Provoni frymërat nëse janë nga Perëndia!

“Të dashur, mos i besoni çdo fryme, por provoni frymërat nëse janë nga Perëndia.” (1 Joanit 4:1)
Ky varg i Apostullit Joan është një nga paralajmërimet më të thella të jetës shpirtërore, sepse na zbulon se jo çdo mendim, ndjenjë, frymëzim apo “dritë” që përjeton njeriu vjen domosdoshmërisht nga Perëndia. Etërit dhe veçanërisht Etërit e Shkretëtirës e njihnin shumë mirë këtë realitet, sepse ata jetuan në një luftë të vazhdueshme shpirtërore kundër mashtrimeve të mendjes dhe forcave të errësirës. Ata mësojnë se zemra e njeriut është një fushë beteje ku përplasen hiri i Perëndisë, dobësia njerëzore dhe tundimet demonike. Për këtë arsye, i krishteri nuk duhet të jetë naiv shpirtërisht, por vigjilent dhe i matur.
Etërit e quanin këtë dhuratë shpirtërore “diakrisis”, që do të thotë dallim shpirtëror, pra aftësia për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi, dritën nga errësira dhe hirin e Perëndisë nga iluzionet e djallit. Shën Andoni i Madh e konsideronte dallimin shpirtëror si një nga virtytet më të larta, sepse pa të edhe njeriu që lutet, agjëron apo bën asketizëm mund të bjerë lehtë në mashtrim. Ndërsa Shën Joan Klimaku shkruante se dallimi është “drita e shpirtit në errësirë”, sepse vetëm ai që ka zemrën të pastruar dhe të përulur mund të dallojë burimin e mendimeve dhe frymëzimeve që i vijnë.
Etërit e Shkretëtirës mësuan nga përvoja se beteja më e madhe zhvillohet në mendje. Ata i quanin mendimet “logismoi”, pra mendime ose sugjerime që mund të vijnë nga Perëndia, nga natyra njerëzore ose nga demonët. Sipas Shën Evagër Pontikut, demonët nuk e sulmojnë njeriun menjëherë me mëkate të mëdha, por fillimisht me mendime të vogla, me kuriozitete, imagjinata apo ndjenja që duken të pafajshme. Nëse njeriu i pranon pa kujdes dhe pa lutje, ato gradualisht hyjnë në zemër dhe fillojnë t’a errësojnë shpirtin.
Prandaj Etërit këmbëngulnin vazhdimisht tek vigjilenca shpirtërore, tek ruajtja e mendjes dhe tek kujdesi ndaj çdo lëvizjeje të brendshme të zemrës.
Sipas Etërve Ortodoksë, djalli rrallë paraqitet hapur si errësirë. Përkundrazi, ai shpesh maskohet si dritë, si diçka e bukur, e ëmbël apo madje “shpirtërore”. Ai ushqen krenarinë, vetëbesimin e tepruar, emocionet e forta dhe dëshirën për përvoja mistike.
Shën Isak Siriani paralajmëronte që njeriu të mos i besojë menjëherë as vizioneve dhe as ndjesive të forta shpirtërore, derisa zemra të mbushet me paqen dhe përulësinë e Krishtit. Sepse hiri i Perëndisë sjell gjithmonë paqe, qetësi, dashuri, pendim dhe butësi, ndërsa mashtrimi sjell trazim të fshehtë, krenari, turbullim, fanatizëm dhe humbje të maturisë.
Në traditën ortodokse ekziston edhe termi “prelest”, që do të thotë mashtrim shpirtëror. Ky është një nga rreziqet më të mëdha për shpirtin. Prelesti ndodh kur njeriu fillon t’i besojë tepër vetes, mendon se është “i ndriçuar”, kërkon përvoja të jashtëzakonshme shpirtërore ose fillon të shohë veten si më të lartë se të tjerët. Etërit e Shkretëtirës kishin shumë frikë nga ky mashtrim dhe për këtë arsye zgjidhnin gjithmonë rrugën e përulësisë. Ata nuk iu besonin lehtë vizioneve, zërave apo ndjesive të pazakonta, sepse e dinin se djalli mund të imitojë edhe dritën për të mashtruar shpirtin.
Etërit mësojnë se fryma e Perëndisë njihet nga frytet e saj. Kur vepron Fryma e Shenjtë, zemra zbutet, lind pendimi, njeriu bëhet më i përulur, më i dashur dhe më i qetë.
Shën Serafimi i Sarovit thoshte: “Fito paqen e brendshme dhe mijëra përreth teje do të shpëtohen.”
Kjo paqe e thellë dhe e pastër është një nga shenjat më të mëdha të pranisë së Perëndisë. Përkundrazi, kur një mendim prodhon arrogancë, errësirë, urrejtje, obsesion ose konfuzion shpirtëror, atëherë ai nuk vjen nga Fryma e Shenjtë.
Prandaj Apostulli Joan na urdhëron të provojmë frymërat. Kjo bëhet përmes lutjes, përulësisë, rrëfimit, bindjes shpirtërore dhe vigjilencës së vazhdueshme. Njeriu që jeton larg Perëndisë mashtrohet lehtë nga mendimet dhe emocionet e tij, ndërsa ai që jeton në dritën e Krishtit fiton gradualisht sy shpirtëror për të dalluar të vërtetën nga mashtrimi.
Etërit na mësojnë se jeta shpirtërore nuk është thjesht emocion apo ndjenjë, por një rrugë e thellë pastrimi, maturie dhe lufte të vazhdueshme kundër errësirës. Vetëm zemra e pastër dhe e përulur mund t’a njohë me të vërtetë zërin e Perëndisë dhe t’a dallojë frymën e së vërtetës nga fryma e mashtrimit.