Homelia XV mbi Ungjillin sipas Mateut ( Pjesa e tretë )

Ku janë tani ata që vazhdojnë të mohojnë fuqinë e Krishtit? Le të dëgjojnë këto fjalë dhe le të admirojnë forcën e Tij, të mahnitur nga fuqia e këtyre profecive. Mendoni sa gjëra të mëdha Ai i premtoi atyre që nuk ishin të njohur as në vendin e tyre, që toka dhe deti do t’i njihnin dhe që ata do të arrinin deri në kufijtë e botës së banuar, ose më saktë, jo përmes famës së tyre, por përmes veprave të mira që bënë. Sepse nuk ishte fama ajo që i çoi kudo dhe i bëri të dukshëm, por dëshmia e vërtetë e veprave të tyre. Ata kaluan gjithë botën më fuqishëm se sa rrezet e diellit, duke përhapur dritën e perëndishmërisë.
Këtu, vihet re se Ai po i nxit të flasin me guxim. Kur thotë, “Një qytet i vendosur në një kodër nuk mund të fshihet,” po tregon fuqinë e Tij. Ashtu si një qytet nuk mund të fshihet, po ashtu ishte e pamundur që ajo që ata do të predikonin të mbetej në heshtje dhe të humbiste në errësirë. Duke folur për persekutime, shpifje, komplote dhe luftëra, që mund të mendonin se këto do të mund t’i mbyllnin gojën, Ai i inkurajon duke u thënë se, përkundrazi, mes këtyre vështirësive, ata do të shndrisnin dhe do të mbulonin të gjithë botën. Pikërisht për këtë arsye ata do të ishin shumë të nderuar dhe të njohur.
Me këtë, Ai tregon fuqinë e Tij. Dhe në atë që vjen më pas, Ai u kërkon të kenë guxim, duke u thënë: "Njerëzit nuk ndezin një qiri dhe e fshehin, por e vendosnin mbi mbajtëse që të ndriçojë gjithë shtëpinë. Po në të njëjtën mënyrë, le të shkëlqejë drita juaj para njerëzve, që ata të shohin veprat tuaja të mira dhe të lavdërojnë Atë që është në Qiell".
"Për mua," thotë Ai, "është e vërtetë që kam ndezur dritën, por që ajo të vazhdojë të ndriçojë, kjo varet nga përpjekjet tuaja, jo vetëm për ju, por edhe për ata që do të përfitojnë nga këto rreze dhe do të udhëhiqen drejt së vërtetës. Sepse shpifjet nuk do munden ta fikin dritën tuaj, nëse jetoni një jetë të rreptë dhe të denjë për ata që kanë për qëllim të ndryshojnë botën. Prandaj, jetoni një jetë që është e denjë për hirin e Tij, që ashtu siç predikohet kudo, drita juaj të ndriçojë kudo".
Më pas, Ai flet edhe për një shpërblim tjetër, përveç atij të shpëtimit të njerëzimit, që është i mjaftueshëm për t'i nxitur ata që të angazhohen dhe të punojnë me përkushtim. "Jo vetëm," thotë Ai, "që do ta përmirësoni botën, nëse jetoni siç duhet, por edhe do të bëni që Perëndia të lavdërohet. Por, nëse bëni të kundërtën, jo vetëm që do të shkatërroni njerëzit, por edhe do të bëni që emri i Perëndisë të blasfemohet”.
Dhe dikush mund të pyesë: Si do të lavdërohet Perëndia përmes nesh, nëse të tjerët flasin keq për ne? Por, jo vetëm të gjithë njerëzit, madje as ata që na akuzojnë nga zilia nuk do të mund ta fshehin miratimin që kanë për jetën tonë në ndërgjegjen e tyre; ashtu siç ndodh me ata që lëvdojnë në dukje ata të cilët jetojnë në mëkat, por në mendjen e tyre i akuzojnë.
Çfarë vjen pas kësaj? A na urdhëron të jetojmë për dukje dhe për lavdërim të kotë? Jo aspak, nuk e them këtë. Nuk them, se: "Përpiquni të tregoni veprat tuaja të mira," as "Tregojini ato," por thashë: "Lëreni dritën tuaj të shkëlqejë", që do të thotë: "Lejoni që virtyti juaj të jetë i madh, zjarri i tij i fuqishëm dhe drita e saj e pafundme". Sepse kur virtyti është kaq i madh, nuk mund të fshihet edhe sikur dikush të mundohet ta mbulojë atë me miliona shtresa. Shfaqni një jetë të pastër dhe pa asnjë mundësi për të shpifur, madje edhe nëse ka mijëra që shpifin, askush nuk do të mund të hedhë asnjë hijë mbi ju. Dhe është shumë e saktë kur Ai thotë "drita juaj," sepse asgjë nuk e bën një njeri kaq të ndritshëm, sa manifestimi i virtyteve, pavarësisht se sa shumë mund të mundohen të fshihet. Sepse ai shkëlqen, sikur të ishte mbështjellë me rrezet e diellit, madje edhe më shumë se vetë dielli; ai nuk i shpenzon rrezet për tokën, por kapërcen edhe vetë qiellin. Prandaj, Ai i ngushëllon më shumë duke u thënë: "Edhe sikur shpifjet t'ju shqetësojnë, do të ketë shumë të tjerë që do të nderojnë Perëndinë për shkakun tuaj."
Në të dyja rastet, shpërblimi juaj do të shtohet, si për shkak se Perëndia lavdërohet përmes jush, ashtu edhe për shkak se shpifet për ju për hir të Perëndisë. Por, që të mos kërkojmë qëllimisht të shpifet për ne, kur dëgjojmë se ka një shpërblim për këtë: së pari, Ai nuk e thotë thjesht me kaq, por e thotë me këto dy kufizime “kur ajo që thuhet është e pavërtetë dhe kur ajo është për hir të Perëndisë”. Dhe pastaj Ai tregon se jo vetëm shpifja por edhe fama e mirë ka një dobi të madhe, sepse lavdia e saj kalon tek Perëndia. Ai i paraqet atyre këto shpresa të bukura. "Sepse", thotë Ai, "shpifja e të këqijve nuk ka aq fuqi sa të fshehë që të tjerët të shikojnë dritën tuaj. Sepse vetëm kur të humbisni shijen tuaj, ata do t'ju shkelin; por jo kur akuzoheni padrejtësisht dhe bëni të drejtën. Përkundrazi, atëherë shumë do t'ju admirojnë, e madje jo vetëm ju, por edhe Atin tuaj për shkakun tuaj". Dhe Ai nuk tha "Perëndinë", por "Atin tuaj," duke i përgatitur ata për një lindje të re të nderuar që do t'u jepet. Po ashtu, duke treguar barazinë e Tij në nder, siç tha edhe më parë: "Mos u shqetësoni kur flitet keq për ju, sepse mjafton për ju, që për hirin Tim të flitet kështu" dhe këtu Ai e përmend Atin, duke e treguar gjithmonë barazinë e Tij me Atë.
Që nga ajo kohë e dimë dobinë që vjen nga kjo bindje dhe rrezikun e përtacisë (sepse nëse Zoti ynë blasfemohet për shkakun tonë, kjo do të ishte shumë më keq se humbja jonë). Prandaj le të “mos shkaktojmë asnjë shkelje, as për Hebrenjtë, as për Jobët, as për Kishën e Perëndisë”. Dhe nëse jeta që ne jetojmë është më e ndritshme se dielli edhe nëse dikush flet keq për ne, nuk duhet të trishtohemi për shpifjet, por vetëm nëse ato janë të drejta.
Por përkundrazi, nga njëra anë, nëse jetojmë në mëkat, edhe pse askush nuk flet keq për ne, do të jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve; ndërsa nga ana tjetër, nëse i përkushtohemi virtytit, edhe pse e gjithë bota flet keq për ne, pikërisht atëherë do të jemi më të lakmueshëm se kushdo tjetër. Dhe do të tërheqim pas nesh të gjithë ata që duan të shpëtojnë, sepse nuk janë shpifjet e keqbërësve, por jeta jonë e mirë që do të tërheqë vëmendjen e tyre. Sepse asnjë trumbetë nuk është aq e qartë sa prova që jepet nga veprimet tona; as vetë drita nuk është aq e pastër sa një jetë e pastër, edhe pse ata që shpifin ndaj nesh mund të jenë të panumërt.
Por them se, nëse ne i kemi të gjitha këto cilësi; nëse jemi të butë, të përulur dhe të mëshirshëm; nëse jemi të pastër dhe paqebërës; nëse, kur na përçmojnë, nuk kthejmë përgjigje, por gëzohemi, atëherë do të tërheqim të gjithë ata që na vëzhgojnë, ashtu siç ndodhin mrekullitë. Dhe të gjithë do të jenë të mirësjellshëm me ne, pavarësisht nëse janë njerëz të egër, demonë, apo çfarëdo tjetër. Ose, nëse ka disa që flasin keq për ty, mos u shqetëso fare dhe mos u ndiko nga përçmimi që të bëjnë në publik; por shiko ndërgjegjen e tyre dhe do të shohësh se ata të duartrokasin dhe të admirojnë, duke numëruar shumë lavdërime.
Shiko, për shembull, si Nebukodonosori i lavdëron djemtë që u hodhën në furrë për t’u djegurm, edhe pse ai ishte një armik dhe kundërshtar i tyre. Por, pasi i pa ata të qëndronin të fortë, ai shpalli fitoren e tyre dhe i kurorëzoi dhe kjo ndodhi vetëm sepse ata e kundërshtuan dhe nuk e dëgjuan mbretin, por ndoqën vetëm ligjin e Perëndisë. Kur djalli sheh që nuk mund të na dëmtojë, ai largohet, duke pasur frikë se mund të bëhet shkaktar i fitimit të kurorave të tjera. Dhe kur ai largohet edhe një njeri i keq do të njohë virtytin, pasi errësira largohet. Madje edhe nëse njerëzit vazhdojnë të argumentojnë kundër teje, do të kesh më shumë lavdërim dhe admirimin nga Perëndia.
Mos u trishto tani, as mos e humb shpresën; sepse edhe apostujt për disa ishin “aroma e vdekjes”, ndërsa për të tjerë “aroma e jetës”. Dhe nëse nuk ka asgjë për të pasur faj, atëherë ti je i çliruar nga çdo akuzë; madje përkundrazi, do të jesh më i bekuar. Pra, shndrit në jetën tënde dhe mos e vrit mendjen për ata që flasin keq për ty. Sepse nuk është e mundur që dikush që është i përkushtuar pas virtytit, të mos ketë shumë armiq. Por kjo nuk është aspak shqetësuese për njeriun e virtytshëm. Me këto vështirësi, shkëlqimi i tij do të rritet edhe më shumë.
Pra, duke pasur këto parasysh, le të fokusohemi në një qëllim: si ta rregullojmë jetën tonë me rreptësi. Kështu, do të udhëheqim edhe ata që janë në errësirë, drejt dritës. Kjo është forca e dritës, që jo vetëm ndriçon këtu, por edhe udhëheq ata që e ndjekin. Kur njerëzit të na shohin duke refuzuar gjithçka që është këtu dhe duke u përgatitur për atë që do të vijë, veprimet tona do të flasin më shumë se çdo fjalë. Sepse kush mund të mos kuptojë, kur sheh një njeri që dikur jetonte në luks dhe pasuri, e tani heq dorë nga gjithçka dhe përgatitet të përballet me urinë, varfërinë, vuajtjet, rreziqet, gjakun, masakrat dhe çdo gjë tjetër që është e frikshme; nuk është ky një tregues i qartë për përgatitjen e gjërave që do të vijnë?
Por nëse e ngatërrojmë veten me gjërat e kësaj bote dhe zhytemi gjithnjë e më thellë në to, si mund t’i bindim të tjerët se po nxitojmë drejt një vendi tjetër?
Dhe çfarë justifikimi do të kemi, nëse frika e Zotit nuk ka aq ndikim mbi ne sa pati dëshira për lavdi mbi filozofët grekë? Disa prej tyre hoqën dorë nga pasuria dhe përbuzën vdekjen, vetëm për t’u treguar të tjerëve; prandaj dhe shpresat e tyre ishin të kota.
Po ne, si mund të justifikohemi kur me gjëra kaq të mëdha të vendosura përpara nesh dhe me një standard të lartë vetëflijimi, nuk arrijmë dot as atë që ata arritën, duke shkatërruar kështu veten dhe të tjerët? Sepse dëmi është më i madh kur mëkaton një i krishterë sesa kur mëkaton një pagan. Ata e kanë tashmë të humbur karakterin e tyre, ndërsa ne, për shkak të hirit të Zotit, kemi ende një nder dhe lavdi që respektohet edhe nga të pabesët.
Pikërisht për këtë arsye, kur duan të na fyejnë më shumë, ata thonë: “Ti që je i krishterë!” Një fyerje që nuk do ta përdornin, nëse nuk do të kishin fshehurazi një vlerësim të madh për doktrinën tonë.
A nuk ke dëgjuar sa të mëdha janë urdhërimet që Krishti na ka dhënë? Si do të arrish të përmbushësh qoftë edhe një prej tyre, kur je gjithë kohës i zënë duke mbledhur interesa, duke shtuar pasuri nga fajdet, duke bërë tregti, duke blerë skllevër, enë argjendi, shtëpi, toka dhe mallra pa fund? Dhe sikur të ishin vetëm këto!
Por kur këtyre u shton edhe padrejtësinë, që zhvendos kufij, merr shtëpi me dhunë, rëndon varfërinë dhe shton urinë, si mendon se do të gjesh kohë ose mundësi për t’ju përmbajtur këtyre urdhërimeve?
13. Por ndonjëherë tregon mëshirë ndaj të varfërve. E di këtë po aq mirë sa ti. Por edhe këtu fshihet një e keqe e madhe, sepse shpesh e bën këtë nga krenaria ose për t’u dukur, duke mos përfituar as nga veprat e tua të mira. Çfarë mund të jetë më e mjerë se kjo, të shkatërrohesh pikërisht në portin e shpëtimit?
Për të mos ndodhur kjo, kur bën një vepër të mirë, mos kërko falënderime, që të kesh Perëndinë si shpërblyes. Sepse Ai thotë: “Jepini hua atyre nga të cilët nuk prisni të merrni gjë mbrapsht”.
Ke Debitorin tënd; pse e lë Atë dhe kërkon nga unë, një njeri i varfër dhe i mjerë? A është ky Debitor i pakënaqur kur kërkohet borxhi prej Tij? A është Ai i varfër? A është Ai jo i gatshëm të të paguajë? A nuk e sheh se Ai është i kënaqur kur dikush kërkon borxhin nga Ai? Sepse, nëse Ai sheh që një tjetër kërkon të paguajë atë që Ai vetë është borxhli, Ai do të ndjehet i ofenduar dhe nuk do të të shpërblejë më; përkundrazi, Ai do të të thotë me të drejtë: "Për çfarë pabesie më ke akuzuar? Çfarë varfërie mendon se kam unë, që shkon nga unë dhe kërkon nga të tjerët? A ke huazuar nga Një, dhe tani kërkon borxhin nga një tjetër?"
Edhe pse njeriu mori, ishte Perëndia që urdhëroi të jepej; dhe vullneti i Tij është të jetë Ai vetë, në kuptimin e vërtetë, debitor dhe garant, duke të dhënë pafund mundësi për të kërkuar borxhin nga Ai. Pra, mos e humb këtë mundësi të madhe dhe bollëk, dhe mos kërko të marrësh nga unë që nuk kam asgjë. Përse më tregon mua mëshirën që i ke treguar të varfërve? A isha unë që thashë "Jep"? A e dëgjove këtë nga unë, që tani kërkon ta marrësh nga unë? Ai vetë ka thënë: "Ai që ka mëshirë për të varfërit, i jep Perëndisë." Ti i ke dhënë Perëndisë, vendose në llogarinë e Tij.
Por Ai nuk e jep shpërblimin për gjithçka tani. Po, madje këtë e bën për të mirën tënde. Sepse Ai është një debitor ndryshe nga të tjerët: nuk është si ata që janë vetëm të shqetësuar të kthejnë atë që kanë marrë, por Ai i menaxhon të gjitha me qëllimin që të sigurojë gjithashtu ato që i janë dhënë. Prandaj, disa i shpërblen këtu, disa i cakton për vendin tjetër. A nuk e sheh bujarinë e Tij të e papërshkrueshme? Qëndro pas Tij.
Duke i ditur këto gjëra, le të bëjmë më shumë për të treguar mëshirën tonë, le të shprehim dashuri të madhe për njeriun, si me anë të parave tona, ashtu edhe me anë të veprimeve tona. Dhe nëse shohim dikë që keqtrajtohet ose rrihet në shesh, edhe nëse do të duhet ta ndihmojmë me para, le ta bëjmë këtë; ose nëse mund të ndërhyjmë me fjalë, le të mos ngurojmë. Sepse edhe një fjalë ka shpërblimin e saj, e madje dhe psherëtimat. Këtë e tha edhe i bekuari Job: "Unë qava për çdo të pafuqishëm dhe psherëtita kur pashë njeriun në vuajtje". Po, sepse nëse ka shpërblim për lotët dhe psherëtimat, sa më i madh do të jetë shpërblimi kur shtohen edhe fjalët, përpjekjet dhe shumë gjëra të tjera. Po, sepse edhe ne ishim armiq të Perëndisë dhe i Vetëmlinduri na pajtoi, duke vendosur Veten ndërmjet nesh dhe Perëndisë, duke marrë plagë dhe duke duruar vdekjen për ne.
Le të përpiqemi gjithashtu të shpëtojmë të tjerët nga të këqijat që po përjetojnë, dhe jo siç bëjmë shpesh tani, kur shohim njerëz që rrihen dhe lëndohen nga njëri-tjetri, ne qëndrojmë pa ndërhyrë, duke gjetur njëfarë kënaqësie në turpin e të tjerëve dhe krijojmë një lloj “amfiteatri” rreth tyre. Çfarë mund të jetë më mizore se kjo? Kur shohim njerëzit që ofendohen dhe goditen, që shqyejnë rrobat e tyre, godasin fytyrat, dhe ti qëndron dhe shikon pa ndërhyrë?
Çfarë! Po lufton një ari? Një kafshë e egër? Një gjarpër? Jo, është një njeri, një vëlla, një person si ti. Jo thjesht të shikosh, por ndërhy dhe ndihmo. Mos u gëzo për këtë pamje turpëruese, por përpiqu ta ndreqësh. Mos i inkurajo të tjerët të shikojnë, por largoi ata që po shohin. Vetëm ata që janë të paditur dhe të pa shpirt mund të gëzohen për një gjë të tillë.
Shikon dikë që sillet keq dhe nuk e ndjen këtë si diçka të gabuar? Apo nuk ndërhyn për të shpërndarë këtë situatë të keqe dhe për t’i dhënë fund vuajtjeve të atyre që janë përfshirë?
"Por mund të marr edhe unë goditje", mund të thotë dikush. "A është edhe ky urdhri yt?" Ty nuk do të duhet të përballosh këtë, por po e bëre, do të ishte për ty një lloj martirizimi, sepse po vuan për hir të Perëndisë. Dhe në rast se je i ngadaltë për të pranuar goditje, kujto se Zoti yt nuk hezitoi të vuante kryqin për ty.
Ata janë të dehur nga errësira, ku zemërimi është sundimtari i tyre; dhe ata kanë nevojë për dikë që është i qetë për t'i ndihmuar, si ata që bëjnë keq, ashtu edhe ata që janë dëmtuar; për të shpëtuar këta të fundit nga vuajtjet dhe për t'i ndihmuar të parët që të ndalojnë të bëjnë keq. Prandaj afrohu dhe shtrije dorën, ti që je i qetë, tek ai që është i dehur. Sepse ka një dehje të zemërimit dhe kjo lloj dehje është shumë më e rrezikshme se dehja nga vera.
A nuk i sheh ata detarë që kur shohin dikë që po fundoset, ngrejnë velat dhe nisen me nxitim për t’i shpëtuar prej dallgëve ata që janë në anije? Po sikur ata që kanë të njëjtin profesion të kujdesen aq shumë për njëri-tjetrin, sa më shumë duhet të bëjnë ata që kanë të njëjtën natyrë! Sepse këtu, në të vërtetë, ka një shkatërrim shumë më të rëndë; ose një njeri, i provokuar, blasfemon dhe humb gjithçka, ose betohet gabim nën ndikimin e zemërimit dhe bie në ferr, ose godet dhe vret, dhe pëson të njëjtin shkatërrim. Prandaj, shko dhe ndalo keqtrajtimin; shpëto ata që po mbyten edhe nëse të duhet të zhytesh thellë në dallgë dhe pasi të shkatërrosh teatrin e djallit, merr secilin dhe këshilloje që të shuajë flakët dhe të qetësojë dallgët.
Por nëse flakët bëhen më të mëdha dhe furra më e fortë, mos u frikëso; sepse do të kesh shumë që do të të ndihmojnë, mjafton që të bësh një hap të parë. Dhe mbi të gjitha, ti ke me vete Perëndinë e paqes. Nëse ti e ndalon flakën e parë, shumë të tjerë do të ndjekin shembullin tënd dhe do të marrësh shpërblimin për veprat e mira që ata do të bëjnë.
Dëgjo çfarë urdhri dha Krishti për Hebrenjtë, që po përhapeshin mbi tokë: "Nëse sheh," thotë Ai, "kalin e armikut tënd që bie, mos kalo përpara tij, por ngrije". Dhe duhet të kuptosh se të ndihmosh në ndarjen dhe në pajtimin e njerëzve që janë duke luftuar është një punë shumë më e lehtë sesa ngritja e kafshës që ka rënë. Por, nëse duhet të ndihmojmë për të ngritur armiqtë tonë, sa më shumë duhet ta bëjmë këtë për shpirtin e miqve tanë dhe sidomos kur rënia është më e rëndë. Sepse këta nuk bien në baltë, por në zjarrin e ferrit, duke mbajtur barrën e zemërimit të tyre. Dhe ti, kur sheh vëllain tënd që është shtrirë nën barrë dhe djalli që po qëndron pranë dhe ndez zjarrin, ti kalon pa e ndihmuar, me egërsi dhe pa mëshirë; kjo është diçka që nuk është e drejtë të bësh, madje as me kafshët.
Dhe ndërsa Samaritani, kur pa një njeri të plagosur, të panjohur dhe që nuk kishte asnjë lidhje me të, u ndal dhe e ngarkoi në një kafshë, e çoi në një han, e mjekoi, i dha disa para dhe i premtoi edhe më shumë. Po ti, kur sheh dikë që ka rënë jo nga hajdutët, por nga një grup njerëzish të zemëruar, dhe kjo jo në shkretëtirë, por në mes të qytetit, pa pasur nevojë të shpenzosh para, të gjesh një kafshë apo të bësh një udhëtim të gjatë, por vetëm të thuash disa fjalë, a je i ngadaltë për ta bërë këtë? A kalon pa ndihmuar dhe ikën, pa u treguar i dhembshur? Dhe si mendon ti, duke thirrur emrin e Zotit, se do ta gjesh Atë të butë dhe me mëshirë?
Po flas tani edhe për ju që turpëroni vetveten publikisht, për ata që veprojnë në mënyrë të keqe dhe bëjnë padrejtësi. A po godet? Po shkel? A je i ashpër? A po bëhesh si një derr i egër apo një gomar i egër? A nuk të vjen turp? A nuk skuqesh që je shndërruar në një kafshë dhe po humb dinjitetin tënd? Sepse, edhe pse mund të jesh i varfër, je i lirë; edhe pse mund të jesh punëtor, je i krishterë.
Përkundrazi, pikërisht sepse je i varfër duhet të qëndrosh i qetë. Grindjet janë për të pasurit, jo për të varfrit; për ata që kanë më shumë arsye për t’u përfshirë në konflikte. Por ti, pa pasur kënaqësitë që sjell pasuria, kërkon vetë problemet e saj: armiqësitë, grindjet dhe përleshjet. Ti kap vëllain tënd prej fyti, përpiqesh ta mbytësh dhe e poshtëron hapur para të gjithëve. A nuk e mendon se po turpërohesh vetë, duke imituar sjellje të dhunshme, madje duke u bërë më keq se vetë kafshët? Sepse ato jetojnë bashkë dhe i ndajnë gjërat me njëra-tjetrën. Ndërsa ne nuk kemi asgjë të përbashkët, veç grindjeve, përplasjeve, sharjeve dhe armiqësive. Nuk respektojmë as qiellin, që na është dhënë të gjithëve, as tokën që është e lirë për të gjithë ne, as vetë natyrën tonë. Zemërimi dhe dashuria për paranë na ka verbuar.
A nuk e ke parë atë që kishte një borxh prej dhjetë mijë talentash dhe pasi iu fal, kapi për fyti bashkë-shërbëtorin e tij për njëqind denarë? A e di se çfarë ndëshkimi të rëndë mori dhe si i’u dha një ndëshkim i përjetshëm? A nuk të tremb ky shembull? A nuk ke frikë se mos përfundon njësoj? Edhe ne i kemi shumë borxhe Zotit tonë dhe madje gjëra të mëdha, por Ai na duron, na pret dhe nuk na trajton siç ne trajtojmë të tjerët. Ai nuk na kap prej fyti, nuk na ngufat. Nëse do të na kërkonte qoftë edhe një pjesë të vogël të borxhit tonë, ne do të ishim zhdukur prej kohësh.
Prandaj, le të jemi të përulur dhe mirënjohës ndaj atyre që na kanë borxh. Sepse ata na japin një mundësi për të marrë falje të madhe, nëse dimë të kontrollojmë veten tonë. Duke falur pak, mund të marrim shumë. Pse të kërkojmë me dhunë? Edhe nëse tjetri dëshiron të të kthejë borxhin është më mirë që ti vetë t’ia falësh, në mënyrë që të marrësh faljen e plotë nga Zoti. Por në vend të kësaj, bëhesh i dhunshëm dhe grindesh, duke refuzuar që të të falen borxhet e tua. Dhe ndërsa mendon se po dëmton tjetrin, në fakt po dëmton veten, duke shtuar akoma më shumë ndëshkimin ndaj vetes tënde. Por, nëse do të tregoje pak përmbajtje tani, do ta lehtësoje shumë barrën tënde. Zoti dëshiron që ne të marrim iniciativën për të falur, në mënyrë që Ai të na shpërblejë shumëfish.
Pra, kushdo që të ka borxh, qoftë për para apo për padrejtësi, falja dhe lëre të lirë. Kërko nga Zoti shpërblimin për këtë akt zemërgjerësie. Sepse për sa kohë që i mban ata në borxh, nuk mund të presësh që Zoti të jetë në borxh me ty. Por nëse i fal dhe i liron, atëherë mund të kërkosh nga Zoti shpërblimin e vetëpërmbajtjes dhe zemërgjerësisë tënde në masë të madhe. Mendo sikur dikush të vinte dhe të shihte teksa ndaloje borxhliun tënd, e të kërkonte ta lësh të lirë, duke marrë vetë përgjegjësinë për borxhin e tij. A nuk do të vepronte me drejtësi pas një akti të tillë? Po Zoti, që është shumë më i drejtë dhe më bujar, si mund të mos na e shpërblejë shumëfish, kur, për hir të urdhrit të Tij, ne nuk mbajmë mëri ndaj atyre që na kanë borxh, por i falim pa ngurrim, qoftë për gjëra të mëdha apo të vogla?
Prandaj, të mos mendojmë për kënaqësinë e përkohshme që ndiejmë kur kërkojmë borxhet apo llogari ndaj të tjerëve por të reflektojmë për humbjen e madhe që mund të pësojmë në të ardhmen, duke dëmtuar veten në gjërat që kanë vlerë të përjetshme. Le të tregojmë zemërgjerësi dhe të falim ata që na kanë borxh apo që kanë bërë padrejtësi ndaj nesh, në mënyrë që edhe llogaritë tona të jenë më të lehta. Atë që ndoshta nuk mund ta fitojmë me asnjë virtyt tjetër, mund ta arrijmë duke mos mbajtur mëri ndaj të afërmve tanë. Kështu do të fitojmë bekime të përjetshme, me hirin dhe dashurinë e Zotit tonë Jisu Krisht, të Cilit i qoftë lavdia dhe fuqia, tani e në jetë të jetëve. Amin.