BASHKËJETESA PA KUROR ËSHTË NJË MËNYRË JETESE SHUMË E GABUAR DHE MËKAT I MADH!
May 15, 2025 at 9:30 pm,
No comments

Pas revolucionit seksual që ndodhi në Amerikën liberale në vitet 1960 -1970, dhe kur kjo shthurje publike e të rinjve (hipive) , të droguar, me rebelim dhe largim nga shtëpia prindërore, marrëdhënie dhe shtatzani jashtëmartesore, që u përhap dhe në Europën konservatore Perëndimore , që është bërë sot më tepër liberale seç duhet të ishte, ka bërë që seksualiteti jo vetëm të kthehet në një idhull i kohës por dhe të humbasë qëllimin,vlefshmërinë dhe shenjtërinë tek individi dhe tek kjo shoqëri globaliste panseksuale.
Për këtë shthurje seksuale martesa si institucion shekullor, ku prej shekuj ushtrohej seksualiteti i ligjshëm, i bekuar me të gjitha benefitet për çiftin, fëmijë , familjen , shoqërinë, është më shumë se kurrë në një krizë morale dhe institucionale, sepse njerëzit sot po kërkojnë t’i shmangen si martesës ligjore dhe asaj fetare dhe po dëshirojnë gjithnjë e më shumë bashkëjetesën me shumëllojshmëri formash deri në perversione , siç po kërkon të na shfaqet dhe në aspektin ligjor, duke konkuruar martesën .
Duhet të dimë se historikisht që nga lashtësia ka ekzistuar martesa e ligjëruar nga pushteti qeverisës, këtu futet dhe betimi para pleqësisë , kanunit, familjarëve, si një betim solemn për martesë me të gjitha detyrimet e ndersjellta , por edhe nga institucioni fetar, ku martesa trajtohet si betim përpara Zotit dhe është e shenjtë .
Pra martesa ka qënë një organizëm bazik i shoqërive njerëzore në çdo stad të zhvillimit të njerëzimit, por ashtu dihet se krahas martesës ka ekzistuar paralelisht edhe bashkëjetesa si një mardhënje trupore jashtë martese, por asnjëherë bashkëjetesa nuk ka konkurruar martesën ligjore, kanunore, fetare, por është konsideruar si e paligjshme , e pamoralshme , mëkat, e fshehtë ,një shoqëri për kënaqësi seksuale si p.sh. marrëdhënie me konkubina , ose të dashura .
Prandaj bashkëjetesa nuk ka qënë kurrë e njohur në kode civile,aq më shumë në konone fetare, madje ka qënë e dënuar tek Ligji Mozaik e popullit monoteist Hebre.: “ Në rast se një burrë gjen një vajzë të virgjër që nuk është e fejuar (martuar) , e merr dhe bie në shtrat me të, dhe kapen në flagrancë, burri që është shtrirë me të do t'i japë atit të vajzës pesëdhjetë sikla argjendi dhe ajo do të bëhet bashkëshortja e tij, sepse e ka çnderuar dhe nuk mund ta përzërë sa të jetë gjallë.’ ( Ligji i Përtërirë 22 ;28-29) dhe aq më shumë kur krishterimi u përhap në të gjithë botën , bashkëjetesa pa martesë cilësohej kurvëri, mëkat i vdekshëm i dënushëm nga Kisha Apostolike dhe kanonet e kishës ndikuan në kodet civile që nuk e lejonin bashklëjetesën pa kuror dhe pa njohjen e shtetit .
Por sot, siç thamë ,me këtë lloj liberalizmi seksual, bashkëjetesa është bërë një shtojcë në kodin civil edhe në Shqipëri, ku krahas martesës pranohet dhe bashkëjetesa, si një “Përngjasim” i martesës, ku shprehimisht cilësohet :
“ Bashkëjetesa është bashkimi faktik midis burrit dhe gruas që jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetesë e përbashkët, që paraqet qëndrueshmëri dhe vazhdueshmëri.Bashkëjetesa është jetesa e përbashkët në çift ku partnerët sillen si bashkëshortë. Kjo marrëdhënie ka karakter të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm, që nënkupton jetesën e përbashkët dhe interesa të përbashkëta, ndihmë morale e materiale mes personave që bashkëjetojnë dhe fëmijëve që lindin nga bashkëjetesa. Personat që bashkëjetojnë nuk kanë dhe as ushtrojnë cilësinë ligjore të bashkëshortëve as në lidhje me të drejtat dhe detyrimet reciproke, e as atyre kundrejt të tretëve.”
Edhe pse kjo shtojcë e kodit civil duket një hap “përpara” në jetën e shoqërisë moderne, dhe po bëhet një trend i shoqërisë liberale, duhet t’a sqarojmë se çfarë rreziqesh ka bashkëjetesa nga ana ligjore. Këtë e thotë vetë ligji për ata që duan të lexojnë para se të firmosin aktin e bashkëjetesës:
“ Bashkëjetuesit janë të privuar nga një sërë të drejtash krahasuar me bashkëshortët, ku ndër më kryesoret janë:
• E drejta për kontribut material në favor të bashkëjetesës;
• Detyrimi për ushqim në favor të partnerit që nuk është i aftë të fitojë të ardhura të mjaftueshme për të përballuar nevojat e jetesës;
• Përcaktimi i pronësisë së sendeve të fituara gjatë bashkëjetesës, përveç se kur ky përcaktim rregullohet me marrëveshje (kontratë) mes bashkëjetuesve;
• Lehtësira fiskale .Në rastin e mbarimit të bashkëjetesës si pasojë e ndarjes apo vdekjes së njërit prej partnerëve, ata janë të privuar nga:
a. Njohja e të drejtave reciproke të trashëgimisë;
b. Pjesëtimi në mënyrë të barabartë i sendeve të fituara bashkërisht, kur kjo nuk është parashikuar në marrëveshjen (kontratën) e lidhur midis tyre;
c. Përgjegjësia ndaj detyrimeve të përbashkëta;
d. Fitimi i pensionit pas vdekjes së njërit prej tyre.”
Ajo që të bie në sy në ligj, për ata që duan të shikojnë dhe nuk janë të verbuar nga egoja, instikti , apo mentaliteti i turmës , është se bashkëjetesa edhe nga ana ligjore konsiderohet më shumë një akt formal , një zgjedhje personale , ose një bashkëjetesë për kënaqësinë e partnerëve, që thjesht duan të kenë një jetë të lirë, pa detyrime dhe pa përgjegjësi morale , materiale , prindërore , shoqërore , gjëra që përcaktohen jo thjesht nga emocionet , ndjenjat apo premtimet gojore,por me anë ligjore,ashtu si përcakton kodi i familjes për martesën, me të gjitha detyrimet ligjore për çiftin dhe për palën e tretë, fëmijët, si parashtron kodi : Ruajtja e besnikërisë bashkëshortore; Ndihma e ndërsjellë mes bashkëshorteve; Kujdesi i përbashkët për fëmijët :Kontributet e përbashkëta në jetën martesore dhe familjen :Bashkëpunimi në interes të familjes dhe bashkëjetesës.
Edhe pse sipas bashkëjetuesve, disa piskologëve, sociologëve, opinionistëve bashkëjetesa duket sikur ka lehtësira për çiftin që bashkëjeton, si p.sh.:
a-) Të jep mundësinë për t’a parë partnerin në situata të ndryshme dhe kjo do ishte një mënyrë më personale,si psikologjike,fizike, shoqërore , ekonomike dhe kështu mund të parandalonte një martesë të dështuar me të gjitha detyrimet ligjore.
b-) Bashkëjetesa është një mënyrë për të provuar besnikërinë e lidhjes para se të martohen ,një komunikim më i lirshëm dhe pa detyrime dhe angazhime, siç është në martesë mes çiftit.
c-) Eliminimi i shpenzimeve për dasmën dhe stresin që ajo mund t’i sjellë çiftit bashkëjetues , apo spontanitetit që sjell bashkëjetesa në të qëndruar apo në të ndarë ,ndryshe nga rutina e martesës dhe detyrimit për të qënë bashkë gjithmonë.
Por në të gjitha këto lehtësira dhe moskokëçarje të pretenduara në bashkëjetesë nga bashkëjetuesit, harrohen të përmenden ose të parashtrohen të këqijat, që janë serioze dhe me më shumë pasoja negative për bashkëjetuesit dhe të tretët si fëmijët , familja , shoqëria .
Ajo që është më e rëndësishme dhe që duhet t’a theksojmë, është se bashkëjetesa dhe bashkëjetuesve iu mungon dashuria e vërtetë, sepse në një çift bashkëjetues që nuk duan martesë ligjore apo fetare, edhe pse ata pretendojnë se e duan njëri- tjetrin, sa janë gati të ndajnë krevatin, trupin, ndjenjat , emocionet si dhe kohën e tyre për t’a pasur sa më relaksuese , përsëri ata nuk ndajnë zemrën d.m.th. dashurinë , edhe pse pretendojnë se duhen.
Bashkëjetuesit të dehur nga kënaqësia e çastit ngatërrojnë erosin me agapin.
Erosi është energji seksuale në të cilën njeriu kënaq veten, jeton për veten, kurse agapi apo dashuria, është ajo e cila kënaq tjetrin, jeton për tjetrin , dhe ndan gjithçka me tjetrin , jo vetëm trupin për seksualitet , por edhe gjithçka që është dhe ka, gëzimet , kënaqësitë , vështirësitë , sakrificat, pasuritë, pronat dhe vetë jetën deri në fund .
Kështu bashkëjetesa, sado që mund të duket shumë “happy”, është në vetvete plotë me pasiguri dhe vetmi, sepse nuk ka dashuri të sigurtë dhe të pandashme,ashtu siç i krijon mundësi martesa sipas betimit me premtimin “Nuk do ndahemi në të mirë dhe në të keq” . Pra mund të themi se dashuria e vërtetë në martesë, që : “Nuk kërkon të sajat... i duron të gjitha , i beson të gjitha , i shpreson të gjitha,mban çdo gjë!” ( Korintasve 13: 5-6); ndryshe nga erosi në bashkëjetesë, që kur konsumohet dhe shteret, të bën të ikësh nga tjetri pa të interesuar, pa asnjë kthim koke pas, pa vrasje ndërgjegje , sepse në vetëvete është egoiste.
Mund të pyes dikush :
“Pse, ata që martohen ligjërisht, patjetër dashurohen me të vërtetë ?”
Sigurisht që jo,por martesa krijon më shumë mundësi që edhe kur dashuria nuk ekziston, të lindet dhe të zhvillohet, sepse vetë detyrimet e martesës, sakrificat dhe të gjitha gjërat që bëhen tashmë të përbashkëta,e drejtojnë çiftin t’a pranojë dhe t’a dojë bashkëshortin ose bashkëshorten si të afërmin më të afërt dhe më të nevojshëm, në çdo situatë të bukur dhe të hidhur deri në fund ,sesa bashkëjetesa që nuk ka asnjë premtim dhe angazhim për të qëndruar bashkë në të keq, sepse “në të mirë” të gjithë mund të rrinë pranë.
N.q.s. dikush që bashkëjeton nuk do të martohet ligjërisht me partnerin tjetër ose të dy me njëri- tjetrin,është treguesi se ata nuk e duan seriozisht njëri-tjetrin. Është interesante dialogu i një gruaje që bashkëjetonte më një burrë .
Një aktor tregoi se bashkëjetuasja e tij dikur i dha një ultimatum, ose të ndaheshin ose të martoheshin. Ai tregoi se nuk donte të ndahej prej saj.
- "Atëherë martohu me mua,- tha ajo.”- “ Pse më duhet ajo vulë në pasaportën time? Kjo nuk do të thotë asgjë,-tha ai.” - “ Nëse nuk do të thotë asgjë, atëherë cili është problemi?;- e pyeti ajo.”
Kërkesa e kësaj gruaje është një testim nëse doni me të vërteë bashkëjetuesin / en , nëse po atëherë nuk ka asnjë problem për martyesën , thjesht shkoni dhe regjistroheni në gjëndje civile dhe martohuni, por nëse nuk jeni të sigurtë për ndjenjat tuaja, ju patjetër do të refuzoni dhe do të justifikoheni me shumë argumente kundra dhe do të ikni nga martesa, si nga zjarri sepse detyrimet martesore ju djegin egoizmin ose më mirë nxjerrin në dritë hipokrizinë dhe mungesën e dashurisë në bashkëjetesë tuaj .
Mbas problemit madhor të mungesës së dashurisë së vërtetë, vijnë dhe problemet e tjera që na i sjell bashkëjetesa , si probleme ekonomike,shoqërore, sepse divorci në bashkëjetesë nuk ka asnjë pengesë , sa morale aq edhe ligjore, për shpërndarjen e barabartë të ekonomisë , pasurisë, siç është në martesën ligjore.
Kështu kemi një paradoks në bashkëjetesë, në të cilën nuk vonon mbas adrenalinës së të argëtuarit së bashku , vijnë papritur braktisjet dhe zhgënjimet me të gjitha pasojat e hidhura të formalitetit në bashkëjetesë, që prodhon pasiguri,vetmi, frikë,inferioritet,hipokrizi mes çiftit bashkëjetues, që gjithmonë e mbajnë derën gjysmë të hapur për t’u larguar me të shpejtë nga njëri-tjetri, kur mërziten ose nuk iu intereson më bashkëjetuesi ose bashkëjetesa.
Por problemet më të mëdha bashkëjetesa i ka me fëmijët ose me palën e tretë, siç e cilëson ligji . Kur mes çiftit bashkëjetues vijnë me dëshirë ose pa dëshirë fëmijë,vakumi ligjor në lidhje me këtë çështje,do të sjellë probleme shumë serioze për fëmijët, si në ndarjen që mund të vij mes prindërve bashkëjetues që sipas kontratës nuk kanë detyrime te pala e tretë, fëmijet,dhe kështu patjetër krijohen konfiuzione për ndarjen e përgjegjësisë prindërore.
Kjo situatë sjell jo vetëm vështirësi ekonomike dhe sociale tek mirërritja e fëmijës, por problematika të mëdha psikologjike , emocionale , sepse fëmija shikon prindërit e tij biologjikë që nuk kanë asnjë detyrim ligjor për atë dhe janë të interesuar vetëm për veten e tyre, dhe nuk kanë menduar për jetën e tij shoqërore, që rregullohet jo vetëm nga ndjenjat dhe instiktet prindërore, por nga detyrimet ligjore që i jep martesa .
Por mbi të gjitha, bashkëjetesa jo vetëm është një zgjedhje e gabuar nga ana e individit, me pasoja për tjetrin dhe të tjerët (fëmijët), por është një mëkat përpara Zotit, Krijuesit të njeriut mashkull dhe femër dhe vetë martesës ( Zanafilla 1-27-28).
Martesa nuk është një marrëdhënie shoqërore e krijuar nga dëshirat apo zgjedhjet e instikteve njerëzore për bashkëjetesë dhe për shtim të vetvetes, por është një institucion i krijuar nga Zoti Perëndi ( Zanafilla 1-28),madje është institucioni i parë shoqëror i krijuar që në zanafillën njerëzore dhe është bërthama që përbën familjen dhe shoqërinë e civilizuar njerëzore.
Vetëm njeriu martohet me betime, ligje, detyrime sipas logjikës, kurse gjallesat e tjera bashkëjetojnë sipas instiktit .
Dëshmi për martesën e parë e kemi sidomos në Bibël, ku na flitet shumë qartë për krijimin e martesës së parë dhe më pas familjes, që është modeli dhe inicimi i të gjithë martesave dhe familjeve për gjithë historinë njerëzore, deri në fund të kohës të kësaj shoqërie njerëzore:
“Pastaj Zoti Perëndi tha:- “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis.Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t'i quante; dhe sido që njeriu t'i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Dhe njeriu tha: “Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim.”Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri. Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm.”( Zanafilla 2 ;16-25)
Kështu të bashkëjetosh pa marrë bekimin e Zotit, do të thotë që e përjashton Zotin nga gjëja më intime dhe më e rëndësishme e jetës tënde, të mos dëgjosh urdhëresën hyjnore për martesë të bekuar “ Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni “ ( Zanafilla 1-28), prandaj bashkëjetesa është një rebelim , është një mallkim dhe një gabim me shumë pasoja katastrofike , sepse është si të ndërtosh pa një arkitekt një ngrehinë në një vend të paqëndrueshëm , që nuk do t’i rezistojë sfidave të jetës, ashtu siç mësonte Zoti Jisu Krisht për të pabindurin në urdhëresat hyjnore një ndër to është edhe martesa sipas Zotit :
“ Por, kushdo që i dëgjon fjalët e mia dhe nuk i zbaton, do të jetë si një njeri mendjelehtë, i cili e ndërtoi shtëpinë e vet në rërë. Ra shiu, erdhën përmbytjet, frynë erërat dhe e goditën shtëpinë, dhe ajo u shemb dhe u rrënua e tëra.” (Mattheu 7: 24-27.)
Kjo është arsyeja që sapo njerëzit e pabesë dhe rebelë hoqën dorë nga martesat fetare, me premtimin për besnikëri përpara Zotit ,si dhe po ashtu nga martesat civile me detyrimet ligjore, u shtuan divorcet me të gjithë pasojat, deri sa kjo është bërë sot një plagë e shoqërisë me pasoja të trishtueshme dhe shpesh të pariparueshme për çiftin bashkëjetues dhe për më shumë për fëmijët fatkeqë,që vuajnë gabimet dhe mëkatet e prindërve bashkëjetues.
Nëqoftëse i referohemi këndvështrimit të Krishterë, sipas mësimit Bibilik, doktrinës dhe kanoneve kishtare,bashkëjetesa pa kurorë,domethënë pa Misterin e Martesës , është mëkat i vdekshëm, konsiderohet kurvëri e mirëfilltë, ashtu si Shën Vasili i Madh shekulli i IV thotë: :“ Martesat që bëhen pa pëlqimin e atyre që kanë autoritet mbi ta, janë kurvërime. ” (Kanoni 42).
Bashkëjetesa pa kuror është absolutisht e patoleruar për një të krishterë, që është pjesë integrale e Kishës Katholike Apostolike dhe besimtari që bashkëjeton është i përjashtuar nga Kungata Hyjnore, deri sa të pendohet, d.m.th. të heqë dorë nga bashkëjetesa, ose të martohet sipas Kishës.
Përsëri Shën Vasili i Madh thotë : Shen Vasili i Madh : “Marrëdhëniet seksuale para martese nuk janë martesë dhe madje as fillim martese.Më e mira është që personat e lidhur në marrëdhënie seksuale jashtë martese të ndahen.Por,në qoftë se ata ngulmojnë në martesë me çdo kusht,le të paguajnë ndëshkim për marrëdhënie seksuale jashtë martese (7 vjet pendesë),dhe le të vazhdojnë në rrugën e tyre ( të martuar) ,që të mos ndodhë ndonjë gjë më e keqe”. (Kanoni 26)
Por pse nuk lejohet bashkëjetesa mes të krishterëve duke anashkaluar Misterin e Martesës? Martesa ,siç u përcaktua nga Perëndia në Dhiatën e Vjetër:“Njeriu lë atin dhe nënën e tij dhe jeton me gruan e tij.” (Zanafilla 2:24); është kopje dhe ikonë e martesës së Zotit me Kishën e Tij!
“ Le të gëzohemi dhe të ngazëllohemi dhe le t’i japim atij lavdi, sepse erdhi dasma e Qengjit dhe nusja e tij është përgatitur!Dhe i është dhënë të vishet me li të hollë, të pastër dhe të shkëlqyeshëm, sepse liri i hollë janë veprat e drejta të shenjtorëve.
-Dhe më tha: “Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit.” Dhe më tha: “Këto janë fjalët e vërteta të Perëndisë.” ( Zbulesa 19 :7-9 ).
Pra, martesa kristiane ka si origjinal martesën e Krishtit me Kishën . Që të arrijë martesa e krishterë martesën origjinale të Krishtit me Kishën, ka patjetër nevojën e hirit hyjnor.
Prandaj martesa e dy bashkëshortëve quhet mister i madh nga apostull Pavli, sepse pikësynimi është të arrijë të imitojë karakteristikën e lidhjes që ka Krishti me Kishën e Tij : “Prandaj njeriu do të lërë babanë dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e tij , dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me Kishën.” (Efesianëve 5: 31-32).
Kështu bashkëjetesa që përjashton Misterin e Martesës automatikisht është mëkat i vdekshëm që të ndan nga Trupi i Krishtit, Kisha, dhe aq më keq, personi përdhos gjymtyrët e Krishtit , ashtu si apostull Pavli sqaron:
“ A nuk e dini se trupat tuaja janë gjymtyrë të Krishtit, të marrë unë pra gjymtyrët e Krishtit dhe t’i bëj ato gjymtyrë prostitute, qoftë larg! A nuk e dini ju se ai që bashkohet me të përdalën është një trup me të? Sepse do të jenë të dy një mish. Por Ai që bashkohet me Zotin është një shpirt me atë.Largohuni nga kurvëria! Çdo mëkat që bën njeriu është jashtë trupit, por ai që bën kurvëri mëkaton në trupin e vet. Apo nuk e dini se trupi juaj është tempulli i Shpirtit të Shenjtë që rri në ju, të cilin e keni nga Perëndia dhe nuk jeni të vetvetes. Sepse u bletë me një çmim. Lavdëroni Perëndinë me trupin tuaj dhe me shpirtin tuaj, që janë të Perëndisë. Amin!” (1 Korintasve 5: 15-20).
Prandaj ata të “krishterë” që bashkëjetojnë, kanë shkelur kurorën me Krishtin dhe apostull Jakovi iu thotë me qortim:
“ O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai pra që do të bëhet mik me botën, bëhet armik i Perëndisë. Apo pandehni se Shkrimi thotë kot : " Fryma që rri në ne, a lakmon deri në smirë?” ( Jakovi 4 : 4- 5).
Kështu bashkëjetuesit klasifikohen me mëkatarët e mallkuar dhe të përjashtuar nga Mbretëria e Zotit , sepse Zoti thotë :“ Mos u gënjeni: as kurvarët, as idhujtarët, as shkelësit e kurorës, as të zhburrëruarit, as homoseksualët, as vjedhësit, as lakmuesit, as pijanecët, as përqeshësit, as grabitësit, nuk do të trashëgojnë Mbretërinë e Perëndisë.” (Korintasve 6-9) ... pjesa e tyre do të jetë në liqenin që digjet me zjarr dhe squfur, që është vdekja e dytë.” (Zbulesa 21-8).
Kisha Orthodhokse është shtylla e së Vërtetës (1 Timotheu 3:15) dhe Trupi i Krishtit. (Romanët 12; 1 Korinthianët 10, 12; Kolosianët 1), kështu Kisha Apostolike Orthodhokse nuk mund të pranojë diçka tjetër nga ajo që thotë Zoti mbi virgjërinë para martesës dhe për marrëdhëniet trupore vetëm pas martesës. Çdo marrëdhënie trupore jashtëmartesore është mëkat dhe e ndalojnë dhe e dënojnë kanonet kishtare me aforizim dhe ndalim nga Kungata,që nga koha apostolike dhe ai nuk mund edhe nqs pendohej të bëhej klerik , sepse mëkati i bashkëjetesës ka dëmtuar rëndë enën e hirit ( njeriun) dhe nuk është i aftë të mbajë hirotoninë e prifëtrisë ; Kush do që martohet dy herë para pagëzimit , ose ka marë një grua pa kurorë , nuk mund të bëhet klerik “ ( (Kanoni apostolik 17)
Ka vetëm një rast kur bashkëjetesa pa kuror kishtare tolerohet, atëhere kur bashkëjetesa i ka paraprirë kthimit në Krishterim tek një nga partnerët. Domethënë ai ose ajo nuk ishte i krishterë kur bashkëjetonin në një martesë civile . Këtë e ka thënë Apostull Pavli për rastet e martesave mes paganëve, para se të bëheshin të krishterë :
“ Në qoftë se dikush ka një grua që nuk beson dhe ajo dëshiron të banojë me të, le të mos e lërë. Dhe gruaja që ka një burrë që nuk beson dhe që ai dëshiron të jetojë me të, le të mos e lërë. Sepse jobesimtari u shenjtërua nëpërmjet gruas dhe gruaja jobesimtare u shenjtërua nëpërmjet burrit, sepse përndryshe fëmijët tuaj do të ishin të papastër, por tani ajo është e shenjtë.” (1 Korintasve 7: 12-17).
Kjo situatë anormale nuk pranohet kur personi është i krishterë përpara martesës dhe pastaj kërkon të bashkëjetojë,ose martohet në gjendje civile me paganë, ateistë, sepse në këtë situatë kemi një rënie në besim dhe bashkëjetesa pa kurorë ,siç thamë, konsiderohet kurvëri dhe fëmijët janë pjella të mëkatit.
Këto martesa mikse ekzistonin në kohën paleokristiane, madje dhe në Shqipëri gjatë kohës së ateizëm-komunizmit, kur njerëzit u larguan nga besimi dhe u bënë martesa të përziera mes orthodhoksëve dhe joorthodhoksëve.
Këto martesa ose bashkëjetesa vazhdojnë sot dhe nuk prishen nga Zoti dhe Kisha, por me ekonomi dhe durim pritet që të gjithë në këto familje mikse të vijnë në njohjen e së Vërtetës në Krishtin, për shpëtimin e të gjithëve, por edhe në të tilla raste, i krishteri duhet të rrëfehet për bashkëjetesën e tij pa kurorë, dhe ai nuk mund të kungohet rregullisht si të krishterët e tjerë , por vetëm katër herë në vit, mbas katër periudhave kreshmore, ose siç e përcakton kanonin ati rrëfyes.
Por le të kthehemi te rregulli. Marrëdhënia seksuale jashtë martese, pra në bashkëjetesë,është mëkat që nuk e bashkon çiftin por e ndan , prandaj etërit e shenjtë thonë :“ Një marrëdhënie trupore një minutë para martesës është mëkat dhe një minutë pas martesës është bekim.”
Por ku ka mëkat ka edhe djall , ashtu si mizat qëndrojnë dhe ushqehen me pisllëk,dhe demoni i kurvërisë qëndron dhe ushqehet me mëkatin e kurvërisë tek ata që bashkëjetojnë pa bekimin e Zotit në misterin e martesës. Atëherë si mund të ketë dashuri të vërtetë dhe bashkim, kur tek çifti që bashkëjeton qëndron djalli...?!
Shën Paisi Agjoriti shekulli XX thotë se një marrëdhënie jashtë martese, është një injeksion i djallit në një çift të dashuruar.”
“ Prandaj martesa duhet të bëhet sipas Zotit dhe jo sipas dëshirës njerëzore” na thotë . (Shën Joan Gojarti shekulli IV)
Të krishterëve që bashkëjetojnë pa kurorë ,as blata (buka e meshës ) nuk iu pranohet për ofrim në Tempull.
Në jetën e Shën Nikola Plana (1851-1932), na tregohet se:“ Një ditë një grua i dha një bukë meshe për të celebruar Liturgjinë Hyjnore, por shenjtori ia refuzoi duke thënë: "Nuk e pranoj për sa kohë që ti bashkëjeton pa qënë e martuar.” (Sinaksari i Shenjtorit) .
Mëkat të madh bëjnë dhe prindërit sidomos të krishterë , të cilët edhe pse ata vetë nuk kanë bashkëjetuar, përsëri bëhen tolerantë të fëmijëve të tyre, duke i toleruar bashkëjetesën , madje kjo iu duket më e mirë se martesa e tyre dhe mendojnë se fëmijët e tyre tashmë janë të lumtur duke qënë të lirë. Por e dimë se mëkati në fillim të shijon pastaj të hidhëron, dhe nuk vonon shumë dhe prindërit liberalë vuajnë pasojat e bashkëjetesës së fëmijëve të tyre ,si p.sh. kur ata nuk shkojnë mirë mes styre ,ose divorcohen , po ashtu problemet me nipat dhe mbesat që nuk kanë trashëgimi pasurore dhe probleme ekonomike, psikologjike dhe shoqërore. Në vazhdimësi prindërit qajnë dhe ankohen edhe Perëndisë pse ky fat me fëmijët e tyre, por harojnë se nuk është fati i keq por është zgjedhja e gabuar e fëmijëvetë tyre si dhe toleranca ose mosorientimi i duhur i prindërve që sjell fatkeqësitë tek fëmijët e tyre .
Prindi i ndershëm dhe aq më shumë besimtar i krishterë, kurrë nuk duhet t’a tolerojë fëmijën e tij, qoftë vajzë apo djalë, të bashkëjetojë pa kurorë, por t’a qortojë dhe kurrë mos t’a pranojë ose ta urojë atë bashkëjetesë , të mos i japim bekimn prindëror , deri sa fëmija të heqë dorë nga kjo zgjidhje e gabuar dhe mëkatare të ndahet , ose më e mira të martohet ligjërisht dhe fetarisht me atë që bashkëjeton .
Njerëzit thonë që bashkëjetesa pa detyrim është mundësi njohje , por harojnë se për këtë ëshët fejesa para martesës, që nuk duhet të vetëkuptohet si bashkëjetesë siç keqpërdoret shpesh , por si një periudhë njohje karakteri, problematikash, tek individët që duan të martohen, prandaj nuk duhet të martohemi në fejesë ( të bashkëjetojmë ) dhe të fejohemi në martesë ( të njhemi )
Nqs bashkëjetesa këmëngul për njohje, ëshët vetëm ana seksuale ajo që mund të njihet , por ajo nuk është primare në një çift njerëzor , sepse seksualiteti është një instikt tek të gjithë gjallesat makro edhe mikro që shtohen seksualisht, por tek njeriu seksualiteti udhëhiqet nga logjika dhe morali dhe mbi të gjitha nga dashuria .Nqs bashkëjetetusesit këmëngulin në njohjen seksuale para martesë , ato jo vetëm kurvërojnë , por edhe e ulin individin bashkëjetues vetëm në njohje seksuale, instiktive , shtazore dhe kësaj i thonë si ajo : “shalqi me provë” , që nuqs nuk të del i pëlqyshëm e hedh dhe mer një shalqi tjetër me provë.
Duhet të dimë se jeta shoqërore e njeriut si dhe martesa, është sipas ligjeve të Zotit, ashtu siç janë ligjet e fizikës, të pavarura prej nesh dhe kush kërkon t’i nënvleftësojë apo t’i sfidojë, patjetër do dëmtohet, si p.sh. ai aventurier apo kokëkrisur që nuk respekton forcën e gravitetit dhe hidhet nga lartësia dhe bie në tokë, ai rrezikon të thyej kokën ose të gjymtohet. Kështu është dhe bashkëjetesa që përjashton ligjet morale të Krijuesit dhe të Shkrimit të Shenjtë , kundra kurvërisë, prandaj edhe n.q.s. ai ose ajo do të heqë dorë nga bashkëjetesa dhe do të martohet thjeshtë ligjërisht në bashki dhe në Kishë vetëm si ceremoni , përsëri ata do të paguajnë energjinë negative që mblodhën në bashkëjetesë dhe do kenë probleme në martesën e tyre me pikëllime, grindje , tradhëtira , sepse çiftit i nevojitet pendim dhe falje të mëkatit të kurvërisë që ka kryer në bashkëjetesë, para martesës , pastaj ai duhet të martohet sipas ligjit edhe Kishës ,
Këtë falje të së keqes morale, të mëkatit që grumbullon bashkëjetesa pa kurorë, mund t’a bëjë vetëm Zoti Jisu Krisht, i cili pagoi në kryq për mëkatet e njerëzve ( 1 Joanit 2; 1-2)dhe Kisha Apostolike që ka hirin e Krishtit t’i fali mëkatet e njerëzve në misterin e Pagëzimit dhe Pendim- Rrëfimit.(Joani 20 ;21-23)
Prandaj, i krishteri jo vetëm që duhet të heqë dorë nga bashkëjetesa , por ai duhet patjetër të pendohet dhe të rrëfehet për mëkatin e bashkëjetesës, të mari faljen dhe pastaj të martohet në gjendje civile dhe t’a shenjtërojë martesën civile me bekimin e Zotit në Kishë,ashtu siç na mësojnë dhe Etërit e Shenjtë:
“ Ata që duan të martohen, pasi të aprovojë peshkopi, bëhet martesa sipas Perëndisë dhe jo sipas dëshirës.” ( Shën Ignati i shkruan Shën Polikarpit, shekulli II )