MALLI PËR ZOTIN, ETJA E PASHUAR E SHPIRTIT !
Nga: Çenkuela Selenica
Shpirti i njeriut është krijuar për Perëndinë dhe nuk mund të gjejë prehje deri sa të bashkohet me Të. Kjo është arsyeja pse shenjtorët e Kishës Ortodokse flasinshpesh për “Mallin për Zotin” , një etje e brendshme që nuk shuhet me asgjë tokësore dhe që e shtyn njeriun drejt lutjes së vazhdueshme, pendimit dhe dashurisë hyjnore.
Zemra që digjet për Të
Shën Maksim Rrëfimtari shkruan:
“Kush e do Perëndinë, jeton për Të pa pushim; dhe kush e ka shijuar dashurinë e Tij, nuk ngopet kurrë me të.”
Dashuria për Perëndinë nuk është një ndjenjë kalimtare. Ajo është zjarr që ndizet në zemër dhe e shtyn shpirtin të kërkojë gjithnjë praninë e Tij. Ky mall nuk është thjesht trishtim për mungesën e Tij, por një gëzim i thellë që lind nga shpresa se Ai është i afërt dhe se shpirti është krijuar për bashkim me Të!
Mall që bëhet lutje
Shën Isak Siriani thotë:
“Kur zemra ndizet nga dashuria për Perëndinë, lotët rrjedhin pa u ndalur dhe shpirti kërkon të Dashurin pa pushim, derisa Ai t’a mbushë me paqe.”
Ky mall është një lëvizje e brendshme e shpirtit që shndërrohet në lutje të pandërprerë. Për shenjtorët hesikastë, kjo është rruga e vërtetë e pastrimit të zemrës , që çdo frymëmarrje të bëhet lutje dhe çdo mendim të kërkojë fytyrën e Perëndisë.
Dashuri që nuk durohet dot pa praninë e Tij
Shën Simeon Teologu i Ri shkruan:
“ Shpirti që ka gjetur shijen e dashurisë së Perëndisë nuk mund të jetojë më pa Të; ai digjet dhe kërkon me ngulm praninë e Tij, ashtu si ajri që kërkon të hyjë në mushkëri.”
Ky mall nuk është një luks shpirtëror, por shenjë e jetës së re që Shpirti i Shenjtë mbjell në zemrën e njeriut. Kush e përjeton këtë etje, nuk kënaqet më me gjërat kalimtare të botës, sepse e di se vetëm Perëndia është burimi i gëzimit të vërtetë.
Zemra që nuk lodhet kurrë
Shën Porfir Kavsokaliviti na këshillon:
“ Mos kini frikë se e doni shumë Krishtin. Zemra që ka mall për Të nuk lodhet kurrë; çdo frymë e saj bëhet lutje dhe çdo hap i saj është rrugë drejt Qiellit.”
Shpirti që digjet nga mallëngjimi për Zotin nuk prehet nga asgjë tjetër, përveçse pranisë së Tij. Edhe vuajtjet, edhe vështirësitë, edhe privimet e kësaj bote shndërrohen në burime gëzimi, sepse njeriu e di se çdo hap e afron më shumë tek i Dashuri i shpirtit të tij.
Malli që shndërron jetën njerëzore!
Malli për Zotin është dhuratë hyjnore, por edhe fryt i përpjekjes sonë për të pastruar zemrën me lutje, pendesë dhe dashuri. Ai është shenjë se shpirti është zgjuar dhe se Perëndia është afër. Ky mall e shndërron njeriun: I jep paqe të brendshme, i jep fuqi për të përballuar sprovat dhe e mëson të kërkojë gjithmonë fytyrën e Perëndisë!
Shenjtorët na mësojnë se ky mall është vetë fillimi i shenjtërimit dhe shtegu që çon drejt bashkimit me Perëndinë.
Kur zemra digjet për Zotin, çdo gjë tjetër merr vendin e saj dhe shpirti gjen paqen e vërtetë, që nuk shuhet kurrë!