Skllavëria e mëkatit!
Nga: Çenkuela Selenica
Në jetën shpirtërore, mëkati nuk është thjesht një akt i keq moral. Ai është një gjendje robërie, një prangosje e brendshme që e largon njeriun nga Zoti dhe nga vetvetja. Në Shkrimin e Shenjtë dhe në Traditën e Shenjtë të Kishës Ortodokse, mëkati përshkruhet si një fuqi që nënshtron vullnetin e njeriut, e robëron zemrën dhe ia errëson mendjen.
Mëkati si skllavëri në Shkrimin e Shenjtë
Në Ungjillin e Joanit, vetë Zoti Krisht thotë:
“Kushdo që bën mëkatin, është skllav i mëkatit.” (Joani 8:34)
Ky pohim i Krishtit është i qartë: Mëkati nuk është thjesht një rrëshqitje, por një zgjedhje që shndërrohet në pranga shpirtërore. Përsëritja e mëkatit e bën shpirtin të varur, ashtu si një skllav i lidhur për duar e për këmbë. Njeriu humbet lirinë e brendshme që i është dhënë nga Perëndia në krijim dhe i dorëzohet forcave të errëta që veprojnë nëpërmjet pasioneve.
Shën Pavli, në Letrën drejtuar Romakëve, shkruan:
“Sepse kur ishit skllevër të mëkatit, ishit të lirë përsa i përket Drejtësisë së Perëndisë... Por tani, që jeni çliruar nga mëkati dhe jeni vënë në shërbim të Perëndisë, ju keni fituar udhëtimin drejt një jete të shenjtë,fundi i të cilit është jeta e amëshuar.” (Romakëve 6: 20, 22)
Pra, ai bën një kontrast të fuqishëm: ose jemi skllevër të mëkatit, ose jemi në shërbim të Perëndisë. Nuk ka rrugë të tretë. Çlirimi nga skllavëria e mëkatit nuk është i mundur përmes përpjekjes njerëzore të thjeshtë, por vetëm përmes hirit të Perëndisë dhe bashkëpunimit të njeriut me këtë hir.
Mësimi i Shenjtorëve për robërinë shpirtërore
Shën Isaku i Sirisë shkruan:
“Njeriu që është rob i pasioneve, është më i mjerë se çdo robëri tjetër, sepse ai i shërben një zotërie të pamëshirshëm – dëshirës së vet.”
Pasionet ,lakmia, krenaria, zemërimi, epshi , nuk janë thjesht ndjenja, por ushtri që sulmojnë shpirtin dhe e bëjnë njeriun të harrojë Dritën e Perëndisë. Shën Isaku na kujton se kjo robëri është vetëshkatërruese, sepse mëkati premton kënaqësi të përkohshme, por lë pas boshllëk dhe errësirë.
Shën Maksim Rrëfyesi, një nga etërit më të ndriçuar të Kishës, thotë:
“Kur mendja e njeriut është lidhur me pasionet, ajo humbet aftësinë për të parë të vërtetën dhe për të dashur Perëndinë.”
Kjo do të thotë se mëkati nuk është vetëm një çështje morali, por një sëmundje shpirtërore që verbon. Njeriu që është skllav i mëkatit, nuk është më i lirë për të dashur si duhet, për të zgjedhur me maturi, apo për të adhuruar Perëndinë në të vërtetë!
Liria në Krishtin: Çlirimi nga skllavëria
Shpëtimi që na ofron Krishti nuk është vetëm falja e mëkateve, por çlirim nga sundimi i tyre. Ai na fton në një jetë të re, të udhëhequr nga Shpirti i Shenjtë, ku mëkati nuk ka më pushtet mbi ne:
“Sepse ligji i Shpirtit të Shenjtë,që jep jetë përmes Krishtit Jisu,ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.” (Romakëve 8:2)
Kjo liri është thelbësore për jetën e krishterë. Ajo nuk është një liri për të bërë çfarë të duam, por për të jetuar në të vërtetë, për t’u bashkuar me Zotin dhe për të gjetur identitetin tonë të vërtetë si bij dhe bija të Perëndisë.
Shën Grigor Teologu shkruan:
“Mëkati është burg, Krishti është çelësi. Lutja është dritarja për të parë Dritën.”
Vetëm përmes pendimit, lutjes, kreshmimit dhe pjesëmarrjes në Misteret e Kishës, njeriu mund të lirohet nga kjo robëri e brendshme dhe të ecë drejt Dritës së Perëndisë.
Skllavëria e mëkatit është një realitet shpirtëror që e kërcënon çdo njeri. Por Krishti, i Cili “Erdhi për të çliruar të robëruarit” (Luka 4:18), na jep shpresë dhe fuqi për t’u çliruar nga kjo robëri dhe për të hyrë në lirinë e lavdishme të bijve të Perëndisë. Rruga është e vështirë, por e bekuar – një rrugë që kalon përmes pendimit, përulësisë dhe dashurisë për Zotin Krisht!