Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

Homelia IX mbi Ungjillin sipas Mateut

July 29, 2025 at 12:43 pm, No comments


Shen_Joan_Gojarti_thenie_te_ndryshme-4-4.jpg


Homelia IX - MAT. II. 16.

“Atëherë Herodi, kur pa se u gënjye nga magët, u zemërua fort”

Megjithatë, me shumë siguri ky nuk ishte një rast për të pasur zemërim, por për të pasur shqetësim dhe frikë: Herodi duhej ta kishte kuptuar se po përpiqej për gjëra të pamundura. Mirpo, ai nuk ishte i përmbajtur. Sepse kur një shpirt është i pandjeshëm dhe i pashërueshëm, ai nuk i nënshtrohet asnjë prej ilaçeve të dhëna nga Perëndia. Shihni këtë njeri se si është duke i vazhduar përpjekjet e tij të mëparshme dhe duke i shtuar gabimit të tij vrasje të shumta, dhe me nxitim zbriti poshtë kudo. Sepse duke qenë i drejtuar nga një zemërim i çmendur dhe nga lakmia, si të ishte duke u drejtuar nga vetë ndonjë demon, ai nuk merr parasysh asgjë, por tërbohet edhe kundër vetë natyrës, dhe zemërimin e tij kundër dijetarëve që e kishin mashtruar, ai e shpreh mbi fëmijët që nuk kishin bërë asnjë të keqe: duke u shprehur më pas në Palestinë me një vepër të ngjashme me gjërat që ishin bërë në Egjipt. Sepse ai "dërgoi", thuhet, "dhe vrau gjithë djemtë që ishin nga dy vjeç e poshtë në Betlehem dhe në të gjitha rrethinat e tij, sipas kohës që kishte marrë vesh saktësisht nga dijetarët."

Këtu më ndiqni me kujdes. Sepse shumë gjëra shqiptohen më kot nga shumë njerëz në lidhje me këta fëmijë, dhe rrjedha e ngjarjeve është mbushur me padrejtësi, dhe pse disa prej tyre e shprehin hutimin e tyre në lidhje me këtë në mënyrë më të moderuar, ndërsa të tjerë më me shumë guxim dhe furi. Në mënyrë që t'i çlirojmë këta nga çmenduria dhe ngatërresa e tyre, le të flasim pak për këtë temë. Pra,  le të themi se nëse akuza e tyre është se fëmijët u lanë të vriteshin, atëherë ata duhet të fajësojnë gjithashtu edhe masakrën që u krye ndaj ushtarëve që ruanin Pjetrin të burgosur. Sepse në rastin këtu, kur Fëmija i vogël kishte ikur, fëmijët e tjerë masakrohen në vend të Atij që u kërkua; po kështu edhe në rastin e Pjetrit, pasi ai u çlirua nga burgu dhe nga zinxhirët me anë të një engjëlli, një emër i ngjashëm me Herodin dhe me të njëjtin zemërim, e kërkoi dhe nuk e gjeti, dhe vrau në vend të tij ushtarët që e ruanin atë.

"Por çfarë është ky shembull? mund të thotë dikush; "pse kjo nuk është një zgjidhje, por një rritje e vështirësisë sonë për ta kuptuar." Unë e kuptoj këtë, dhe për këtë qëllim i paraqes të gjitha rastet e tilla, që të gjithëve t'u jap një dhe të njëjtën zgjidhje. Cila është pra, zgjidhja e këtyre gjërave? Ose çfarë shpjegimi të drejtë mund të japim për këto? Se Krishti nuk ishte shkaku i masakrës së tyre, por mizoria e Herodit; sikurse as Pjetri nuk ishte shkaku për vrasjen e ushtarëve që e ruanin, por marrëzia e mbretit. Sepse, nëse mbreti do të kishte parë murin të çarë ose dyert të hapura, ndoshta do të kishte pasur arsye për të akuzuar ushtarët që ruanin apostullin për neglizhencë; por tani, kur të gjitha gjërat vazhduan në formën e duhur, dhe dyert u hapën gjerësisht dhe zinxhirët u fiksuan në duart e atyre që e mbanin të burgosur (sepse në fakt ushtarët ishin të lidhura me to), ai mund të kishte nxjerrë përfundime nëpërmjet këtyre gjërave (d.m.th., nëse do të kishte qenë në mënyrë rigoroze në rolin e gjyqtarit për të gjykuar çështjet që ndodhën), se ngjarja nuk ishte e ndonjë fuqie apo e ndonjë mjeshtërie njerëzore, por e një fuqie hyjnore dhe mrekullibërëse; kështu ai mund ta kishte adhuruar Atë që bën këto gjëra, në vend që të bënte luftë me rojet. Sepse Perëndia kishte bërë të gjitha ato që bëri, saqë, aq larg sa me të ekspozuarit të rojeve, Ai me mjetet e tyre e çoi mbretin drejt së vërtetës. Por nëse mbreti u tregua i pakuptimtë, do të thotë gjë kjo për Mjekun e Shpirtrave, për Atë që i menaxhon të gjitha gjërat për të bërë mirë, apo për mosbindje të atij që është i sëmurë?

Dhe vetëm kjo mund të thuhet në rastin konkret. Pse, o Herod, pse zemërohesh që të gënjyen dijetarët? A nuk e dije se lindja ishte hyjnore? A nuk i thirre krerët e priftërinjve? A nuk i mblodhët skribët? A nuk i sollën ata dhe profecitë me vete në gjykatën tënde të gjyqit, duke shpallur këto gjëra që ishin thënë më parë që nga lashtësia? A nuk e ke parë sesi gjërat e vjetra përputheshin me të rejat? A nuk ke dëgjuar që edhe një yll u ka shërbyer këtyre njerëzve? A nuk e nderove zellin e barbarëve? A nuk u mrekullove me guximin e tyre? A nuk u tmerrove nga e vërteta e profetit? A nuk e kuptove edhe ngjarjen e fundit nga gjërat e mëparshme? Përse nuk arsyetove me veten tënde për të gjitha këto gjëra, se kjo ngjarje nuk ishte nga mjeshtëria e njerëzve të mençur, por e një Fuqie Hyjnore, që shpërndante siç duhet të gjitha gjërat? Edhe sikur të mashtroheshit nga dijetarët, çfarë ishte ajo që ndodhi me fëmijët e vegjël që nuk kishin bërë asnjë të keqe?

3. "Po", mund të thotë dikush, "Herodin e ke privuar plotësisht nga justifikimi dhe e tregove të etur për gjak; por nuk e ke zgjidhur ende çështjen në lidhje me padrejtësinë e asaj që ndodhi. Sepse, nëse ai veproi padrejtësisht, përse Perëndia e lejoi?" Tani, çfarë duhet të themi për këtë? Atë që nuk pushoj së thënë vazhdimisht, në kishë, në treg dhe kudo; atë që dëshiroj gjithashtu ta keni parasysh me kujdes, sepse ka një lloj rregulli për ne, të përshtatshëm për çdo ngatërrim të tillë. Cili është, pra, rregulli ynë dhe çfarë themi? Edhe pse ka shumë që bëjnë padrejtësi, nuk ka asnjë që bëhet viktimë e padrejtësisë. Dhe në mënyrë që ajo që po ju them të mos ju duket e pakuptueshme, unë do ju jap edhe zgjidhjen me shpejtësi. Me këtë dua të them, se ajo që ne mund të vuajmë padrejtësisht nga çdokush, na tregon gjithashtu edhe për shlyerjen e mëkateve tona, duke e vendosur atë padrejtësi në llogarinë tonë para Zotit; për rikompensim të shpërblimeve.

Tani të njëjtin llogari duhet ta bëjmë edhe në lidhje me vuajtjet tona. Sepse për sa i përket asaj që mund të vuajmë padrejtësisht, ose kemi shlyer mëkate, ose marrim kurora më të lavdishme, nëse shuma e mëkateve tona nuk është aq e madhe: dëgjoni çfarë thotë Pavli për atë që kishte kryer kurvëri, "T’ia dorëzoni të këtillin Satanait për shkatërrimin e mishit, që t’i shpëtojë shpirti në ditën e Zotit Jisu." "Po çfarë është kjo?" mund të thuash, "sepse biseda ishte për ata që u lënduan nga të tjerët, jo për ata që korrigjohen nga mësuesit e tyre". Unë mund të përgjigjem se nuk ka asnjë ndryshim; sepse ideja ishte, të vuash të keqen nuk është një poshtërim për të vuajturin. Por, për ta sjellë argumentin tim më afër pikës së pyetjes; kujtoni Davidin, se si, kur në një moment e pa Shimein duke e sulmuar, duke e nëpërkëmbur pikëllimin e tij dhe duke derdhur mbi të fyerje të pafundme, ndërsa kapitenët e tij donin ta vrisnin, ai nuk ua ndaloi fare, por tha: "Duhet ta duroj këtë poshtërim; ndoshta Zoti do të ketë mëshirë për mua dhe do ta shndërrojë mallkimin në bekim." Dhe në Psalmet gjithashtu në këndimin e tij, ai tha: "Shikoji armiqtë e mi, o Zot, kam kaq shumë dhe më urrejnë padrejtësisht" dhe "fali të gjitha mëkatet e mia." Dhe Llazari përsëri për të njëjtën arsye gëzoi falje, duke vuajtur në këtë jetë të këqija të panumërta.

Prandaj, atyre që u bëhet padrejtësi, nuk u bëhet padrejtësi nëse e përballojnë me fisnikëri gjithçka që vuajnë, por, më saktë fitojnë edhe më shumë, qofshin të goditur nga Perëndia ose të fshikulluar nga djalli. 3. "Por çfarë lloj mëkati kishin këta fëmijë," mund të thuhet, "që duhet ta hiqnin? Sepse në lidhje me ata që janë në moshë madhore dhe që kanë qenë fajtorë për shumë neglizhenca, mund të flitet me arsyetim, por ata fëmijë që pësuan vdekje të parakohshme, çfarë lloj mëkatesh hoqën me vuajtjet e tyre?" A nuk më dëgjove se thashë, se edhe pse nuk kishin mëkate, do të ketë një rikompensim të shpërblimeve në jetën e ardhshme për ata që vuajnë këtu? Atëherë,  ku u lënduan fëmijët e vegjël kur u vranë për një shkak të tillë dhe u dërguan me shpejtësi në atë liman të patrazuar? "Sepse," mund të thotë dikush, "ata në shumë raste do të mund të kishin arritur të bënin, po të kishin jetuar, shumë vepra të mëdha mirësie" Pse, për këtë arsye, Ai nuk u përgatit atyre ndonjë shpërblim të vogël paraprakisht, duke përfunduar jetën e tyre për një arsye të tillë. Po ashtu, nëse fëmijët do të ishin bërë persona të rëndësishëm, Ai nuk do t'i kishte lejuar të merrnin fund paraprakisht. Sepse nëse ata që në fund jetojnë në keqdashje të vazhdueshme janë duruar nga Ai me një durim të madh, akoma dhe më shumë nuk do t'i lejonte këta fëmijë të merrnin fund nëse Ai do të kishte parashikuar se ata do të arrinin diçka të madhe.

Dhe këto janë arsyet që duhet të japim; megjithatë këto nuk janë të gjitha; por ka edhe të tjera më të mistershme se këto, të cilat Ai i njeh në mënyrë të përsosur, që vetë i urdhëron këto gjëra. Atëherë le t'ia lëmë Atij kuptimin më të përsosur të kësaj çështjeje dhe le të përqendrohemi në atë që vjen më pas, dhe me anë të fatkeqësive të të tjerëve le të mësojmë të durojmë të gjitha gjërat me lavdi. Po, sepse ishte vërtet  një skenë e madhe e vuajtjeve, ajo që ndodhi atëherë në Betlehem, fëmijët u shkëputën nga gjiri i nënës së tyre dhe u çuan drejt kësaj vrasjeje të padrejtë.

Dhe nëse ende je i dobët në zemër dhe nuk je i aftë të kontrollosh veten në këto gjëra, mëso fundin e atij që guxoi ti bënte të gjitha këto dhe shërohu sadopak. Sepse shumë shpejt ai u vu nën dënim për këto gjëra; dhe ai pagoi dënimin e duhur për një veprim kaq të neveritshëm, duke përfunduar jetën me një vdekje të dhimbshme dhe madje më të dhimbshme se vetë ajo që ai guxoi të shpërndante duke përjetuar edhe më shumë vuajtje të pashmangshme, të cilat mund t'i mësoni duke lexuar përshkrimin e këtyre ngjarjeve nga Josifi. Por, për të mos e zgjatur fjalimin tonë dhe për të mos ndërprerë vazhdimësinë e tij, nuk e kemi menduar të nevojshme ta fusim këtë rrëfim në atë që po themi.

4. Atëherë u përmbush ç'ishte thënë nga profeti Jeremia, duke thënë: "Zë u dëgjua në Rama, vaj e të qarë e gjëmë shumë. Rakela qante djemtë e saj, edhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë”.

Kështu duke e mbushur dëgjuesin me frikë duke treguar këto gjëra: për vrasje kaq të dhunshme dhe të padrejta, kaq të egra dhe të paligjshme; ai e ngushëllon përsëri duke thënë: Kjo nuk ndodhi për shkak të pamundësisë së Zotit për ta parandaluar, as për shkak të mungesës së dijes së Tij, por kur Ai e dinte, e parashikoi dhe e tregoi këtë me zë të lartë përmes profetit të Tij. Mos u shqetësoni dhe mos u dëshpëroni, duke shikuar drejt kujdesit të Tij të pashprehshëm, të cilin mund ta shohësh më së miri, si në atë që Ai bën, ashtu edhe në atë që Ai lejon. Ai e dha të kuptohej edhe në një vend tjetër, kur fliste me dishepujt e Tij. Mendoj tek ajo pjesë ku, pasi i paralajmëroi ata për gjykatat, ekzekutimet, luftërat e botës dhe betejën që nuk njeh pushim, për të ofruar shpirtin e tyre dhe për t'i ngushëlluar, tha, "A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? Megjithatë asnjë prej tyre nuk bie në tokë pa vullnetin e Atit tuaj." Me këto fjalë, Ai tregoi se asgjë nuk ndodh pa dijeninë e Tij, por ndërsa Ai di gjithçka, nuk vepron në të gjitha." Atëherë mos u shqetëso," thotë Ai, "dhe mos u trondit." Sepse nëse Ai di çfarë vuani dhe ka fuqi për ta penguar, është e qartë se është nën providencën  dhe kujdesin e Tij, që Ai nuk e pengon. Dhe këtë duhet ta mbajmë mend gjatë gjithë kërcënimeve që mund të kemi, dhe atëherë do të jetë shumë ngushëlluese.

Por, mund të pyes dikush, çfarë lidhje ka Rakela me Betlehemin? Sepse thuhet: "Rakela po qan për fëmijët e saj". Dhe çfarë lidhje ka Rama me Rakelën? Rakela ishte nëna e Beniaminit dhe pas vdekjes së tij, e varrosën tek fusha e kuajve që ndodhej afër këtij vendi. Varri ishte atëherë afër dhe pjesa i përkiste Beniaminit foshnjës së saj (sepse Rama ishte nga fisi i Beniaminit), nga kreu i fisit fillimisht dhe më pas nga vendi i varrimit të saj, prandaj Ai natyrshëm i emërton si fëmijët e saj të vegjël ata që u masakruan. Më pas për të treguar se plaga që i ra ishte e pashërueshme dhe mizore, Ai thotë, "ajo nuk donte të ngushëllohej sepse ata nuk janë më”.

Prandaj, përsëri na mësohet kjo, që e përmenda më parë, të mos konfuzohemi kurrë kur ajo që po ndodh është në kundërshtim me premtimin e Zotit. Shikoni, për shembull, kur Ai erdhi për shpëtimin e njerëzve, ose më mirë për shpëtimin e botës, të çfarë lloji ishin fillimet e Tij. Nëna e tij, që largohet; vendi i lindjes së Tij që përfshihet në fatkeqësi të pandreqshme dhe ndodh vrasje, vrasja më e hidhur prej të gjithave, dhe ka vajtim dhe zi të madhe. Por mos u trishtoni, sepse për Atë është e zakonshme të kryejë planet e Tij përmes kontrastit të tyre, duke na ofruar kështu një dëshmi shumë të madhe të fuqisë së Tij. Kështu Ai udhëhoqi edhe dishepujt e Tij, dhe i përgatiti ata të bënin detyrën e tyre, duke i sjellë të gjitha gjërat përmes kontrasteve, që mrekullia të ishte më e madhe. Ata, gjithmonë, duke u rrahur dhe duke u persekutuar, dhe duke përjetuar tmerr pa fund, kështu fituan kundër atyre që i godisnin dhe i persekutonin.

5. "Por kur Herodi vdiq, ja, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Josifit duke thënë: "Çohu, merre fëmijën dhe nënën e Tij dhe shko në tokën e Izraelit".

Ai nuk thotë më "ik," por "shko." A e sheh prapë, pas tundimit, që vjen gëzimi? Pastaj pas gëzimit, rrezik përsëri? Në fakt ai u çlirua nga izolimi i tij, dhe u kthye prapë në vendin e tij; dhe pa vrasësin e fëmijëve të dërguar në masakër; por kur ka vendosur këmbët në vendin e Tij të lindjes, gjen prapë një mbetje të rreziqeve të mëparshme, të birin e Herodit që jetonte dhe ishte mbret. Por si mundi Arhelau të sundonte mbi Judenë, kur Ponti Pilat ishte guvernatori? Vdekja e Herodit kishte ndodhur së fundmi, dhe mbretëria ende nuk ishte ndarë në pjesë të shumta; kështu që pasi Herodi kishte ndërruar jetë, i biri për një kohë mbajti kontrollin mbi mbretërinë "në vend të atit të tij Herod"; vëllai i tij gjithashtu ruajti këtë emër, kjo është arsyeja pse ungjillori shtoi, "në vend të atit të tij Herod."

Megjithatë, mund të thuhet se "nëse Josifi kishte frikë të vendosej në Jude për shkak të Arhelaut, ai kishte arsye të frikësohej edhe nga Galilea për shkak të Herodit". Unë përgjigjem: Me ndryshimin e vendit, e gjithë çështja u hodh në hije; sepse i gjithë sulmi ishte mbi "Betlehemin dhe rrethinat e tij". Prandaj, tani që masakra kishte ndodhur, i riu Arhelau nuk kishte ndonjë mendim tjetër, por se e gjitha kishte marrë fund. Dhe përveç kësaj, pasi i ati i Arhelaut kishte arritur një fund të tillë të jetës së tij, para syve të djalit të tij, ai u bë në të ardhmen më i kujdesshëm për procedurat e mëtejshme dhe për nxitjen ndaj rrugës të paudhësisë.

Prandaj Josifi vjen në Nazaret, pjesërisht për të shmangur rrezikun, pjesërisht edhe për shkak të dëshirës për të qëndruar në vendlindjen e tij. Për t'i dhënë më shumë kurajo, ai merr edhe një orakull nga engjëlli lidhur këtë çështje. Llukai, megjithatë, nuk thotë se ai erdhi atje me paralajmërim hyjnor, por se, pasi kishin kryer të gjithë pastrimin, u kthyen në Nazaret. Atëherë, çfarë mund të tregojë kjo? Kjo tregon se Llukai flet për kohën para ikjes së tyre në Egjipt, kur thotë këto gjëra. Sepse ai nuk do t'i sillte në Egjipt përpara pastrimit, që të mos bëhej asgjë në kundërshtim me ligjin, por priti që nëna e Fëmijës të pastrohej dhe të shkonte në Nazaret dhe pastaj të zbrisnin në Egjipt. Pastaj, pas kthimit të tyre, Ai i urdhëron të shkojnë në Nazaret. Por para kësaj ata nuk ishin paralajmëruar nga Perëndia që të shkonin atje, por me dëshirë të madhe për vendin e tyre të lindjes, ata e bënë këtë. Sepse, pasi kishin shkuar në Betlehem vetëm për shkak të regjistrimit të popullsisë dhe nuk kishin as vend ku të qëndronin, pasi kishin kryer atë për të cilën kishin shkuar atje, ata u kthyen në Nazaret.

6. Ne shohim këtu shkakun pse edhe engjëlli, duke i qetësuar për të ardhmen, i kthen në shtëpinë e tyre. Dhe jo edhe kaq thjesht, por madje i shton asaj një profeci, duke thënë: "Që të përmbushet ajo e cila u tha nga profetët: Ai do të quhet Nazaretas".

Dhe cili profet e tha këtë? Mos jini kurioz dhe as mos u merrni me detaje. Sepse shumë nga shkrimet profetike kanë humbur; dhe këtë mund ta shohim nga historia e Kronitasve. Për shkak të neglizhencës dhe duke rënë vazhdimisht në pabesi, disa i humbën, të tjera i dogjën dhe i copëtuan. Faktin e fundit e tregon Jeremia; ai që kompozoi librin e katërt të Mbretërve, duke thënë se pas një kohe të gjatë libri i Ligjit të Përtërirë mezi u gjet, pasi ishte groposur diku dhe kishte  humbur. Por nëse kur atje nuk kishte asnjë barbar dhe njerëzit i tradhtuan librat e tyre, aq më tepër do ti tradhtonin kur barbarët ti kishin pushtuar ata. Sepse për vetë faktin që profetët e kishin parathënë atë, vetë apostujt në shumë vende e quajnë Atë, një Nazaretas.

"Po nuk ishte kjo atëherë," mund të thoni, "hedhja e një hije mbi profecinë lidhur me Betlehemin?" Absolutisht jo: akoma më tepër, ky fakt ishte i sigurt që do të nxiste shumë njerëz dhe do t'i zgjonte ata për të kërkuar atë që ishte thënë për Atë. Kështu, për shembull, edhe Nathanaili fillon hetimin për të, duke thënë, "A mund të dalë ndonjë gjë e mirë nga Nazareti?" Sepse vendi ishte shumë pak i nderuar; ose më saktë jo vetëm ky vend, por e gjithë krahina e Galilesë. Prandaj, farisenjtë thanë, "Kërkoni dhe shihni, sepse nga Galileja nuk dalin profetë." Megjithatë, Ai nuk ka turp të emërohet edhe prej aty, duke treguar se Ai nuk ka nevojë për asgjë nga gjërat e njerëzve; dhe dishepujt e tij gjithashtu i zgjedh nga Galileja; duke hequr pretekstet e kujtdo të cilët janë të gatshëm të jenë neglizhentë dhe gjithashtu për të na dhënë shenja se ne nuk kemi nevojë për gjëra të jashtme, nëse praktikojmë virtytet.

Për këtë arsye, Ai nuk zgjedh për Veten asnjë shtëpi; sepse "Biri i Njeriut," thotë Ai, "nuk ka ku të vendos kokën e Tij;" dhe kur Herodi po punonte kundër Tij, Ai fle nëpër çadra dhe në lindjen e Tij vendoset në një grazhd dhe qëndron në një han, dhe ka një nënë me pozitë të ulët; duke na mësuar gjithashtu që të mos mendojmë se diçka e tillë është turp, dhe që qysh në fillim shkel poshtë mendjemadhësinë e njeriut dhe na urdhëron ta japim veten vetëm pas virtyteve.

7. Pse krenohesh me vendin tënd, kur unë të urdhëroj të jesh i huaj për gjithë botën? (kështu flet Ai); kur ke leje të bëhesh i tillë, saqë gjithë universi nuk do të jetë i vlefshëm për ty? Sepse këto gjëra janë kaq të përbuzura, saqë ato nuk shihen të vlefshme për tu marrë në konsideratë, madje edhe midis filozofëve të grekëve, por quhen të jashtme dhe zënë vendin më të ulët.

"Por megjithatë," mund të thuhet, "Pavli i lejon ata, duke thënë kështu: “Për sa i përket zgjedhjes së tyre si populli i Perëndisë, ata janë të dashur dhe të zgjedhur për hir të etërve të tyre.” Por më thuaj, kur, dhe për çfarë çështjesh po fliste ai dhe për kë? Pavli, po fliste për ata me origjinë jo hebre, të cilët po krenoheshim me besimin e tyre dhe po e lartësonin veten kundër hebrejve, dhe duke u shpërbërë më shumë. Ai po fliste për të zbutur krenarinë që u përhap tek ata dhe për t'i fituar ata, dhe për ti bërë ata më të motivuar për të ndjekur të njëjtin objektiv. Sepse kur ai po fliste për ata burra të lavdishëm dhe të mëdhenj, dëgjo se si thotë, "Ata që thonë këto, tregojnë hapur se ata kërkojnë një vend; dhe vërtet, nëse ata do të kishin pasur kujdes për vendin nga i cili dolën, ata mund të kishin pasur mundësi të ktheheshin: por tani ata dëshirojnë një vend tjetër, një vend më të mirë." Dhe përsëri thotë, "Këta të gjithë vdiqën me besim, duke mos marrë premtimet, por duke i parë ato larg dhe duke i përshkruar." Gjithashtu edhe Joani i tha atyre që po vinin tek ai, "Mos mendoni të thoni: Ne kemi Abrahamin për atë." Ndërsa Pavli thotë: "Sepse nuk janë të gjithë Izraelit, të cilët janë nga Izraeli; as ata, që janë bij të mishit, nuk janë fëmijë të Perëndisë." Sepse, më thoni çfarë përfituan bijtë e Samuelit, nga lavditë e babait të tyre, kur nuk ishin trashëgimtarë të virtytit të babait të tyre? Dhe çfarë përfitimi kishin bijtë e Moisiut, duke mos imituar përsosmërinë e tij? Prandaj as ata nuk trashëguan sundimin; por ndërsa ata e njihnin atë si babain e tyre, sundimi i popullit kaloi tek një tjetër, tek ai që bëhej bir i tij në rrugën e virtytit. Dhe çfarë dëme kishte për Timoteun, që kishte një atë grek? Ose, nga ana tjetër, çfarë fitoi djali i  Noes nga virtyti i babait të tij, kur ai u bë skllav në një vend të lirë? E sheh se sa pak vlen lavdia e një babai për fëmijët e tij në rrugën e mbrojtjes?

Sepse ligësia e prirjes së Hamit i mposhti ligjet e natyrës dhe e dëboi atë jo vetëm nga fisnikëria që ai kishte në respekt të atit të tij, por edhe nga pasuria e tij. Po Esau? A nuk ishte ai biri i Isakut dhe a nuk ishte i ati i tij që t'i ishte mbrojtës i tij? Po, edhe babai i tij u përpoq dhe dëshironte që ai të merrte bekimet dhe ai vetë për hir të kësaj bëri gjithçka që i ishte urdhëruar. Megjithatë, për shkak se ai ishte kryeneç, asnjë nga këto gjëra nuk i dha dobi; por pavarësisht se ishte pari sipas lindjes dhe kishte të atin në krah që bënte gjithçka për të, megjithatë duke mos pasur Zotin me vete, ai humbi gjithçka.

Por pse flas për burrat? Judenjtë ishin bij të Perëndisë dhe nuk fituan asgjë nga ajo lindje e tyre e lartë. Tani, nëse një njeri, pasi është bërë bir i Perëndisë, kënaqet duke treguar një krenari për këtë lindje fisnike, dënohet edhe më shumë; kështu që pse më sjell në vëmendje fisnikërinë e paraardhësve të largët apo të afërt? Sepse jo vetëm në besëlidhjen e vjetër, por edhe në atë të renë, mund të shihet se ky rregull është zbatuar. Sepse thuhet "të gjithë atyre që e pranuan Atë, u dha fuqi për t'u bërë bij të Perëndisë." E megjithatë, për shumë nga këta fëmijë Pavli ka thënë se nuk kanë asnjë përfitim nga Ati i tyre; "Sepse, nëse ju bëni rrethprerje," thotë ai, "Krishti nuk do t'ju sjellë dobi." Dhe nëse Krishti nuk do ti ndihmojë ata që nuk do të kujdesen për veten e tyre, si mund ti mbrojë ata një njeri tjetër në favorin e tyre?

Prandaj le të mos krenohemi as për lindje të lartë, as për pasuri, por më mirë t'i përçmojmë ata që kanë këtë mendim: dhe mos u privo nga varfëria. Por le të kërkojmë atë pasuri, që konsiston në vepra të mira; dhe le të ikim nga ajo varfëri, që bën njerëzit të bëhen të lig, për shkak të së cilës edhe ai burrë i pasur ishte i varfër (I pasuri dhe Llazari); për shkak të së cilës edhe pse u lut shumë nuk mund të kishte as një pikë uji. Ndërsa mes nesh, kush mund të jetë kaq i varfër, sa ti duhet uji vetëm për të qenë i kënaqur? Nuk ka asnjë. Sepse madje edhe ata që vuajnë nga uria, mund të kenë kënaqësinë të kenë një pike uji; dhe jo vetëm një pike uji, por edhe freskim shumë të bollshëm. Jo kështu si njeriu i pasur, por ai ishte kaq i varfër, saqë nuk mund të qetësonte edhe kaq pak varfërinë e tij nga asnjë burim. Përse atëherë duam pasuri, kur ato nuk na sjellin në parajsë? Sepse më thuaj, nëse ndonjë mbret nga ata mbi tokë do të kishte thënë: Është e pamundur që ai që është i pasur të dallohet apo të shquhet në oborr ose të gëzojë ndonjë nder të madh; a nuk do t'i kishit hedhur secili prej jush pasuritë e tuaja me përbuzje? Pra, nëse do të na dëbojnë nga një nder i tillë si në pallatet poshtë, ata do të jenë të denjë për çdo përbuzje; por, kur Mbreti i Qiellit çdo ditë bërtet me zë të lartë dhe thotë: "Është e vështirë për ta, që të shkelin në atë prag të shenjtë; mos do të duhet t'i braktisim të gjitha dhe të largohemi nga pasuritë tona, që me guxim të futemi në mbretërinë e tij? Dhe çfarë dobie kemi ne, që jemi në mundim të madh për ta rrethuar veten me gjëra që pengojnë rrugën tonë për në Parajsë; dhe për t'i fshehur ato jo vetëm në thesare, por edhe nën tokë, kur mund t'ia besonim mbrojtjes së vetë Qiellit? Tani sigurisht që po bën të njëjtën gjë, ashtu si po të ishte një bujk që kishte marrë grurë për ta mbjellë në një tokë pjellore, dhe ta linte tokën pa mbjellë dhe të groposte të gjithë grurin në një gropë, në një mënyrë që as vetë ai të mos gëzonte nga gruri dhe as të mos bënte gruri diçka të dobishme për të, por vetëm të prishej dhe të shkonte dëm.

Por cili është shfajësimi i tyre i përbashkët, kur i akuzojmë për këto gjëra? Ata thonë se sjell shumë kënaqësi të dish se të gjitha janë ruajtur në shtëpinë tonë me siguri. Jo, më mirë është të mos dihet se është ruajtur. Sepse edhe nëse ti nuk ke frikë nga uria, akoma më shumë do të kesh frikë për të tjera gjëra më të rënda për shkak të kësaj rezerve të ruajtur: vdekjet, luftërat, komplotet kundër teje. Dhe nëse do të na bie ndonjëherë zija e bukës, populli, i shtrënguar nga barku, merr armën në dorë kundër shtëpisë sate. Ose më saktë, duke bërë kështu, ti po sjell paraprakisht urinë në qytetet tona, dhe më pas po formon për shtëpinë tënde këtë humnerë, më të rëndë se uria. Sepse për shkak të urisë, unë nuk njoh asnjë që të ketë pasur fund të shpejtë; në fakt, ka shumë mënyra në shumë anë që mund të ideohen për të lehtësuar këtë të keqe: por për zotërimet dhe pasuritë, dhe veprimet që lidhen me to, nuk di për asnjë zgjidhje të shpejtë.

Mund të tregoj shumë raste të njerëzve që kanë ardhur në shkatërrim, disa në fshehtësi, disa hapur. Dhe në shumë raste të tilla rrugët e mëdha janë mbushur plot, por më shumë nga këto gjëra gjenden në gjykatat dhe tregjet. Por pse flas për rrugët, gjykatat dhe tregjet? Sepse edhe detin e shikon të mbushur me gjakun e tyre. Sepse kjo tirani nuk është përhapur vetëm mbi tokë, siç duket, por edhe mbi oqean ka ecur në procesione festash me shumë shkatërrime. Njëri bën një udhëtim për të fituar ar, tjetri përsëri goditet për të njëjtën gjë; dhe ky pushtet tiranik ka bërë njërin tregtar dhe tjetrin vrasës.

Çfarë mund të jetë, pra, më pak i besueshëm sesa Mammoni, duke parë që për hir të tij dikush udhëton, riskon dhe vritet? "Por kush," thuhet, "do t'i vijë keq për një magjistar që kafshohet nga një gjarpër?" Sepse ne duke ditur tiraninë mizore të saj duhet të ikim nga ajo skllavëri dhe të shkatërrojmë atë dëshirën të hidhur. “Por si”, mund të  thotë dikush, "është e mundur kjo?" Duke futur një dëshirë tjetër, dëshirën për Parajsë. Sepse ai që dëshiron mbretërinë e Perëndisë do ta tallet me lakminë deri në përçmim; ai që është bërë skllav i Krishtit nuk është skllav i mammonit, por i Zotit të tij; për atë që ikën prej mammonit, ai ka zakon ta ndjekë dhe të iki nga ai që e ndjek. Mammoni nuk e nderon aq shumë atë që e ndjek, sesa ata që e pohojnë; nuk i tall aq shumë si ata që e dëshirojnë; madje jo vetëm i tall, por edhe i mbështjell përreth me shumë hekura. Atëherë, sado vonë të jetë, le t'i zgjidhim këto zinxhirë të rëndë. Pse ta sillni shpirtin tuaj të arsyeshëm në robëri të materies brutale, nënës së atyre të këqijave të pa treguara? Po, absurditet! Se ndërsa ne luftojmë kundër tij me fjalë, ai na bën luftë me vepra, na prin e na çon kudo, duke na sharë si të blerë me para dhe të përshtatshëm për rrahje; dhe çfarë mund të jetë më e turpshme dhe e pandershme se kjo?

Përsëri: nëse nuk arrijmë të përballemi me format e pakuptimta të materies, si do të kemi avantazhin e fuqive jo trupore? Nëse nuk përçmojmë tokën e pavlerë dhe gurët e mjerë, si do t'i nënshtrojmë principatat dhe autoritetet? Si do të praktikojmë vetë-kontrollin? Dua të them, nëse argjendi na verbon dhe na mposht, kur do të jemi në gjendje të nxitojmë me një fytyrë të drejtë? Sepse, në fakt, disa janë aq të shitur nën këtë tirani, saqë ndihen të tërhequr nga pamja e arit dhe me shaka thonë, se dhe vetë sytë janë më të mirë kur shohin një monedhë ari.

Por mos bëni shaka të tilla, kushdo që jeni, sepse asgjë nuk i dëmton sytë, si ato të trupit, ashtu edhe ato të shpirtit, sa epshi i këtyre gjërave. Për shembull; ishte ky mall i hidhur që i fiku llambat e atyre virgjëreshave dhe i nxori jashtë dhomës së nuses. Kjo pamje, e cila (siç thatë) "i bën mirë syve", nuk e la të mjerin Judë të dëgjonte zërin e Zotit, por e çoi deri te varja në litar dhe pas gjithë kësaj, e çoi në ferr.

Çfarë mund të jetë atëherë më e paligjshme se kjo? Ç’farë mund të jetë më të tmerrshme? Nuk e kam fjalën për esencën e pasurisë, por për dëshirën e paarsyeshme dhe të furishme ndaj saj? Përse, madje ajo derdh gjak njeriu, dhe duket si vrasëse, dhe është më e egër se çdo kafshë e egër, duke i përçarë ata që i bien në rrugën e saj, dhe ç'është më e keqja, i bën ata të mos kenë asnjë ndjenjë që janë kaq të ngatërruar në të gjithë këtë. A nuk do të ishte e arsyeshme që ata që trajtohen në këtë mënyrë të shtrinin dorën drejt kalimtarëve dhe t'i thërrisnin për ndihmë? Por këta, madje janë mirënjohës për copëtimet e tilla të mishit të tyre dhe çfarë mund të jetë më e mjerë se sa kjo?

Pra, duke i mbajtur parasysh të gjitha këto gjëra, le t'i arratisemi sëmundjes së pashërueshme; le të shërojmë plagët që na ka bërë dhe të tërhiqemi nga një dëmtues i tillë: që të dy këtu të jetojmë një jetë të sigurt dhe të patrazuar dhe të arrijmë thesarin e ardhshëm; të cilën Perëndia na dhëntë që të gjithë ne të mundemi ta arrijmë, me hirin dhe dashurinë ndaj njeriut të Zotit tonë, Jisu Krisht, të Cilit së bashku me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë i qoftë lavdia, fuqia, nderimi, tani e përherë e në jetë të jetëve. Amin.


No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • SI T’A PËRBALLOJË I KRISHTERI KUNDËRSHTIMIN E FAMILJARËVE, MIQVE PËRKUNDREJT BESIMIT?
    6 Aug, 2025
  • Mrekullia e Hyjlindëses Mari në jetën e Shën Serafimit të Sarovit!
    5 Aug, 2025
  • Ikona e Hyjlindëses Mari "Zbutësja e Zemrave të Liga" (Смягчение злых сердец)
    4 Aug, 2025
  • Skllavëria e mëkatit!
    31 Jul, 2025
  • Lutja Personale!
    30 Jul, 2025
  • Homelia IX mbi Ungjillin sipas Mateut
    29 Jul, 2025
  • Lutja,frymëmarrja e shpirtit!
    29 Jul, 2025
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako