Homelia XV mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )

HOMELIA XV
“Dhe Jisui, kur pa turmat, u ngjit në mal, dhe u ul. Nxënësit e tij iu afruan. Dhe Ai filloi të flasë dhe ti mësonte ata duke thënë: “Lum ata”...
Vini re sa i thjeshtë dhe sa larg krenarisë ishte Ai, duke mos i sjellë njerëzit pas vetes me pompozitet. Por, kur kërkohej shërim Ai shkonte vetë kudo, vizitonte qytete dhe fshatra. Dhe tani, që turma ishte bërë shumë e madhe, Ai u ul në një vend të thjeshtë dhe jo në qendër të ndonjë qyteti apo sheshi, por në një mal dhe në një vend të shkretë. Nëpërmjet kësaj na Ai mëson që të mos bëjmë asgjë për t’u dukur dhe të largohemi nga zhurmat e jetës së zakonshme, veçanërisht në ato raste kur duhet të studiojmë urtësinë dhe të flasim për ato gjëra që janë vërtetë të nevojshme për t’u bërë.
Por kur Ai u ngjit në mal dhe “u ul, dishepujt e Tij iu afruan”. A e vini re, se si u rritën ata në virtyt? Si në një çast ata u bënë më të mirë? Turma ishte aty vetëm për të parë mrekullitë, ndërsa apostujt, që nga ai moment, dëshironin të dëgjonin diçka më të thellë dhe më të lartë. Dhe pikërisht kjo i dha nxitje Jisuit të fillonte mësimin dhe të shpallte këtë predikim.
Sepse Ai nuk shëronte vetëm trupat e njerëzve, por edhe shpirtin e tyre; dhe nga kujdesi për shpirtin, Ai kalonte edhe tek shërbimi për trupin. Kështu, Ai ndryshonte mënyrën e ndihmës që jepte dhe ndërthurte mësimet e Tij me veprat që shfaqnin lavdinë e Tij. Për më tepër, Ai bënte që gojët e paturpëshme të heretikëve të heshtnin, duke treguar se kujdesi i Tij është për të dyja pjesët e qenies sonë dhe se Ai është Krijuesi i gjithçkaje. Prandaj, Ai u ofronte kujdes të madh të dyjave natyrave, duke shëruar njëherë trupin dhe pastaj shpirtin.
Dhe kështu Ai ishte angazhuar në veprim. Thuhet se “Ai hapi gojën dhe i mësoi ata (dishepujt)”. Pse është shtuar fraza “Ai hapi gojën”? Për të treguar se Ai jepte mësim edhe me anë të heshtjes së Tij dhe jo vetëm kur Ai fliste. Sepse në disa raste, Ai e shprehte mësimin e Tij duke “hapur gojën” dhe në disa raste të tjera e shprehnte mesazhin e Tij përmes veprave që bënte.
Por kur dëgjon që thuhet se Ai i mësoi ata, mos mendo se Ai po bisedonte vetëm me dishepujt e Tij, por me të gjithë përmes tyre.
Duke
qenë se turma ishte siç është zakonisht një turmë, që përbëhej gjithashtu edhe
nga ata që ishin ende në një nivel të ulët shpirtëror, Ai tërheq grupin e
dishepujve dhe iu drejtohet atyre me fjalët e Tij. Kështu, duke folur me ata,
Ai donte që edhe të tjerët që ishin ende larg kuptimit të mësimeve të Tij, të
mund ta kuptonin më lehtë mësimin për vetëpërmbajtjen. Kjo është shprehur edhe
nga Llukai, kur tha se “Ai i drejtoi fjalët e Tij tek ata”, dhe madje edhe nga
Mateu gjithashtu, i cili shkroi:
“Dishepujt e Tij erdhën tek Ai, dhe Ai i mësoi ata”. Kështu, të tjerët do të
ishin më të gatshëm t’i dëgjonin, sesa nëse Ai do t’u ishte drejtuar të
gjithëve.
2. Prej nga duhet të nisë Ai? Dhe çfarë bazash të reja po vendos për ne në këtë mësim?
Le të dëgjojmë me vëmendje të plotë atë që thuhet. Pavarësisht se u drejtohet dishepujve, këto u shkruan edhe për të gjithë pasardhësit e tyre. Prandaj edhe pse Ai kishte dishepujt në mendje gjatë predikimit të Tij në publik, Ai nuk i kufizoi fjalët e Tij vetëm për ata, por i aplikoi ato për të gjithë, pa asnjë kufizim. Ai nuk tha “Të bekuar jeni nëse bëheni të varfër”, por “Të varfrit janë të bekuar”. Dhe mund të shtoj se, edhe sikur të kishte folur vetëm për dishepujt, këshillat do të ishin ende të vlefshme për të gjithë ne. Kështu, kur Ai thotë: “Ja, Unë jam me ju gjithmonë, deri në fund të botës”, Ai nuk po flet vetëm me ata, por përmes tyre, me të gjithë botën. Dhe duke shpallur të lumtur ata që përndiqen dhe që vuajnë, gjëra të cilat janë të vështira për tu përballuar; i shpall këto jo vetëm për dishepujt, por edhe për të gjithë ata që arrijnë në të njëjtin shkëlqim, për të cilët Ai jep kurorat e Tij.Krye e formularit
Për ta bërë këtë edhe më të qartë dhe për të të informuar se dhe ti ke një interes të madh në fjalët e Tij, dhe gjithashtu e ka dhe gjithë njerëzimi, nëse zgjedh të dëgjojë, vini re si i fillon këto fjalë të mrekullueshme.
“Lum të varfërit në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve”.
Çfarë do të thotë “të varfrit në shpirt”? Ata që janë të përulur dhe të penduar në mendje. Me fjalën “shpirt”, Ai nënkupton shpirtin dhe aftësinë për të zgjedhur. Kjo do të thotë se, nëse shumë janë të përulur jo me dëshirën e tyre, por nga presioni i rrethanave, Ai nuk e lavdëron këtë gjë. Ai bekon ata që me vullnetin e tyre përulen dhe nënshtrojnë veten.
Pse Ai nuk tha “të përulurit”, por “të varfrit”? Sepse kjo ka një kuptim më të thellë. Ai flet për ata që janë të tronditur dhe dridhen përpara porosive të Perëndisë. Edhe Isaia, profeti i Zotit, ka thënë se Zoti i pranon ata që janë të tillë, kur thotë: “Kë do të shikoj, përveç atij që është i përulur dhe i qetë, dhe që dridhet përpara fjalëve të Mia?” Ka shumë lloje përulësie: disa janë të përulur në mënyrë të natyrshme, të tjerë janë të përulur në një mënyrë më të thellë. Kjo lloj përulësie, që është jo vetëm i nënshtruar, por i dërmuar dhe i dorëzuar, është ajo që lavdëron profeti kur thotë: “Therrore ndaj Perëndisë është shpirti i dërmuar, zemrën e dërmuar dhe të përulur Perëndia nuk do ta përbuzë”. Po ashtu, tre Djemtë e quajnë këtë një flijim të madh para Zotit, duke thënë: “Me një shpirt të dërmuar dhe një zemër të përulur, le të na pranojë”. Krishti bekon pikërisht këtë lloj përulësie.
3. Të këqijat më të mëdha, ato që shkatërrojnë botën, hyjnë përmes krenarisë. Djalli, i cili nuk ishte djall më parë, u bë i tillë për shkak të krenarisë, siç shprehet qartë edhe apostull Pavli, duke thënë: “Që, ngritur nga krenaria, të mos bjerë në dënimin e djallit”. Po ashtu, njeriu i parë i fryrë nga djalli me shpresa të rreme, u bë shembull dhe humbi gjithçka që kishte duke shpresuar të bëhej perëndi. Zoti e qortoi dhe e talli budallallëkun e tij, duke thënë: “Ja, Adami është bërë si një nga ne”. Secili nga pasuesit e tij u shkatërrua nga mendimi i gabuar se mund të barazohej me Perëndinë. Kjo pra, ishte kështjella e të këqijave tona dhe rrënja e çdo ligësie. Prandaj Ai, duke pasur parasysh një mjekim të përshtatshëm për këtë sëmundje, vendosi këtë ligj si një themel të fortë dhe të sigurt. Sepse, mbi këtë bazë të sigurt, ndërtuesi mund të ndërtojë pjesët e tjera pa rrezik. Por, nëse ky themel hiqet edhe pse një njeri mund të arrijë lart në jetën e tij, gjithçka do të shkatërrohet dhe do të përfundojë keq. Edhe nëse kreshmon, lutet, bën bamirësi dhe jeton një jetë të ndershme, pa përulësi, gjithçka shembet dhe shkatërrohet.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi me fariseun. Pasi kishte arritur majat e virtytit, ai “u rrëzua” duke humbur gjithçka, sepse nuk kishte bazën e të gjitha virtyteve. Ashtu si krenaria është burimi i çdo ligësie, përulësia është themeli i të gjithë vetëkontrollit. Prandaj, Krishti fillon me këtë, duke e çrrënjosur që në fillim mburrjen nga shpirti i dëgjuesve të Tij.
Dikush mund të pyesë: “Po ç'lidhje ka kjo me dishepujt e Tij, të cilët në çdo aspekt ishin të përulur? Sepse, në të vërtetë, ata nuk kishin arsye për krenari, duke qenë peshkatarë, të varfër, të thjeshtë dhe pa shkollë”.
Edhe pse këto fjalë nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me dishepujt, ato sigurisht kishin rëndësi të madhe për ata që ishin të pranishëm dhe që më vonë do të pranonin dishepujt, në mënyrë që të mos i nënvlerësonin për këto arsye.
Megjithatë, më e saktë do të ishte të thuhej se ato ishin të nevojshme edhe për vetë dishepujt. Sepse, ndonëse jo në atë moment, por më vonë atyre do t’u duhej ky udhëzim, sidomos pas shenjave dhe mrekullive që do të bënin, nderit që do të merrnin nga bota dhe besimit të tyre ndaj Zotit. Në fakt, as pasuria, as pushteti, as mbretëria nuk kishin aq fuqi për ti bërë krenarë njerëzit, sa kishin ato gjëra që ata zotëronin me plotësi. Përveç kësaj, ishte e natyrshme që edhe para mrekullive të ndjenin njëfarë krenarie njerëzore, sidomos kur shihnin njerëzit dhe gjithë atë turmë që rrethonte Mësuesin e tyre. Prandaj, Ai menjëherë frenon çdo ndjenjë krenarie tek ata.
Ai nuk e paraqet atë që thotë si këshillë ose si urdhërim, por si bekim, duke e bërë fjalën e Tij më të lehtë për t’u pranuar dhe duke hapur rrugën e mësimeve të Tij për të gjithë. Sepse nuk tha, “Ky apo ai person”, por “të gjithë ata që veprojnë kështu janë të bekuar”. Kështu që, edhe nëse je skllav, lypës, i varfër, i huaj, apo i paarsimuar, asgjë nuk të pengon të jesh i bekuar, nëse ndjek këtë virtyt.
Pasi
nisi aty ku kishte më shumë nevojë, siç e shihni, Ai kalon në një urdhërim
tjetër, i cili duket se bie ndesh me gjykimin e të gjithë botës. Sepse, ndërsa
të gjithë mendojnë se ata që gëzojnë janë për t’u pasur zili dhe ata që janë në
pikëllim, varfëri apo ata që vajtojnë, janë të mjerë, Ai pikërisht këta të
fundit i quan të bekuar, duke thënë:
“Të bekuar janë ata që vajtojnë”.
Megjithatë, të gjithë njerëzit i quajnë të mjerë. Për këtë arsye, Ai kreu mrekullitë më parë, që të fitonte besim kur fliste për mësime kaq të jashtëzakonshme.
Edhe këtu, përsëri, Ai nuk i përfshin të gjithë ata që vajtojnë, por ata që vajtojnë për mëkatet. Sepse me siguri, lloji tjetër vajtimi është ai që lidhet me çështjet e kësaj jete dhe që është i ndaluar në mënyrë të prerë. Këtë e ka shpjeguar qartë edhe Pavli, kur tha: “Trishtimi i botës sjell vdekje, por trishtimi sipas Perëndisë sjell pendim për shpëtim, që nuk të vjen keq për të”.
Kështu, Ai i quan të bekuar ata, trishtimi i të cilëve është i tillë; por jo thjesht ata që trishtohen, por ata që vajtojnë plotësisht. Prandaj nuk tha “ata që trishtohen”, por “ata që vajtojnë”. Kjo urdhëresë është përshtatur për të na mësuar vetëpërmbajtje të plotë. Sepse, nëse ata që vajtojnë për humbjen e fëmijëve, bashkëshortëve apo të afërmve të tjerë nuk ndiejnë dëshirë për përfitime apo kënaqësi të tjera gjatë asaj periudhe dhimbje, nuk kërkojnë lavdi, nuk zemërohen nga fyerjet, nuk bien pre e smirës dhe nuk përfshihen nga asnjë pasion tjetër, duke qenë të pushtuar vetëm nga dhimbja e tyre, aq më tepër ata që vajtojnë për mëkatet e tyre, ashtu siç duhet të vajtojnë, do të tregojnë një vetëpërmbajtje edhe më të madhe se kjo.
Po çfarë shpërblimi marrin këta? “Sepse ata do të ngushëllohen”, thotë Ai.
Ku do të ngushëllohen ata? Si në këtë jetë, ashtu edhe në jetën tjetër. Sepse, duke qenë se detyra e dhënë ishte tepër e rëndë dhe e vështirë, Ai premtoi të jap diçka që e bën atë më të lehtë. Prandaj, nëse dëshiron të ngushëllohesh, vajto; dhe mos mendo se kjo është një fjalë e errët dhe e rëndë. Sepse kur Zoti ngushëllon edhe nëse hidhërimet të vijnë të shumta si flokët e dëborës, ti do ti kapërcesh të gjitha.
Në të vërtetë, shpërblimet që jep Perëndia janë gjithmonë shumë më të mëdha sesa përpjekjet tona. Ai këtë e ka bërë të qartë në rastin e atyre që vajtojnë, duke i shpallur të bekuar jo sipas meritës së asaj që bëjnë, por sipas dashurisë së Tij për njerëzit. Sepse ata që vajtojnë, vajtojnë për gabimet dhe mëkatet e tyre dhe mjafton për ta që të marrin falje dhe të gjejnë paqe për shpirtin e tyre.
Por, meqenëse Ai është plot dashuri për njerëzit, nuk e kufizon shpërblimin e Tij vetëm te heqja e ndëshkimeve ose falja e mëkateve. Përkundrazi, Ai i bën ata të bekuar dhe u jep një ngushëllim të bollshëm.
Ai na urdhëron të vajtojmë, jo vetëm për gabimet tona, por edhe për mëkatet e të tjerëve. Të tillë ishin shpirtrat e shenjtorëve: ashtu ishte dhe ai i Moisiut, i Pavlit, i Davidit; të gjithë këta vajtuan shumë herë për të këqijat që nuk ishin të tyre.