HESIKASMA , RRUGA E QETËSISË SË ZEMRËS DHE BASHKIMIT ME ZOTIN!
Nga: Çenkuela Selenica
Hesikasma është tradita shpirtërore e Kishës Ortodokse që thekson qetësinë e brendshme, lutjen e pandërprerë dhe pastrimin e zemrës, në mënyrë që njeriu të përjetojë dritën e papërshkrueshme të Perëndisë. Fjala “Hesychia” (nga greqishtja ἡσυχία) do të thotë qetësi, paqe, heshtje e brendshme. Shenjtorët e të gjitha kohërave e kanë përshkruar hesikasmën jo si një praktikë mekanike, por si një mënyrë jete ku zemra i nënshtrohet plotësisht Hirit të Zotit!
Qëllimi i hesikasmës
Qëllimi i hesikasmës nuk është thjesht qetësia mendore, por bashkimi i njeriut me Zotin nëpërmjet lutjes së zemrës dhe përjetimit të pranisë së Tij të gjallë. Shenjtori i madh Grigor Palamai theksonte se: “Drita që shohin hesikastët nuk është dritë e kësaj bote, por drita e pakrijuar e Perëndisë, që zbulohet në zemrat e pastra.”
Citate të shenjtorëve ortodoksë për Hesikasmën
1. Shën Grigor Palamai (1296–1359):
“ Drita e Perëndisë nuk njihet nga mendja e ftohtë, por nga zemra e pastruar që lutet pa pushim. Ai që hesht nga pasionet dhe flet vetëm me Zotin, e sheh dritën e pakrijuar.”
2. Shën Isaku i Sirisë (shek. VII):
“Dashuria për qetësinë është themeli i lutjes. Nëse e dashuron heshtjen, zemra jote do të bëhet tempull i Perëndisë.”
3. Shën Grigor Sinaiti (shek. XIII-XIV):
“ Nuk ka qetësi më të madhe se sa ajo që gjen njeriu brenda vetes, duke u lutur pa pushim, duke lënë çdo gjë tjetër mënjanë.”
4. Shën Nikolla Kavasila (shek. XIV):
“Lutja e sinqertë e zemrës bën që çdo shqetësim të shuhet dhe zë vendin prania e Perëndisë.”
5. Shën Theofani i Mbyllur (1815–1894):
“Kur lutja zbret në zemër, gjithçka tjetër hesht dhe njeriu e ndien se Perëndia është aty, më afër se fryma e vet.”
Praktika e Hesikasmës
Hesikastët zakonisht ushtronin Lutjen e Jisuit :
“Zoti Jisu Krisht, Biri i Perëndisë, ki mëshirë për mua mëkatarin.”
Kjo lutje përsëritej me kujdes dhe përulësi deri sa rrënjosej në zemër dhe fillonte të vepronte vetvetiu, duke u bërë frymëmarrja shpirtërore e njeriut!
Frutat shpirtërore të Hesikasmës
❖ Paqja e thellë e zemrës që nuk e trondisin vështirësitë e jashtme!
❖ Dashuria për të gjithë njerëzit, që lind nga përjetimi i pranisë së Perëndisë!
❖ Ndriçimi i mendjes dhe i shpirtit, përmes së cilës njeriu sheh veten dhe botën me sytë e Perëndisë!
Shën Isaku i Sirisë thotë:
“Ai që ka gjetur qetësinë e vërtetë, e ka gjetur edhe Qiellin brenda vetes.”