Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2026
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

PSE DUHET T’I PAGËZOJMË FOSHNJAT?

January 9, 2026 at 8:38 pm, 1 comment
614072955_2687503184946646_7196392843458130966_n.jpg

Nga Katekisti: Miron Çako


Kishën Orthodhokse, Misteri i Pagëzimit është një nga shtatë Misteret e Shenjta dhe quhet misteri hyrës në Kishë, që është Trupi i Krishtit dhe Krishti kreu i saj (Kolosianëve 1:18).

Pagëzimi si Mister u themelua nga vetë Zoti në fillim kur Ai u pagëzua në lumin Jordan nga Shën Joan Pagëzori, ashtu si na thonë Ungjillorët (Mattheu 3:13-17, Marku 1:9-11, Llukai 3:21 22, Joani: 1:32 -34).

Po, ashtu kur Zoti i urdhëroi Apostujt: “Shkoni pra e mësoni gjithë kombet, edhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Frymës së Shenjtë” (Mattheu 28:19). “Kush të besojë dhe të pagëzohet, do të shpëtojë; po kush të mos besojë, do të dënohet (Marku16:16).

Emri “pagëzim” rrjedh nga folja greke “vaftizo” që do të thotë “zhys, laj”. Pagëzimi, pra, është një zhytje ose një larje me ujë. Me anën e Misterit të Pagëzimit, nëpërmjet ujit edhe Shpirtit të Shenjtë, një individ, pavarësisht moshës, merr ndjesën e mëkatit stërgjyshor kur është foshnjë dhe i rritur faljen e çdo mëkati tjetër personal që ai ka bërë më mendime, fjalë dhe veprime.

Zhytja e gjithë personit në ujë paraqet vdekjen dhe varrimin e Krishtit, dalja prej ujit simbolizon ngjalljen në bashkim me të.

Prandaj pagëzimi është një Mister paskal, një bashkim i ngushtë me ngjalljen e Krishtit. Katikumeni nëpërmjet pagëzimit vdes edhe ngjallet në Krishtin, prandaj pagëzimi është një rilindje, ose kalim paskal, ashtu siç na thotë përsëri Apostull Pavli: “Po a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jisu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij? Ne, pra, u varrosëm me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne gjithashtu të ecim në risinë e jetës.Sepse, nëse u bashkuam me Krishtin në një vdekje të ngjashme me të tijën, do të jemi edhe e ringjalljes së tij” (Romakëve 6:4-5).

Pagëzimi është edhe një Dhjatë, një Besëlidhje ndërmjet Zoti dhe të pagëzuarit, ashtu si Perëndia ka bërë besëlidhje me personalitete të spikatura të historisë njerëzore për shpëtimin e botës, me të Drejtët e Dhjatës së Vjetër, Noeun, Abrahamin, Moisiun, Davidin, etj. Prandaj pagëzimi kërkon një përgjigjësi personale.

Duke e parë në këtë këndvështrim, në krishterimin e hershëm pagëzimi bëhej zakonisht mbas moshës 30 vjeç, duke imituar pagëzimin e Jisuit në lumin Jordan. Por duke qenë rreziku i vdekjes së papritur të fëmijëve, Kisha Apostolike që nga dita e Pendikostisë, praktikoi dhe vazhdon së praktikuari pagëzimin e foshnjave dhe fëmijëve, pa pritur moshën e pjekurisë.

Pagëzimi i foshnjave ishte çështje e rëndësishme, që shkaktoi polemikë në shekujt e parë të krishterimit me mendime të ndryshme, pro edhe kundra pagëzimit të foshnjave, por mbizotëroi mendimi i Etërve të Shenjtë, si p.sh i Shën Qipriani (shek. III), i cili ishte i mendimit se “të gjitha mëkatet eliminohen nga pagëzimi”, prandaj besonte se foshnjat duhet të pagëzohen, pa përjashtim. Por meqënëse foshnjat nuk janë të vetëdijshme për atë çfarë po bëjnë, Kanunet e Shenjta ndalojnë pagëzimin e foshnjave nëse nuk janë fëmijë të prindërve të krishterë.

Në Sinodin e VII Ekumenik u vendos: “Por në qoftëse se ndonjë prej tyre do të kthehej me besim të sinqertë, pranohet dhe fëmijët e tij pagëzohen. Në asnjë rrethanë të ndryshme nga kjo nuk mund të pranohet” (Kanoni XIII, Sin. 7-të Ekumenik).

Etërit e Shejntë, edhe pse disa prej tyre u pagëzuan në moshë të madhe, përsëri këmbëngulnin për pagëzimin e foshnjave dhe fëmijëve.

Shën Grigor Theologu këshillonte nënat e krishtera: A keni një fëmijë: “Mos i lini kohë të keqes të rritet. Le të shenjtërohet ai në foshnjëri dhe qysh që fëmijë t’i kushtohet Frymës. Apo mos i trembeni vulës nga shkaku i dobësisë së natyrës? Ana sapo lindi Samuelin, ia premtoi Zotit dhe menjëherë mbas lindjes, e përkushtoi atë dhe e rriti për rrobën e shenjtë, pa patur frikë nga dobësia njerëzore, por duke besuar në Perëndinë".

Vetë Zoti i urdhëroi prindërit e fëmijëve: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë” (Llukai 18:16). Vajtja tek Zoti bëhet vetëm nëpërmjet Pagëzimit që është kusht shpëtimi për të gjitha moshat, sepse kur Nikodemi e pyeti Zotin se si mund të shpëtojë njeriu, Krishti i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë. Mos u mrrekullo që të thashë: Duhet të lindni përsëri” (Joani 3:5-7).

Edhe Apostujt mësuan të njejtat gjëra mbi detyrimin e Pagëzimit. Apostull Petro, ditën e Pendikostisë, i mbushur me Shpirtin e Shenjtë, u predikoi dëgjuesve të mahnitur nga çudia e gjuhëve: “Atëherë Petro u tha atyre: Pendohuni, edhe gjithësecili prej jush le të pagëzohet në emrin e Jisu Krishtit, për ndjesën e mëkateve; edhe do të merrni dhuratën e Frymës së Shenjtë.Sepse premtimi është mbi ju dhe mbi bijtë tuaj dhe mbi të gjithë ata që janë larg, sa ka për të thirrur Zoti Perëndia ynë. Edhe me shumë fjalë të tjera dëshmonte dhe i nxiste ata, duke thënë: Shpëtoni nga ky brez i shtrembër.Ata pra që pritën me gëzim fjalën e tij u pagëzuan; edhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt” (Vap 2:38-41).

Edhe apostull Pavli na thotë për rëndësinë e madhe të pagëzimin për shpëtim: “Të shpëtuar jo prej veprash drejtësie që kryem ne, po sipas përdëllimit të tij na shpëtoi, me anë të larjes së rilindjes, edhe me anë të përtëritjes së Frymës së Shenjtë” (Titos 3:5).

Me këto fjalë të Krishtit dhe të apostujve kuptojmë se, edhe sikur një fëmijë i vogël të mos pagëzohet për shkak të neglizhencës ose paditurisë së prindrëve, rrezikon hyrjen në Mretërinë e Perëndisë. Prandaj Apostujt, duke pasur parasysh fjalët e Zotit, pagëzonin të gjithë njerëzit e rritur edhe fëmijët, ashtu si apostull Pavli pagëzoi disa familje, me të gjithë pjestarët e tyre. Ai pagëzoi gjithë familjen e rojes së burgut: “Dhe ai dhe të gjithë të tijtë u pagëzuan menjëherë” (Veprat e Apostujve 16:33). Po ashtu, apostulli na thotë se pagëzoi një tjetër familje komplet, me të rritur dhe fëmijë: “Unë pagëzova edhe familjen e Stefanës” (II Korinthianëve 1:16).

Pagëzimi kanonik përmban normalisht tre zhytje të plota në emër të Atit të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, ose në raste të pamundura, me ekonomi, spërkatje me ujë sipër kokës, ose në mungesë të ujit, rërë në shkretëtirë, ose ngritje në ajër tri herë, në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.

Kisha Orthodhokse këmbëngul në pagëzimin kanonik me zhytje në ujë edhe të foshnjave. Shën Kozmai i Kolkondasit na i thotë në mënyrë metaforike rëndësinë e mënyrës kanonike të pagëzimit me zhytje edhe për foshnjat: “T’i pagëzoni sipas rregullave të Kishës Ortodokse Lindore. T’i zhysni fëmijët brenda në kolimvithër, e cila të ketë brenda shumë ujë dhe të bëni tre zhytje dhe nxjerrje duke thënë Emrin e Trinisë së Shenjtë. Etër të shenjtë, priftërinj, duhet të keni kolimvithra të mëdha në kisha, që fëmija të futet i tëri brenda e të notojë, derisa të mos mbetet as edhe një pjesë e vogël sa syri i pleshtit e palagur, sepse djalli edhe aty mund të hyjë. Ndaj dhe fëmijët demonizohen, kanë frikë, bëhen fatzinjë, ngaqë nuk janë të mirëpagëzuar” (Mësimi VII, Mbi Pagëzimin dhe Pendimin).

Misterin e Pagëzimit e kryen prifti, por në mungesë, në raste të veçanta, kur rrezikohet të vdesë personi që dëshiron të pagëzohet, ose kur është fëmijë, mund ta kryejë pagëzimin edhe një laik i pagëzuar që ndodhet pranë, duke i hedhur ujë në kokë të rriturit, ose duke e ngritur në ajër fëmijën e duke thënë: “Pagëzohet shërbëtori i Perëndisë (aksh), në Emër të Atit të Birit dhe të Shpirtit të Shejntë. Amin”.

Nëse personi i pagëzuar do të jetojë, Misteri i Pagëzimit duhet të plotësohet nga prifti orthodhoks me shërbesën e Pagëzimit dhe me Misterin e Mirosjes. Pas pagëzimit me ujë, vjen vënia e duarve mbi të sapopagëzuari, ose Misteri i Mirosjes.

Në Kishën Orthodhokse, në një shërbesë kryen dy mistere, njëri pas tjetrit, Pagëzimi dhe Mirosja. Pagëzimi është për pastrim, ndriçim dhe shejntërim. Mirosja është zbritja e Shpirtit të Shenjtë tek i pagëzuari ashtu si zbriti si pëllumb mbi kryet e Krishtit mbasi u pagëzua nga Joani. (Mattheu 3:16) ose që zbriti si gjuhë të zjarrta, në ditën e Pendikostisë mbi kokat e apostujve. (Veprat e Apostujve 2:3). Mirosja është dhuratë e hireve të Shpirtit të Shenjtë, që i jepet të sapopagëzuarit si përsoje, vulosje dhe birësim.

Kisha Othodhokse e kryen këtë Mister hirëdhënës menjëherë mbas pagëzimit, ashtu siç vepronin edhe apostujt, “të cilët zbritën e u lutën për ata, që të marrin Frymë të Shenjtë. Edhe si vuri Pavli duart mbi ata, erdhi Fryma e Shenjtë mbi ta, dhe flisnin gjuhë e profetizonin” (Veprat e Apostujve 8:15, 19:6).

Pagëzimi dhe Mirosja kërkojnë vetëdije dhe përgjegjësi nga katikumeni që shkon për t’u pagëzuar, por fëmija është i pavetëdijshëm për atë po bën, prandaj Kisha Apostolike, nën urtësinë e Shpirtit të Shenjtë, vendosi që në emër të fëmijës të përgjigjet një i rritur, nuni.

Nuni, sipas rolit dhe përgjegjësisë që merr nëpërmjet veprimit të Shpirtit të Shejntë, bëhet në pagëzim "prind shpirtror", më i lartë se prindërit, sepse, na mëson Zoti, shpirti është më i lartë se trupi(Luka 12:23).
Nuni është i domosdoshëm në Misterin e Pagëzimit për fëmijë poshtë moshës 11 vjeç. Për rëndësinë e besimit të nunit në emër të fëmijës, na i thotë vetë Zoti: “Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua” (Mattheu 18:5).

Pra, edhe fëmija pranohet nga Perëndia për hir të besimit të nunit. Zoti vetë bëri mrekulli tek fëmijët nga besimi i prindërve ose i të rriturve, si p.sh. në rastin e shërimit të vajzës së demonizuar për shkak të besimit të gruas kananease (Matttheu 15:21). Shërimi i djalit epilektik nga besimi i babait (Mattheu 17:14), ngjallja e bijës së Jairit (Mattheu 15:21).

Po ashtu Zoti thotë “që çdo fjalë të vërtetohet nga goja e dy ose tre dëshmitarëve” (Mattheu 18:16). Pra, nëpërmjet besimit të prindërve, të nunit dhe dëshmimtarëve të tjerë, bëhet pagëzimi i fëmijës prej priftit.

Nuni duhet të jetë i pagëzuar, njohës i besimit dhe i vetëdijshëm për rolin që po ndërmerr, sepse do të përgjigjet në emër të foshnjes para Zotit. Nuni, i cili merr të gjithë përgjegjësinë dhe garancinë para Zotit dhe Kishës për kujdesin shpirtëror të këtij fëmije, domethënë që të lutet për fëmijën, t’i mësojë besimin orthodhoks dhe që ta drejtojë në rrugën e krishërimit, derisa fëmija të rritet dhe të bëhet i vetëdijshëm për atë që ka marë kur u pagëzua foshnje.

Çdo nun do të përgjigjet përpara “gjykatores së frikshme të Krishtit”, për humbjen e shpirtit të të pagëzuarit, për shkak të indiferencës apo neglizhencës së tij.

Për përgjegjësinë e madhe të nunit, na tregon edhe Shën Pais Agjoriti nga pervoja e jetës së tij:

“Nuni ka përgjegjësi të madhe. Prindërit e mi i kishin premtuar një familjeje miqsh, se dikush nga familja jonë do të pagëzonte një nga fëmijët e tyre. Ku erdhi ai moment, mungoni të gjithë njerëzit e mi dhe më thanë ta pagëzoja unë. Isha 16 vjeç dhe nuk doja ta pagëzoja, sepse e dija mirë përgjegjësin që do të kisha. U vura në pozitë të vështirë dhe bëra këtë lutje: ‘Perëndia im’- thashë- nëse ky do të bëhet një njeri i mbarë, merri nga unë vitet e jetës dhe jepja këtij. Por nëse do të bëhet njeri i keq, merre që tani që është engjëll’. E pagëzova me emrin Pavël. Mbas një jave ai vdiq. Në qiell tani ai është i sigurt”.

Disa heretikë thonë se fëmijët janë të shenjtë dhe nuk kanë nevojë të pagëzohen, dhe për këtë përmendin fragmentin nga letra e apostull Pavlit që thotë: “Sepse burri jobesimtar është shenjtëruar me anë të gruas, dhe gruaja jobesimtare është shenjtëruar me anë të burrit, sepse përndryshe fëmijët do të ishin të papastër; kurse kështu janë të shenjtë” (1 Korinthianëve 7:14).

Apastull Pavli me këto fjalë nuk do të thotë që fëmijët janë të shenjtë pa mëkat, por janë të shenjtë, domethënë të ndarë në një pozicion më të privilegjuar se fëmijët e tjerë që nuk kanë asnjë prind besimtar. Prindi besimtar ka Shpirtin e Shenjtë që mund ta drejtojë fëmijën tek Krishti. Kështu, fëmija në këtë situatë prindërore ka më shumë mundësi të shpëtohet nëpërmjet mistereve të Kishës Orthodhokse.

Këto raste që na flet apostulli ishin përjashtime vetëm për ato martesat mikse civile, kur një nga bashkëshortët besonte në Krishtin dhe tjetri qëndronte në paganizëm dhe për të mos u prishur martesa ashtu si ishte edhe në ligjin e Moisiut, që nëna edhe fëmija pagan duhet larguar nga familja dhe populli Jude, apostulli thotë se në kohën e hirit Perëndia e lejoi bashhkëjetesën edhe lindjen e fëmijëve në martesa mikse, sespe ata kanë mundësi nga prindërit e bërë të krishterë të shenjtërohen në bashkim me Zotin. Kjo situatë nuk pranohet kur personi është i krishterë përpara dhe pastaj kërkon të martohet me paganë, ateistë, sepse në këtë situatë kemi një rënje në besim dhe bashkjetesa pa kurorë quhet kurvëri dhe fëmijët janë pjella të mëkatit.

Arsyeja që fëmija duhet patjetër të pagëzohet është:
E para se njeriu kur lind nga prindër tokësorë është mish, ashtu si Zoti tha: “Ç'ka lindur nga mishi është mish; por ç'ka lindur nga Fryma është frymë” (Joani 3:6).Fëmija, me natyrë mishore mëkatare, mund të bëhet shpirtërore, mund të hyjë në Mbretërinë e Zotit vetëm nëqoftëse rilind me anën të "Ujit dhe Shpirtit” (Joani 3:5-7).
E dyta fëmija është me mëkat, sepse mbart mëkatin stërgjyshor, gjë të cilën na e thotë edhe apostull Pavli: “Sespe ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Romakëve 5:12).

Fëmijët sa më shumë të rriten, aq më shumë mëkatojnë personalisht, prandaj kanë nevojë emergjente për Pagëzimin pastrues dhe ndriçues, pasi “nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10). Gjithashtu, edhe Apostulli dhe Ungjillori i shenjtë Joan na thotë: "Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne” (1 Joani 1:8).

Po ashtu, Profeti Isaia na thotë : "Jo, ti as nuk i ke dëgjuar as nuk i ke ditur, as veshi yt nuk ishte i hapur atëherë, sepse e dija që ti do të veproje me pabesi dhe që do të quheshe "rebel" që në bark të nënës” (Isaia 48:8). Kurse psalmisti David shkruan tek një nga psalmet e tij: "Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje" (Psalmi 58:3) dhe “në mëkat më lindi nëna ime" (Psalmi 50:5).

Mos pagëzimi i fëmijës është një dëm i madh shpirtëror për fëmijën, sepse nëse ai nuk pagëzohet dhe vdes i papagëzuar, i vështirësohet hyrja në Mbretërinë e Perëndisë, ashtu si na i shpjegojnë shejntorët orthodhoksë.

Shën Kozmai thotë se: “më mirë të vrasësh 100 njerëz, sesa ta lësh një fëmijë të vdesë i papagëzuar. Sepse njeriu i papagëzuar dhe i parrëfyer, është e pamumdur të shpëtojë”.

Shën Gabrieli, i marrë më Krishtin, për këtë çështje na thotë: "Fëmija duhet të pagëzohet tetë ditë pas lindjes. Nëse jeta e tij është në rrezik, atëherë ai mund të pagëzohet edhe para tetë ditëve. Nëse kalojnë dyzet ditë dhe fëmija vuan nga diçka, atëherë prindërit janë përgjegjës para Zotit. Nëse ai vdes i papagëzuar brenda dyzet ditëve, do të zbatohen ligjet e vjetra. Por nëse kalojnë dyzet ditë, atëherë ai shkon përkohësisht në Had, por nuk torturohet. Ai bie në baltë por nuk dënohet, sepse ai është shpirt engjëllor.

Në Gjykimin përfundimtar, këto shpirtra do të ngjiten nga Hadhi. Ata do të çlirohen nga gjithçka. Por ata nuk do ta shohin madhështinë e Zotit, sepse nuk e kanë marrë Shpirtin e Shenjtë”!
Shën Paisi na tregon këtë histori: "Një murg në malin Athos ishte nga një fshat i Bullgarisë, ku kishte shumë njerëz të pagëzuar. Më tregoi se kur ishte laik dhe ishte ende i papagëzuar, pa në ëndërr nipin e tij, i cili kishte vdekur pak kohë më parë, duke qenë jashtë një kopshti shumë të bukur duke qarë. Brenda kopshtit kishte shumë fëmijë që luanin të lumtur. ‘Pse nuk hyn edhe ti brenda?’, e pyetën ata. ‘Nuk mund të futem brenda, sepse jam i papagëzuar’, u përgjigj ai. Pas kësaj shkoi menjëherë dhe u pagëzua ai vetë dhe pastaj i tregoi priftit ëndrrën që kishte parë. Kështu i shpëtoi Zoti, në mënyrë që të tjerët të kuptonin vlerën e Pagëzimit. Pastaj filluan të pagëzonin fëmijët e tyre në atë fshat."

Jo vetëm fëmija rrezikon të hyjë në mbretërinë e Zotit nëse vdes i papagëzuar por edhe nëse ai jeton i papagëzuar, përsëri është i rrezikuar nga shumë nga demonët, nga syligjtë, magjistarët, nga kafshët, aksidentet, sëmundjet, sepse ai është pa mbrojtje, është njësoj si një qingj i vogël i braktisur, që nuk është me kopenë (besimtarët) brenda në vathë (Kisha ), sëbashku me Bariut të Madh të dhënve (Krishtin).

Kur një fëmijë pagëzohet, ai bëhët një krisht dhe ka mbrojtje Hyjnore dhe një engjëll rojtar që e ruan fëmijën ditën edhe natën. Prandaj fjalët e Zotit Jisu Krisht: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni" (Luka 18:16) i vendosin prindërit dhe të rriturit në një përgjegjësi të madhe për pagëzimin e detyrushëm të fëmijëve.

Nëse prindërit nuk e duan shpëtimin dhe pjesëmarrjen e tyre në Mbretërinë e Zotit, le të mos i`a privojnë edhe fëmijëve këtë dhuratë nga Zoti, sepse :“e tyre është mbretëria e Perëndisë" (18-16).Amin!


1 comment - PSE DUHET T’I PAGËZOJMË FOSHNJAT?

Elio - January 10, 2026 at 1:52 am
I nderuar , artikulli juaj permend shume detaje dhe arsye qe mbeshtesin tezen tuaj se " foshnjat duhen pagezuar". Por keni harruar nje detaj shume te rendesishem dhe kryesor : Perendia nuk e detyron njeriun te hyje ne besim , e ka lene ne vullnet te lire te zgjedhe nese do besoje dhe do ndjeke Zotin , apo do shkoje ne drejtim te kundert. Por a mundet nje foshnje qe nuk kupton asgje , te zgjedhe me vullnet te lire nese do te hyje ne besim apo jo ??? Pergjigja besoj eshte evidente , JO !!! Atehere si mundet njerezit te shkelin vendimin e Perendise dhe te futin " me force " ne besim dike pa vullnetin e tij te lire , madje me keq , dike qe nuk kupton fare se c'po ndodh ???. Miron , te te bej nje pyetje : Pse Perendia nuk i ben gjithe njerezit besimtare ? Perendi eshte , mund te beje gjithcka , mund te thote 1 fjale dhe kjo gje ndodh menjehere !!! Por Perendia ka vendosur qe kjo gje do te ndodhe vetem permes zgjedhjes dhe vullnetit te lire te njeriut. Atehere kush jeni ju , teologe , prifterinj apo qofte edhe shenjtore...qe guxoni e ngriheni mbi Perendine dhe futni njerez me force ne besim ???!!! Ah , po , nxirrni tezen qe " femija te mos vdese i papagezuar qe te mos kete probleme ne jeten tjeter ". Por me falni , si guxoni te nderhyni ne ceshtje qe nuk jane pune te njerezve , por te Zotit ??? Femijes se vogel nuk i eshte shpallur ende e verteta dhe fjala e Zotit , per arsyen e vetme se ai nuk kupton asgje ne kete moshe. Pra ai as e ka pranuar por as e ka kundershtuar Zotin me vullnetin e tij te lire. Nese vdes ne kete gjendje , e di Zoti se si e trajton kete rast sipas ekonomise se tij. Por meqe ju teologet doni te nderhyni edhe ketu , atehere kam 1 pyetje : Ne shkrime te tjera tuajat , keni permendur vrasjen e 144 mije foshnjave nga Herodi ne kohen e lindjes se Krishtit. Per kete rast jeni shprehur qe keta femije jane ne Parajse. Po mire , atehere edhe foshnjat e vogla qe vdesin te papagezuar pse nuk thoni thjesht " jane ne Parajse " , por beni gjithe keto aludime ??? Lerini punet qe nuk ju takojne juve , por Zotit. Dhe shkoni edhe me tej , ne mungese te vullnetit te lire per te pranuar lirisht besimin nga ana e femijes , kete barre ia ngarkoni kumbarit ! Dhe madje thoni qe kumbari do mbaje pergjegjesi per femijen ne gjyqin e fundit !!!! Po ku e gjetet kete , mbi c'baze biblike ??? Sipas Ungjillit cdo njeri do ngreje kryqin e vet , do mbaje vetem barren e mekateve qe ka bere vete , dhe do pergjigjet ne Gjyqin e fundit vetem per ato qe ka bere vete !!! Keto "pergjegjesite e reja " qe i ngarkoni kumbarit nuk e di ku i gjetet , por sigurisht ju duhen per te mbeshtetur tezen e " futjes ne besim te nje njeriu qe nuk kupton se c'po ndodh ". Dhe sigurisht , ceshtja shkon edhe me tej. Kur u be censusi , KOASH deklaroi se ortodokset perbejne mbi 20% te popullsise , dhe nje nga argumentet ishte " te dhenat e regjistrave te pagezimit". Po , por aty jane dhe foshnja qe as nuk e dine c'eshte pagezimi , por kisha i llogarit si ortodokse !!! Kjo ngjan me votimet ketu, ku kryefamiljari shkon dhe voton per gjithe familjen , ashtu si do vete !!!!! Kur femija mbush moshen , atehere prinderit kane per detyre ti flasin per Zotin , ta cojne ne takime katekizmi....dhe edhe ne kete rast duhet aplikuar deshira e Zotit , qe femija te vendose vete me vullnet te lire nese do te pagezohet dhe do te hyje ne besim !!! Por mendoj , Zoti e trajton ndryshe dike qe e ka degjuar fjalen e Zotit dhe me vullnet te lire e ka kundershtuar , dhe ndryshe dike qe ende nuk di asgje rreth Zotit.Si i trajton ??? Me fal , kjo nuk eshte puna jone , por e Zotit. Dhe dicka te fundit : " Ne disa shtete arabe , ka nje ligj qe edhe nese hyn aty nje i krishtere mund te denohet me vdekje. Imagjino femije apo te rritur aty qe kane zero shans te degjojne fjalen e Krishtit , e me pas ta pranojne. Po me keta njerez cdo te behet? Ah , po , harrova , ju interesoheni vetem per familjet brez pas brezi ortodokse, s'keni pune me te tjeret. Pasoje e iniciatives moderne " bashkejetesa fetare"...dmth secila fe ka besimtaret e vet , nuk kemi pune me te tjeret !!! Mos ndoshta kjo teze kerkon me shume reflektim nga ju teologet sesa...pagezimi i foshnjave qe nuk dine asgje se c'po ndodh me ta ???!!!

Leave a reply







Recent Posts

  • KËNDVËSHTRIMI DHE QËNDRIMI BIBLIK DHE I KRISHTER PËR PUSHTETARIN DHE KORRUPSIONIN QEVERITAR!
    14 Jan, 2026
  • PSE DUHET T’I PAGËZOJMË FOSHNJAT?
    9 Jan, 2026
  • A KA PROVA QË TREGOJNË EGZISTENCËN E PERËNDISË TRIADIK ?
    6 Jan, 2026
  • MOS E NISNI VITIN E RI ME KËMBË, POR ME DORË!
    6 Jan, 2026
  • Welcome post
    6 Jan, 2026

Extra contentus

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit, sed do eiusmod tempor incididunt ut labore et dolore magna aliqua. Ut enim ad minim veniam, quis nostrud exercitation ullamco laboris nisi ut aliquip ex ea commodo consequat.

  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako