VIRGJËRIA NË TRADITËN E KISHËS ORTODOKSE !
Nga: Çenkuela Selenica
Një thesar shpirtëror dhe thirrje për pastrim të zemrës
Virgjëria në mësimin e Kishës Ortodokse nuk është vetëm një gjendje trupore apo vetëpërmbajtje fizike, por mbi të gjitha një gjendje shpirtërore. Ajo shihet si një dhuratë e çmuar për Perëndinë, një mënyrë jete që i ngjan engjëjve dhe që i hap njeriut dyert e mbretërisë qiellore. Shenjtorët e kishës kanë folur me thellësi për këtë virtyt, duke e vendosur atë përmbi çdo thesar tokësor!
Virgjëria, më e lartë se martesa
Shën Joan Krisostomi, një ndër etërit më të mëdhenj të Kishës, thotë:
“ Virgjëria është aq më superiore ndaj martesës, sa është qielli ndaj tokës, engjëjt ndaj njerëzve…”
Shën Ambrozi i Milanos, i përmendur nga Shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë, shton:
“ Martesa i lidh njerëzit me lidhje tokësore… Por virgjëria është më e mirë: nëpërmjet saj fitohet trashëgimia e Mbretërisë së Qiellit dhe një shpërblim i pandërprerë hyjnor.”
Kjo nuk nënkupton nënvlerësimin e martesës, një mister i shenjtë, por tregon se virgjëria është një mënyrë më e lartë e jetës së përkushtuar plotësisht Perëndisë.
Pastërtia e zemrës përpara gjendjes së jashtme
Shën Joan Krisostomi na kujton:
“ Jeta e pamartuar nuk mjafton për të bërë dikë të virgjër, por pastërtia e zemrës…”
Virgjëria nuk është thjesht mosmartesë, ajo është një gjendje e brendshme e shpirtit që e largon njeriun nga pasionet dhe e çon drejt dashurisë së kulluar për Zotin. Jeta e Shën Marisë së Egjiptit dëshmon se pastërtia e vërtetë është ripërtëritje e zemrës përmes pendimit dhe hirit hyjnor.
Virgjëria si ofertë shpirtërore dhe imitim engjëllor
Shën Joan Damaskinoi shkruan:
“ Virgjëria është ligj i jetës së engjëjve… ajo është shumë më e nderuar se martesa,aq sa është engjëllimë i lartë se njeriu.”
Virgjëria shihet si një kthim në pastërtinë parësore të njeriut para rënies, një thirrje për të jetuar në tokë si në qiell, duke ia përkushtuar krejtësisht zemrën Zotit!
Krishti dhe Virgjëresha Mari, modele të virgjërisë
Shën Metodius Olimpus thotë:
“ Ai (Krishti) e ruajti trupin e Tij të paçoroditur në virgjëri… le të aspirojmë edhe ne drejt virgjërisë së Krishtit.”
Virgjëria e Krishtit dhe virgjëria e përjetshme e Virgjëreshës Mari, Aeiparthenos , “Virgjëreshë e përjetshme” , janë shembuj të përsosur të jetës së përkushtuar dhe të papërlyer për Zotin. Tradita e Kishës na kujton se Maria mbeti e virgjër para, gjatë dhe pas lindjes së Krishtit, duke qenë plotësisht e shenjtëruar për Shpëtimtarin!
Thirrje për pastërti edhe të jashtme
Shën Joan Krisostomi këshillon virgjëreshat:
“ Ti, o e virgjër, e ke Krishtin Dhëndër, pse kërkon të tërheqësh dashuri njerëzore?!...”
Virgjëria e brendshme duhet të pasqyrohet edhe në sjellje, në thjeshtësi dhe në veshje modeste, që njeriu të dëshmojë jashtë atë që ruan brenda.
Përfundim: Virgjëria si rrugë drejt Qiellit
Virgjëria nuk është një ideal i paarritshëm, as nuk është rezervuar vetëm për murgjit dhe murgeshat; ajo është një thirrje për çdo të krishterë që kërkon të ruajë zemrën të pastër dhe dashurinë e tij të patundur për Zotin. Ky virtyt nuk është vetëm abstinencë trupore, por një gjendje e thellë shpirtërore, një dhuratë dashurie që i ofrohet Perëndisë dhe që e bën njeriun të ngjashëm me engjëjt!