Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

Homelia XI mbi Ungjillin sipas Mateut

September 30, 2025 at 2:37 pm, No comments


Shen_Joan_Gojarti_thenie_te_ndryshme-4-6.jpg


Homelia XI

“Edhe kur pa se shumë nga Farisenjtë e Saduçenjtë po vinin në pagëzimin e tij, u tha atyre: Pjellë nepërkash, cili ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?”

Pse, Krishti thotë që ata nuk besuan tek Joani? Sepse ky nuk ishte besim, që ata të refuzonin Atë për të cilin Joani predikonte. Sepse mendonin se po respektonin profetët dhe ligjdhënësin e tyre, por prapëseprapë Ai u tha se ata nuk i kishin respektuar, përderisa nuk pranuan Atë që ishte predikuar prej tyre. “Sepse po t'i kishit besuar Moisiut”, thotë Ai, “do të më kishit besuar edhe mua.” Dhe pas kësaj, kur pyeten nga Krishti: “Pagëzimi i Joanit, nga vjen?” Ata thanë: “Nëse do të themi: Nga toka, ne kemi frikë nga njerëzit; po të themi “nga qielli”, do të na thotë “Si, pra, nuk i besuat?”.

Kështu që duket se ata erdhën me të vërtetë dhe u pagëzuan, por megjithatë ata nuk qëndruan në besimin e asaj që u predikua. Sepse edhe Joani gjithashtu nxjerr në pah ligësinë e tyre, që kur shkojnë tek ai duke i thënë: “A je ti Elia? A je Krishti?”, prandaj ai gjithashtu shtoi: “ata që u dërguan ishin farisenj”.

"Ç'farë ndodhi me turmën? A nuk ishin edhe shumica në të njëjtën mendje? - mund të pyesë dikush. Jo, shumica e njerëzve e kishin këtë dyshim për shkak të thjeshtësisë së tyre të mendjes, por farisenjtë kishin qëllim ta kapnin në gabim Atë. Sepse pasi u pranua që Krishti vjen nga fshati i Davidit, dhe Joani ishte nga fisi i Levit, ata donin ta zinin në kurth me pyetje, në mënyrë që nëse ai do të thoshte ndonjë gjë të tillë, ata të mund të vepronin kundër tij menjëherë. Në çdo rast, ky fakt bëhet i qartë nga ato gjëra që ndodhin më pas; sepse duke refuzuar të pranojnë çfarëdo nga ato që ata prisnin, përpiqen ta kapnin Joanin në gabim, duke thënë: “Pse pagëzon pastaj, nëse nuk je ti Krishti?”

Dhe për t'ju bindur se farisenjtë erdhën me një mendje tjetër dhe populli me një tjetër, dëgjoni se si e ka shprehur edhe këtë Ungjillori duke thënë për popullin, “se ata erdhën dhe u pagëzuan prej tij, duke rrëfyer mëkatet e tyre”, por për farisenjtë, nuk u shpreh kështu, por u shpreh duke thënë se: “kur pa se shumë nga Farisenjtë e Saduçenjtë po vinin në pagëzimin e tij, u tha atyre: Pjellë nepërkash, cili ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?”. Oh madhështia e mendjes! Si u flet ai njerëzve që janë gjithnjë të etur për gjakun e profetëve dhe me prirje jo më të mirë se ajo e gjarpërinjve! Si e nënçmon ai veten dhe paraardhësit e tyre duke folur aq drejtpërdrejt.

Çfarë duhet të themi në këtë rast? Që ai nuk kishte parasysh gjërat aktuale, dhe madje as ato që ata po bënin tani, por ai dinte të fshehtat e mendjes së tyre, pasi Perëndia ia kishte zbuluar këto. Meqenëse ata kishin filluar të krenoheshin me paraardhësit e tyre, dhe kjo kishte sjellë shkatërrimin e tyre dhe i kishte futur ata në një gjendje pakujdesie, për këtë arsye ai i pret rrënjët e krenarisë së tyre. Madje, për këtë arsye, edhe Isaia i quan ata “udhëheqës të Sodomës” dhe “populli i Gomorës”; dhe një profet tjetër thotë “Mos jeni si fëmijët e Etiopëve”; dhe të gjitha këto për t’i larguar ata nga ajo mënyrë e të menduarit, duke zbutur krenarinë e tyre, e cila u kishte sjellë shumë mjerime. “Por profetët,” do të thoni ju, “natyrshëm e bënë këtë; sepse ata i panë ata në mëkat, por në këtë rast për çfarë arsye dhe për çfarë qëllimi ai bën të njëjtën gjë, duke i parë ata që e ndjekin.” Për t'i bërë ata edhe më të butë në zemër.

Por nëse dikush vërtetë vë re fjalët e Joanit, do të kuptojë se ai ka kombinuar qortimin me lavdërimin. Sepse ai foli këto gjëra duke shfaqur habi tek ata dhe duke treguar gjithashtu se ata ishin të aftë, megjithëse vonë, për të bërë atë që dukej pothuajse e pamundur për ta. Qortimi i tij është më tepër si ai i një personi që i merr ata dhe punon me ta për të nxitur vetëdijen e tyre. Sepse në atë që ai shfaq habi, ai nënkupton të dyja ligësinë e tyre të mëparshme që është e madhe dhe kthimin e tyre të mrekullueshëm dhe përtej pritshmërisë. Kështu, “çfarë ka ndodhur,” thotë ai, “që duke qenë fëmijë të atyre etërve dhe të rritur aq keq, ata janë penduar? Nga ku ka ardhur një ndryshim kaq i madh? Kush e zbuti ashpërsinë e tyre shpirtërore? Kush e korrigjoi atë që ishte i pamundur?”

Dhe shikoni se si menjëherë që në fillim ai i alarmoi ata, duke vendosur fillimisht si bazë fjalët e tij në lidhje me ferrin. Sepse ai nuk foli për temat e zakonshme që shqetësonin njerëzit, as nuk u tha: “Kush ju ka paralajmëruar të ikni nga luftërat, nga sulmet e barbarëve, nga robëritë, nga uria, nga epidemitë?”, por foli në lidhje me një tjetër lloj ndëshkimi, që kurrë më parë nuk i’u ishte bërë e ditur atyre. Ai u bëri një përmbledhje paraprake, duke u thënë kështu: “Kush ju ka paralajmëruar të ikni nga zjarri që po vjen?”

Dhe gjithashtu ai i quajti shumë mirë “pjellë nëpërkash”. Sepse kjo kafshë thuhet se shkatërron nënën e vet kur është në lindje, duke ngrënë nëpërmjet barkut të tyre, që kështu të mund të dalin në dritë; gjë të cilën bënë edhe këta njerëz gjithashtu duke qenë “vrasës të etërve, dhe vrasës të nënave” dhe duke i shkatërruar me duart e tyre ata që i udhëzonin. 3. Megjithatë, ai nuk ndalet tek qortimi, por paraqet edhe këshilla gjithashtu. Sepse, “Prodhoni,” u thotë ai, “fruta të përshtatshme për pendim.”

Sepse të largohesh nga ligësia nuk është e mjaftueshme, por duhet të tregosh edhe virtyt të madh. Sepse, të mos jetë ai rast kontradiktor por i zakonshëm që duke e përmbajtur veten për pak kohë, ju ktheheni në të njëjtën ligësi. Sepse ne nuk kemi ardhur për të njëjtat qëllime si profetët para nesh. Jo, gjërat që janë tani kanë ndryshuar dhe janë më të larta, sepse Gjykatësi tani e tutje po vjen, vetë Ai, vetë Zoti i mbretërisë, duke çuar në një vetëpërmbajtje më të madhe, duke na thirrur në qiell dhe duke na tërhequr lart tek ato vendbanime. Për këtë arsye unë shpalos doktrinën që prek edhe ferrin, sepse të mirat dhe të dhimbshmet janë përgjithmonë. Prandaj mos qëndroni siç jeni, as mos paraqisni për mbrojtje justifikimet e zakonshme, si Abrahamin, Isakun, Jakobin, racën e lavdishme të paraardhësve tuaj.

Dhe këto gjëra ai i tha, jo për t'i ndaluar ata të thonin se rrjedhin nga ata njerëz të shenjtë, por për t'i ndaluar ata që të kishin siguri në këtë gjë, ndërkohë  që neglizhonin virtytin e shpirtit; duke nxjerrë në publik atë që ata kishin në mendjet e tyre dhe duke i paralajmëruar për gjëra që do të vijnë. Sepse pas kësaj ata shpesh thonë, “Ne kemi Abrahamin për atin tonë, dhe kurrë nuk ishim në robëri nga ndonjë njeri.” Por, pasi kjo ishte ajo që më së shumti i rriti ata në krenari dhe i shkatërroi, prandaj Joani fillimisht rrëzon këtë.

Shikoni se si ai, duke nderuar patriarkun, kombinon korrigjimin e tij në lidhje me këto gjëra, pikërisht pasi ka thënë, “Mos mendoni të thoni, se ne kemi Abrahamin si atin tonë”, ai nuk thotë: “sepse patriarku nuk do të jetë në gjendje t'ju sjellë asgjë të dobishme”, por në një mënyrë më të butë dhe më të pranueshme ai i intimidoi po të njëjtën gjë, duke u thënë, “Sepse Perënida është në gjendje të nxjerrë fëmijë nga këta gurë për Abrahamin”.

Tani disa mund të thonë, që ai i thotë këto gjëra në lidhje me johebrenjtë, duke i quajtur ata gurë në mënyrë metaforike; por unë them se kjo shprehje ka edhe një kuptim tjetër. Por cili është kuptimi tjetër? Mos mendoni, thotë ai, se nëse do të shkatërroheni, do të lini patriarkun pa trashëgimtarë. Kjo nuk është e vërtetë. Sepse me fuqinë e Zotit, është e mundur që edhe ata që nuk kanë pasur një lidhje të drejtpërdrejtë me patriarkun, të arrijnë të jenë në atë marrëdhënie; pasi edhe në fillim është bërë kështu. Sepse ishte si lindja e njerëzve nga gurët, kur një fëmijë u lind nga një mitër e përtharë.

Prandaj, profeti ishte duke i bërë të qartë se çfarë mendonin apo dëshironin pa i thënë drejtpërdrejtë, në momentin që i tha këto fjalë: “Shikoni shkëmbin nga i cili jeni prerë dhe zgafellën e minierës prej së cilës keni dalë. Shikoni Abrahamin, atin tuaj dhe Sarën që ju ka lindur”. Tani me anë të kësaj profecie, ai u kujton duke u treguar se nëse në fillim Perëndia e bëri Abrahamin prind aq mrekullisht sikur ta kishte bërë nga gurët, ishte e mundur që ta bënte edhe tani këtë gjë. Dhe shikoni se si ai i alarmon dhe i heq sigurinë që kishin duke u mbështetur tek etërit e tyre; në atë që ai nuk tha: “Ai tashmë i ka nxjerrë”, që të mos dëshpëroheshin nga vetja, por se Ai “mund të nxjerrë” dhe nuk tha: “Ai është në gjendje nga gurët të bëjë njerëz”, por tha diçka që ishte shumë më e madhe, “të afërm dhe bijë të Abrahamit”.

E shikon se si ai i largon nga mendimet e tyre të kota për gjërat e trupit dhe nga origjina e tyre tek paraardhësit; në mënyrë që ata të mund të mbështesin shpresën e shpëtimit në pendimin dhe në vetëpërmbajtjen e vetes së tyre?

A e sheh se si duke i larguar nga marrëdhëniet e tyre me gjërat materiale, ai po i sjell në atë që është nga besimi?

4. Shikoni më tej, në atë që vijon se si ai i alarmon më tepër dhe i shton intensitet frikës së tyre. Pasi tha se “Zoti është në gjendje të nxjerrë fëmijë për Abrahamin edhe nga këto gurë,” ai shtoi “Dhe tani sëpata është vendosur në rrënjën e pemëve,” duke e bërë fjalimin e tij akoma më shqetësues në çdo lloj mënyre. Sepse, sikurse ai kishte shumë liri fjale për nga mënyra e jetës së tij, kështu ata kishin shumë nevojë për qortime të ashpra nga ai, pasi ishin lënë në mëshirë për një kohë të gjatë. Sepse "pse them" (janë fjalët e tij) "që jeni në prag të largimit nga lidhja juaj me patriarkun që duke parë të tjerët, madje edhe ata që janë nga gurët, janë sjellë më në përparësi se ju? Jo, dënimi juaj nuk do të qëndrojë vetëm në këtë pikë, por ndëshkimi juaj do të shkojë më tej. “Sepse tani,” thotë Joani, “sëpata është vendosur tek rrënja e pemëve.” Nuk ka asgjë më të tmerrshme sesa kjo pikë kthese në fjalimin e tij. Sepse kjo nuk është më “një sëpatë që fluturon,” as “heqja e një gardhi,” as “shkelja e vreshtit”, por një thikë shumë e mprehtë, dhe çfarë është më keq, ajo është edhe në prag të derës. Por për shkak se ata vazhdimisht nuk besonin tek profetët dhe zakonisht thoshin “Ku është dita e Zotit?” dhe “le të vijë i Shenjti i Izraelit, që të mund ta njohim,” e për shkak se ishin shumë vite para se të ndodhte ajo që thanë, për t'i larguar edhe nga ky inkurajim, ai i shton frikën atyre. Dhe e bëri këtë duke thënë “tani”, dhe duke e vendosur theksin tek “rrënja”. “Sepse hapësira midis tyre nuk është më asgjë,” thotë ai, “por është vendosur pikërisht në rrënjë.” Ai nuk tha, “në degë,” as “në fruta,” por “në rrënjë,” duke u treguar se nëse do të ishin neglizhentë, do të përballonin tmerr të pashërueshëm dhe nuk do të kishin më asnjë shpresë për rimëkëmbje. Nuk ka ardhur një shërbëtor, si ata që ishin përpara Tij, por vetë Zoti i të gjithëve, duke sjellë mbi ta hakmarrjen e Tij të ashpër dhe më efektive.

Megjithatë, megjithëse Joani i ka frikësuar përsëri, ai nuk i lë që të bien në dëshpërim; por ashtu si më parë ai nuk tha “Ai ka nxjerrë”, por “Ai është në gjendje t'i nxjerrë fëmijë Abrahamit” (në të njëjtën kohë duke i alarmuar por dhe duke i ngushëlluar ata); po kështu edhe këtu ai nuk tha se sëpata “ka prekur rrënjën”, por “është vendosur tek rrënja dhe tashmë është pranë saj, dhe tregon se nuk ka shenja të asnjë vonese”. Megjithatë, edhe pse e ka sjellë kaq pranë, Ai e bën prerjen e rrënjës të varet nga ju. Sepse nëse ju ndryshoni dhe bëheni më të mirë, kjo sëpatë do të largohet pa bërë asgjë; por nëse vazhdoni në rrugët e njëjta, Ai do ta shkatërrojë pemën nga rrënja. Prandaj, vërejtja është se sëpata nuk është larguar nga rrënjët e pemës, por as nuk është përdorur në mënyrë që të presë gjithçka: njëra, që të mos bëheni indiferent dhe tjetra për t'ju bërë të kuptoni se është e mundur që edhe në një kohë të shkurtër të ndryshoni dhe të shpëtoheni. Prandaj ai gjithashtu në të gjitha temat ua shton frikën duke i zgjuar plotësisht dhe duke i shtyrë ata drejt pendimit. Kështu që së pari i largon ata nga paraardhësit e tyre dhe më pas, të tjerë prezantohen në vend të tyre; së fundmi, ato tmerre që ishin në dyert e tyre, siguria e vuajtjes së të këqijave të pashërueshme (të cilat ai i deklaroi me rrënjë dhe me sëpatë), ishte e mjaftueshme për ti zgjuar plotësisht dhe për t'i mbushur me ankth edhe ata që ishin shumë të plogësht. Mund të shtoj, se edhe Pavli po thoshte të njëjtën gjë, kur tha: “Zoti do të bëjë llogari të shkurtuar mbi dhe”.

Por mos u frikëso; ose më saktë, frikësohu, por mos bjer në dëshpërim. Sepse ende ke një shpresë për ndryshim; dënimi nuk është krejtësisht absolut, dhe as sëpata nuk erdhi për të prerë (pse nuk e preu, ashtu siç ishte aq afër rrënjës?); por qëllimi është t'i bëjë më të mirë njerëzit përmes frikës dhe t'i përgatisë për të sjellë fryte. Për këtë arsye ai shtoi, “Prandaj çdo pemë që nuk sjell fryt të mirë, do të pritet poshtë dhe do të hidhet në zjarr.” Tani me fjalën “çdo”, ai riktheu përsëri privilegjin që ata kishin nga origjina e tyre e lartë; “Por, nëse ti je pasardhës i vetë Abrahamit, e nëse ke mijëra patriarkë për të numëruar, do ti nënshtrohesh një dënimi të dyfishtë, duke qëndruar pa dhënë fryte. “Me këto fjalë ai i alarmoi edhe targambledhësit; mendja e ushtarëve u trondit nga ai, pa i hedhur në dëshpërim, por duke i shkëputur prej çdo sigurie. Sepse së bashku me frikën, ka edhe shumë inkurajim në atë që ai thotë; pasi me shprehjen “që nuk sjell fryt të mirë”, ai tregoi se ai që prodhon fryt është i liruar nga gjithë hakmarrja.

5. “Dhe si,” mund të pyesë dikush, “do të jemi në gjendje të sjellim fryt, kur sëpata është duke u përdorur, dhe koha është kaq e kufizuar, dhe periudha e përcaktuar po shkurtohet?” “Do të jeni në gjendje,” thotë ai, “sepse ky fryt nuk është i njëjtë me atë të pemëve të zakonshme, që presin një kohë të gjatë dhe janë nën varësinë e nevojave të stinëve dhe kërkojnë tjetër menaxhim; por mjafton të jesh i gatshëm, dhe pema menjëherë ka për të nxjerrë frytin e saj. Sepse jo vetëm natyra e rrënjës, por edhe aftësia e bujkut kontribuon më së shumti në llojin e frytit që jep.”

Krye e formularit

   Për këtë (më lejoni të shtoj) - që të mos thonë, “Ti na frikëson dhe na shtyn, duke përmendur sëpatën dhe duke na kërcënuar me prerje, ndërkohë kërkove prodhim të fryteve gjatë kohës së ndëshkimit,” - ai shtoi, për të treguar lehtësinë e dhënies së atij fryti, “Unë ju pagëzoj me ujë për pendim; por ai që vjen pas meje është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë t’i mbaj as sandalet. Ai do t’ju pagëzojë ju me Frymë të Shenjtë e me zjarr.”, duke sugjeruar kështu se është e nevojshme vetëm reflektimi dhe besimi, e jo punë të rënda dhe mundime; dhe siç është e lehtë të pagëzohesh, po ashtu është e lehtë të bashkohesh me Të dhe të bëhesh një njeri më i mirë. Kështu, duke nxitur mendjen e tyre me frikën e gjyqit të Zotit dhe me ndëshkimin që mund të vijë prej Tij, dhe me përmendjen e sëpatës, dhe me humbjen e paraardhësve të tyre, dhe me ardhjen e atyre fëmijëve të tjerë, dhe me hakmarrjen e dyfishtë të prerjes dhe të djegies, dhe duke bërë çdo gjë tjetër për të zbutur ngurtësinë e tyre, në mënyrë që t'ju sjellë dëshirën për shpëtim nga këto të këqija të mëdha; pastaj ai paraqet atë që ka për të thënë për Krishtin; dhe jo thjesht, por me një shpallje të lartësisë së madhe të Tij. Pastaj, duke përshkruar dallimin midis vetvetes dhe Atij, që të mos duket se e thotë këtë në favor të tij, ai e përforcon faktin duke krahasuar dhuratat e dhëna nga secili prej tyre. Sepse ai nuk tha menjëherë, “nuk jam i denjë t’i mbaj sandalet”; por kur kishte paraqitur fillimisht vlerën e vogël të pagëzimit të tij dhe kishte treguar se nuk ka asgjë më shumë se sa të udhëheqë ata në pendesë (sepse nuk tha me ujin e faljes, por të pendesës), ai paraqet edhe atë të Krishtit, i cili është plot me dhuratën e pa thënë. Kështu ai duket të thotë, “Për të mos u përbuzur kur të dëgjosh se Ai vjen pas meje, të mësosh virtytin e dhuratës së Tij, dhe do të kuptosh qartë se nuk them asgjë të denjë apo të madhe, kur thashë, “nuk jam i denjë t’i mbaj sandalet.” Prandaj, kur të thuhet, “Ai është më i fuqishëm se unë,” mos mendoni se e thashë këtë për të bërë ndonjë krahasim. Sepse unë nuk jam i denjë as të klasifikohem midis shërbëtorëve të Tij, madje as edhe mes shërbëtorëve më të ulët të Tij, dhe as të marrë pjesën më të nderuar të shërbimit të Tij.” Prandaj ai nuk tha thjesht “sandalet e tij,” por  tha “as ti mbaj,” për të treguar që kjo lloj detyre që ai ka përmendur është  një shenjë e përulësisë, ai gjithashtu shton edhe argumente prej fakteve: “Sepse Ai do t'ju pagëzojë, me Frymën e Shenjtë dhe me zjarrin.”, thotë ai.

6. A e shihni se sa e madhe është urtësia e Pagëzorit? Se si kur është duke predikuar, ai thotë gjithçka për ti alarmuar ata dhe për t'i mbushur me ankth; por kur dërgon njerëz tek Ai, çdo gjë ishte e butë dhe e përshtatshme për t'i rikuperuar ata: duke mos sjellë prerjen e sëpatës, as pemën që është prerë, djegur, dhe hedhur në zjarr, as zemërimin që vjen, por falje të mëkatit, largimin e dënimeve, drejtësinë, shenjtërimin, shpengimin, adoptimin, dhe vëllazërimin, dhe një pjesëmarrje në trashëgimi, dhe të mirave të bollshme të Shpirtit të Shenjtë. Të gjitha këto ai i shprehu në mënyrë të tërthortë kur tha: “Ai do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë”; duke shpallur njëkohësisht, përmes vetë figurës gjuhësore, bollëkun e hirit (sepse nuk tha “Do t’ju japë Shpirtin e Shenjtë”, por “Do t’ju pagëzojë me Shpirtin e Shenjtë”); dhe, nga ana tjetër, përmes përmendjes së zjarrit, tregoi fuqinë e zjarrtë dhe të pakontrollueshme të këtij hiri. Vetëm imagjino se si duhej të ishte cilësia e njeriut që ata duhet të ishin, kur mendonin se do të bëheshin si profetët dhe të mëdhenjtë e lashtë. Për këtë arsye, Joani përmend zjarrin; që të mund t'i udhëzojë ata të reflektojnë për kujtesën e atyre njerëzve e profetëve të lashtë që janë lidhur me fenomene të zjarrit. Sepse, nga të gjitha vizionet që u shfaqën përpara tyre, unë do të thosha, se pjesa më e madhe u shfaqën me zjarr; kështu Perëndia bisedoi me Moisiun në shkurre, kështu me të gjithë popullin në malin Sina, kështu edhe me Ezekielin me keruvimet.

Dhe vini re përsëri, se si Joani e zgjon dëgjuesin, duke thënë të parën atë që do të ndodhte e fundit pas të gjithave. Sepse Qengji do të vritej dhe mëkati do të fshihej dhe armiqësia do të shkatërrohej, do të bëhej varrimi, dhe ringjallja, dhe më pas Shpirti i Shenjtë do të vinte. Por asnjë nga këto gjëra ai nuk i përmend ende, përveç asaj që ishte e fundit dhe për hir të së cilës u bënë të gjitha të parat dhe që ishte më e përshtatshme për të shpallur dinjitetin e Tij; në mënyrë që kur dëgjuesit t'i thuhet se ai duhej të merrte një Shpirt kaq të madh, ai të mund të kërkonte me veten  e tij se si dhe në çfarë mënyre do të jetë kjo, ndërkohë që mëkati mbizotëronte; që, duke e gjetur të mbushur me mendime dhe të përgatitur për atë mësim, ai të mund të prezantonte më pas atë që kishte për të thënë duke prekur pasionin, pa zëmëruar më asnjë njeri dhe duke pritur një dhuratë të tillë.

Prandaj ai përsëri foli me zë të lartë, duke thënë, “Shihni Qengjin e Perëndisë, që mban mëkatin e botës.” Ai nuk tha, “që fal” por tha atë që nënkupton një mbrojtje më të madhe, për atë që e dëgjon.  Sepse nuk është e njëjta gjë, që thjesht të falësh, dhe ti marrësh mëkatet mbi Vetveten. Sepse njëra duhej bërë pa rrezik, ndërsa tjetra me vdekjen.

Dhe përsëri, ai tha: “Ai është Biri i Perëndisë”. Por as këtë gradë të Tij, Joani nuk ua shpalli haptazi dëgjuesve (sepse ata nuk dinin ende se si ta konceptonin Atë si një Bir të vërtetë), por me një dhuratë të tillë të madhe të Shpirtit të Shenjtë, ajo  u arrit të konceptohej dhe të pranohej. Prandaj edhe Ati, kur dërgoi Joanin, i dha, siç e dini, këtë si shenjë të parë të dinjitetit të Atij që kishte ardhur, duke thënë: “Mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur dhe duke qëndruar, është ai që pagëzon me Shpirtin e Shenjtë.” Prandaj edhe ai vetë thotë: “Unë pashë dhe dëshmova se ky është Biri i Perëndisë;” sikur njëra të ishte përgjithmonë dëshmia e qartë e tjetrës.

7. Pasi kishte shpallur pjesën më të butë të mesazhit të tij dhe kishte qetësuar dëgjuesin, ai sërish e ngjesh fjalën, që ky të mos bjerë në neglizhencë. Sepse i tillë ishte natyra e kombit hebre: nga fjalët nxitëse fryheshin lehtësisht dhe korruptoheshin. Prandaj ai risjell frikën, duke thënë: “Lopata është në dorën e Tij.” Ashtu si më parë kishte folur për ndëshkimin, kësaj here paraqet edhe Gjykatësin, duke sjellë në vëmendje hakmarrjen e përjetshme. Sepse thotë: “Kashta do të digjet me zjarr të pashuar.” E sheh që Ai është Zot i gjithçkaje, dhe që është vetë Bujku – megjithëse në një vend tjetër thotë se Ati i Tij është Bujku: “Ati im,” thotë Ai, “është Bujku.” Kështu, meqë kishte folur për sëpatën, që të mos mendohet se kjo kërkon mund apo se ndarja është e vështirë, përdor një krahasim tjetër për të treguar lehtësinë e saj, duke nënkuptuar se e gjithë bota i përket Atij – sepse Ai nuk do të ndëshkonte ata që nuk janë të Tij. Për momentin, është e vërtetë që të gjithë janë të përzier (sepse, edhe pse gruri mund të jetë i mirë, ai ende qëndron bashkë me bujkun – si mbi lëmë, e jo si në hambar) – por atëherë, ndarja do të jetë e madhe.

Ku janë tani ata që nuk besojnë në zjarrin e ferrit? Sepse sigurisht këtu janë të paraqitura dy pika, njëra është se Ai do të pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe tjetra se Ai do ti djeg ata që janë kundërshtarë. Në qoftë se e para është e besueshme, atëherë pa dyshim që edhe tjetra është e besueshme. Po, sepse kjo është dhe arsyeja pse të dy profecitë janë vendosur nga Joani njëra pas tjetrës, që me anë të asaj që tashmë ka ndodhur, ai mund të vërtetojë tjetrën, që ende nuk është përmbushur. Sepse edhe vetë Krishti në shumë raste bën po kështu, shpesh për të njëjtat gjëra, dhe shpesh për të kundërtat, duke thënë dy profeci; njërën prej të cilave ai e përmbush këtu dhe tjetrën që ai e premton për të ardhmen; që ata që janë shumë polemikë, duke parë ato që tashmë ka ndodhur, të mund të besojnë edhe në atë tjetrën, që ende nuk është përmbushur. Për shembull, atyre që braktisin të gjitha ato që kanë për hir të Tij, ai u premtoi se do t'ju japë njëqind herë më shumë në këtë botë dhe në jetën e përjetshme; duke i bërë të besueshme edhe ato që ende nuk janë përmbushur. Por, siç shohim në këtë rast, edhe Joani ka bërë po të njëjtën gjë; duke vendosur dy gjëra bashkë, se Ai do të pagëzojë me Frymën e Shenjtë, por edhe se do të djeg me zjarr të pashueshëm. Tani, pra, nëse Ai nuk do t'i kishte pagëzuar me Shpirtin e Shenjtë apostujt dhe të gjithë ata që janë të gatshëm çdo ditë, ju mund të kishit dyshime edhe për gjëra të tjera; por nëse ajo që duket të jetë më e madhe dhe më e vështirë dhe që kapërcen çdo arsye, është bërë dhe bëhet çdo ditë; si mund ta mohosh atë që është e vërtetë, e lehtë dhe që ndodh sipas arsyes?

Duke thënë: “Ai do të pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr” dhe duke premtuar bekime të mëdha; që ti, i çliruar tërësisht nga gjërat e mëparshme, të mos bëhesh indiferent apo dembel, ai ka shtuar edhe lopatën duke folur kështu edhe për gjykimin. “Mos mendoni fare,” thotë ai, “se pagëzimi juaj mjafton, nëse më pas do të bëheni njerëz të zakonshëm”, sepse ne kemi nevojë për virtyt dhe akoma më tepër për atë vetëpërmbajtje të shquar. Kështu, sikur të përdorte sëpatën për t'i nxitur ata drejt pagëzimit dhe pranimit të hirit, po ashtu i kërcënon ata pas pagëzimit me lopatën dhe zjarrin që nuk shuhet.Krye e formularit

Dhe për ata të cilët ende janë të papagëzuar, ai nuk bën dallim, por thotë në përgjithësi: “Çdo pemë që nuk jep fryt të mirë pritet,” duke ndëshkuar të gjithë jobesimtarët. Ndërsa pas pagëzimit Ai vepron sipas besimit të tyre.

Askush, pra, të mos bëhet byk, askush të mos hidhet andej-këtej, ose të qëndrojë i ekspozuar për dëshira të liga, të ndikuara lehtësisht nga ato në çdo drejtim. Sepse, nëse vazhdon të jesh si gruri, edhe sikur të të vijnë tundime, nuk do të pësosh asgjë të tmerrshme; jo, sepse në lëmë rrotat e makinës që janë si sharra, nuk e presin grurin në copa, por vetëm kur bie në dobësinë e bykut. Këtu do të pësoni sëmundje të pashërueshme duke u goditur nga të gjithë njerëzit dhe në jetën që vjen do t'i nënshtroheni ndëshkimit të përjetshëm. Për të gjithë këta persona, që para kësaj furre këtu bëhen ushqim për pasionet e paarsyeshme, ashtu siç është byku për kafshën e egër: në jetën që vjen do të jenë material dhe ushqim për flakë.

Kështu, të thoshte drejtpërdrejtë se Ai do të gjykonte veprat e njerëzve, nuk do të arrinte të siguronte një pranim më të mirë për doktrinën e Tij. Por përdori bashkë me të një paravoli, që kështu të mund të forconte tërësisht mesazhin, që të ishte më i përshtatshëm për të bindur dëgjuesin dhe për ti përfshirë ata në bisedë. Krishti përdori si pjesë të fjalimeve të Tij fushën e skllavërisë, të korrat, vreshtin, shtrydhjen e rrushit, fushën, rrjetën, peshkimin, dhe gjithçka tjetër që ishte e njohur për ta me të cilat ishin të përfshirë, dhe po këtë gjë bëri edhe Pagëzori këtu, duke ofruar një shpjegim të madh të fjalëve të tij, atë të dhënies së Shpirtit të Shenjtë. Sepse “Ai që ka një fuqi aq të madhe, sa të falë mëkatet dhe të japë Shpirtin, aq më tepër do të ketë këto gjëra nën pushtetin e Tij,” kështu tha ai.

Krye e formularit

A e sheh se si tani me rendin e duhur misteri u hodh si themel, përpara ringjalljes dhe gjykimit?

“Dhe pse,” mund të thuhet, “nuk i përmendi shenjat dhe mrekullitë që do të bëheshin prej Atij”? Sepse kjo ishte më e madhe se të tjerat dhe për hir të saj u bënë të gjitha. Kështu, kur përmendi gjënë kryesore, ai i nënkuptoi të gjitha; vdekja u shpërbë, mëkatet u shfuqizuan, mallkimi u fshi, ato luftëra të gjata u zhdukën; hyrja jonë në parajsë, ngjitja jonë në parajsë, qytetaria jonë me engjëjt, marrja e të mirave që do të vijnë: sepse në të vërtetë kjo është më e rëndësishmja e të gjithave. Kështu që duke e përmendur këtë, ai ka përmendur gjithashtu ringjalljen e trupave tanë dhe shfaqjen e mrekullive të Tij këtu, dhe pjesëmarrjen tonë në mbretërinë e Tij dhe gjithë gjërat e mira, të cilat “syri nuk i ka parë, as veshi nuk i ka dëgjuar dhe që nuk kanë hyrë në zemrën e vjetër”. Sepse të gjitha këto gjëra Ai na i dhuroi me atë dhuratë. Prandaj ishte e tepërt të flitej për shenjat që do të pasonin menjëherë dhe për të cilat mund të gjykohej pamja; por ata u takuan për të diskutuar ato për të cilat ata dyshuan; si për shembull, se Ai është Biri i Perëndisë; se Ai e tejkalon Joanin përtej krahasimit; se Ai “mbart mëkatin e botës;” se Ai do të kërkojë llogari për gjithçka që bëjmë; se interesat tona nuk kufizohen në të tashmen, por në një vend tjetër secili do t'i nënshtrohet dënimit të duhur. Sepse këto ende nuk mund të vërtetoheshin me sy.

Prandaj, duke i ditur këto gjëra, le të kemi kujdes të madh ndërsa ndodhemi në fushën e lëmit; sepse është e mundur që, duke qenë këtu, edhe byku të shndërrohet në grurë, sikurse edhe gruri mund të shndërrohet në byk. Të mos jemi të pashpirt, të mos biem pre e çdo ere, dhe të mos ndahemi nga vëllezërit tanë, edhe nëse ata duket se janë të vegjël dhe të zakonshëm; sepse gruri, në krahasim me bykun, është më i pakët në sasi, por më i mirë në natyrë. Kini kujdes, pra, mos u përqendroni tek format e madhështisë së jashtme, sepse ato janë të përgatitura për zjarrin, por tek kjo përulësia hyjnore, që është e fortë dhe e pazgjidhshme dhe që nuk mund të pritet, as të digjet nga zjarri. Për hir të tyre, Ai duron shumë edhe bykun, sepse përmes marrëdhënies me ta, ata mund të përmirësohen. Prandaj, gjykimi ende nuk është kryer, por le të  kurorëzohemi të gjithë  së bashku, dhe disa prej atyre që janë në ligësia le të kthehen në virtyt.

Le të dridhemi, pra, duke dëgjuar këtë paravoli. Sepse me të vërtetë ai zjarr është i pashueshëm. “Dhe si,” mund të thotë dikush, “është i pashueshëm?” A nuk e sheh këtë diell që digjet dhe nuk shuhet kurrë? A nuk e pe ferrishten që digjej dhe nuk konsumohej? Nëse, atëherë, edhe ti dëshiron t'i shpëtosh flakës, grumbullo lëmoshë paraprakisht dhe kështu as nuk do ta shijosh atë zjarr. Sepse në qoftë se, ndërsa jemi këtu, ti do të besosh këto gjëra që po thuhen, nuk do të shohësh asnjëherë këtë furrë, pas largimit tënd në atë vend; por në qoftë se tani nuk beson, atëherë atje do ta njohësh plotësisht me përvojë, atëherë kur nuk është e mundur të ketë asnjë lloj shpëtimi. Sepse në të vërtetë asnjë lutje nuk do të shmangë dënimin nga ata që nuk kanë shfaqur një jetë të drejtë. Sepse besimi sigurisht nuk është i mjaftueshëm, sepse edhe demonët dridhen para Zotit, por për këtë arsye ata do të dënohen.

9. Prandaj kujdesi ynë për sjelljen tonë ka të bëjë me mbledhjen tonë të vazhdueshme këtu; jo thjesht që të hyni brenda, por që të korrni edhe ndonjë fryt nga qëndrimi juaj këtu. Por nëse me të vërtetë vini vazhdimisht, por shkoni përsëri duke mos korrur asnjë fryt, nuk do të keni asnjë përfitim nga hyrja dhe prania juaj në këtë vend.

Sepse, nëse ne, kur i dërgojmë fëmijët tanë tek mësuesit dhe i shohim që nuk korrin asnjë dobi prej tyre, fillojmë të jemi të ashpër në fajësimin e mësuesve dhe i çojmë tek të tjerë. Çfarë justifikimi do të kemi në atëherë për të mos ti dhuruar virtytit po aq shumë zell sa i dhurojmë këtyre gjërave tokësore, por gjithmonë sjellim në shtëpi pllaka boshe? Edhe pse mësuesit tanë këtu janë më të shumtë dhe më të mëdhenj. Sepse ata nuk janë më pak se profetët, apostujt dhe patriarkët, dhe të gjithë njerëzit e drejtë, që janë vendosur nga ne si mësues në çdo kishë. Dhe as kështu nuk ka asnjë përfitim, sepse pasi keni marrë pjesë në këndimin e dy ose tre Psalmeve, dhe keni bërë lutjet e zakonshme në mënyrë të rastësishme dhe pasi keni pasur të bëni me to, jeni shkëputur dhe mendoni se kjo është mjaftueshme për shpëtimin tuaj. A nuk keni dëgjuar profetin që thotë (ose më saktë, Zoti përmes profetit), “Këta njerëz më nderojnë me buzët e tyre, por zemra e tyre është larg meje?

Prandaj, provo që ky të jetë rasti ynë, fshiji shkronjat, ose më mirë mendimet apo ndjenjat që djalli ka gdhendur në shpirtin tënd; dhe më sill një zemër të çliruar nga trazirat e kësaj bote, që pa frikë të shkruaj në të çfarë të dua. Sepse të paktën tani në të nuk ka asgjë tjetër për të dalluar, përveç letrave të tij; - përdhunime, lakmi, zili, xhelozi. Prandaj, sigurisht, kur marr tabelat tuaja, nuk jam në gjendje aq shumë sa t'i lexoj. Sepse unë nuk i gjej shkronjat që në çdo ditë të Zotit ju shkruajmë dhe kështu ju lëmë të shkoni; por të tjera gjej në vend të këtyre, të pakuptueshme dhe të deformuara. Veç kësaj, kur ne i kemi fshirë ato, dhe kemi shkruar ato që janë të Shpirtit, ju pasi largoheni i jepni zemrat tuaja punëve të djallit, atëherë i jepni përsëri atij fuqi për të zëvendësuar shkronjat e tij në ju. Cili do të jetë pra fundi i gjithë kësaj, qoftë edhe pa fjalët e mia, ndërgjegjja e secilit e di. Sepse unë vërtet nuk do të ndaloj të bëj pjesën time, dhe të shkruaj në ju shkronjat e duhura. Por nëse ju dëmtoni angazhimin tonë, për pjesën tonë, shpërblimi ynë nuk ndryshon, por rreziku për ju nuk është i vogël.

10. Dhe të gjitha këto le t'i praktikojmë në shtëpi me miqtë tanë, me gruan, me fëmijët tanë. Dhe, për momentin, le të fillojmë me gjërat që vijnë së pari dhe janë më të lehta; si për shembull, pa djersitje; dhe le të praktikojmë një shkronjë vazhdimisht në shtëpi. Sepse, në të vërtetë, ka shumë herë kur gruaja e irriton dhe zemëron burrin, dhe ndonjëherë një fëmijë i pabindur dhe që bën trazira e shtyn atë drejt kërcënimeve dhe betimeve. Në qoftë se tani në shtëpi, kur ballafaqohesh vazhdimisht me këto sfida, arrin të mos përfshihesh në betime, atëherë edhe në treg do të kesh lehtësisht fuqi për të qëndruar i pa mposhtur.

Po, dhe në të njëjtën mënyrë, ju do të arrini të ruani veten të mos ofendoni asnjë, duke mos fyer gruan tuaj, as shërbëtorët e tu, as ndonjë tjetër në shtëpinë tënde. Por gruaja e një burri jo rrallëherë, duke lavdëruar këtë apo atë person, ose duke u ankuar për veten, e nxit burrin të flasë keq për atë tjetrin. Por mos e lini veten të detyroheni të flisni keq për atë që lavdërohet, por durojini të gjitha me fisnikëri. Dhe nëse i sheh shërbëtorët e tu që lavdërojnë zotërinjtë e tjerë, mos u shqetëso, por qëndro me fisnikëri. Le të jetë shtëpia jote një lloj fushëbeteje, një vend ushtrimi për virtytin, që duke u stërvitur mirë aty, të mund të përballesh me gjithë mjeshtëri të gjitha jashtë saj.

Bëjeni këtë edhe gjithashtu në lidhje me mburrjen. Sepse, nëse e stërvit veten të mos tregohesh kot i lavdishëm në shoqërinë e gruas tënde dhe shërbëtorëve të tu, nuk do të të kapi kurrë lehtë ky pasion në lidhje me dikë tjetër. Sepse, megjithëse kjo sëmundje është e rëndë dhe tiranike në çdo rast, megjithatë është veçanërisht e tillë kur një grua është e pranishme. Prandaj, në këtë rast duke ulur fuqinë e saj, do ta kontrollojmë lehtësisht edhe në rastet e tjera.

Dhe në lidhje me pasionet e tjera, le të bëjmë të njëjtën gjë, duke u ushtruar kundër tyre në shtëpi dhe duke e vajosur veten çdo ditë. Dhe që ushtrimi ynë të jetë më i lehtë, le të vendosim më tej një ndëshkim për veten tonë, nëse shkelim ndonjë nga qëllimet tona. Dhe vetë ndëshkimi të jetë i tillë që të sjellë jo humbje, por shpërblim - të tilla nga ato sjellin një fitore të madhe.  Dhe kjo ndodh nëse vendosim veten në kreshmim të fortë, dhe të flemë shpesh në tokë të zhveshur, dhe të tjera të ngjashme. Sepse kështu do të vijë shumë përfitim për ne nga çdo krah; e ne jo vetëm do të jetojmë jetën e ëmbël të virtytit këtu, por do të arrijmë edhe në të mirat që vijnë dhe do të jemi përherë miq të Perëndisë.”

Por që të mos ndodhë më përsëri e njëjta gjë, që ju, duke admiruar atë që është thënë këtu, të mos shkoni dhe ta hidhni në mënyrë të rastësishme, kudo që të jetë rasti, pllakën e mendjes suaj dhe të lejoni djallin të shuajë këto gjëra; le të ndodhë që secili, kur të kthehet në shtëpi, të thërrasë gruan e tij dhe t'i thotë këto gjëra dhe ta marrë për ta ndihmuar; dhe që nga kjo ditë le të hyjë në atë shkollë fisnike ushtrimesh, duke përdorur për vaj furnizimin e Shpirtit. Dhe megjithëse bie një herë, dy herë, shumë herë në stërvitjen tënde, mos u dëshpëro, por qëndro përsëri dhe lufto; dhe mos u dorëzo derisa të kesh lidhur mbi vete kurorën e lavdishme të triumfit mbi djallin dhe të kesh të grumbulluara për kohën e ardhshme pasuritë e virtytit në një thesar të paprekshëm.

Sepse nëse do të vendosje veten në zakonet e këtij vetëkontrolli fisnik, atëherë, edhe kur të heqësh dorë, nuk do të jesh në gjendje të shkelësh ndonjë nga urdhërimet, zakonet do të imitojnë qëndrueshmërinë e natyrës. Po, ashtu siç është e lehtë të flesh, të hash, të pish, dhe të marrësh frymë, po ashtu edhe veprat e virtytit do të jenë të lehta për ne, dhe do të korrin për ne atë kënaqësi të pastër, duke qëndruar në një port pa valë, dhe duke shijuar qetësinë e vazhdueshme, dhe me një ngarkesë të madhe duke sjellë anijen tonë në port, në atë qytet, në atë ditë; dhe do të arrijmë te kurorat e pathyeshme, te cilat mund t’i arrijmë të gjithë ne, me anë të hirit dhe dashurisë për njeriun të Zotit tonë Jisu Krishtit, për të cilin i takojnë gjithë lavdia dhe fuqia, tani dhe përherë, e në jetë të jetëve. Amin.


No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • Frytet e Shpirtit të Shenjtë !
    4 Oct, 2025
  • KU NA ÇON AXHENDA E INDETITETIT GJINOR (SHPREHJE GJINORE)
    1 Oct, 2025
  • Homelia XI mbi Ungjillin sipas Mateut
    30 Sep, 2025
  • Shpirti i Shenjtë: Drita dhe Forca e Jetës Ortodokse !
    30 Sep, 2025
  • FALJA: UDHËZIMI I SHENJTORËVE !
    25 Sep, 2025
  • Verbëria fizike vs verbëria shpirtërore !
    24 Sep, 2025
  • Homelia X mbi Ungjillin sipas Mateut
    19 Sep, 2025
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako