Homelia X mbi Ungjillin sipas Mateut
Homelia IX
"Në ato ditë erdhi Joan Pagëzori, duke predikuar në shkretëtirën e Judesë dhe duke thënë: Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër".
Përse thuhet "në ato ditë"? Sepse sigurisht, Ai nuk erdhi në Nazaret kur ishte fëmijë, por vjen tridhjetë më vonë, kur Joani vjen për të predikuar; siç dëshmon edhe Llukai. Atëherë, pse thuhet “në ato ditë”? Sepse shkrimi e ka zakon të përdorë gjithmonë këtë mënyrë të të folurit, jo vetëm kur përmend atë që ndodh menjëherë pas kësaj, por edhe për gjërat që do të ndodhin shumë vite më vonë. Kështu për shembull, është rasti kur dishepujt e Tij erdhën tek Ai në Malin e Ullinjve dhe kërkonin të mësonin për ardhjen e Tij dhe marrjen e Jerusalemit: dhe megjithatë ju e dini se sa e madhe është diferneca kohore midis atyre periudhave. Dua të them se, pasi foli për përmbysjen e qytetit nënë, dhe po përfundonte fjalimin e Tij për këtë temë dhe duke qenë gati të thoshte përfundimin, ai shtoi: "Atëherë do të ndodhin edhe këto gjëra;" pa lidhur kohën e diskutuar me fjalën "atëherë", por duke treguar vetëm kohën në të cilën do të ndodhin këto gjëra. Dhe këtë gjë bën edhe tani, duke thënë: "Në ato ditë". Sepse kjo nuk nënkupton ditët që vijnë menjëherë pas, por ato në të cilat do të ndodhnin këto gjëra, të cilat ai po përgatitej të tregonte.
"Por pse ndodhi pas tridhjetë vjetësh," mund të pyesë dikush, "që Jisui erdhi për pagëzimin e Tij"? Pas këtij pagëzimi, Ai duhej të hiqte ligjin; prandaj edhe priti deri në këtë periudhë, që është koha që pranon të gjitha mëkatet, ndërkohë që Ai vazhdon të përmbushë të gjitha gjërat; që askush të mos thotë, se për shkak se Ai vetë nuk mund ti përmbushte ato, prandaj edhe i hoqi. Sepse as të gjitha pasionet nuk na sulmojnë në çdo kohë; por ndërsa në periudhën e parë të jetës ka shumë veprime që bëhen pa u menduar dhe me ndrojtje, në atë që vjen pas saj periudhe, kënaqësia është më e zjarrtë, më vrullshme dhe përveç kësaj është edhe dëshira për pasuri. Për këtë arsye ai pret që të arrijë moshën e Tij të rritur dhe gjatë gjithë kësaj kohe e përmbush ligjin, dhe kështu vjen tek pagëzimi i Tij, duke e shtuar atë si diçka që vjen pas mbajtjes së plotë të të gjitha urdhërimeve të tjera.
Për të vërtetuar se kjo ishte për Atë vepra e fundit e atyre të urdhëruara nga ligji, dëgjoni vetë fjalët e Tij që thotë: "Sepse kështu na duhet të përmbushim çdo drejtësi." Tani, ajo çfarë Ai thotë është në këtë mënyrë: "Ne i kemi kryer të gjitha detyrat e ligjit, ne nuk kemi shkelur as edhe një urdhërim. Meqenëse vetëm kjo ka mbetur pa u kryer, edhe kjo duhet të shtohet, dhe kështu do të "plotësojmë të gjitha drejtësitë." Sepse Ai këtu e quan me emrin "drejtësi" kryerjen e plotë të të gjithave urdhërimeve.
2. Tani, që për këtë arsye Krishti erdhi në pagëzim, është e qartë pikërisht prej kësaj. Por përse u caktua ky pagëzim për Atë? Sepse djali i Zakarias nuk shkoi për atë qëllim nga vetja, por u shty nga Zoti. Madje kështu deklaron edhe Llukai, kur thotë, "Fjala e Zotit erdhi te ai", që do të thotë është urdhërimi i Zotit. Madje dhe ai vetë thotë, "Ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë, ai më tha: “Tek ai që do të shohësh Shpirtin që zbret si një pëllumb dhe qëndron mbi Të, ai është Ai që do pagëzojë me Frymën e Shenjtë.” Madje, përsëri Pagëzori na e bën të qartë, duke thënë: "Unë nuk e njihja, por që t'i zbulohej Izraelit, prandaj erdha të pagëzoj me ujë".
A ishte kjo e vetmja arsye, siç thotë Llukai, që "ai erdhi në krahinën rreth Jordanit, duke predikuar pagëzimin e pendimit për faljen e mëkateve?" Deri në këtë moment nuk kishte falje, por kjo dhuratë i përkiste pagëzimit që ishte dhënë më vonë; sepse "ne u varrosëm me Të" dhe njeriu ynë i vjetër u kryqëzua më pas bashkë me Të dhe para kryqit nuk shfaqet askund falje; sepse kudo kjo i atribuohet gjakut të Tij. Dhe Pavli gjithashtu tha: "por u latë, u shenjtëruat", jo nga pagëzimi i Joanit, por "me anë të emrit të Jisu Krishtit dhe me anë të Frymës së Perëndisë tonë." Dhe diku tjetër ai thotë: "Joani predikoi me të vërtetë një pagëzim pendimi," (ai nuk thotë "për falje") "që ata të besonin në Atë që do të vinte pas tij." Sepse kur kryqëzimi nuk kishte ndodhur ende, Shpirti i Shenjtë nuk kishte zbritur akoma, as mëkati nuk ishte hequr, as armiqësia nuk ishte hequr, as mallkimi nuk ishte shkatërruar; atëherë si mund të ndodhte falja?
Çfarë do të thotë atëherë, "për faljen e mëkateve?"
Judenjtë ishin të pandjeshëm për mëkatet e tyre dhe nuk e ndjenin përgjegjësinë që kishin për veprat e tyre të këqija. Edhe pse ata ishin përgjegjës për mëkate të rënda, ata e justifikuan veten në çdo lloj mënyre. Kjo sjellje solli shkatërrimin e tyre dhe i largoi ata nga besimi. Për shembull, Pavli i akuzonte ata për këtë gjë kur thoshte se "duke mos njohur drejtësinë e Perëndisë, edhe duke kërkuar të vendosin drejtësinë e tyre, nuk iu bindën drejtësisë së Perëndisë." Dhe çfarë duhet të themi atëherë? Që Judenjtë që nuk po kërkojnë për drejtësi kanë arritur drejtësi, ndërsa Izraeli, që ndoqi ligjin e drejtësisë, nuk arriti drejtësinë e ligjit. Pse? Sepse ata nuk e kërkonin atë me anë të besimit, por sikur të ishte nga veprat.
Meqenëse ky ishte shkaku i të këqijave të tyre, Joani vjen, duke mos bërë gjë tjetër veçse duke i bërë të kuptojnë mëkatet e tyre. Këtë, ndër të tjera, e deklaroi edhe vetë veshja e tij, që ishte e pendimit dhe e rrëfimit. Këtë e tregonte edhe ajo që ai predikoi, sepse ai nuk tha asgjë tjetër, por "të jepni fryte të përshtatshme për pendim". Meqenëse mos dënimi i mëkateve të tyre, siç na ka shpjeguar edhe Pavli, i bëri ata të largoheshin nga Krishti, ndërgjegjësimi ndaj po këtyre mëkateve do t'i shtynte ata të dëshironin të kërkonin Shpëtimtarin e tyre dhe ta kërkonin faljen. Joani vjen për të ndodhur pikërisht kjo gjë dhe për t'i bindur që ata të pendoheshin, jo për t'u ndëshkuar, por që të bëheshin më të përgjegjshëm me anë të pendesës, dhe duke dënuar veten, ata të mund të merrnin shumë shpejt faljen e mëkateve të tyre.
Por le të shohim se si e ka shprehur saktësisht. Pasi ka thënë se ai "erdhi duke predikuar pagëzimin e pendimit në shkretëtirën e Judesë", ai shton "për falje", sikur të thoshte që për këtë qëllim ai i inkurajoi ata të pranojnë dhe të pendohen për mëkatet e tyre; jo për ndëshkim, por për të pranuar më lehtë faljen e mëpasme. Sepse nëse nuk e kishin dënuar vetveten, nuk do të kishin mundur të kërkonin hirin e Tij; dhe pa kërkuar, nuk do të kishin mundur të merrnin faljen.
Kështu ai pagëzim hapte rrugën për këtë gjë. Për këtë arsye ai shtoi gjithashtu se "ata duhet të besojnë në Atë që do të vijë pas tij"; bashkë me atë që është përmendur më parë, duke nxjerrë në pah këtë arsye tjetër të pagëzimit të Tij. Sepse as nuk do t'i shkonte aq shumë të kishte shkuar nëpër shtëpitë e tyre dhe të kishte çuar Krishtin përreth, duke e kapur për dore dhe të thoshte: "Besoni në këtë njeri", sa për të dëgjuar zërin e bekuar të lartësuar dhe për të parë të gjitha këto gjëra të kryera para syve të të gjithëve.
Për këtë Ai vjen në pagëzim. Në fakt si merita e atij që pagëzonte, por edhe vetë qëllimi i kësaj gjëje, që të dyja po tërhiqnin vëmendjen e tërë qytetit dhe ftonin drejt lumit Jordan; dhe kjo bëri që pagëzimi të kthehej në një shfaqje të madhe.
Prandaj ai i përul ata edhe kur ata vijnë i bind që të mos kenë fantazi të larta për veten e tyre; duke u treguar atyre që janë të prekshëm nga të këqijat më të mëdha, nëse ata nuk pendohen, dhe duke i inkurajuar që të lënë pasardhësit e tyre, dhe të gjithë krenarinë e tyre, për të pranuar Atë që po vinte.
Sepse në fakt gjërat lidhur me Krishtin kishin qenë të fshehura deri në atë kohë, dhe shumë besonin se ai ishte i vdekur, për shkak të masakrës që ndodhi në Betlehem. Edhe pse në moshën dymbëdhjetë vjeçare Ai e zbuloi Veten, megjithatë Ai gjithashtu shpejt e mbuloi veten përsëri. Dhe për këtë arsye kishte nevojë për atë fillim të shkëlqyer dhe të lartë. Prandaj edhe atëherë për herë të parë ai me zë të qartë shpall gjëra që Judenjtë nuk i kishin dëgjuar kurrë, as nga profetët, as nga ndonjë tjetër; duke përmendur qiellin dhe mbretërinë atje, dhe duke mos thënë më asgjë që prek apo që ka lidhje me tokën.
Por me mbretërinë në këtë vend ai nënkupton ardhjen e Tij të mëparshme dhe të fundit.
3. "Përse kjo është e rëndësishme për hebrenjtë?" mund të pyesë dikush, "ata nuk e kuptojnë as atë që ti thua." "Epo", thotë ai, "unë flas kështu që ata, duke u provokuar nga thellësia e fjalëve të mia, të fillojnë të kërkojnë Atë që unë predikoj." Në të vërtetë, ai i frymëzoi ata me shpresa të mira kur u afruan, deri në atë pikë që shumë tagrambledhës dhe ushtarë pyetën se çfarë duhet të bëjnë dhe si të drejtojnë jetën e tyre; kjo ishte një shenjë që ata filluan të liroheshin nga gjithçka në botën e tyre dhe të ktheheshin drejt qëllimeve më të mëdha, dhe gjërave që do të vinin. Po, për të gjithë, si pamjet ashtu edhe fjalët e asaj kohe, i bënë që të mendonin për gjëra më të larta.
Imagjino sa gjë e madhe ishte të shihje një njeri pas tridhjetë vjetësh që zbriste nga shkretëtira, një person i ndritur dhe i respektuar, i cili nuk kishte përjetuar kurrë nevojat e përditshme të njerëzve dhe që ishte biri i një kryeprifti dhe kishte Isaian me vete. Sepse edhe ai ishte i pranishëm duke e shpallur atë dhe duke thënë: ''Ky është ai që thashë se duhet të vijë duke thirrur me zë të lartë dhe duke e predikuar në mbarë shkretëtirën me zë të qartë''. Sepse aq e madhe ishte serioziteti i profetëve në lidhje me këto gjëra, saqë jo vetëm Zotin e tyre, por edhe atë që do të shërbejë pranë Tij, ata e shpallnin një kohë të gjatë përpara, dhe ata jo vetëm që e përmendën atë, por edhe vendin ku ai do të qëndronte, dhe mënyrën e doktrinës që do të mësonte kur të vinte, dhe efektin pozitiv që do të kishte tek njerëzit.
Shihni, të paktën, se si profeti Isaia dhe Pagëzori shkojnë në të njëjtat ide, por jo në të njëjtat fjalë.
Profeti Isaia thotë se Ai do të vijë duke thënë këto fjalë: “Bëni gati udhën e Zotit, bëni të drejta rrugët e tij." Dhe Joani vetë, kur erdhi, tha: "Prodhoni frytet që i përshtaten pendimit," e cila korrespondon me "Bëni gati udhën e Zotit." A e shini, që si me fjalët e profetit, ashtu edhe me predikimin e tij, është shfaqur një gjë e vetme: ai kishte ardhur, duke hapur një rrugë dhe duke e përgatitur më parë, jo duke dhuruar dhuratën e faljes, por duke rregulluar në kohën e duhur shpirtrat e atyre që do të pranonin Zotin e të gjithëve.
Llukai shpreh diçka më tej, duke mos përsëritur fillimin, por duke përfshirë të gjithë profecinë, që përmbushet me ardhjen e Jisu Krishtit: “Çdo luginë e thellë do të mbushet, dhe çdo mal e kodër do të ulet, edhe të shtrembërat do të bëhen të drejta, edhe udhët e ashpra të sheshta; edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë”. A mund ta kuptosh se si profeti Isaia ka parashikuar gjithçka me fjalët e tij? Kështu, kur thotë, "Çdo luginë do të mbushet, dhe çdo mal dhe kodër do të bjerë poshtë, dhe rrugët e shtrembëta do të bëhen të drejta," ai po tregon lartësimin e të vuajturve, poshtërimin e kryeneçve, dhe ndryshimin e vështirësisë së ligjit në lehtësinë e besimit. Nuk është më nevoja për mundime dhe punë të rënda, thotë ai, por për hir dhe falje të mëkateve, që ofrojnë një lehtësim të madh për shpëtim. Pastaj ai përmend arsyen e këtyre gjërave, duke thënë, “edhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë;" jo më vetëm judenjtë dhe prozelitët, por edhe gjithë toka dhe deti, dhe gjithë raca e njerëzve. Sepse me "gjërat e shtrembëta" ai nënkuptonte tërë jetën tonë të korruptuar, tagrambledhësit, prostitutat, hajdutët, magjistarët, të gjithë ata që ishin të çoroditur më parë, ecën në rrugën e duhur: ashtu siç tha edhe Ai vetë, “se tagrambledhësit dhe të përdalat shkojnë më përpara se ju në mbretërinë e Perëndisë”, sepse ata besuan. Dhe me fjalë të tjera profeti Isaia thotë të njëjtën gjë, duke thënë: "Atëherë ujqërit dhe qengjat do të kullosin bashkë", siç ndodh këtu, me kodrat dhe luginat, ai nënkupton se karakteret e ndryshme të njerëzve kombinohen në një nivel të njëjtë të vetëkontrollit. Po ashtu, duke përdorur karakteret e kafshëve për të treguar ndryshimet në sjellje të njerëzve, ai foli përsëri për lidhjen e tyre në një dhe të njëjtin nivel harmonie të shenjtërisë. Ashtu si më parë, ai deklaroi arsyen. Arsyeja është: “Ai që do të ngrihet të mbretërojë mbi kombet, tek ai do të shpresojnë kombet” njësoj si këtu ai tha: "Çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë", pra kudo duke deklaruar se fuqia dhe njohuria e Ungjijve do të përhapej deri në skajet e e dheut, duke e kthyer gjininë njerëzore, nga një prirje brutaliste dhe një temperament i egër në diçka shumë të dashur dhe të butë.
4. “Edhe ky Joani kishte veshjen e tij prej lesh gamileje, edhe brez lëkure rreth mesit të tij”.
Vini re se si profetët parathanë disa gjëra ndërsa disa të tjera ua lanë ungjillorëve. Prandaj edhe Mateu i vendos të dyja të udhëhequra nga ato që ata shihnin në ato momente, për të ruajtur kujtesën e atij njeriu të bekuar; ose më mirë, për të sjellë më shumë mrekulli. Sepse njëri u rrit në qytet dhe në shtëpi, kurse tjetri banoi tërësisht në shkretëtirë që prej vegjëlisë. Sepse largoi të gjitha sëmundjet e lashta, mundimin, mallkimin, pikëllimin; edhe ai vetë të ketë disa shenja të një dhurate të tillë dhe të vijë menjëherë për të qenë mbi atë dënim. Ai as lëronte tokën, as nuk hapi brazda, as nuk hëngri bukën e tij me djersën e ballit, por tryeza e tij mbushej me shpejtësi, dhe rrobat e tij siguroheshin më lehtë sesa tryeza dhe strehimi i tij dhe strehimi i tij ishte më pak i vështirë se veshja e tij. Sepse ai nuk kishte nevojë as për çati, as për shtrat, as për tryezë, as ndonjë nga këto gjëra, por ai shfaqi një jetë engjëllore në mishin tonë. Për këtë arsye vetë veshja e tij ishte prej leshi, që me mënyrën e veshjes së tij t'i udhëzonte njerëzit të ndaheshin nga të gjitha gjërat njerëzore dhe të mos kishin asgjë të përbashkët me tokën, por të shpejtonin në fisnikërinë e tyre të mëparshme, aty ku Adami ishte përpara se të dëshironte veshje apo mantel. Kështu, ajo veshje mbante shenja të asgjëje më pak sesa të një mbretërie dhe të pendimit.
Dhe mos më thuaj: "Nga i gjeti ai rrobat e leshit dhe brezin; kur ai banonte në shkretëtirë?". Sepse nëse do ti ndërlikosh këto gjëra, do të pyesësh edhe për më shumë të tjera; si ai kalonte dimrin dhe verën në shkretëtirë, duke pasur një trup të ndjeshëm në një moshë të re? Si mund të durojë trupi i tij i vogël këto ndryshime të mëdha të motit dhe një dietë të pazakonshme, si dhe të gjitha vështirësitë e tjera që vijnë nga jeta në shkretëtirë?
Ku janë tani filozofët e grekëve, të cilët rastësisht dhe më kot imituan paturpësinë e Cynikëve (sepse cili është përfitimi të mbyllesh në një kadë dhe më pas të vraposh në paturpësi)? Ata që e rrethuan veten me unaza dhe kupa, me shërbëtorë dhe shërbëtore, dhe me shumë madhështi të tjera, duke shkuar në ekstremet e kundërta të sjelljes njerëzore. Por ky njeri nuk ishte kështu; por ai banoi në shkretëtirë si në parajsë, duke treguar gjithë ashpërsinë e vetëpërmbajtjes. Dhe prej andej, si një engjëll nga qielli, ai zbriti në qytete, duke qenë një shembull i perëndishmërisë dhe një fitimtar i kurorëzuar mbi botën dhe një filozof i asaj filozofie që është e denjë për Qiejt. Dhe këto gjëra ndodhin kur mëkati nuk ishte hequr ende, kur ligji nuk kishte mbaruar ende, kur vdekja nuk ishte ende e lidhur, kur portat prej bronzi nuk ishin thyer ende, por ndërsa politikat e lashta ishte ende në fuqi.
E tillë është natyra e një shpirti fisnik dhe tërësisht vigjilent, sepse kudo buron përpara dhe kalon përtej kufijve që i janë caktuar; siç bëri edhe Pavli në lidhje me politikën e re.
Por pse, mund të pyesë dikush, ai përdori një brez bashkë me rrobat e tij? Kjo ishte zakonisht praktikë e njerëzve në kohët e lashta, para se njerëzit të fillonin të përdornin veshje të buta dhe të lirshme. Kështu, për shembull, edhe Pjetri ka mbajtur brez, madje edhe Pavli, sepse thuhet "brezin e Pavlit". Edhe Elias ishte i tillë, dhe të gjithë shenjtorët, sepse ata ishin gjithmonë në punë, duke punuar dhe duke u angazhuar në udhëtime, ose në ndonjë punë tjetër të nevojshme; dhe jo vetëm për këtë arsye, por edhe me synimin për të shkelur me këmbë të gjitha stolitë dhe për të praktikuar jetën asketike. Krishti vetë deklaron këtë lloj sjellje si lavdërimin më të lartë të virtytit, duke thënë, "Çfarë kishit shkuar të shihnit? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që veshin rroba të buta janë në shtëpitë e mbretërve”.
Por, në qoftë se ai, që ishte kaq i pastër dhe më i lavdishëm se qielli dhe mbi të gjithë profetët, përveç të cilit nuk u lind askush më i madh dhe që kishte një guxim kaq të madh në të folur, u ushtrua me ashpërsi, duke përçmuar kaq shumë çdo delikatesë të shthurur, dhe duke e trajnuar veten për këtë jetë të vështirë; çfarë justifikimi do të kemi ne, që pas një përfitimi kaq të madh dhe barrëve të panumërta të mëkateve tona, nuk shfaqim as pjesën më të vogël të përpjekjes të tij, por në vend të kësaj jemi duke pirë dhe duke u velur, dhe duke përdorur parfume me aroma, dhe nuk po bëjmë asgjë më të mirë sesa gratë prostitute në skenë, por po lehtësojmë veten me çdo mënyrë duke u bërë një pre e lehtë për djallin?
5. Atëherë dilte jashtë tek ai Jerusalemi edhe gjithë Judea edhe gjithë vendi përqark Jordanit; edhe pagëzoheshin në Jordan nga ai, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
A e shikoni se sa fuqi të madhe kishte ardhja e profetit? Si ai e mobilizoi të gjithë popullin dhe i udhëzoi ata të reflektonin mbi mëkatet e tyre? Ishte vërtet mahnitëse të shihje një njeri në formë njerëzore që shfaqte gjëra të tilla dhe përdorte një liri kaq të madhe të fjalës, duke i dënuar të gjithë si fëmijë dhe duke shfaqur një hir të madh, që ndriçonte nga fytyra e tij. Dhe, për më tepër, ardhja e një profeti pas një periudhe të gjatë kohore shtoi habinë e popullit, sepse një dhuratë e tillë ishte larguar prej tyre dhe ishte rikthyer pas një kohe të gjatë.
Dhe natyra e predikimit të tij ishte gjithashtu e çuditshme dhe e pazakontë, sepse ata nuk dëgjuan për asnjë nga ato gjëra me të cilat ishin mësuar; të tilla si luftërat dhe betejat, fitoret, uria, murtaja, babilonasit dhe persët, pushtimi i qytetit dhe gjëra të tjera si këto, që ishin të njohura për ta, por dëgjuan për parajsën, për mbretërinë dhe për ndëshkimin në ferr. Dhe për këtë arsye më lejoni të shtoj se edhe pse ata që kryen kryengritje në shkretëtirë, ata që ishin në shoqërinë e Judës dhe Theudasit, kishin qenë të gjithë të vrarë jo shumë kohë më parë, ata nuk u ndalën nga qëllimi për të shkuar atje, madje edhe pse kjo sjellje rrezikonte jetën e tyre. Sepse as nuk ishte për të njëjtat synime që ai i thirri, si për sundim, revoltë apo revolucion; por për t'i udhëhequr prej dore drejt mbretërisë lart. Pra, ai nuk i mbajti ata në shkretëtirë për t'u shoqëruar me ta, por i pagëzoi dhe i mësoi rregullat lidhur me vetëmohimin, dhe pastaj i la të largohen; duke i udhëzuar ata të përçmojnë çdo gjë që është në tokë, dhe të rriten në gjërat e ardhshme, dhe të përpiqeshin çdo ditë.
6. Atëherë le ta imitojmë edhe ne këtë njeri, që duke braktisur luksin dhe dehjen, të kalojmë në jetën e vetëkontrollit. Sepse kjo është padyshim koha e rrëfimit si për të pa iniciuarit ashtu edhe për të pagëzuarit; për të parët, që me pendimin e tyre të mund të marrin pjesë në misteret e shenjta; ndërsa për të dytët, pasi të kenë larë njollën që kanë marrë pas pagëzimit, t'i afrohen tryezës me ndërgjegje të pastër. Le ta braktisim atëherë këtë mënyrë të butë dhe feminate të jetesës. Sepse nuk është e mundur, që sapo të bësh pendesë të shkosh dhe të jetosh në luks. Dhe këtë le t'jua mësojë Joani me veshjen e tij, me ushqimin e tij, me banesën e tij. Ç'do të thuash, mund të pyesë dikush? Na kërkoni, edhe ne të praktikojmë një vetëmohim të tillë si ky? Nuk e kërkoj, por e këshilloj dhe e rekomandoj atë. Por nëse kjo nuk është e mundur për ju, të paktën edhe pse jetojmë në qytete le të tregojmë pendesë, sepse gjykimi sigurisht është në prag të derës tonë. Por edhe nëse do të ishte më larg, ne nuk duhet të inkurajoheshim, sepse koha e fundit të jetës së çdo njeriu është fundi i botës. Por që është edhe te dera, dëgjoni Pavlin kur thotë: "Nata u kalua, dita u afrua" dhe përsëri: "Ai që vjen do të vijë dhe nuk do të vonojë".
Sepse tashmë janë kompletuar edhe shenjat, të cilat lajmërojnë atë ditë. Sepse "ky Ungjill i Mbretërive", thotë Ai, "do të predikohet në mbarë botën si dëshmi për të gjitha kombet; dhe pastaj do të vijë fundi." Kujdesuni për atë që thuhet. Ai nuk tha, "kur të besohet nga të gjithë", por "kur ai tu jetë predikuar të gjithëve". Për këtë arsye ai tha gjithashtu: "si dëshmi për kombet", për të treguar se Ai nuk pret që të gjithë njerëzit të besojnë dhe pastaj Ai të vijë. Meqenëse shprehja "për dëshmitar" ka këtë kuptim, "për akuzë", "për qortim", "për dënim të atyre që nuk besuan".
Por ne, ndërsa i dëgjojmë dhe i shohim këto gjëra, dremisim dhe shohim ëndrra, të zhytur në një letargji, si në një natë shumë të thellë. Sepse gjërat e pranishme nuk janë asgjë më të mira se ëndrrat, qofshin ato të lumtura apo të dhimbshme. Prandaj, unë ju përgjërohem gjatë që të zgjoheni dhe të shikoni nga një anë tjetër, te Dielli i Drejtësisë. Sepse asnjë njeri gjatë gjumit nuk mund ta shohë diellin dhe as t'i kënaqë sytë me bukurinë e rrezeve të tij; por çfarëdo që të shohë, ai i sheh të gjitha si në ëndërr. Për këtë kemi nevojë për shumë pendesë dhe shumë lot; si për shkak se nuk ndërgjegjësohemi për gabimet tona, ashtu edhe për shkak se mëkatet tona janë të mëdha dhe përtej justifikimit. Dhe që nuk gënjej, pjesa më e madhe e atyre që më dëgjojnë janë dëshmitarë. Megjithatë, edhe pse mëkatet tona janë përtej justifikimeve, le të pendohemi dhe do të marrim kurorat.
7. Por me pendim nënkuptoj, jo vetëm të braktisim veprat tona të këqija të mëparshme, por edhe të tregojmë vepra të mira më të mëdha se ato. Sepse, "sillni", thotë ai, "fruta të përshtatshme për pendim." Por si do t'i sjellim? Nëse bëjmë gjëra të kundërta: si për shembull, a i ke marrë me dhunë të mirat e të tjerëve? Tani e tutje jepi edhe tënden. A keni qenë fajtor për kurvëri për një kohë të gjatë? Largohu edhe nga gruaja jote për disa ditë të caktuara; ushtro vetëpërmbajtje. A ke fyer dhe goditur ata që kalonin? Beko tani e tutje ata që të shajnë dhe bëju mirë atyre që të godasin. Sepse nuk mjafton për shëndetin tonë të kemi nxjerrë shigjetën, por duhet të aplikojmë edhe ilaçe për plagën. A ke jetuar në vetëkënaqësi dhe ke qenë i dehur në kohën e kaluar? Agjëroni dhe kujdesuni të pini ujë, në mënyrë që të shkatërroni të keqen që është rritur kaq shumë brenda jush. A e ke parë me sy të pandershëm bukurinë që i përkiste një tjetri? Tani e tutje, mos shikoni fare një grua, që të mund të qëndroni më të sigurt. Sepse thuhet: "Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën" dhe përsëri: "Le të rruajë gjuhën prej së keqes dhe buzët që të mos flasin dredhira." "Por më thuaj edhe të mirën". “Të kërkojë paqen dhe ta arrijë atë:” Unë nuk nënkuptoj paqen vetëm me njeriun, por edhe paqen me Perëndinë. Megjithatë, ne do të jemi në gjendje ta kthejmë atë përsëri, nëse do të largojmë nga ne krenarinë dhe mburrjen apo çfarëdo gjëje tjetër të ngjashme me to dhe do të vazhdojmë këtë jetë në mënyrë të përmbajtur dhe të kufizuar. Sepse asgjë nuk është më e rëndë se inati dhe zemërimi i egër. Kjo i bën njerëzit fodull dhe servilë, duke i bërë të parët qesharakë, dhe tjetrin të urryer; dhe duke sjellë vese të kundërta nga ato që duhen, si krenari dhe lajka në të njëjtën kohë. Por nëse do t'ia heqim lakminë këtij pasioni, do të jemi edhe të përulur me saktësi, edhe të lartësuar me siguri. Sepse edhe në trupin tonë të gjitha sëmundjet lindin nga teprica; dhe kur elementet e tij lënë kufijtë e tyre të duhur dhe shkojnë përtej moderimit, atëherë krijohen të gjitha këto sëmundje të panumërta dhe lloje të rënda vdekjesh. Pak a shumë, po njësoj mund të shihet se ndodh në lidhje me shpirtin.
8. Le të heqim, pra, tepricën dhe, duke pirë ilaçin e dobishëm të modestisë, të qëndrojmë në temperamentin tonë të duhur dhe t'u kushtojmë vëmendje lutjeve tona. Edhe pse nuk marrim përgjigje, le të ngulmojmë që të marrim; dhe nëse marrim, atëherë të vazhdojmë sepse kemi marrë përgjigje. Sepse nuk është aspak dëshira e Tij të shtyjë kohën e dhënies së përgjigjes së lutjes, por me një vonesë të tillë Ai bën që ne të vazhdojmë të ngulmojmë. Me këtë qëllim Ai gjithashtu e zgjat lutjen tonë dhe nganjëherë lejon që një tundim të vijë mbi ne, që ne të mund të ikim vazhdimisht për strehim tek Ai dhe pasi të kemi ikur tek Ai për strehim dhe ngushëllim, të qëndrojmë atje. Kështu veprojnë edhe etërit e dashur dhe nënat që i duan fëmijët e tyre; kur shohin fëmijët e tyre të vegjël ti braktisin ata për të luajtur me ata të moshës së tyre, prindërit bëjnë që shërbëtorët e tyre të bëjnë shumë gjëra që shkaktojnë frikë tek fëmijët, që nga një frikë e tillë ata të mund të detyrohen të kthehen për strehim dhe ngushëllim në gjirin e nënës së tyre. Kështu edhe Perëndia shpeshherë paraqet një lloj kërcënimi; jo që Ai të mund ta sjellë atë mbi ne, por që të mund të na tërheqë tek Vetja. Në çdo rast, kur ne kthehemi, ai na e largon frikën menjëherë; pasi me siguri, nëse do të ishim njësoj në tundime dhe të qetë, nuk do të kishte pasur nevojë për tundime. Por pse flas për ne? Meqenëse edhe për ata shenjtorë të mëdhenj thoshnin “Ti më ke përulur mua.” Dhe vetë Ai u tha gjithashtu apostujve: “Në botë do të keni mundime.” Dhe Pavli tregon të njëjtën gjë, kur thotë: “m’u dha një gjemb në trup, një engjëll i satanait, që të më bjerë me shuplaka". Prandaj, edhe kur kërkoi të çlirohej nga tundimi, nuk ia doli, për shkak të përfitimit të madh që kishte prej saj. Dhe nëse do të kalojmë gjithë jetën e Davidit, do ta gjejmë atë më të lavdishëm në rreziqet e tij, si atë, ashtu edhe të gjithë të tjerët që ishin si ai. Sepse Jobi shkëlqeu në atë kohë tundimesh më tepër, dhe Josifi gjithashtu në këtë mënyrë u bë më i pranuar, dhe Jakobi, dhe po ashtu edhe babai i tij; dhe të gjithë ata që vunë kurora të lavdisë, ishin nga mundimet dhe tundimet që ata fituan fillimisht kurorat, pastaj u treguan emrat e tyre.
Duke qenë të vetëdijshëm për të gjitha këto, sipas thënies së urtë, le të "mos nxitojmë në kohë telashesh", por le t'i mësojmë vetes vetëm një gjë, si t'i durojmë të gjitha me fisnikëri dhe të mos jemi kureshtarë apo kërkues për asnjë prej atyre gjërave që do të ndodhin. Sepse të dimë se kur duhet të mbarojnë mundimet tona, i takon Perëndisë që i lejon ato të na ndodhin; por në vend të kësaj le ti përballojmë ato mundime të sjella mbi ne, me gjithë mirënjohje,Krye e formularit dhe ky është një qëndrim i mirë nga ana jonë. Nëse veprojmë kështu, atëherë të gjitha bekimet tona do të vijnë pas këtyre. Prandaj, me qëllim që këto bekime të mund të na vijnë pas mundimeve dhe që ne të bëhemi më të miratuar këtu dhe më të lavdishëm në atë botë, le t'i nënshtrohemi të gjithëve, pavarësisht ç’mund të na ndodhë, sepse të gjithë falënderojmë Atë që e di çfarë është më e mira për ne, më mirë se ne dhe që na do më shumë se ata që na kanë lindur. Le të shohim këto dy mendime si një mjet për t'i përsëritur pa pushim vetes në çdo situatë të frikshme që përjetojmë. Kjo do të na ndihmojë të përballojmë ndjenjën tonë të dëshpërimit dhe në çdo gjë le të lavdërojmë Zotin, i cili ndërton dhe urdhëron çdo gjë në interesin tonë.
Sepse kështu ne do t'i zmbrapsim lehtësisht të gjitha planet armiqësore dhe do të arrijmë tek kurorat e pa korruptueshme: me hirin dhe dashurinë ndaj njeriut të Zotit tonë Jisu Krisht, të Cilit i qoftë lavdia, fuqia dhe adhurimi, së bashku me Shpirtin e Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.