Nervozizmi në dritën e mësimeve të Shenjtorëve !
Nga: Çenkuela Selenica
Nervozizmi, ankthi, irritimi, trazimi i brendshëm, janë një dukuri e përhapur në shoqërinë e sotme. Kisha Ortodokse nuk e sheh vetëm si problem psikologjik, por si gjendje shpirtërore që buron nga mungesa e paqes së brendshme dhe nga largimi i njeriut prej Perëndisë. Shenjtorët na kanë lënë mësime të çmuara për t’a kuptuar dhe kapërcyer këtë gjendje!
1. Shkaku i vërtetë i nervozizmit
Shën Theofani i Mbyllur shpjegon se njeriu bëhet i trazuar kur humb udhëheqjen shpirtërore. Kur shpirti nuk e ka më Perëndinë si qendër, mendja dhe zemra bien nën pushtetin e dëshirave dhe pasioneve, duke sjellë shqetësim të vazhdueshëm.
“ Kur shpirti largohet nga Perëndia, ai humb paqen e tij dhe sundohet nga trupi dhe dëshirat.” (Shën Theofani)
Shën Paisi i Athosit thekson se thjeshtësia dhe besimi tek Zoti janë mburojë ndaj ankthit:
“ Sa më shumë thjeshtësi dhe besim tek Zoti, aq më pak ankth dhe nervozizëm do të kesh.”
2. Nervozizmi si mungesë përulësie dhe besimi
Shën Porfir Kavsokaliviti paralajmëron se shumë besimtarë e jetojnë fenë si barrë, duke u përpjekur të bëjnë gjithçka me forcat e tyre dhe jo me hirin e Perëndisë. Kjo sjell lodhje dhe ankth shpirtëror.
“ Njeriu i përulur dhe që i beson Zotit nuk tronditet kurrë, edhe sikur të shembet qielli mbi tokë.” (Shën Porfirios)
Kur pranojmë me përulësi se pa Zotin nuk mund të bëjmë asgjë, zemra qetësohet dhe humbet dëshira për të kontrolluar çdo gjë me forcë njerëzore.
3. Si t’a luftojmë nervozizmin sipas traditës ortodokse?
a) Lutja dhe vigjilenca shpirtërore
Tradita Hesikaste na mëson të ruajmë mendjen përmes lutjes së Jisuit:
“ Zoti Jisu Krisht, mëshiromë mua mëkatarin.”
Kjo lutje, e përsëritur me zemër dhe qetësi, pastron mendimet e tepërta dhe i largon trazimet.
b) Besimi i gjallë dhe thjeshtësia
Shenjtorët na udhëzojnë të mos e mbingarkojmë veten me përpjekje të kota dhe të mos e jetojmë fenë si barrë. Besimi i gjallë sjell paqe dhe gëzim, jo ankth.
“ Në Kishë nuk ka dëshpërim. Ungjilli është dritë dhe gëzim.” (Shën Porfirios)
c) Thënia e mendimeve para udhëheqësit shpirtëror
Abba Dorotheus mëson se mendimet shqetësuese humbasin fuqinë kur i rrëfejmë me përulësi tek udhëheqësi shpirtëror:
“ Kur një mendim i keq zbulohet dhe nuk mbahet fshehur, ai dobësohet dhe zhduket.”
d) Dashuria dhe shërbimi për të tjerët
Shën Porfirios këshillonte që të dalim nga vetja egoiste dhe të duam të tjerët me zemër të sinqertë. Kur zemra hapet në dashuri dhe në pjesëmarrje të gjallë në Kishë, ankthi tretet natyrshëm.
4. Përfundim
Nervozizmi nuk është vetëm problem nervor, por shenjë e mungesës së paqes së brendshme. Shenjtorët na mësojnë:
v Përulësia është çelësi i qetësisë shpirtërore.
v Besimi i thjeshtë dhe dashuria largojnë frikën dhe trazimin.
v Lutja dhe udhëheqja shpirtërore shërojnë mendjen e trazuar.
“ Kur njeriu i dorëzohet Zotit, nuk ka frikë, nuk ka ankth, nuk ka nervozizëm, vetëm paqe.” (Shën Paisi i Athosit)
Paqja e brendshme nuk është rezultat i teknikave të jashtme, por dhuratë e Perëndisë për zemrën që i dorëzohet Atij me përulësi dhe besim!