PRINDËRIMI I KRISHTERË !
Nga: Çenkuela Selenica
Prindërimi është një nga thirrjet më të shenjta që Zoti i ka dhënë njeriut. Ai nuk është vetëm një detyrë biologjike, por mbi të gjitha një mision shpirtëror. Përmes fëmijëve, prindërit bëhen bashkëpunëtorë të Perëndisë në krijim dhe bartës të një përgjegjësie të madhe: Edukimin dhe udhëheqjen e shpirtrave drejt shpëtimit. Shenjtorët e kanë theksuar gjithmonë se prindërimi nuk është një art njerëzor, por një hir hyjnor i lidhur ngushtë me jetën e krishterë!
Prindërit si ikonë e dashurisë së Perëndisë
Prindërit thirren të pasqyrojnë dashurinë e Atit Qiellor në marrëdhënien e tyre me fëmijët. ShënVasil i Madh thekson:
“ Ashtu siç na rrit Perëndia me kujdes të pafund, edhe prindërit duhet të jenë pasqyrë e kësaj dashurie, duke i edukuar fëmijët jo vetëm për këtë jetë, por mbi të gjitha për jetën e amshuar.”
Dashuria prindërore duhet të jetë e pastër, pa egoizëm, dhe gjithmonë e lidhur me urtësinë e besimit. Ajo nuk shprehet vetëm në dhënien e ushqimit dhe të rrobave, por në ushqimin e shpirtit me lutje, shembull të mirë dhe udhëzim drejt Kishës.
Shembulli i prindërve është mësimi më i fuqishëm
Shën Joan Gojarti (Krisostomi) e quante shtëpinë “kishë të vogël” dhe theksonte se edukimi i fëmijëve fillon nga jeta e shenjtë e prindërve:
“ Nëse ne mësojmë fëmijët tanë të bëjnë shenjën e Kryqit që në vegjëli, atëherë djalli nuk ka vend në jetën e tyre. Fëmijët mësojnë më shumë nga ajo që shohin tek prindërit sesa nga fjalët që dëgjojnë prej tyre.”
Nëse prindërit nuk jetojnë me përulësi, dashuri dhe besim, fëmijët e kuptojnë shpejt këtë hipokrizi. Prandaj, edukimi i tyre nuk fillon me këshilla, por me jetën e vetë prindërve.
Lutja dhe misteri i jetës familjare
Shën Porfirios Kavsokaliviti këshillonte që prindërit të mos i qortojnë tepër fëmijët, por t’i afrojnë me dashuri dhe mbi të gjitha t’i mbajnë në lutje:
“ Mos i këshilloni fëmijët tuaj me nervozizëm, por lutuni për ta. Fëmijët tuaj do të ndryshojnë më shumë nga lutjet tuaja sesa nga fjalët tuaja.”
Kisha Ortodokse e sheh jetën familjare si një udhë të shenjtërimit. Martesa është një mister dhe prindërimi është fryt i këtij bashkimi të bekuar. Edukimi shpirtëror i fëmijëve nuk është një shtesë, por themeli i kësaj thirrjeje.
Disiplina dhe dashuria e shëndetshme
Prindërimi i krishterë nuk është as lehtësim i tepërt, as rreptësi e pamëshirshme.
Me Shën Theofani i Mbyllur thotë:
“ Disiplina është e domosdoshme, por ajo duhet të bëhet gjithmonë me dashuri dhe me kujdes që të mos dëmtojë shpirtin e fëmijës.”
Fëmija ka nevojë për udhëzim të qartë, por edhe për ngrohtësi që e mëson se ligji i Perëndisë është dashuri, jo thjesht ndalim.
Misioni i shenjtë i edukimit shpirtëror
Prindërit janë mësuesit e parë të besimit. Shën Paisi i Athosit thoshte:
“ Fëmijët janë si dyllë i butë. Çfarëdo që gdhend prindi tek ata që në fillim, kjo do të mbetet gjatë gjithë jetës.”
Prandaj, leximi i Shkrimit të Shenjtë, pjesëmarrja në Liturgji, lutja familjare dhe shembulli i bamirësisë janë mënyrat më të sigurta që prindërit t’i udhëheqin fëmijët e tyre drejt Krishtit!
Udhëzues praktik për prindërimin e krishterë
1. Filloni gjithçka me lutje
Lutja e prindërve është mburojë për fëmijët.
Shën Porfirios: “ Mos i qortoni fëmijët pa masë, por lutuni me lot për ta. Lutja bën mrekulli.”
2. Jini shembull i gjallë i besimit
Mos kërkoni nga fëmijët atë që vetë nuk e jetoni.
Shën Joan Gojarti: “ Fëmijët mësojnë më shumë nga veprat e prindërve sesa nga fjalët.”
3. Edukojini që në vegjëli
Fëmijët janë si dyllë i butë, prandaj mësimet e para mbeten përgjithmonë.
Shën Paisi i Athosit: “ Nëse nuk i udhëzon që në fillim, më vonë do të jetë shumë më e vështirë.”
4. Mos e ngatërroni disiplinën me ashpërsinë
Jepni rregulla e udhëzime, por gjithmonë me dashuri.
Shën Theofani i Mbyllur: “ Ndëshkimi i ashpër lind frikë, ndërsa udhëzimi me dashuri lind bindje.”
5. Kujdesuni për jetën shpirtërore të fëmijëve
Merrini në kishë, mësojini të bëjnë kryqin, të luten dhe të lexojnë Shkrimin e Shenjtë.
Shën Joan Gojarti: “ Mësoje fëmijën të bëjë kryqin para se të flasë.”
6. Mbillni dashuri dhe mirësjellje
Shpjegojuni fëmijëve se ligji i Perëndisë nuk është dënim, por dashuri.
Shembulli i bamirësisë dhe faljes forcon zemrat e tyre.
7. Mos harroni se prindërimi është shërbesë shpirtërore
Prindërit janë të thirrur të bëjnë fëmijët qytetarë të qiellit, jo vetëm të botës. Shën Joan Gojarti: “ Arti më i madh është të formosh shpirtra për Krishtin.”
Përfundim
Prindërimi i krishterë është një kryq dhe një bekim. Prindërit nuk janë vetëm rritës të trupit, por mbi të gjitha udhërrëfyes të shpirtit. Shenjtorët na mësojnë se një prind i krishterë nuk duhet të synojë vetëm që fëmija të ketë sukses në botë, por të bëhet qytetar i qiellit!
Siç thotë Shën Joan Gojarti:
“ Nuk ka asgjë më të shenjtë se të formosh shpirtra të rinj për Krishtin. Ky është arti më i madh që ekziston!”