Mirosja e shenjtë në Kishën Orthodhokse

Në vitet e para të krishtera ekzistonte zakoni që katikumenët të pagëzoheshin të kremten e Pashkës. Vaji i mirosjes, që përdorej për mirosjen e të sapondriçuarve, dmth., atyre që sapo ishin pagëzuar, shenjtërohej paraprakisht të Enjten e Madhe. Kjo praktikë vazhdoi që të vepronte deri në mesjetë. Shërbesa e mirosjes kryhej një herë në vit. Por, filloi që të kryhej sipas rastit, edhe kur dilte nevoja për zëvendësimin e Miros.
Kur kryhet, shërbesa e gjerë dhe e kujdesshme vendoset pas Liturgjisë hyjnore të së Enjtes së Madhe.
Sipas zakonit e drejta për shenjtërimin e Miros i përket vetëm Episkopit. Çdo Kishë Autoqefale ka të drejtën që të përgatitë dhe të shenjtërojë Miron e shenjtë. Patriarkana e Kostandinopojës, si e para ndër të barabartë në Ortodoksi, shenjtëron dhe shpërndan Miron e shenjtë tek Kishat e tjera.
Miroja e shenjtë është një përzierje e vajit të ullirit, balsamit, verës dhe rreth 40 esencave aromantike, që simbolizojnë plotësinë e hirit të misterit, ëmbëlsinë e jetës së krishterë dhe dhuratat e shumta dhe të ndryshme të Shpirtit të Shenjtë.
Mirosja, si mister i dytë i Kishës, lidhet ngushtë me pagëzimin si teologjikisht ashtu edhe liturgjikisht. Ndërsa pagëzimi na bën që të ndajmë vdekjen e Krishtit dhe na përfshin në ekzistencën e Tij të re dhe të ngjallur, Mirosja na bën mbajtës të Shpirtit të Shenjtë. Shpirti i Shenjtë vjen që të banojë brenda nesh. Rrethon jetën tonë me fuqi dhe me dashuri. Vendos brenda nesh dhuratën e veprimit. Na bën luftëtar të fortë në luftën shpirtërore dhe pastron zemrat tona duke na shndërruar vazhdimisht në tempull të Perëndisë së gjallë.