METAMORFOZA e Krishtit : 6 gushti (Pjesa e dytë)

Autor Gjeorgjios Manxaridhis, Profesor i Theologjisë në AUTH
Përkthyer nga greqishtja : Katekisti Pandeli Arbër Zeneli
Metamorfoza e Shpëtimtarit zë një vend qëndror në Kishën dhe Theologjinë Orthodhokse. Është ngjarja që zbulon lavdinë e Kishës dhe të besimtarëve. Është dëshmia e realitetit të ri që vjen me ardhjen e Krishtit në histori.
Moisiu dhe Ilia marrin pjesë në të njëjtin shkëlqim me Krishtin. I vetmi ndryshim është se Krishti përbën burimin, ndërsa ata janë pranues të shkëlqimit hyjnor. Arsyeja për të cilën Krishti u shndërrua para Nxënësve, ishte afrimi i ditës së Kryqëzimit të Tij: “që, kur të shikojnë të kryqëzohesh, ta kuptojnë pësimin vullnetar”.
Me Metamorfozën Krishti nga njëra anë vërteton hyjninë e Tij, të cilën pak më parë e kishin pohuar Nxënësit me gojën e Apostull Petros, ndërsa nga ana tjetër sjell një përvojë të parë të ardhjes së Mbretërisë së Tij. Kremtimi i Metamorfozës më 6 Gusht ndoshta nuk na ndihmon që të kujtojmë lidhjen e drejtpërdrejtë të saj me Kryqin e Krishtit. Vetëm nëse mendojmë se pas disa javësh, më 14 Shtator, kremtohet Lartësimi i Kryqit të Nderuar, që kujton të Premten e Madhe, gjejmë rëndësinë historike të së Kremtes.
Si një ngjarje historike, Metamorfoza u bë pak javë përpara Pësimit. Në kalendarin kishtar nga pikëpamja historike, ajo do të kishte vendin e saj disa javë para Pashkës; ndoshta aq sa tani e ndajnë atë nga Lartësimi i Kryqit të Nderuar. Dhe nuk duhet të konsiderohet si diçka rastësore, që në vend të saj, Kisha caktoi një të kremte tjetër, të kremten e Theologut të Dritës Taboriane, të Shën Grigor Pallamait. Kështu e diela e dytë e Kreshmës së Madhe, pesë javë përpara Pashkës, i është kushtuar Shën Grigor Pallamait.
Gjithashtu është karakteristike, se në të tre Ungjijtë sinoptikë ngjarja e Metamorfozës tregohet menjëherë pas deklarimit të Krishtit, “se janë disa prej këtyre që rrinë këtu, që nuk do të ngjërojnë vdekje, deri sa të shohin mbretërinë e Perëndisë të ardhur me fuqi”. Kështu Metamorfoza e Krishtit, siç tregohet edhe në Traditën Patristike, vjen si një shfaqje e Mbretërisë së Perëndisë “me fuqi”.
Krishti me Metamorfozën e Tij vërteton dhe forcon besimin në hyjninë e Tij, të cilën e pohuan edhe Nxënësit. Gjatë Metamorfozës Krishti nuk mori diçka që më parë nuk e kishte, por tregoi, në masën që mund të pranonin Nxënësit e Tij, lavdinë që kishte gjithmonë si Perëndinjeri. Dmth,. lavdia që panë të tre Nxënësit në malin Thavor nuk ishte ndonjë fenomen kalimtar, por ishte Drita e përjetëshme e natyrës hyjnore të Krishtit. Këtë tregon edhe himnografi i Kishës sonë, kur thotë: “Përmbi malin ndërrove fytyrën dhe Nxënësit e tu panë lavdinë tënde sa mundnin, o Krisht Perëndi”.
Drita e Metamorfozës është Drita e Pakrijuar e Mbretërisë së Perëndisë, që erdhi në botë me ardhjen e Krishtit. Natyrisht, Mbretëria e Perëndisë si e pakohë dhe e pafundme nuk kufizohet në kohë, por e kapërcen dhe e transformon atë. Ajo nuk fillon pas përfundimit të historisë, por tashmë ekziston brenda saj dhe mbi të, dhe do të vazhdojë të ekzistojë përtej saj.
Besimi i krishter nuk mbështetet mbi ndonjë parim ose ideologji morale, por themelohet në shfaqjen e Mbretërisë së Perëndisë në Krishtin brenda në histori. Karakteristike është dëshmia e Apostull Petros, i cili i referohet përvojës së tij nga Metamorfoza, në mënyrë që të na tregojë të vërtetën e predikimit të krishterë: “Sepse jua bëmë të ditur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht jo duke shkuar pas përrallave të thurura me mjeshtëri, por duke ju treguar se me sytë tanë e pamë madhështinë e tij”.
Ndjenjën e birësimit në Krisht njeriu e fiton në jetën e tij me ruajtjen e urdhërimeve hyjnore. Me vetëmohimin dhe vetëofrimin e tij ndaj Perëndisë dhe vullnetit të Perëndisë, që përbën një lloj vdekjeje, besimtari bëhet pjesëmarrës i Jetës dhe Mbretërisë hyjnore.
Shijimi i përjetshmërisë nuk fillon pas Kryqit, por me Kryqin. Bindja në vullnetin e Perëndisë “deri në vdekje” përbën pjesëmarrje në ngjallje. Siç lavdia e Krishtit fillon me Kryqin, që shkatërron fuqitë e të ligut, ashtu edhe lavdia e të krishterëve fillon me pranimin vullnetar të vdekjes për Krishtin, që heq njeriun e vjetër dhe zbulon të riun.
Metamorfoza e Krishtit është parapërgatitje e Kryqit, dhe Kryqi i Krishtit është pikënisje e lavdisë së Tij si njeri. Krishti me Metamorfozën nuk fiton asgjë të re, por forcon Nxënësit duke patur parasysh Kryqëzimin e Tij të ardhshëm. Nxënësit kishin nevojë për këtë forcim, për të përballuar Kryqin e Mësuesit të tyre, si edhe kryqin e tyre më vonë për emrin e Mësuesit të tyre.
Porta e Mbretërisë së Perëndisë është Kryqi. Dhe lavdia e Perëndisë brenda në botë fillon me Kryqin. Çdo shfaqje e lavdisë së Perëndisë brenda në histori, para apo pas ardhjes së Krishtit, përbën një prototip të Kryqit të Krishtit. Çdo përvojë e lavdisë së Perëndisë gjatë kësaj jete paralajmëron ose shoqëron përvojën e Misterit të Kryqit.