E Tërëshenjta Mari !
Nga: Çenkuela Selenica
Në Kishën Ortodokse, Nëna e Zotit, Theotokos, nderohet si më e larta ndër krijesat, “Më e nderuar se kerubimet dhe pa krahasim më e lavdishme se serafimet.” Shenjtorët, të ndriçuar nga hiri i Zotit, na lanë fjalë të çmuara për të kuptuar thellësinë e këtij nderimi!
Shën Kirili i Aleksandrisë dëshmon fuqishëm:
“ Nëse Krishti është Zot, atëherë Maria është me të drejtë Nëna e Zotit.”
Kjo fjalë ruan të pandryshuar besimin e Kishës se Krishti është një Person i vetëm, Zot dhe njeri, dhe se Maria mbart në kraharor Vetë Hyjninë e mishëruar.
Shën Ireneu i Lionit e sheh Marinë si Virgjëreshën e re që çliron nyjën e mëkatit të Evës:
“Ashtu siç u lidh njeriu nëpërmjet mosbindjes së Evës, kështu u zgjidh përmes bindjes së Marisë.”
Shën Grigori i Nisës thekson se Hyjnia nuk prishi virgjërinë e saj:
“ Ai që u lind prej saj, ruajti virgjërinë e saj të paprekur, duke treguar se lindja e Tij ishte e mbinatyrshme.”
Shën Joani i Damaskut, duke folur për Fjetjen e Theotokos, shkruan:
“ Mister i madh është largimi i saj nga kjo botë. Apostujt u mblodhën nga skajet e dheut, dhe Ati e ngriti tek lavdia, pa prishur trupin e saj të shenjtë.”
Shenjtorët më të vonshëm dhe Etërit bashkëkohorë flasin për afërsinë dhe dashurinë e saj prej nëne.
Shën Tadeu i Vitovnicës na kujton:
“ Nuk ka lutje që ajo nuk e dëgjon. Nëna e Perëndisë është gjithnjë pranë nesh.”
Shën Josifi i Hesihastit, murg i heshtjes dhe i lutjes së pandërprerë, këshillon:
“ Thirr: ‘E Tërëshenjta Mari, më ndihmo!’ dhe ajo do të vijë me nxitim, si një nënë e gjallë që dëgjon fëmijën e saj.”
Shën Sofia e Klisurës flet me lot në sy për dhimbjen e saj:
“ Panagia qan për botën çdo ditë, lutet për paqe dhe për pendimin e njerëzve.”
Shën Grigor Palamas, kryepiskop i Selanikut, i jep një përshkrim madhështor:
“ Ajo është themeli dhe kulmi i shenjtërisë, burimi i hirit që zbret mbi njerëzit, mbrojtësja dhe ndërmjetësja jonë para Krishtit! ”
Për shenjtorin Joan i Kronstadit , prania e saj është më e fortë se çdo fjalë:
“ Kur i drejtohesh Nënës së Perëndisë, zemra ndriçohet si nga rrufeja. Dashuria e saj është menjëherë e pranishme.”
Patriarku Daniel i Rumanisë e përshkruan si ikonë të Kishës së gjallë:
“ Nëna e Perëndisë lutet pandërprerë dhe është mbrojtëse e vitit kishtar; ajo është shembull i bindjes së përulur, për engjëjt dhe për njerëzit.”
Mesazhi i përbashkët i Shenjtorëve
Nga shekulli II deri në shekullin XX, shenjtorët ortodoksë flasin njëzëri:
“ Maria është Nëna e Zotit, e papërlyer, e përjetshme Virgjëreshë, dhe ndërmjetëse e pandërprerë për mbarë njerëzimin!”
Ata nuk e shohin atë si hyjni më vete, por si urë drejt Krishtit, si dritare ku shkëlqen hiri hyjnor. Dashuria e saj prej nëne nuk lodhet kurrë, dhe çdo thirrje e sinqertë gjen përgjigje në mëshirën e saj!