Kë të zgjedhim: talantin e Zotit apo "talantin" e Djallit?

Mbani mend në ungjillin sipas Mateut (25: 14-30) parabolën e talantës që Krishti ja tregoi dishepujve të tij.
“Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta.
Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill.
Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë.
Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë.
Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet.
Por le të ndalemi tek shërbëtori i tretë të cilit iu dha nje talant dhe nuk e dyfishoi por e groposi atë.
Çfarë na mëson kjo ngjarje që Krishti na e tregon gjithë secilit prej nesh?
Perëndia burim i çdo të mire i jep gjithsecilit nga një talant në pamje të parë kjo duket paksa e dyshimtë dhe pyesim veten se çfarë talanti më ka dhënë Perëndia dhe ndonjëherë justifikohemi duke thënë po ta dija talantin tim do ta kisha shumëfishuar atë. Këtu fillon rrëzimi i njeriut dhe përse Zotëria thotë: flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh. Ai e tha ketë gjë jo sepse ai nuk e kishte dyfishuar talantin e tij por sepse u justifukua për gabimin dhe përtacinë e tij. Kjo shpesh na kap të gjithëve “përtacia shpirtërore”. Nuk mjafton njeriu të rrijë dhe të mendoj dhe të gjej çfarë talanti kam. Perëndia jo më kot na ka dhënë 10 urdhëresat duke na thënë kush zbaton porositë e mia tregon se më do.
Djalli i cili eshtë babai i gënjeshtrës deshiron që talantet që Perëndia ka dhënë për njerëzit ti kthej në talantet e tija, por si e bënë ai këtë gjë
1) Justifikimi
Kur ne justifikohemi qoftë edhe për mëkatin më të vogël ne kemi marrë talantin e të ligut dhe këtu ai merr të drejta duke na bërë shërbëtor të mashtruar të tijë. Justifikimi është përpjekja e njeriut për të fshehur plagën e tij në vend që ta shërojë atë me pendim. Kështu djalli fiton të drejta mbi ne, jo sepse është më i fortë se Perëndia, por sepse ne i hapim derën me krenarinë dhe mospranimin e fajit tonë.
Përse Adami dhe Eva u larguan nga parajsa thjesht sepse mëkatuan? Jo. Por sepse u jukstifikuan për mëkatin e tyre. Adami ia hodhi fajin Evës duke thënë: “Gruaja që më dhe ti”; ndërsa Eva ia hodhi fajin gjarpërit duke e berë Perendinë shkakëtar te rrëzimit të tyre.
Edhe ne sot bëjmë të njëjtën gjë: fajësojmë rrethanat, njerëzit apo jetën, ndërsa harrojmë të shohim brenda zemrës sonë.
Por kur fillon njeriu të shërohet shpirtërisht?
Vetëm atëherë kur thotë: “Po, gabova”, dhe kërkon mëshirën e Perëndisë, ne atëherë bashkohemi me Perendinë dhe behemi të ngjashëm me atë.
2) Koha
Koha është dhurata më e çmuar që Perëndia i ka dhënë njeriut në këtë jetë edhe pse djalli na nxit duke na përshpëritur: “Lëre për më vonë se ke kohë” dhe kështu ne largohemi nga Perëndia dhe bëhemi përtac jo vetëm nga ana trupore po nga ajo shpirtërore që është qëllimi i kësaj jete për të hyrë në jetën e përtejme.
3) Dyshimi
Në vetvete, të dyshosh apo të bësh pyetje nuk është një gjë e keqe. Është pjesë e natyrës njerëzore të kërkosh të vërtetën. Edhe apostujt pyetën, edhe shenjtorët kaluan sprova dyshimi. Por rreziku vjen kur ne e kthejmë dyshimin në një arsyetim pa logjikë. Këtu vjen djalli duke na pëshpëritur: A je i sigurt që Perëndia të ka dhënë një talant? Po sikur të mos kesh asgjë? Po sikur të dështosh dhe Zoti të të dënojë?.
Ky lloj dyshimi nuk kërkon përgjigje, por kërkon të mbjellë pasiguri dhe demoralizim. Kur ne fillojmë të dyshojmë te mirësia e Perëndisë dhe te vlerat që Ai ka mbjellë tek ne, ne paralizohemi. Dyshimi i lig na bën të mendojmë se jemi të paaftë dhe të pafuqishëm, duke na shtyrë drejt vendimit të shërbëtorit të tretë: të hapim një gropë, të fshehim jetën tonë dhe të mos rrezikojmë asgjë për Mbretërinë e Qiejve. Si na porosit Apostull Pavli: “Me shumë mundime do të hyni në Mbretërinë e Qiejve.”
4) Shpifja dhe Mendimet e Gabuar për Zotin
Shërbëtori i tretë e fyen zotërinë duke i thënë: Unë e dija se je njeri i ashpër, që korr ku nuk ke mbjellë. Ky është mëkati i shndërrimit të imazhit të Zotit duke e kthyer në një tiran të egër.
Në vend që ta shihte zotërinë si një bamirës bujar që i besoi një pasuri të madhe, ai e cilësoi atë si një gjykatës mizor, duke përdorur këtë fyerje si justifikim për dështimin e tij. Edhe sot ndodh e njëjta gjë: njeriu nuk lufton me veten, por me idenë e tij të gabuar për Zotin. Dhe kështu lindin mendime si:” Zoti nuk fal”, “Zoti më ka braktisur”, “Nuk ka më shpresë për mua”.
Po ku është rreziku këtu? A është djalli që po na përshpërit apo jemi ne qe po i krijojmë këto dyshime?
Para se të fajësojmë djallin, le të shohim njeherë veten tonë, sepse shpesh janë përtacia, justifikimi dhe neglizhenca jonë ato që na bëjnë t’i hapim derën të ligut dhe të shumëfishojmë talnatat e tij.
Jeta nuk matet nga ajo që na është dhënë, por nga ajo që bëjmë me atë që kemi.
Shëmbëlltyra e Talentave na kujton se dhuntitë tona qofshin ato inteligjenca, koha, dashuria apo aftësitë tona nuk na u dhanë për t’i fshehur nga frika e dështimit. Mëkati më i madh nuk është të gabosh duke u përpjekur, por të zgjedhësh të mos bësh asgjë. Mos e gropos potencialin tënd në tokën e përtacisë, frikës apo dyshimit.
Puno për shpëtimin tënd që të gëzohesh në shumëfishimin e talantit tënd që Perëndia të të thotë: Lum ti, shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotit tënd!