PUNA DHE PUSHIMI , SIPAS KËNDVËSHTRIMIT TË KRISHTERE !

Nga Katekisti: Miron Çako
Puna dhe pushimi, pavarësisht se duken diametralisht të kundërta, ato kanë lidhje dhe plotësojnë njëra-tjetrën, sepse pa punë nuk ka pushim dhe pa pushim njeriu nuk punon dot përsëri. Puna përfshin aftësinë mendore dhe fizike të njerëzve për të siguruar të mira materiale, vlera shpirtërore për interesin e tij përgjatë kohës dhe hapësirës në botën ku jeton.
Po të vazhdojmë të mendojmë në këtë mënyrë evolucioniste utopike si Engelsi, se puna ishte kushti themelor i të bërit njeri, atëherë del pyetja pse ka në racën njerëzore dembelë që nuk e duan punën? Mos do të thotë që kjo gjë se ai ka dështuar së evoluari dhe ka mbetur majmun? Por mund të themi se puna e tepërt dhe e detyruar e kthen njeriun në një kafshë pune ashtu si edhe Karl Marksi (1818 – 1883), një tjetër filozof ateist materialist dhe ekonomist politik, thotë diçka që duket sikur bie ndesh me Engelsin: “Fakti që puna është e huaj për punëtorin, nuk i përket natyrës së tij instiktive. Në punën e tij, ai nuk e afirmon veten, por e mohon atë, nuk ndihet i kënaqur, nuk zhvillon lirisht energjinë e tij mendore dhe fizike, por sakrifikon trupin dhe mendjen. Punëtori e ndien veten jashtë punës, në punë ndihet jashtë vetes”. (Dorëshkrimet ekonomike dhe filozofike të vitit 1844 Karl Marks, Puna e rëndë)
Mendimi ateist na tregon se puna, si aspekt i vullnetit dhe vullneti atribut i shpirtit mendor, e tregon njeriun ikonë të Perëndisë, sepse ashtu si Zoti si qenie intelektuale mendon, punon dhe krijon, edhe njeriu si një miniaturë e Zotit, si qenie psiko-somatike, mendon, punon dhe krijon ndryshe nga çdo krijesë tjetër, madje edhe nga ato engjëllore. Njeriu u pajis me këtë virtyt dhe atribut hyjnor që kur u krijua; në Bibël lexojmë: “Zoti e krijoi njeriun dhe e vendosi në kopshtin e Edenit që ta ruante dhe ta kultivonte (punonte)” (Zanafilla 2:15). Puna ishte kënaqësi dhe dinjitet për njeriun, e lartësonte përmbi krijimin. Por, mbasi njeriu mëkatoi dhe u rebelua kundër Zotit, ajo u kthye në një angari, mundim dhe në një nevojë ekzistenciale, siç na thuhet në librin e Zanafillës: “Meqenëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën të kisha urdhëruar të mos haje, toka do të jetë e mallkuar për shkakun tënd. Ti do të hash frytin e saj me mund, gjithë ditët e jetës sate”(Zanafilla 3:1-7).
Pavarësisht nga ndryshimi i llojit të saj, puna mbetet përsëri një ligj i pandryshuar dhe detyrim për çdo njeri të aftë për punë, ashtu si Zoti urdhëroi: “Puno gjashtë ditë dhe në ato bëje çdo punë tënden” (Eksodi 20:9).Prandaj, sipas Biblës, dembelizmi është i pajustifikuar dhe i dënuar si një ves mëkatar dhe, gjithashtu, është shkak i një rënieje morale, me shumë pasoja jo vetëm për individin dhe familjen ku ai jeton, por edhe për mbarë shoqërinë. Sepse, nëse dikush ka mundësi të punojë dhe nuk punon, ai, i nxitur nga uria, do të kërkojë të përvetësojë punën e të tjerëve, ose të tjerët do të punojnë për të. Sipas Biblës, një njeri i tillë nuk është më njeri, por një parazit i neveritshëm: “Me gur të përbaltur (të ndotur) krahasohet përtaci; gjithkush i fishkëllen në shenjë përbuzjeje. Me pleh lopësh krahasohet përtaci; kushdo që e prek, e shkund dorën e vet” (Sirakidi 22:1-2).
Puna ushtrohet në profesione të ndryshme, sipas aftësisë që dikush e fiton dhe e trashëgon. Prandaj një shoqëri nuk mund të jetojë vetëm me një lloj pune, p.sh. vetëm atë mendore, drejtuese apo elitare, ajo duhet ta shpërndajë forcën e punës në të gjitha aftësitë prodhuese; madje, pa punët që sot duken si të rëndomta, si bujqësi, zanate, asnjë qytet nuk mund të ndërtohet, si e thotë Libri i Sirakidit: “Të gjithë këta shpresën e kanë në duar, e secili është mësuar në zanatin e tij. Pa këta, nuk do të ishte e mundur të ndërtohej asnjë qytet; njerëzit nuk do të kishin ku të banonin as ku të shëtisnin”(Sirakidi 38:36-37).
Për ilustrimin e këtij fenomeni më kujtohen fjalë e kryepiskopit Anastas, i cili në një intervistë në TV ERT i pyetur për krizën greke, ndër të tjera tha: “grekët pinin kafe, kur shqiptarët ju mblidhnin ullinjtë.”
Shembulli i punëtorit të palodhur është vetë Zoti Perëndi, i cili jo vetëm kur paraqitet si krijues i gjithçkaje: “Qiejt u bënë me anën e Fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tij me anën e Frymës së gojës së tij… Sepse ai foli dhe gjëja u bë; Ai urdhëroi dhe gjëja u shfaq” (Psalmi 33:6-9), por, edhe kur Fjala e Zotit u bë njeri në personin e Jesu Krishtit për shpëtimin e njerëzve, na la shembullin e tij unikal në lidhje me punën. Krishti, deri në moshën 30-vjeçare, punoi në zanatin e lodhshëm të marangozit, një mënyrë e ndershme për të siguruar jetesën për veten, nënën e tij dhe për familjen ku banonte. Vetë Krishti thotë: “Ati im punon deri tani dhe Unë punoj”(Joani 5:17).
Puna shpirtërore nuk e përjashton punën e përditshme që bëjmë për të mbijetuar, as nuk e justifikon dembelizmin, sepse “kush nuk punon, as të mos hajë”(2 Selanikasve 3-10), qorton apostulli i kombeve, Pavli, nxënës i Krishtit; por puna shpirtërore është puna më e lartë që mund të bëjë krijesa njerëzore, madje quhet “shkenca e shkencave”. Ajo është një punë që bëhet me shqisën e gjashtë, atë të besimit, e cila e lartëson njeriun në marrëdhënie me Zotin deri aty sa ai bëhet i ngjashëm me Të, sepse çlirohet nga lakmia dhe mëkati që e bëjnë skllav të materies së përkohshme, dhe fiton sundimin dhe kontrollin mbi krijesën, ashtu siç ishte në fillim para se të binte mëkat.
Dita e pushimit, që iu dha në fillim popullit besimtar judaik në vitin 1446 para Krishtit, në të vërtetë nuk ishte një ditë pasive, një lloj përgjumje, përkundrazi, ajo ishte një ditë me aktivitete shpirtërore, e cila bënte që njeriu ta ngrinte kokën e tij nga poshtë-lart, nga toka në qiell, të komunikonte me Perëndinë, Krijuesin e tij. Duke bërë pushim, ndryshe nga kafshët që nuk kanë ditë pushimi, njeriu besimtar imiton Zotin, i Cili, mbasi krijoi qiellin dhe tokën, pushoi: “Sepse në gjashtë ditë Zoti krijoj qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, dhe në ditën e shtatë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e sabatit dhe e ka shenjtëruar atë” (Eksodi 20:11).
Këtë ditë pushimi, të vërtetë dhe të përjetshme me Perëndinë, e arriti Krishti, me punën e Tij për shpëtimin e të gjithë njerëzve judej dhe pagan, ashtu siç vetë Ai thotë: “Unë të kam përlëvduar mbi tokë. Unë e kam kryer punën që më ke dhënë të bëj”(Joani 4). Puna që ai përfundoi për shpëtimin e njerëzimit sipas vullnetit të Perëndisë, ishte çlirimi i tyre nga barra e mëkatit me flijimin e Vet triumfues në Kryq të premten dhe ringjallja nga vdekja (që e kishte fuqinë te mëkati), që i dha njerëzve me ngjalljen e Tij të lavdëruar ditën e diel. Këtë ditë, pavarësisht që është dita e parë e javës, ne përsëri pushojmë, edhe pse nuk kemi punuar me meritë për shpëtimin tonë, dhe parashijojmë pushimin e përjetshëm nga merita e punës së Krishtit.
Kjo ditë pushimi është një ditë që na mbledh për të adhuruar dhe falënderuar Zotin, i Cili na dha pushimin nëpërmjet punës së Birit të Tij. Kjo ditë na kujton të parashijojmë vërtet atë ditë kur do të pushojmë nga punët fizike dhe do të prehemi në Zotin, atje ku nuk ka më as punë, as mundim ashtu siç thuhet te Zbulesa: “Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin: po thotë Fryma, që prehen (pushojnë) nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre i shoqërojnë” (Zbulesa 14:13). Ose siç thuhet në Shërbesën e Varrimit në Kishë Orthodhokse: “Bashkë me shenjtorët prehe, o Krisht, shpirtin e shërbëtorit tënd, atje ku nuk ka as dhembje, as heleme, as psherëtima, por vetëm jetë të pambaruar…”
Dita e diel, si një ditë pushimi nga tradita e krishterë, u vendos si ditë zyrtare pushimi në Perandorinë Romake nga perandori Kostandini i Madh në v. 321 dhe vazhdon të jetë e tillë deri më sot në të gjithë botën. Pavarësisht se ka njerëz që nuk e dinë këtë fakt dhe domethënien e së dielës, ata përsëri të dielave ndjejnë një nevojë për pushim, një qetësi dhe paqe sepse asgjë nuk është rastësi, por ka një rregull dhe ligj nga Zoti që tha: “Gjashtë ditë puno dhe të shtatën pusho”.