SHPRESA, DHURATË HYJNORE QË NUK TURPËRON KURRË !
Nga: Çenkuela Selenica
Shpresa nuk është thjesht një ndjenjë njerëzore, ajo është frymë e Perëndisë që ngroh zemrën edhe në errësirën më të thellë. Shenjtorët e Kishës Ortodokse na mësojnë se shpresa e krishterë nuk mbështetet në forcën apo meritën tonë, por në mëshirën dhe dashurinë e pafundme të Zotit!
Shën Joan Gojarti thotë:
“ Asgjë nuk e forcon njeriun aq shumë sa shpresa tek Zoti. Edhe nëse bie një mijë herë, mos u dëshpëro; ngrihu dhe thuaj: ‘Shpresa ime është Krishti!’”
Kjo shpresë nuk është një iluzion, por një besim i gjallë se Zoti kurrë nuk e braktis krijesën e Tij.
Shën Isak Siriani na mëson:
“ Shpresa tek Perëndia është portë e mëshirës. Ai që shpreson tek Zoti nuk do të turpërohet kurrë.”
Për të, shpresa është si një spirancë e fortë që e mban njeriun të palëkundur në mes të furtunave të jetës.
“ Mos e humb shpresën për shpëtim, edhe nëse sheh rënien tënde çdo ditë, deri sa të marrësh frymë, mos e braktis rrugën e pendimit.”
Këto fjalë na tregojnë se shpresa është gjithmonë e hapur për njeriun, pavarësisht gabimeve apo sprovave të jetës.
Shën Serafimi i Sarovit na kujton se shpresa nuk lidhet vetëm me pritjen e së ardhmes, por edhe me pranimin e dashurisë së Zotit sot:
“ Gëzimi i vërtetë vjen kur zemra nuk dyshon më tek mëshira e Atit qiellor.”
Shenjtorët na paralajmërojnë të mos ngatërrojmë shpresën me pritjen tokësore. Shpresa e krishterë nuk është thjesht besim se gjërat do të shkojnë mirë sipas dëshirave tona, por bindja se Zoti do të bëjë më të mirën për shpëtimin e shpirtit tonë, edhe nëpërmjetsprovave dhe vuajtjeve.
“ Mos u dëshpëro kurrë, sepse Zoti është gjithmonë pranë teje. Shpresa tek Ai nuk turpëron kurrë.”
Shpresa e krishterë është prania e Zotit në çdo hap të jetës sonë, edhe kur nuk e ndiejmë.
Shën Grigor Palamai shkruan:
“Ai që e vendos shpresën tek Zoti nuk do të tronditet, sepse Zoti është mbrojtësi i tij.”
Në këtë shpresë ka siguri, jo iluzion. Edhe në errësirë, ne dimë se Krishti, “Ai që dha dritë në fillim, do të sjellë dritë përsëri.”
Në fund, shpresa është dritë e Pashkës që shndrit në zemër. Ajo na fton të ecim përpara me guxim, duke ditur se Krishti i Ngjallur është gjithmonë pranë nesh.
Siç thotë Apostulli Pavël:
“ Shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona përmes Shpirtit të Shenjtë që na u dha.” (Rom. 5:5)
Shpresa është dritë që nuk shuhet, spirancë që nuk këputet, dhe urë që na çon nga kjo botë kalimtare drejt jetës së pasosur.Të shpresosh tek Zoti do të thotë të besosh se edhe errësira më e thellë nuk është fundi, se kryqi çon gjithmonë në ngjallje, se Perëndia është më i madh se çdo mëkat, çdo frikë dhe çdo humbje. Shenjtorët na ftojnë të mos e lëmë shpresën të shuhet, sepse shpresa tek Krishti është e pathyeshme dhe e sigurt, sepse ajo është dhuratë hyjnore që nuk zhgënjen kurrë!