Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • SHKRIMET E VITIT 2026
      • SHKRIMET E VITIT 2025
      • SHKRIMET E VITIT 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

Homelia XVII mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )

January 27, 2026 at 1:39 pm, No comments

Shen_Joan_Gojarti_thenie_te_ndryshme-4-19.jpg


MAT. V. 27

“Keni dëgjuar se është thënë: “Mos shkel kurorën”. Po unë po ju them juve, se kushdo që vë re grua me dëshirim, ka kryer kurorëshkelje në zemër të tij”.

Pasi përfundoi urdhërimin e mëparshëm, duke e ngritur atë në lartësinë e vetmohimit, Jisui, në përputhje me një rend të caktuar, kalon tek urdhërimi tjetër, duke e përmbushur edhe këtë në harmoni me ligjin.

Dikush mund të thotë: “Por, kjo nuk është urdhëresa e dytë, por e treta; sepse e para nuk është “Mos vrit,” por “Zoti, Perëndia yt, është një i vetëm”.

e mëparshëm dhe e ngriti atë në lartësinë e vetmohimit, tashmë Jisui, duke ndjekur një rend të caktuar, kalon tek urdhërimi i dytë, duke e përmbushur edhe këtë në përputhje me ligjin.

Dikush mund të thotë: “Por kjo nuk është urdhëresa e dytë, por e treta; sepse e para nuk është “Mos vrit” por “Zoti, Perëndia yt, është një i vetëm”.

Prandaj, është me vend të pyesim: Pse nuk e nisi prej asaj? Pse veproi kështu? Sepse, po të kishte nisur nga ajo urdhëresë, do të duhej ta zgjeronte atë dhe të përfshinte veten e Tij së bashku me Atin. Por ende nuk kishte ardhur koha për t’i mësuar turmës diçka të tillë rreth Vetes së Tij.

Përveç kësaj, për një kohë të caktuar Ai u përqendrua vetëm në doktrinën e Tij morale, duke synuar që përmes kësaj dhe përmes mrekullive të Tij, të bindte dëgjuesit se Ai ishte Biri i Perëndisë.

Nëse do të thoshte menjëherë, para se të predikonte apo të bënte diçka, që: “Keni dëgjuar se u është thënë të parëve: “Unë jam Zoti, Perëndia yt, dhe nuk ka tjetër përveç meje”; por unë po ju them: “Më adhuroni Mua ashtu si Atin”; kjo do të bënte që të gjithë dëgjuesit ta konsideronin të çmendur. Sepse, edhe kur Ai i kishte mësuar dhe kishte kryer kaq shumë mrekulli dhe ende nuk e kishte thënë këtë gjë haptazi, ata e quajtën të poseduar nga djalli.

Po të kishte tentuar të thoshte diçka të tillë para të gjitha këtyre, çfarë nuk do të ishte thënë? Çfarë nuk do të kishin menduar?

Por duke e ruajtur mësimin e Tij në lidhje këtë temë për një kohë tjetër më të përshtatshme, Ai bëri që doktrina të pranohej nga shumë njerëz. Për këtë arsye, Ai e kaloi këtë çështje shpejt, por pasi e kishte vendosur mësimin e Tij kudo përmes mrekullive dhe mësimeve të Tij të shkëlqyera, më pas e zbuloi atë edhe me fjalë.

Megjithatë, për momentin, përmes manifestimit të mrekullive të Tij dhe mënyrës së qetë dhe të matur të mësimdhënies, Jisui e zbulonte doktrinën e Tij gradualisht dhe pa bujë. Ligjërimi dhe korrigjimi i ligjeve me një autoritet të tillë, do të çonin hap pas hapi dëgjuesit e vëmendshëm dhe të hapur për të kuptuar, drejt thelbit të mësimit të Tij. Sepse është thënë: “Turmat habiteshin për mësimin e Tij. Sepse i mësonte ata si një që ka pushtet e jo si shkruesit”.

2. Duke filluar me pasionet më të zakonshme për të gjithë njerëzimin , si zemërimi dhe dëshira (sepse këto dyja kanë një ndikim të jashtëzakonshëm mbi ne dhe janë më të natyrshme se të tjerat), Jisui, me autoritetin që i takon një ligjvënësi, i korrigjon dhe i vë ato në rregull me gjithë rreptësinë e duhur.

Ai nuk kufizohet vetëm në të ndëshkuarit e kurorëshkelësit, por, ashtu si veproi me vrasësin, ndëshkon gjithashtu pamjet e pahijshme dhe dëshirën e papastër. Në këtë mënyrë, Ai tregon epërsinë e mësimeve të Tij krahasuar me ato të skribëve. Për këtë arsye, Ai thotë: “Kush hedh vështrimin mbi një grua me dëshirë të keqe, ka kryer tashmë kurorëshkelje me të në zemrën e tij”.

Në këtë rast, Ai flet për ata që e bëjnë zakon të kërkojnë forma të bukura, të gjuajnë për pamje tërheqëse, të kënaqin shpirtin me vështrime dhe t’i ngulin sytë në fytyra të hijshme. Sepse qëllimi i Tij nuk është vetëm të çlirojë trupin nga veprat e liga, por të pastrojë shpirtin përpara trupit. Duke qenë se hiri i Shpirtit të Shenjtë pranohet në zemër, pastrimi fillon pikërisht aty.

“Por si mund të lirohemi nga këto dëshira?” mund të pyesë dikush. Përgjigjja ime është: Së pari, nëse jemi të gatshëm dhe të vendosur, kjo dëshirë mund të shuhej dhe të bëhej e paaftë për të vepruar.

Në këtë rast, Ai nuk e ndalon plotësisht dëshirën, por ndalon pikërisht atë dëshirë që lind si rezultat i shikimit. Sepse ai që shfaq kuriozitet për të parë fytyra të bukura bëhet vetë nxitësi kryesor i këtij pasioni, duke e kthyer shpirtin e tij në rob dhe duke e shtyrë drejt veprimeve konkrete.

Për këtë arsye, Ai nuk tha: “Kushdo që dëshiron të bëjë kurorëshkelje,” por: “Kushdo që shikon me dëshirë”. Në mënyrë të ngjashme, kur foli për zemërimin, Ai bëri një dallim të qartë duke thënë “pa shkak” ose “pa arsye”. Por në këtë rast, Ai nuk bën asnjë dallim; përkundrazi, e ndalon plotësisht dhe njëherë e përgjithmonë dëshirën e tillë.

Por sigurisht, të dyja janë të instaluara natyrshëm në ne dhe janë vendosur për dobinë tonë; si zemërimi ashtu dhe dëshira: sepse e para na ndihmon që të dënojmë të keqen dhe të korrigjojmë ata që ecin në padrejtësi, dhe tjetra që të kemi fëmijë dhe që brezi ynë të shtohet me pasardhës.

Pse, atëherë, Ai nuk bëri ndonjë dallim në këtë rast? Në të vërtetë, ekziston një dallim i madh, të cilin, nëse e vëren me kujdes, do ta gjesh të përfshirë edhe këtu. Krishti nuk tha thjesht: “Kushdo që dëshiron,” sepse dëshira mund të lindë edhe kur dikush ndodhet në vende të largëta. Përkundrazi, Ai tha: “Kushdo që shikon për të dëshiruar,” duke treguar se faji qëndron tek ai që vetëmbledh dëshirën, që e ushqen atë edhe kur asgjë e jashtme nuk e nxit. Ky është ai që, në qetësinë e mendimeve të tij, sjell mbi vete egërsirën e epshit. Kjo nuk vjen më nga natyra, por nga vetëkënaqësia dhe zgjedhja e vetëdijshme.

Edhe Shkrimi i lashtë, që në fillim, e adreson këtë, duke thënë: “Mos kontemplo bukurinë që i përket tjetrit”. Nëse dikush thotë: “Po, çfarë nëse kontemploj dhe nuk veproj?,” Krishti ndëshkon edhe vështrimin, duke paralajmëruar se nuk mund të mbështetesh në këtë siguri, pasi shikimi mund të çojë lehtësisht në mëkat. Dhe nëse dikush pyet: “Po, çfarë nëse shikoj dhe dëshiroj, por nuk bëj asnjë të keqe?,” Krishti e përfshin edhe atë në radhën e kurorëshkelësve. Sepse Ligjvënësi e ka sqaruar qartë këtë, dhe nuk ka nevojë për më shumë pyetje.

Duke shikuar një herë, dy herë apo tre herë, ndoshta mund të frenosh veten; por nëse e përsërit këtë vazhdimisht, duke ushqyer zjarrin e dëshirës, me siguri do të biesh. Asnjë njeri nuk është mbi natyrën e tij. Ashtu siç, kur shohim një fëmijë që mban një thikë, edhe nëse ai nuk lëndon veten menjëherë, ne e ndalojmë dhe i heqim thikën për të parandaluar rrezikun, po ashtu edhe Perëndia e ndalon vështrimin e pahijshëm përpara se ai të çojë në veprim, për të ruajtur shpirtin tonë nga mëkatet.

Sepse ai që ndez flakën e dëshirës, edhe kur objekti i saj nuk është i pranishëm, vazhdon të krijojë imazhe të turpshme në mendjen e tij. Këto mendime shpesh kalojnë në veprime konkrete. Për këtë arsye, Krishti ndalon edhe dëshirën që mbetet vetëm në zemër, për ta pastruar atë dhe për të na mbrojtur nga rënia.

Çfarë mund të thonë tani ata që shikojnë vajza të virgjëra?” Sepse, sipas këtij ligji, ata duhet të jenë fajtorë për dhjetë mijë kurorëshkelje, duke i vështruar ato çdo ditë me dëshirë. Për këtë arsye, po ashtu i bekuari Job e përcaktoi këtë ligj që në fillim, duke i bllokuar të gjitha anët e tija nga ky lloj shikimi.

Sepse, në të vërtetë, është më i madh luftimi kur shikon dhe nuk e ke objektin e dashurisë; dhe kënaqësia që marrim nga shikimi nuk është aq e madhe sa dëmi që na vjen nga rritja e kësaj dëshire; sepse e kemi bërë kundërshtarin tonë më të fortë dhe duke i dhënë më shumë mundësi djallit, e duke mos mundur më ta ndalojmë, tani që e kemi sjellë atë brenda thellësive të shpirtit dhe kemi hapur mendjen tonë për të. Prandaj, Ai thotë: “Mos bëj kurorëshkelje me sytë e tu, dhe nuk do të bësh as me mendjen tënde”.

Por, duke qenë se dikush mund të shikojë me një perspektivë ndryshe, si ata që janë të pastër, Ai nuk ndaloi plotësisht aktin e shikimit, por përqendroi ndalimin tek ai shikim që lidhet me dëshirën. Nëse qëllimi i Tij nuk do të ishte ky, do të kishte thënë thjesht: “Ai që shikon një grua”. Por, Ai zgjodhi të shtojë: “Ai që shikon për të dëshiruar,” ose “ai që shikon për të kënaqur sytë”.

Sepse Perëndia nuk t’i krijoji sytë vetëm për të sjellë kurorëshkelje, por për të parë krijesat e Tij dhe për të admiruar Krijuesin.

Ashtu siç mund të ndiejmë zemërim pa arsye, mund të shikojmë edhe pa arsye, vetëm për të kënaqur dëshirën tonë. Por, nëse dëshiron të shikosh dhe të gjesh kënaqësi, ktheje vështrimin te gruaja jote dhe dashuroje atë vazhdimisht; askush nuk e ndalon këtë. Në të kundërt, nëse vështron me kureshtje bukurinë që i përket dikujt tjetër, dëmton jo vetëm gruan tënde duke e lënë vëmendjen të tërhiqet tjetërkund, por dëmton edhe atë që ke vështruar, duke e prekur në mënyrë të padrejtë. Sepse, edhe pse nuk e ke prekur me dorë, e ke përqafuar me sytë e tu; dhe për këtë arsye, kjo konsiderohet kurorëshkelje. Para se të vijë dënimi më i madh, kjo sjellje të ndëshkon me pasoja të tjera: shqetësime, pasiguri dhe një ndjenjë të thellë trazimi dhe dhimbjeje. Në këtë gjendje, nuk ka rob më të vuajtur dhe më të varur se ai që e lejon veten të kapet nga ky grackë mendore.

Shpesh, ajo që ka hedhur shigjetën është larguar, por plaga mbetet. Ose më saktë, nuk është ajo që ka hedhur shigjetën, por është shikimi yt i papastër ai që të ka plagosur. E theksoj këtë për të mbrojtur gratë e ndershme nga akuzat: nëse një grua stoliset dhe përpiqet të tërheqë vëmendjen e të tjerëve, edhe nëse nuk ndikon drejtpërdrejt në dikë, ajo do të përballet me dënimin më të madh. Sepse ajo ka përgatitur helmin, edhe nëse nuk e ka ofruar kupën. Ose, më saktë, ajo e ofroi kupën, edhe pse askush nuk piu prej saj.

3”. Pse nuk flet edhe me to (gratë)?” mund të thuhet. Sepse ligjet që Ai cakton janë të përbashkëta për të gjithë, edhe pse duket sikur Ai u drejtohet vetëm burrave. Kur Ai flet me kokën, Ai e bën këshillën e Tij të përbashkët për të gjithë trupin. Ai e njeh gruan dhe burrin si një krijesë të vetme dhe kurrë nuk bën dallime midis tyre.

Por nëse dëshiron të dëgjosh edhe qortimin e Tij për to veçmas, dëgjo Isaian, që me fjalë të shumta kritikon zakonet e tyre, pamjen, ecjen, rrobat që tërhiqen pas, këmbët që kalojnë shpejt. Dëgjo gjithashtu Pjetrin, që vendos shumë rregulla për to; për rrobat, ornamentet e arit, stilimin e flokëve, jetesën luksoze dhe të tjera, duke i kritikuar ashpër këto zakone. Edhe Krishti, me atë që thotë pas, nënkupton të njëjtën gjë; sepse kur Ai thotë: “shkul syrin që të pengon dhe hidhe larg,” Ai tregon zemërimin e Tij ndaj tyre.

3. Për këtë arsye, Ai shton: “Nëse syri yt i djathtë të pengon, shkule dhe hidhe larg”.

Prandaj, që të mos thuash: “Po sikur ajo të jetë e afërmja ime? Apo sikur në ndonjë mënyrë ajo të më përkasë?,” janë dhënë këto urdhra. Ai nuk flet për pjesët fizike të trupit tonë, larg qoftë, sepse askund nuk thuhet se trupi ynë është fajtor për diçka; gjithmonë është mendja e keqe që akuzohet. Nuk është syri ai që sheh, por mendja dhe mendimet tona. Shpesh, për shembull, kur jemi të përqendruar diku tjetër, syri ynë nuk e vëren as atë që ndodhet përpara nesh. Kështu, problemi nuk buron nga funksionimi i syrit, por nga drejtimi i mendjes.

Nëse Ai do të kishte folur për pjesë të trupit, do të përmendte të dy sytë, jo vetëm syrin e djathtë. Sepse, nëse dikush gabon me syrin e tij të djathtë, padyshim që mund të bëjë të njëjtin gabim edhe me syrin e majtë. Pse atëherë Ai përmend syrin e djathtë dhe dorën? Kjo për të treguar se Ai nuk po flet për pjesët fizike të trupit, por për ata që janë të afërt me ne.

Ai thotë: “Nëse e do dikë aq shumë, sa e konsideron të çmuar si një sy të djathtë, dhe ai të dëmton shpirtin, atëherë duhet të largohesh prej tij”. Ai nuk thotë thjesht “Shkëputu prej tij,” por për të theksuar rëndësinë e ndarjes, thotë: “Shkule dhe hiqe atë dhe hidhe larg teje”.

Pasi urdhri i Tij është i ashpër, Ai gjithashtu tregon përfitimet dhe pasojat që vijnë nga ndarja, duke vijuar me metaforën.

Sepse ndërsa ai nuk arrin të shpëtojë as veten dhe njëkohësisht të të shkatërrojë edhe ty, çfarë dobie ka që të fundosen të dy? A nuk do të ishte më mirë të ndaheshin, që të paktën njëri të kishte mundësinë të shpëtohej?

Por pse, atëherë, Pavli zgjodhi të bëhej i mallkuar? Jo pa një qëllim ose pa përfitim, por me synimin për të shpëtuar të tjerët. Megjithatë, në këtë rast, dëmi prek të dyja palët. Për këtë arsye, Ai nuk tha thjesht: “hiqe,” por edhe “flake larg teje,” duke theksuar që të mos e pranosh më kurrë, nëse ai vazhdon në rrugën e gabuar. Në këtë mënyrë, jo vetëm që do ta shpëtosh atë nga një dënim më i madh, por edhe vetes do t’i shmangësh shkatërrimin.

Që ta kuptosh më qartë përfitimin e këtij ligji, le të shqyrtojmë një shembull të thjeshtë nga vetë trupi ynë. Mendo sikur të duhet të zgjedhësh mes dy opsioneve: ose të mbash syrin tënd, por të përfundosh në një humnerë dhe të shkatërrohesh, ose ta heqësh syrin dhe të shpëtosh pjesën tjetër të trupit. A nuk do të zgjidhje menjëherë këtë të fundit? Është e kuptueshme për të gjithë. Një zgjedhje e tillë nuk vjen nga urrejtja për syrin, por nga dashuria për pjesën tjetër të trupit.

Të njëjtën logjikë mund ta përdorësh edhe për marrëdhëniet me njerëzit: nëse dikush që të dëmton me shoqërinë e tij që është i pandreqshëm, shkëputja prej tij jo vetëm që do të të shpëtojë nga dëmi, por gjithashtu do ta lehtësojë edhe atë nga përgjegjësitë më të rënda, duke mos qenë më i detyruar të përgjigjet edhe për shkatërrimin tënd, krahas veprave të tij të këqija.

E sheh tani sa i mbushur me butësi dhe kujdes është ky ligj? Dhe ajo që shumicës i duket si ashpërsi, në të vërtetë sa shumë dashuri dhe dhembshuri për njerëzit tregon?

Le t’i dëgjojnë këto fjalë ata që nxitojnë drejt teatrove dhe çdo ditë bien në shkelje të kurorës. Sepse, nëse ligji na urdhëron të largohemi nga ato që na dëmtojnë, çfarë justifikimi mund të kenë ata që, duke frekuentuar vende të tilla, tërheqin drejt vetes gjithnjë e më shumë njerëz dhe krijojnë pafund mundësi për shkatërrimin e tyre?

Që nga ky moment, Ai jo vetëm që na ndalon të shikojmë me dëshira të papastra, por duke treguar dëmet që rrjedhin prej tyre, e bën ligjin edhe më të rreptë. Ai na urdhëron të heqim, të shkëputemi dhe t’i  flakim larg ato gjëra që na largojnë nga pastërtia. Dhe gjithë këtë e bën Ai që ka folur pa fund për dashurinë, që të mund të kuptosh kujdesin e Tij hyjnor dhe se si, në çdo mënyrë, Ai kërkon të mirën tënde.

4. ”Edhe është thënë, se ai që të lërë gruan e tij, le t’i japë asaj letrën e ndarjes. Ndërsa unë po ju them juve, se ai që të lërë gruan e tij, përveçse për arsye kurvërie, e bën atë të shkelë kurorën; edhe ai që të marrë grua të ndarë shkel kurorën”.

Ai nuk kalon te çështjet që pasojnë, pa i sqaruar mirë ato të mëparshmet. Sepse, ja, Ai na tregon një lloj tjetër kurorëshkeljeje. Dhe cili është ky? Në ligjin e vjetër ishte parashikuar që kushdo që e urrente gruan e vet, për çfarëdo arsyeje, të mos ndalohej ta përzinte atë dhe të merrte një tjetër në vend të saj. Megjithatë, ligji nuk urdhëronte thjesht këtë, por kërkonte që burri t’i jepte gruas një shkresë ndarje, në mënyrë që asaj të mos i lejohej të kthehej sërish tek ai; kështu, të paktën figura e martesës do të mbetej e paprekur.

Sepse, nëse kjo nuk do të ishte urdhëruar dhe do të ishte e ligjshme që burri, fillimisht, ta përzinte gruan, të merrte një tjetër dhe më pas të rikthente të parën, do të krijohej një rrëmujë e madhe. Njerëzit do të shkëmbenin vazhdimisht gratë e njëri-tjetrit dhe kjo do të përfundonte në kurorëshkelje të hapur. Me këtë synim, ligji parashikoi si një zbutje të madhe shkresën e divorcit.

Por këto gjëra u lejuan për shkak të një të keqeje tjetër, shumë më të madhe. Dua të them, sikur Ai ta kishte bërë të detyrueshme që gruaja e urryer të mbahej në shtëpi, burri, nga urrejtja, do ta vriste atë. Sepse e tillë ishte natyra e popullit të judenjve. Ata që nuk kursenin as fëmijët, që vrisnin profetët dhe “derdhnin gjak si ujë,” aq më pak do të kishin mëshirë për gratë. Për këtë arsye, Ai lejoi një të keqe më të vogël për të shmangur një të keqe më të madhe.

Që kjo nuk ishte një ligj parësor, dëgjo fjalët e Tij: “Moisiu i shkroi këto për shkak të ngurtësisë së zemrave tuaja,” që ju të mos i vrisnit ato në shtëpi, por më mirë t’i përzinit. Por meqenëse Ai hoqi të gjithë zemërimin, duke ndaluar jo vetëm vrasjen, por edhe ndjenjën e zemërimit, Ai e prezantoi me lehtësi këtë ligj gjithashtu. Me këtë synim, Ai gjithmonë i kujtonte fjalët e mëparshme, për të treguar se thëniet e Tij nuk ishin në kundërshtim me to, por në harmoni: se Ai po i forconte ato dhe nuk po i shfuqizonte; po i përsoste dhe nuk po i anullonte.

Vini re gjithashtu se Ai kudo ia drejton fjalën burrit. Kështu, Ai thotë: “Kushdo që e ndan gruan e vet, e bën atë të kryejë shkelje kurore; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën shkelje kurore”. Kjo do të thotë, se i pari, edhe nëse nuk merr një grua tjetër, vetëm me aktin e ndarjes ka bërë veten fajtor, duke e bërë gruan e parë shkelëse të kurorës; ndërsa i dyti bëhet shkelës kurore duke marrë një grua që i përket një burri tjetër.

Mos më thuaj: “Tjetri e ka përzënë atë”. Jo, sepse edhe pasi është përzënë, ajo vazhdon të mbetet gruaja e atij që e ka përzënë. Dhe, që të mos e bëjë gruan më të guximshme, duke ia vënë gjithë fajin burrit që e ka përzënë, Ai ia ka mbyllur asaj edhe dyert e atij që do ta pranonte më pas. Kështu thotë: “Ai që martohet me një grua të ndarë bën shkelje kurore,” duke e bërë gruan të qëndrojë e ndershme, edhe pse pa dëshirë, dhe duke i mbyllur asaj çdo rrugë tjetër.

Në këtë mënyrë, ajo e kupton se duhet ose të qëndrojë me burrin që iu caktua fillimisht, ose, pasi të jetë përzënë nga ajo shtëpi, të mos ketë asnjë strehë tjetër. Kështu, edhe kundër vullnetit të saj, ajo detyrohet të përpiqet të ruajë marrëdhënien me bashkëshortin e saj.

Dhe nëse Ai nuk i drejtohet fare gruas për këto çështje, mos u habit; sepse gruaja konsiderohet një krijesë më e brishtë. Për këtë arsye, duke e lënë atë mënjanë, Ai ndëshkon burrat me kërcënime, duke ndrequr kështu edhe mungesën e përkushtimit të saj. Njësoj sikur dikush të kishte një fëmijë të pamatur dhe, duke e lënë atë, t’i qortonte ata që e bëjnë të tillë dhe t”u ndalonte të kishin ndonjë marrëdhënie apo afrim me të.

Nëse kjo duket e ashpër, kujto, të lutem, thëniet e Tij të mëparshme dhe mënyrën se si i ka bekuar dëgjuesit e Tij. Do të shohësh se është shumë e mundur dhe e lehtë për t”u zbatuar. Sepse ai që është i butë, paqebërës, i varfër në frymë dhe i mëshirshëm, si mund të largojë gruan e tij? Ai që është mësuar të pajtojë të tjerët, si mund të jetë në konflikt me atë që është e tija?

Dhe jo vetëm kaq, por Ai gjithashtu ka lehtësuar urdhërimin duke lënë një mundësi për ndarje, kur thotë: “Përveçse për shkak të kurvërisë”. Përndryshe, çështja do të kthehej përsëri në të njëjtin problem. Sepse, nëse Ai do të kishte urdhëruar ta mbante gruan në shtëpi, edhe pse ajo do të ishte përlyer me të tjerë, kjo përsëri do të çonte në kurorëshkelje.

A e sheh sa në harmoni janë këto thënie me ato të mëparshmet? Sepse ai që nuk shikon me dëshira të papastra një grua tjetër, nuk do të kryejë kurorëshkelje; dhe duke mos kryer kurorëshkelje, nuk do t’i japë burrit arsye për ta larguar gruan e tij.

Prandaj, pas kësaj, Ai e shtjellon çështjen pa rezerva dhe vendos këtë frikë si një mbrojtje të fuqishme, duke i kujtuar burrit rrezikun e madh që sjell ndarja, sepse ai e bën veten përgjegjës për kurorëshkeljen e saj. Kështu, që të mos mendosh se kur Ai thotë “hiq syrin” mund të ketë të bëjë edhe me gruan, Ai e korrigjon në kohë këtë, duke lejuar ndarjen vetëm për një arsye të vetme.


No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • Homelia XIX mbi Ungjillin sipas Mateut
    27 Feb, 2026
  • Homelia XVIII mbi Ungjillin sipas Mateut
    18 Feb, 2026
  • Homelia XVII mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e dytë )
    3 Feb, 2026
  • Homelia XVII mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )
    27 Jan, 2026
  • Homelia XVI mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e tretë )
    19 Jan, 2026
  • Homelia XVI mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e dytë )
    12 Jan, 2026
  • Homelia XVI mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )
    7 Jan, 2026
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako