Lutja Personale!
Nga: Çenkuela Selenica
Lutja personale është zemra e jetës shpirtërore në Traditën e Kishës Ortodokse. Ajo është dialog i drejtpërdrejtë me Perëndinë, një frymë e fshehtë dhe e vazhdueshme që lidh njeriun me Burimin e jetës. Nga faqet e Shkrimit të Shenjtë deri tek fjalët dhe përvojat e Shenjtorëve, lutja personale është thelbësore për të jetuar me Krishtin, për t’u pastruar nga mëkati dhe për të arritur bashkimin me Perëndinë.
Lutja personale në Shkrimin e Shenjtë
Në Dhiatën e Vjetër, profeti David është një shembull i gjallë i shpirtit lutës. Psalmet janë plotë me thirrje personale, pendim, falenderim dhe lavdërim ndaj Perëndisë:
“O Zot, dëgjo lutjen time, vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi.” (Psalmi 39:12).
Vetë Zoti Jisu Krisht, në Dhiatën e Re, na dha shembullin më të përsosur të lutjes. Ai lutej shpesh në vetmi, siç lexojmë:
“ Dhe kur e la turmën, Ai u ngjit në mal për t’u lutur në vetmi. Në mbrëmje, ishte atje i vetëm.” (Mateu 14:23).
Krishti gjithashtu na mësoi lutjen e përkryer “Ati ynë” , duke na treguar se çdo lutje duhet të jetë me besim, përulësi dhe dëshirë për vullnetin e Perëndisë.
Lutja sipas Shenjtorëve të Kishës Ortodokse
Shenjtorët janë mësues dhe dëshmitarë të jetës së lutjes. Ata na mësojnë jo vetëm me fjalë, por me jetën e tyre të shenjtëruar.
Shën Grigor Teologu thotë:
“Kujto Perëndinë më
shpesh se sa merr frymë.”
Kjo thënie e tij na fton që lutja të bëhet një
frymëmarrje e shpirtit, një zakon i brendshëm që nuk ndalet kurrë.
Shën Isaku i Sirisë shkruan:
“Nëse nuk gjen ëmbëlsinë
e lutjes, qëndro në të derisa Perëndia të të japë.”
Kjo na mëson durimin dhe qëndrueshmërinë, edhe kur nuk ndjejmë menjëherë
ngushëllim.
Shën Siluani i Athosit thekson:
“Mbaje mend Ferrin dhe
mos u dëshpëro.”
Në këtë frazë të thellë, ai na kujton se edhe në
betejat e errëta të shpirtit, lutja e përulur na mban gjallë dhe na ruan nga dëshpërimi.
Shën Serafimi i Sarovit thotë:
“Qëllimi i jetës së
krishterë është fitimi i Shpirtit të Shenjtë, dhe kjo arrihet përmes lutjes së
pastër.”
Për të, lutja personale është rruga drejt pastrimit të zemrës dhe bashkimit me
Shpirtin e Shenjtë.
Si ushqehet lutja personale?
Kisha Ortodokse na jep disa mënyra të sigurta:
1. Lutja me fjalët e Shkrimit të Shenjtë : Veçanërisht Psalmet dhe “Ati ynë”, janë themel i lutjes së përditshme.
2. Lutja e zemrës: “ O Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, ki mëshirë për mua, mëkatarin.” Kjo lutje e thjeshtë, e njohur si Lutja e Jisuit, është një mënyrë e fuqishme për t’a mbajtur mendjen në praninë e Perëndisë.
3. Heshtja e brendshme: Në vetmi dhe heshtje, pa fjalë, njeriu i ofron Perëndisë praninë e vet, duke dëgjuar zërin e Tij në thellësinë e zemrës.
4. Pendimi dhe Mirënjohja: Dy shtylla që e bëjnë lutjen të gjallë dhe të sinqertë.
Lutja personale është dhuratë dhe thirrje. Ajo nuk është vetëm kërkesë, por bashkëbisedim, adhurim dhe transformim/shndërrim. Në çdo fazë të jetës, qoftë në gëzim, trishtim, tundim apo paqe, lutja është ura që lidh njeriun me Perëndinë e Gjallë. Shenjtorët na tregojnë se nuk ka rrugë më të sigurtë për tek Zoti, se sa ajo që hapet në qetësinë e dhomës së zemrës: Aty ku njeriu flet me Të si me mikun e tij më të afërt!