Homelia XVI mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e parë )

HOMILY XVI. MATT. V. 17.
“Mos kujtoni se erdha të hedh poshtë ligjin a profetët”.
Dikush mund të pyes dhe të thotë kush dyshoi për këtë? Ose kush e akuzoi, që Ai të bënte një mbrojtje kundër kësaj akuze? Sepse, sigurisht, nga ajo që kishte thënë më parë, nuk ishte krijuar asnjë dyshim i tillë. Sepse porosia për t'u bërë të butë, të sjellshëm, të mëshirshëm, të pastër në zemër dhe për të luftuar për drejtësinë, nuk tregonte ndonjë qëllim të tillë, por krejtësisht të kundërtën.
Po përse Ai i ka thënë këto fjalë? Jo rastësisht, as më kot, por sepse Ai po u jepte urdhërime më të mëdha se ato të mëparshmet, si për shembull kur tha: “Ju është thënë, Mos vrit; por unë ju them, as mos u inatosni”. Kështu Ai po tregonte një rrugë të re për një jetë më të lartë dhe më shpirtërore. Për të siguruar që ky ndryshim të mos i shqetësonte dhe mos t’i bënte konfuz ata që e dëgjonin, Ai përdori këtë mënyrë për t’i përgatitur dhe për t’i qetësuar në fillim.
Pavarësisht se ata nuk e përmbushnin ligjin, ata kishin një respekt të madh për të dhe, ndërkohë që e shfuqizonin çdo ditë me veprimet e tyre, dëshironin që shkronjat e tij të mbeteshin të pandryshuara dhe askush të mos shtonte asgjë më shumë. Ose më mirë, mund të themi se ata e lejonin që sundimtarët të shtonin rregulla të tjera, por këto shtesa nuk ishin për të mirën e tyre, përkundrazi, përkeqësonin gjendjen. Për shembull, ata shpesh e anashkalonin detyrimin për t'i nderuar prindërit, duke krijuar shtesa dhe ligje që i lejonin të shmangnin këtë nderim.
Por, duke qenë se Krishti, së pari, nuk ishte nga fisi i priftërinjve, dhe së dyti, gjërat që Ai do të sillte ishin një lloj shtese, jo që e zvogëlonin, por që e forconin virtytin, Ai, duke ditur paraprakisht se këto gjëra do t’i shqetësonin, përpara se t’u jepte ato ligje të mrekullueshme, largoi ato gjëra që i mbanin të ngarkuar. Dhe çfarë ishte ajo që po u krijonte atyre pengesa?
Ata mendonin se Ai, duke folur kështu, po synonte të shfuqizonte ligjet e lashta. Prandaj, Ai përpiqet të heqë këtë dyshim. Dhe jo vetëm këtu, por edhe në raste të tjera. Pasi ata e shihnin si kundërshtar të Zotit, për shkak të mosrespektimit të së shtunës, Ai u jep argumentet e Tij për të larguar këtë dyshim. Disa prej këtyre argumenteve ishin të drejtpërdrejta, si në rastin kur thotë, “Ati im punon, dhe unë punoj,” ndërsa disa të tjera përfshinin mëshirë, si shembulli i deles së humbur në ditën e së shtunës, ku Ai tregon se ligji mund të prishet për të shpëtuar atë, duke përmendur gjithashtu dhe raste të tjera, si rrethprerja, që kanë të njëjtin qëllim.
Prandaj, shohim se shpesh Ai flet në mënyrë më të
thjeshtë sesa i takonte, për të larguar çdo dyshim që mund të kishin se Ai
ishte kundërshtar i Zotit.
Ai që kishte ngjallur mijëra të vdekur vetëm me një fjalë, kur thirri Llazarin,
shtoi edhe një lutje; dhe pastaj, që kjo të mos e bënte të dukej më i dobët se Ati që e kishte dërguar, Ai
tha, “I thashë këto, për shkak të popullit që qëndron këtu, që ata të besojnë
se Ti më ke dërguar”.
Pra, Ai nuk vepron në gjithçka vetëm me fuqinë e Tij, për të korrigjuar dobësinë e tyre, por as nuk e bën gjithçka me lutje, për të mos krijuar dyshime të gabuara tek ata që nuk kishte fuqi të mjaftueshme. Dhe këto i bën me urtësi të madhe. Për vepra më të mëdha vepron me autoritet, ndërsa për ato më të vogla ngre sytë nga qielli.
Kur falte mëkatet, zbulonte sekretet e Tij, hapte Parajsën, dëbonte djajtë, pastronte të lebrosurit, ndalte vdekjen dhe ringjallte me mijëra të vdekur, Ai i bënte të gjitha këto me një urdhër të thjeshtë. Por kur bëri diçka më të vogël, siç ishte shumimi i disa bukëve për të ushqyer shumë njerëz, Ai ngriti sytë drejt qiellit. Kjo nuk tregonte dobësi, por një mesazh të qartë: Ai që mund të bënte gjëra më të mëdha me autoritet, padyshim nuk kishte nevojë për lutje për ato më të vogla.
E bëri këtë si dëshmi për ata që nuk rreshnin së dyshuari. Po kështu duhet ta kuptosh edhe kur dëgjon se Ai flet plot thjeshtësi dhe ka shumë arsye për këtë: për të mos u dukur i ndarë nga Zoti; për të mësuar të gjithë dhe për të qenë shembull i përulësisë; sepse kishte marrë natyrën njerëzore; për shkak të paaftësisë së judenjve për të kuptuar gjithçka menjëherë; dhe për të na mësuar që të mos flasim me arrogancë për veten.
Kur po fliste me judenjtë, Jisui i tha atyre: “Para se të ishte Abrahami, Unë Jam”. Ndërsa dishepulli i Tij nuk e tha kështu, por shkroi: “Në fillim ishte Fjala, edhe Fjala ishte me Perëndinë, edhe Fjala ishte Perëndi”. Sa i përket krijimit të qiellit, tokës, detit dhe gjithçkaje tjetër, të dukshme dhe të padukshme, Jisui nuk e tha qartë me fjalët e Tij. Por dishepulli i Tij e shprehu hapur dhe pa asnjë mëdyshje, duke thënë disa herë: “Gjithçka u krijua prej Tij,” dhe “pa Të nuk u krijua asgjë,” dhe gjithashtu: “Ai ishte në botë, dhe bota u krijua prej Tij”.
Pse të çuditemi që të tjerët kanë folur më madhërishëm për Të sesa Ai për veten e Tij? Aq më tepër kur Ai e tregoi shpesh përmes veprave atë që nuk e tha hapur me fjalë. Për shembull, fakti që Ai krijoi njerëzimin u bë i qartë kur shëroi të verbërin, por kur foli për krijimin tonë në fillim, nuk tha “Unë krijova,” por “Ai që i krijoi, i bëri mashkull dhe femër”.
Po ashtu, që Ai krijoi botën dhe gjithçka në të, e tregoi përmes mrekullive: shumimi i peshqve dhe bukëve, kthimi i ujit në verë, qetësimi i detit, dhe madje ndalimi i rrezeve të diellit në kryq. Por me fjalë nuk e tha asnjëherë hapur, edhe pse dishepujt e Tij, Joani, Palvi dhe Pjetri e dëshmonin vazhdimisht këtë të vërtetë.
Nëse ata që e dëgjonin çdo ditë dhe çdo natë, që shihnin mrekullitë e Tij, të cilëve Ai u shpjegoi shumë gjëra në mënyrë të veçantë dhe u dha fuqinë për të ringjallur të vdekurit, dhe që i bëri kaq të përkushtuar sa të braktisnin gjithçka për Të, edhe pas gjithë atij virtyti dhe sakrifice, nuk mundën ta përballonin gjithçka para se të merrnin Shpirtin e Shenjtë, si mund të prisnim që populli i Judenjve, që ishte larg kuptimit të thellë të këtyre gjërave, dhe shumë më i pasur me besim të thjeshtë, të besonte se Ai ishte i lidhur me Zotin e gjithçkaje? Pikërisht për këtë arsye, Ai tregoi një përulësi të madhe dhe përshtatje në çdo veprim të Tij.
Për këtë arsye, shohim se edhe kur Ai po shfuqizonte të shtunën, nuk e bëri drejtpërdrejt, por përdori shumë arsye dhe mbrojtje. Nëse, kur po ndryshonte një urdhër dhe po shfuqizonte disa rregulla të vjetra, përdori kaq shumë kujdes në fjalët e Tij, në mënyrë që të mos shkaktonte shqetësim tek ata që e dëgjonin, imagjino sa shumë kujdes kërkonte kur shtonte një ligj të ri mbi ligjin e vjetër. Ai donte të sigurohej që të mos trondiste ata që ishin aty. Për këtë arsye, nuk e shohim të flasë gjithmonë hapur për natyrën Hyjnore të Tij. Sepse, nëse shtimi i ligjeve i ngatërroi ata kaq shumë, sa më shumë do të kishte qenë shpallja e Tij si Perëndi.
3. Për këtë arsye, shumë gjëra që Ai tha ishin shumë më poshtë dinjitetit të Tij të vërtetë. Kur Ai po shtonte ligjin, përdori shumë fjalë për të sqaruar më mirë qëllimin e Tij. Nuk ishte hera e parë që Ai tha, “Unë nuk erdha për të shfuqizuar ligjin,” por e përsëriti dhe e theksoi më shumë, pas fjalëve “Mos kujtoni se erdha të hedh poshtë ligjin a profetët”, Ai shtoi, “Nuk erdha të hedh poshtë, por të përmbush”.
Kjo jo vetëm që pengon kokëfortësinë e hebrenjve, por mbyll edhe gojët e heretikëve që thonë se besëlidhja e vjetër është nga djalli. Sepse, nëse Krishti erdhi për të shkatërruar tiraninë e tij, si është e mundur që kjo besëlidhje jo vetëm që nuk u shkatërrua, por madje u përmbush prej Tij? Ai nuk tha thjesht “Mos kujtoni se erdha të hedh poshtë ligjin a profetët”, megjithëse kjo do të kishte mjaftuar; por madje tha, “por ta përmbush”. Këto janë fjalët e dikujt që është shumë larg idesë për kundërshtim, aq sa në fakt e konfirmon atë.
Dhe si, mund të pyesë dikush, nuk e hodhi poshtë ligjin? Në ç’mënyrë e përmbushi Ligjin ose profetët? Profetët i përmbushi duke konfirmuar përmes veprimeve të Tij gjithçka që ishte thënë për Të; prandaj edhe ungjillori shpesh thoshte, “Që të përmbushej ajo që ishte thënë nga profetët”. Qoftë kur u lind, qoftë kur fëmijët kënduan atë himn të mrekullueshëm për Të, qoftë kur u ul mbi gomar, dhe në shumë raste të tjera, Ai veproi për të përmbushur të njëjtën gjë. Të gjitha këto gjëra do të kishin mbetur të papërmbushura, nëse Ai nuk do të kishte ardhur.
Por Ligjin Ai e përmbushi jo vetëm në një mënyrë, por
edhe në dy e tre mënyra të tjera. Në njërën mënyrë, duke mos shkelur asnjë nga
urdhëresat e Ligjit. Për ta vërtetuar këtë, dëgjoni çfarë i tha Joanit: “Sepse
kështu ne duhet të përmbushim çdo drejtësi”. Po kështu, edhe hebrenjve u tha: “Cili
prej jush më qorton për mëkat?”
Dhe përsëri, dishepujve të Tij u tha: “po vjen prijësi i kësaj bote, edhe nuk
ka të bëjë asgjë me mua;” Edhe profeti që në fillim kishte thënë: “Ai nuk bëri
asnjë mëkat”.
Kjo ishte një mënyrë në të cilën Ai e përmbushi Ligjin.
Një tjetër mënyrë është se Ai e përmbushi Ligjin përmes nesh gjithashtu; dhe
kjo është mrekullia, që jo vetëm që e përmbushi vetë, por na dha mundësinë që
edhe ne ta përmbushim. Apostull Pavli, duke e shpallur këtë, tha: “Sepse fundi
i ligjit është Krishti, për drejtësi te cilido që beson”. Gjithashtu ai tha: “e
dënoi mëkatin në mish;
që të përmbushet drejtësia e ligjit te ne që nuk ecim sipas mishit, po sipas
Frymës. Dhe përsëri: “Ligjin pra hedhim poshtë me anë të besimit? Qoftë larg;
por ligjin vërtetojmë”.
Sepse, duke qenë se Ligji përpiqej ta bënte njeriun të drejtë, por nuk kishte fuqinë ta realizonte këtë, Krishti erdhi dhe solli rrugën e drejtësisë përmes besimit, duke përmbushur kështu atë që Ligji synonte. Dhe atë që Ligji nuk mund ta arrinte përmes shkronjave, Krishti e realizoi përmes besimit. Për këtë arsye Ai tha: “Unë nuk kam ardhur për të hedhur poshtë Ligjin”.
Por nëse dikush e shqyrton me kujdes, do të gjejë edhe një kuptim të tretë se si kjo është përmbushur. Çfarë kuptimi është ky? Është kuptimi i kodit të ri të ligjeve, të cilat Ai do t’u jepte atyre në të ardhmen.
Fjalët e Tij nuk ishin një anullim i ligjeve të mëparshme, por përkundrazi, ato ishin një zgjerim dhe plotësim i tyre. Për shembull, urdhëresa “Mos vrit” nuk u anullua nga thënia “Mos u zemëro,” por përkundrazi, u përforcua dhe u vendos në një themel më të sigurt; dhe e njëjta gjë vlen për të gjitha urdhërimet e tjera.
Prandaj, shikoni se si Ai, më herët, në mënyrë të fshehtë, kishte hedhur farat e këtij mësimi; dhe kur, përmes krahasimit mes urdhërimeve të vjetra dhe të reja, mund të mendohej se po i vinte ato në kundërshtim me njëra-tjetrën, Ai që më parë kishte përdorur korrigjimin e duhur. Sepse në mënyrë të fshehtë, Ai tashmë kishte shpërndarë ato fara përmes asaj që kishte thënë.
Për shembull: “Të lumur janë të varfërit,” është e njëjta gjë me urdhërimin që të mos zemërohemi; dhe “Të lumur janë të pastërtit në zemër,” është e ngjashme me atë që thotë “Mos shiko me epsh një grua;” dhe “Mos grumbulloni thesare mbi tokë” përputhet me “Të lumët janë të mëshirshmit;” dhe “Të pikëlluarit,” “të persekutuarit” dhe “ata për të cilët flitet keq” janë në harmoni me urdhërimin “Hyni në portën e ngushtë;” ndërsa “Të uriturit dhe të eturit për drejtësi” përmbushet në atë që thotë më vonë: “Gjithçka që do të donit që njerëzit të bëjnë për ju, bëjeni edhe ju për ta”.
Dhe pasi shpalli “Të lumur janë ata që bëjnë paqe,” Ai përsëri tha thuajse të njëjtën gjë kur urdhëroi “Lër dhuratën tënde dhe shpejto të pajtohesh me atë që është i zemëruar me ty,” dhe kur foli për “marrëveshjen me kundërshtarin”.
Atje Ai vendosi shpërblimet për ata që bëjnë të drejtën, ndërsa këtu më tepër fokusohet te dënimet për ata që neglizhojnë veprimin. Prandaj, ashtu si atje tha: “Të butët do të trashëgojnë tokën,” këtu thotë: “Ai që e quan vëllanë e tij budalla, do të jetë në rrezik të zjarrit të ferrit;” dhe atje: “Të pastërtit në zemër do ta shohin Perëndinë,” ndërsa këtu, ai që shikon me epsh një grua është një tradhtar i kurorës.
Dhe pasi atje quajti “Pajtuesit, bij të Perëndisë,” këtu Ai na paralajmëron nga një kënd tjetër, duke thënë: “Mos ndodhë që kundërshtari yt të të dorëzojë tek gjykatësi”.
Po ashtu, ndërsa më parë Ai bekoi ata që vajtojnë dhe ata që janë të persekutuar, këtu Ai, duke mbështetur të njëjtin qëllim, kërcënon me shkatërrim ata që nuk ndjekin këtë rrugë; sepse “Ata që ecin në rrugën e gjerë,” thotë Ai, “do ta kenë fundin atje”.
Dhe fjalët “Nuk mund të shërbeni Perëndisë dhe mamonit” duken të ngjashme me “Të lumët janë të mëshirshmit,” dhe “Ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi”.
Në këtë mënyrë, Ai thekson si shpërblimet për ata që ndjekin rrugën e Tij, ashtu edhe paralajmërimet për ata që e injorojnë, duke paraqitur një pasqyrë të plotë të drejtësisë dhe pasojave të saj.
Por, siç thashë, pasi Ai do t’i thotë këto gjëra më qartë, dhe jo vetëm më qartë, por do të shtojë edhe më shumë se ç’kishte thënë më parë (sepse Ai nuk kërkon më vetëm një njeri të mëshirshëm, por na urdhëron të heqim edhe mantelin; jo thjesht një person të butë, por edhe të kthejmë faqen tjetër për ata që duan të na godasin): prandaj, Ai së pari largon dukshmërinë e kontradiktës.
Për këtë arsye, siç kam thënë më parë, Ai e tha këtë jo vetëm një herë, por dy herë; sepse, përveç fjalëve “Mos mendoni se kam ardhur për të hedhur poshtë ligjin a profetët,” Ai shtoi “Unë nuk kam ardhur për ta hedhur poshtë, por për të përmbushur”.
“Në të vërtetë, po ju them, derisa qiejt dhe toka të kalojnë, asnjë i vogël asnjë pikë nuk do të kalojë nga Ligji, deri sa gjithçka të realizohet”.
Tani, ajo që Ai thotë është kështu: nuk mund të ndodhë që të mbetet e pa realizuar, por çdo gjë e vogël brenda saj duhet të përmbushet. Dhe këtë Ai e realizoi, duke e përmbushur atë me gjithë saktësinë.
Dhe këtu Ai na tregon në mënyrë të paqartë se po ndryshohet gjithashtu mënyra e gjithë botës. Ai nuk e tha këtë pa qëllim, por për të zgjuar dëgjuesin dhe për të treguar se Ai me të drejtë po sjell një disiplinë tjetër; sepse, po të paktën, vetë veprat e krijimit do të transformohen, dhe njerëzimi do të thirret në një tjetër atdhe, dhe në një rrugë më të lartë për të praktikuar sesi duhet të jetojnë.
“Prandaj, kushdo që shkel një nga këto urdhërime më të vogla dhe mëson njerëzit të bëjnë kështu, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiellit”.
Pasi hoqi dyshimet e këqija dhe ua mbylli gojën atyre që donin ta kundërshtonin, Ai më në fund vazhdon të paralajmërojë me seriozitet, duke bërë një shpallje të rëndë për të mbështetur mësimet që po prezantonte.
Sa i përket faktit që Ai e tha këtë jo për ligjet e vjetra, por për ato që po vendoste tani, dëgjoni çfarë thotë më tej: “Sepse unë po ju them, nëse drejtësia juaj nuk tejkalon drejtësinë e skribëve dhe të farisenjve, nuk do të hyni kurrsesi në mbretërinë e qiellit”.
Sepse, nëse Ai po kërcënonte në lidhje me ligjet e vjetra, si mund të thoshte: “Nëse nuk e tejkalon?” Meqenëse ata që ndiqnin të njëjtën rrugë si të lashtët, nuk mund të arrinin një drejtësi më të madhe.
Por, çfarë lloj tejkalimi kërkohej? Të mos zemërohesh, madje as të mos shikosh një grua me dëshirë të papastër.
Për çfarë arsye, pra, i quan këto urdhërime “më të voglat,” megjithëse ato janë kaq të mëdha dhe të larta? Sepse Ai vetë do të vendoste zbatimin e tyre; ashtu siç e përul veten dhe flet shpesh me maturi për veten e Tij, po ashtu edhe për urdhërimet e Tij. Në këtë mënyrë, Ai na mëson përsëri të jemi të përulur në çdo gjë.
Përveç kësaj, duke qenë se mund të ngjalleshin dyshime për risinë e mësimeve të Tij, Ai e përshtati fjalimin e Tij përkohësisht me një qasje më të rezervuar.
Por kur dëgjon fjalët “më i vogli në mbretërinë e qiejve,” mos imagjino asgjë tjetër veç ferrit dhe mundimeve. Sepse Ai kishte zakon të nënkuptonte me “mbretërinë” jo vetëm gëzimin e saj, por edhe kohën e ringjalljes dhe ardhjen e tmerrshme të saj.
Dhe si mund të ishte e arsyeshme që, ndërsa ai që e quan vëllain e tij “budalla” dhe shkel vetëm një urdhërim, përfundon në ferr, ndërkohë ai që i thyen të gjitha dhe i nxit të tjerët të bëjnë të njëjtën gjë, të ishte brenda mbretërisë? Pra, nuk është kjo ajo që Ai nënkupton, por që një i tillë do të jetë në atë kohë “më i vogli,” domethënë, i përjashtuar, i fundit. Dhe ai që është i fundit, pa dyshim, atëherë do të përfundojë në ferr.
Sepse, si Perëndi, Ai e dinte paraprakisht dobësinë dhe neglizhencën e shumicës. Ai e dinte se disa do t’i konsideronin këto thënie thjesht si hiperbolike dhe do të diskutonin mbi ligjet, duke thënë: “Çfarë, nëse dikush e quan tjetrin budalla, dënohet? Nëse dikush thjesht shikon një grua, a bëhet ai kurorëshkelës?” Për këtë arsye, duke shkatërruar paraprakisht këtë mendjemadhësi, Ai vendosi paralajmërimin më të fortë kundër të dyja llojeve, si atyre që shkelin, ashtu edhe atyre që nxisin të tjerët të veprojnë në të njëjtën mënyrë.
Duke e njohur kërcënimin e Tij, le të mos shkelim vetë dhe as të mos dekurajojmë ata që janë të prirur t’i zbatojnë këto gjëra.
“Por kushdo që i bën dhe i mëson,” thotë Ai, “do të quhet i madh”. Sepse nuk duhet të jemi të dobishëm vetëm për veten tonë, por edhe për të tjerët; pasi as shpërblimi nuk është aq i madh për atë që udhëheq vetëm veten e tij, sa për atë që, përveç vetes, ndihmon edhe një tjetër.
Sepse, ashtu si mësimi pa veprime dënon mësuesin (sepse është thënë: “Ti që e mëson tjetrin, a nuk e mëson veten?”), po ashtu edhe veprimi pa udhëheqjen e të tjerëve zvogëlon shpërblimin tonë. Prandaj, duhet të jemi të përkushtuar në të dyja: të rregullojmë fillimisht veten dhe pastaj të kujdesemi për të tjerët.
Për këtë arsye, Ai vetë e ka vendosur veprimin përpara mësimdhënies, për të treguar se në këtë mënyrë, mbi të gjitha, mund të mësohet; ndërsa në asnjë mënyrë tjetër jo. Sepse dikujt do t’i thuhet: “Mjek, shëroje veten tënde”. Ai që nuk mund të mësojë veten, por përpiqet të ndreqë të tjerët, do të bëhet objekt talljeje nga shumëkush. Madje, një i tillë nuk do të ketë aspak fuqi të mësojë, sepse veprimet e tij do të flasin kundër tij.
Por nëse ai është i plotësuar në të dyja aspektet, “do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve”.
6. “Sepse unë po ju them: Nëse drejtësia juaj nuk e tejkalon drejtësinë e skribëve dhe farisenjve, nuk do të hyni aspak në mbretërinë e qiejve”.