HYJLINDËSJA MARI E BORISOVOS : HISTORI MREKULLIE
Ikona mrekullibërëse e Manastirit të
murgeshave në Borisovo, i cili ndodhet në krahinën e Kurskut, është kopje e
ikonës së Hyjlindëses së Tihvinit. Ajo iu dhurua manastirit gjatë inagurimit të
tij nga fisniku Boris P. Seremetief, në vitet e carit Petro I-rë i Madh
(1682-1725). Me manastirin dhe ikonën kanë lidhje shumë mrekulli.
Pas inagurimit të Manastirit Borisovo, dy banorë keqbërës të një fshati fqinj vendosën që ta digjnin. Një natë pa hënë morën lëndë djegëse dhe shkuan fshehurazi të kryenin planin dashakeq. Kur iu afruan murit të manastirit panë mbi të një grua të madhërishme veshur me rroba të zeza dhe me dritë të shkëlqyer, e cila i pa me kërcënim. Pamja e saj u kalli tmerr dhe ia mbathën me të katra. Shpejt e kuptuan se ajo grua ishte Mbretëresha e qiejve, e cila nuk i lejoi ta digjnin manastirin.
Një grua tepër e moshuar dhe e devotshme me emrin Athanasia, vinte çdo ditë nga fshati në manastir dhe ndihmonte murgeshat në punët që kishin. Ajo kujdesej për kandilin që digjej para ikonës së Hyjlindëses. Një ditë takoi në rrugë një grua. E çuditur nga madhështia e saj, iu përkul dhe e pyeti me respekt: "Nga vjen, zonja ime?" "Nga manastiri", iu përgjigj ajo. "Kur shkove në manastir?", e pyeti përsëri gruaja e moshuar. "Prej kohësh banoj atje". "Prej kohësh? Por nuk të kam parë asnjëherë?" - u çudit Athanasia. Atëherë gruaja i tha: "Më shikon çdo ditë kur ndez kandilin para ikonës sime". Dhe me ato fjalë u bë e padukshme. E frikësuar Athanasia kuptoi se kishte parë Hyjlindësen e Tërëshenjtë. S'kaluan shumë kohë dhe e pa sërish, si herën e parë, duke shkuar në manastir, por nuk e dalloi menjëherë. "Nga je?" - e pyeti. "Nga manastiri. Po shkoj te një vajzë e paralizuar, sepse m'u lut shumë që ta vizitoj". Po atë çast gruaja u zhduk. Athanasia e kuptoi se ishte përsëri Hyjlindësja. Duke e ditur se në fshat ishte vetëm një vajzë e paralizuar, shkoi ta vizitojë menjëherë. U habit kur e gjeti të shëruar dhe në këmbë. Vetë ajo e tregonte me ngashërim se çfarë kishte ngjarë: Natën kishte parë në ëndërr Zotin, i cili i tha se do të bëhej mirë nëse do t'i sillnin ikonën e Nënës së Tij nga manastiri i Borisovos. Kur u zgjua, ia tregoi ëndrrën prindërve. Pa humbur kohë ata shkuan në manastir dhe u kërkuan motrave t'u dërgonin ikonën në shtëpi. Prifti i manastirit e solli dhe lexoi Paraklisin para vajzës. Pastaj kur ia dha ikonën për ta puthur, vajza u ngrit dhe qëndroi më këmbë!