Krishti, Biri i Perëndisë !

Nga: Çenkuela Selenica
Zbulesa e përjetshme e Fjalës së Mishëruar sipas Etërve të Shenjtë
Në qendër të Besimit të Krishterë qëndron misteri i madh i mishërimit: Fjala e përjetshme e Atit, Biri i Perëndisë, u bë njeri për shpëtimin e botës. Ky është themeli i të gjithë Teologjisë, burimi i çdo zbulese dhe çdo jete në Kishë. Siç dëshmon Ungjillori i Dashurisë, Joani :
“ Në fillim ishte Fjala, dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi... Dhe Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne. ” (Joan 1:1,14)
Ky pohim përmban në vetvete gjithë thellësinë e Ungjillit. Në të shpaloset dashuria e pamatë e Perëndisë për njeriun dhe thirrja e krijesës për t’u bërë pjesëtare e jetës hyjnore.
1. Biri i përjetshëm dhe jo i krijuar
Kisha e Shenjtë, nëpërmjet Etërve të saj, pohon se Krishti është Biri i përjetshëm i Atit , i lindur prej Tij përpara çdo kohe, “Dritë prej drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndisë së vërtetë, i lindur, jo i bërë, i njëqenësishëm me Atin”.
Kjo nuk është një formulë dogmatike e thatë, por pohimi i vetë realitetit të jetës hyjnore: Ati nuk ka qenë kurrë pa Birin, sepse dashuria është përjetësisht bashkëdhënëse.
Shën Joan Damaskinoi thotë :
“ Biri nuk është krijesë, por lindje e përjetshme e Atit; Ai është Fjala e tij, imazhi i përsosur dhe pasqyrimi i natyrës së Tij.”
Në këtë mënyrë, Zoti i zbuluar në Krishtin nuk është i largët, por vetë dashuria që del nga Ati dhe që vepron në Shpirtin e Shenjtë.
2. Misteri i Mishërimit: Zoti që bëhet njeri, pa pushuar së qeni Zot
Shën Athanasi i Madh, në veprën e tij “Mbi Mishërimin e Fjalës”, na mëson se Biri i Perëndisë mori trup njerëzor jo për nevojë, por për dashuri.
“Ai u bë njeri, që ne të bëhemi hyjnorë nëpërmjet hirit.”
Në Krishtin , hyjnorja dhe njerëzorja nuk përzihen, as ndahen, por bashkohen në mënyrë të përsosur “ Pa ndryshim, pa ndarje dhe pa përzierje ”, siç dëshmon Këshilli i IV Ekumenik në Kalcedon.
Ky bashkim i natyrave është themeli i shpëtimit: Krishti si njeri përfaqëson gjithë njerëzimin; si Zot, Ai e shpëton dhe e ngre atë drejt Atit.
Shën Grigor Teologu thekson me thellësi mistike:
“ Ai që është pa trup, merr trup; Ai që është i pasur, bëhet i varfër; Ai që nuk ka vuajtje , vuan të gjitha këto për të shenjtëruar njeriun dhe për t’a ngritur drejt vetë jetës hyjnore. ”
3. Fjala që zbulon fytyrën e Atit
Në Krishtin, njeriu sheh për herë të parë fytyrën e vërtetë të Perëndisë. Ai që tha:
“ Kush më ka parë Mua, ka parë Atin ” (Joani 14:9), e bëri të mundur që dashuria e padukshme të bëhet e dukshme, që Hyjnia të përjetohet në formë njerëzore.
Shën Irineu i Lionit e përmbledh këtë mister me fjalë të pavdekshme:
“ Lavdia e Perëndisë është njeriu që jeton, dhe jeta e njeriut është shikimi i Perëndisë.”
Në Krishtin, Ati nuk është më i panjohur , Ai është Perëndia që afrohet, që vuan me njeriun, që shëron dhe ringjall.
4. Krishti, qendra e gjithësisë dhe e historisë
Sipas Shën Maksim Rrëfimtarit , Krishti është Logosi i të gjitha logoseve, që do të thotë: Kuptimi i thellë dhe arsyeja e ekzistencës së çdo krijese.
“ E gjithë krijesa është bërë për Krishtin dhe në Krishtin, sepse Ai është qëllimi i gjithçkaje.”
Në të, koha dhe përjetësia takohen, qielli dhe toka bashkohen. Çdo dimension i ekzistencës merr kuptim vetëm nëpërmjet Fjalës që e mban në jetë.
Ky është kuptimi i thellë i shprehjes “Në Të u krijua gjithçka” (Kol 1:16): Krishti nuk është pjesë e krijimit, por burimi, qëllimi dhe përmbushja e tij.
5. Krishti, si Zbulesa e Dashurisë Trinitare
Mishërimi nuk është akt i izoluar, por zbulesë e dashurisë trinitare. Në Krishtin, dashuria e Atit, dhurimi i Birit dhe veprimi i Shpirtit të Shenjtë bëhen të njohura në histori.
Shën Isaku i Sirisë na kujton:
“ Në dashurinë e Krishtit, njeriu sheh thellësinë e misterit të Perëndisë. Ai kupton se dashuria është më e madhe se drejtësia.”
Kështu, Biri i Perëndisë bëhet ikona e dashurisë së përjetshme, që e mund vdekjen jo me forcë, por me kryqin, me përulësinë, me faljen.
6. Krishti në jetën e Kishës
Mishërimi i Fjalës nuk është ngjarje e së shkuarës, por realitet i përhershëm që vazhdon në trupin mistik të Tij, Kishën.
Në çdo Liturgji Hyjnore, Biri i Perëndisë iu jep besimtarëve trupin dhe gjakun e Tij, si pjesëmarrje në jetën e përjetshme.
Shën Joan Gojarti thotë:
“ Ai që u mishërua për ne, është Ai që na ushqen me vetveten, që të bëhemi një trup me Të. ”
Kështu, çdo Eukaristi është vazhdim i misterit të mishërimit: Perëndia që zbret në krijesë, për t’a bërë atë të përjetshme.
Përfundim: Krishti, Fjala që vazhdon të mishërohet në zemrën e njeriut
Etërit na mësojnë se mishërimi i Krishtit nuk përfundoi në Betlehem, por vazhdon në shpirtin e çdo njeriu që e pranon me besim dhe me dashuri.
Kur zemra e njeriut pastrohet nga egoizmi dhe mbushet me hir, aty Krishti banon.
Shën Nikolla Kavasila e shpreh kështu:
“ Krishti nuk erdhi vetëm për të na shpëtuar, por për të jetuar në ne. Ai dëshiron që jeta e Tij të bëhet jeta jonë. ”
Prandaj, të rrëfejmë Krishtin si Birin e Perëndisë nuk është thjesht një akt doktrinar, por një mënyrë jete: Një thirrje për bashkim me Të nëpërmjet Kishës, në dashuri, në lutje, në kryq dhe në dritë.
“ Je ti, o Krisht, Biri i Perëndisë së gjallë, që erdhe në botë për të shpëtuar mëkatarët. Në Ty gjejmë dritën, jetën dhe paqen e përjetshme. ”