Ai që beson në Zotin, nuk ka frikë nga asgjë!

– Jerond,
gjyshërit tanë thoshin se do të vijë një kohë kur do të kemi gjithçka me
bollëk, por nuk do të mund t’i hamë. Sot njerëzit kanë dyshime për shumicën e
ushqimeve.
– Ç’të bëjmë? E kanë ndotur gjithë mjedisin. Por mos u kapni nga frika. Bëni
shenjën e kryqit dhe mos kini frikë. Ka njerëz që e kthejnë jetën e tyre në një
mundim, sepse kanë frikë nga gjithçka; dhe janë të krishterë, të pagëzuar, të
mirosur, kungohen, lexojnë Ungjillin, i dinë përmendësh thëniet. Nuk e shohin
çfarë fuqie ka Hiri i Zotit? “Edhe nëse pini diçka vdekjeprurëse, nuk do t’ju
dëmtojë”, tha Krishti, dhe “ju jap pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa e
asnjë e keqe nuk do t’ju ndodh”. Kur njeriu ka Hirin e Zotit, nuk ka frikë nga
asgjë. Prandaj gjithmonë të kërkojmë Hirin e Zotit duke bërë shenjën e kryqit.
A ju kujtohet
ngjarja që përmendet në “Λαυσαϊκόν”? Një murg shkoi të merrte ujë nga pusi dhe,
kur pa brenda një gjarpër helmues, u largua i tmerruar pa marrë ujë.
“Mbaruam, o atë, humbëm! Ka një gjarpër në pus!”, i tha jerondit të tij. “Mirë,
– i tha jerondi, – nëse në të gjitha puset do të ketë gjarpërinj helmues, çfarë
do të bësh? Do të vdesësh nga etja?” Shkoi jerondi, bëri shenjën e kryqit mbi
pus, mori ujë dhe piu. “Ku vepron kryqi, – i tha, – nuk ka fuqi ligësia e
djallit”.
– Jerond, kam brenda një frikë.
– Frika që ke është një bekim nga Zoti; është një lejim hyjnor që të drejtohesh gjithmonë tek Ai me lutje. Do të të ndihmojë të kapesh pas Zotit. E sheh, edhe një fëmijë i vogël, po të mos trembet pak, nuk mblidhet dot. Përpiqu me përkushtim dhe me shpresë tek Zoti, dhe atëherë nuk do të kesh frikë nga asgjë. “Nuk trembemi dhe nuk do të tronditemi, sepse Zoti është bashkë me ne”, siç këndohet në Shërbesën e Mbrëmësores së Madhe.
Shën Paisi i Malit të Shenjtë
“Fjalë V – Pasionet dhe Virtytet”