuar, shikoje mirë ku ke gabuar, përsëri e përsëri, dhe ndaje njëherë e mirë Zotin e vërtet nga njeriu i gënjeshtër.