“VOX POPULI, VOX DEI .” (Zëri i popullit, zëri i Zotit).

Kjo fjali është sa e vërtetë hyjnore, aq edhe përgjegjësi njerëzore. Toka, duam apo s’duam ne, me të gjitha bukuritë dhe të mirat e saj, është dhuratë e Zotit, Krijuesit; është një dhuratë falas, “shtëpia” jonë e përbashkët si qenie humane dhe natyrore.
Globi është ndarë nga providenca hyjnore për çdo popull, komb dhe shtet, ashtu si na thuhet në Bibël: “Perëndia që bëri botën dhe të gjitha gjërat që janë në të, duke qenë Zot i qiellit dhe i tokës… Ai ka bërë nga një gjak i vetëm të gjitha racat e njerëzve, që të banojnë në mbarë faqen e dheut, dhe caktoi kohërat me radhë dhe caqet e banimit të tyre” (Veprat 17:24–26).
Kështu, çdo individi dhe çdo populli i është dhënë si dhuratë një copë territori që ta përdorë, ta gëzojë në breza, por edhe ta ruajë si të shenjtë nga abuzimi, shkatërrimi apo grabitja prej të tjerëve që e lakmojnë tokën dhe natyrën që Zoti ua dha për përdorim dhe jetesë ndër breza çdo populli në faqe të dheut.
Kjo përkujdesje, sakrificë ndaj tokës ku ke lindur dhe jeton quhet atdhedashuri, dhe kjo atdhedashuri të çon në mirënjohje ndaj Zotit që e krijoi dhe e dhuroi atë.
Prandaj, besimi në Zot dhe dashuria për atdheun janë një bashkim vlerash që frymëzojnë njeriun të jetojë me përgjegjësi, dinjitet dhe përkushtim ndaj të mirës së vendit të tij.
Kjo është arsyeja që në vendet më të bukura të botës, edhe në Shqipëri, njerëzit e logjikshëm i kanë kushtuar një vend adhurimi (tempull) Zotit, duke shprehur kështu në breza mirënjohjen ndaj Krijuesit, por edhe duke e bërë atë tokë të shenjtë për ta dashur, trashëguar dhe ruajtur deri në flijim të jetës.
Kjo është arsyeja që krishterimi ortodoks nderon ata që ranë (martirët) për fe dhe për atdhe, sepse dashuria për Zotin dhe dashuria për atdheun janë si një dashuri, ashtu si Krishti na mësoj : “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.”Ky është urdhërimi i parë dhe më i madhi.Dhe i dyti, i ngjashëm me të, është: “Duaje të afërmin ( vendin) tënd si veten tënde.”Nga këto dy urdhërime varet i gjithë ligji dhe profetët.” (Mateu 22:36–40)
Shqipëria si vend gjeografik mund të quhet si qendra e Europës, me një bukuri natyrore të rrallë, të larmishme dhe të pasur me peizazhe të ndryshme, duke përfshirë male, fusha, lumenj, liqene dhe brigje detare të gërshetuara në mënyrë harmonike dhe shumë të veçantë nga Krijuesi.
Kjo pozitë gjeografike dhe bukuria natyrore e veçantë kanë bërë që Shqipëria gjithmonë të jetë e lakmuar nga të huajt, dhe historia shekullore na tregon fatkeqësisht sa shumë është grabitur, copëtuar dhe zvogëluar ky vend i bekuar nga lakmia e të huajve.
Patjetër për këtë faji nuk është i Zotit, por i vendasve, që shpesh ndoshta nuk ditën ta vlerësonin dhe ta mbronin vendin e tyre, tokën dhe pasuritë e saj natyrore; madje disa herë e tradhtuan, e shitën për interesa të çastit dhe egoiste, apo u morën pjesë toke nga fuqitë e mëdha, sepse shqiptarët nuk ishim të bashkuar, por të përçarë në përkatësi etnike, feje apo në atdhedashuri.
Globalizmi i botës sot ka të mirat e tij, sepse bashkon shoqërinë njerëzore që është prej një gjaku; por kujdes: kjo nuk duhet të njësojë as territoret, as kufijtë, as kulturën, as gjuhën.
Çdo vend që përfaqësohet nga një qeveri duhet t’i ruajë këto vlera, sepse kështu i ka caktuar providenca hyjnore për një mbarëvajtje normale, që secili të ketë vendin e tij, kulturën dhe gjuhën e vet, dhe patjetër të respektojë dhe të mikpresë mikun e huaj, ashtu si themi ne shqiptarët: “Shtëpia është e Zotit dhe e mikut”.
Por kjo nuk do të thotë që t’ua shesim vendin të huajve apo ta lejojmë që të huajt ta përdorin duke privuar vendasit, me pretekstin e “investimit strategjik”, sepse nuk ka investim strategjik që mund të blejë apo shesë as edhe një copë nga toka që Zoti na ka ndarë dhe që paraardhësit e kanë mbrojtur dhe me gjak e na e kanë besuar që ne ta ruajmë, ta trashëgojmë dhe t’ua lëmë të begatë brezave pasardhës.
Çdo gabim i tillë ka kosto të pariparueshme, dhe humbja e territorit që na është dhënë si dhuratë është përgjegjësia jonë për të mos e lejuar. Le të kujtojmë këtu edhe Manastirin e Shën Naumit, i cili kaloi në kufirin jugosllav në vitin 1920, në kohën e Mbretit Zog.
Kundërshtarët politikë të Zogut e kanë përshkruar këtë si “shitje” të Shën Naumit, ndërsa historianë të tjerë argumentojnë se ishte rezultat i negociatave kufitare dhe vendimeve ndërkombëtare, ku Shqipëria mori kompensime territoriale në zona të tjera. Por sido që të jetë, ne nuk e kemi më atë vend të shenjtë dhe me një bukuri të rrallë.
Gjatë kulmit të krizës financiare (rreth viteve 2010–2015), disa politikanë dhe analistë të huaj (veçanërisht në Gjermani) propozuan që Greqia të shiste ose jepte me qira ishuj të pabanuar për të shlyer një pjesë të borxheve të saj BE.
Megjithatë, ky propozim nuk u pranua kurrë nga qeveria greke edhe pse ka me mijëra ishuj në tokën greke dhe nuk u bë kurrë pjesë e marrëveshjeve zyrtare të shpëtimit, por grekët shtrëguan ripin dhe paguan borxhin me dinjitet , kurse ne në Shqipëri një ishull që kemi e dhamë ivestitorit strategjik dhe sot na shfaqen në media përtej kontinentit si pronarë të rinj dhe që mburen me bukuritë e tokës tonë që na i dha Zoti dhe të parët tanë e mbrojtën me gjak gjatë shekujve .
Por edhe diçka tjetër: shprehja biblike “I Zotit është dheu dhe sa janë në të” na kujton se toka, deti, pyjet dhe çdo krijesë që jeton në to nuk janë vetëm pasuri ekonomike, por vlera natyrore që duhet të ruhen me përgjegjësi.
Patjetër që njeriu ka të drejtë të zhvillojë ekonominë dhe turizmin dhe të përfitojë, por jo në mënyrë që të dëmtojë mjedisin dhe trashëgiminë natyrore, dhe ta përdorë atë vetëm për kënaqësinë e tij, kushdo qoftë, çfarë statusi të ketë, pa u menduar se ai nuk është pronar, por menaxher i përgjegjshëm i natyrës që nuk është e tij.
Besoj se kjo është arsyeja që këto ditë po kemi një zgjim energjitik ndryshe nga herët e tjera, një demonstrim shumë qytetar të ndjenjës kombëtare dhe ambientaliste, një kundërshtim popullor shembullor, jo partiak, kundër projektit të një investitori strategjik në zonën e mbrojtur natyrore bregdetare dhe kënetore të fshatit piktoresk të Zvërnecit.
Ai vend i bukur, por edhe i shenjtëruar, sepse aty në ishullin e Lagunës së Nartës ndodhet edhe manastiri i “Fjetjes së Hyjlindëses Mari” (shekulli XIII), që feston më 15 gusht në të gjithë zonën, ka një faunë të rrallë mesdhetare dhe mund të konsiderohet një kryevlerë natyrore dhe shpirtërore që na është dhënë në kujdestari ne shqiptarëve, dhe shumë vende të tjera të bukura e të shenjta që duhet t’i ruajmë deri në fund të kohës.
Fatkeqësisht lakmia ka bërë që njerëz oligarkë, nga brenda dhe jashtë vendit, ta keqpërdorin natyrën tonë dhe po e betonizojnë përditë. Këtë fakt tragjik po e shohim me trishtim dhe jemi të shqetësuar se jo vetëm qyteti, por edhe e gjithë vija bregdetare është cenuar nga betonizimi barbar. Të paktën të lihen disa oaze natyrore si Laguna e Zvërnecit, ashtu siç i ka krijuar dora e Krijuesit në territorin e Shqipërisë, sepse kjo është e mirë për ne dhe për fëmijët e fëmijëve tanë, por edhe një përgjegjësi para dhuruesit, Zotit.
Kështu shprehja biblike :“I Zotit është dheu dhe sa janë në të, bota dhe banorët e saj” (Psalmi 24) na mëson se njeriu është kujdestar i natyrës, jo zotërues absolut i saj. Vetëm duke ruajtur natyrën mund të ndërtojmë një të ardhme të qëndrueshme, ku zhvillimi ekonomik dhe mbrojtja e mjedisit ecin së bashku.
Për këtë arsye, mbrojtja e Zvërnecit dhe e çdo zone të ndjeshme mjedisore në vend është një detyrim moral, qytetar dhe kombëtar, që fatmirësisht po shprehet qytetarisht këto ditë dhe nuk duhet të ndalet derisa ata që marrin vendime në këtë vend apo investitorët të kuptojnë se nuk janë pronarë apo zotërues, por duhet të tërhiqen me përulësi dhe të dëgjojnë zërin e popullit, sepse: “Vox populi, vox Dei.” (Zëri i popullit, zëri i Zotit).