Ikona e Hyjlindëses Mari "Zbutësja e Zemrave të Liga" (Смягчение злых сердец)
Nga: Çenkuela Selenica
Quhet gjithashtu edhe “Profecia e Shpatave” ose “Shtatë Shpatat”
Në këtë ikonë të veçantë, Hyjlindësja Mari paraqitet pa Krishtin në krahë, e me një shprehje të thellë dhimbjeje dhe dhembshurie. Shtatë shpata janë ngulur në zemrën e saj – tre nga njëra anë, tre nga tjetra dhe një nga sipër. Ato simbolizojnë:
a) Dhimbjen e thellë që ajo përjetoi gjatë jetës së Krishtit
b) Profecinë e plakut Simeon në Tempull : “Shpata do të përshkojë edhe shpirtin tënd” (Lluka 2:35)
c) Dhembshurinë e saj për vuajtjet e botës dhe mallkimin e mëkatit
Mrekullia dhe nderimi i kësaj ikone
Në shekullin XIX, një besimtari në qytetin e Vologdës (Rusi), iu shfaq kjo ikonë në një ëndërr. Ai pa se një ikonë e tillë do të kishte një fuqi të jashtëzakonshme për të shëruar urrejtjen dhe zemërimin mes njerëzve.
Pasi e gjeti dhe nisi t’a nderonte me lutje dhe pendesë të thellë,filluan mrekullitë:
Ø Familjet e përçara pajtoheshin pas lutjeve përpara ikonës.
Ø Njerëzit që ishin në armiqësi të thellë me njëri-tjetrin, ndjenin një ndryshim të brendshëm dhe e falnin njëri-tjetrin.
Ø Sëmundje që lidhej me dhimbjen shpirtërore dhe ftohtësinë e zemrës shëroheshin.
Domethënia shpirtërore
Ikona është një thirrje për falje, përulësi dhe lutje, kur ndjejmë se zemra jonë ose e të tjerëve është e fortë, e mbyllur, e mbushur me inat ose ligësi.
Ajo është shumë e dashur veçanërisht për ata që vuajnë nga konflikte familjare, ndarje, urrejtje apo padrejtësi të rënda dhe që kërkojnë paqe dhe pajtim përmes Hyjlindëses Mari.
Lutje e shkurtër përpara ikonës "Zbutësja e zemrave të liga"
O Nënë e Perëndisë, Ti që pe Krishtin tënd të shtruar në kryq dhe thellësisht vuajte me Të, zbut zemrat tona të forta, shuaj urrejtjen dhe ndihmona të falim siç fal Zoti. Bëhu mbrojtje për të pafajshmit, paqe për familjet dhe prehje për shpirtrat që vuajnë. Amin!