Aroma e Hirit të Shpirtit të Shenjtë

Shën Efrem Katunakioti
Nga Hieromonaku Luka Grigoriati
Një herë, gjatë një vizite në Malin e Shenjtë (Athos), ndodhesha në Katunakia. Atje jetonte një njeri, i cili kishte arritur një shkallë të lartë shenjtërie. Ai ngjante më shumë me një engjëll…
Fytyra e tij rrezatonte nga Hiri i Perëndisë.
Gjatë kësaj udhe drejt Katunakiave, kisha me vete dy profesorë të teologjisë dhe një student të Fakultetit Politeknik. Pas një ngjitjeje të gjatë, mbërritëm te qelia e një jerondi shpirtëror…
Ai na priti me gëzim dhe dashuri të pamatë.
“Kam një gëzim të madh”, thoshte ai. “Një prift erdhi në qelinë time!”
U ulëm dhe njëri prej profesorëve e pyeti:
— Atë i nderuar, a mund të na thoni diçka për aromën e Hirit të Shpirtit të Shenjtë?
Plaku u bë serioz dhe pyeti:
— Çfarë keni parasysh?
— Ja, atë i nderuar, lipsanet e shenjta dhe ikonat e shenjta, a nuk lëshojnë vallë një aromë të veçantë?
— Ah, po… — tha jerondi.
Ndërsa po mendonte se çfarë përgjigjeje t'u jepte, uli kokën dhe një heshtje e thellë mbretëroi gjithandej…
Pastaj… Oh, pastaj një aromë e mrekullueshme përfshiu të gjithë vendin.
Ngrita sytë dhe pashë tre shoqëruesit e mi, me sytë të mbushur me lot, duke më vështruar…
Jerondi qëndronte ende me kokën të ulur. Një ëmbëlsi e papërshkrueshme mbushi zemrat tona; përjetuam një gjendje shpirtërore që të kujtonte ato fjalë të Apostull Pavlit: “Atë që syri nuk e ka parë dhe veshi nuk e ka dëgjuar, dhe që në zemrën e njeriut nuk ka hyrë…”
Më në fund, jerond ngriti kokën, si një fëmijë i turpëruar, dhe na tha:
— Ju lutem, më falni. Nuk dija si t'jua shpjegoja me fjalë, ndaj iu luta Perëndisë që t'jua tregonte vetë…