Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE DHE TEMA SHPIRTËRORE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • SHKRIMET E VITIT 2026
      • SHKRIMET E VITIT 2025
      • SHKRIMET E VITIT 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

E Enjtja e Madhe në Kishën Orthodhokse : ( Darka Mistike - lexohen 12 Ungjijtë)

April 19, 2022 at 1:09 pm, No comments

Komente mbi çështjet kryesore


Të Enjten e Madhe vëmendja e Kishës kthehet nga ngjarjet, që ndodhën në dhomën e sipërme në kopshtin e Gjesthimanisë.

Në dhomën e sipërme, Jisiu themeloi misterin e Falenderimit Hyjnor dhe lau gjithashtu këmbët e nxënësve të Tij.

Kopshti i Gjesthimanisë drejton lutjen tonë drejt nënshtrimit shpëtimtar dhe lutjes kryepriftërore (Mat. 26.36-46). Na vendos gjithashtu edhe para veprës frikacake dhe mashtruese të Judës, i cili tradhtoi Krishtin me një puthje, që është shenjë e dashurisë dhe miqësisë.

Falenderimi hyjnor

Gjatë Darkës Mistike në dhomën e sipërme, Jisui i dha një kuptim të ri rrënjësor ngrënies dhe pirjes së darkës së shenjtë. Identifikoi veten e Tij me bukën edhe verën: “Merrni, hani, ky është Trupi im... pini prej këtij të gjithë, ky është Gjaku im i Dhiatës së Re” (Mat. 26.26-28).

Kemi mësuar që të barazojmë ushqimin me jetën, sepse ai mban ekzistencën tonë tokësore. Në Falenderim, ushqimi i vetëm dhe i jashtëzakonshëm njerëzor, buka edhe vera, bëhet Trupi edhe Gjaku i Krishtit. Në vaktin falenderues Perëndia vjen në këtë shoqëri jetësore, në mënyrë që të ushqejë njerëzimin me ekzistencën e Tij, e cila, sidoqoftë, qëndron e dallueshme: Sipas fjalëve të Shën Maksim Pohuesit, Krishti “na ofron jetën hyjnore, duke e bërë veten e Tij të ngrënshëm”. Krijuesi i jetës tejkalon kufijtë e krijimit tonë. Krishti vepron me këtë mënyrë, që të “mundim të kungojmë natyrën hyjnore” (2 Pet. 1.4).

Falenderimi është qendra e jetës së Kishës. Është lutja më e thellë e saj dhe aktiviteti kryesor i saj. Është njëkohësisht edhe burimi dhe kulmi i jetës së saj. Në Falenderim Kisha tregon natyrën e saj të vërtetë dhe vazhdimisht shndërrohet nga një shoqëri njerëzore në Trup të Krishtit, Tempull i Shpirtit të Shenjtë dhe Popull i Perëndisë.

Falenderimi është një mister. Plotëson të gjitha të tjerat dhe përmbledh të gjithë ekonominë e shpëtimit. Jeta jonë e re me Krishtin rigjenerohet qëndrueshëm dhe rritet nga Falenderimi. Falenderimi jep jetë, dhe jeta që jep është jeta e Perëndisë.

Me pagëzimin dhe mirosjen kemi hyrë në një mënyrë të re ekzistence. Është një ekzistencë, e cila rritet në mënyrë të qëndrueshme. Shkrimet këtë e përshkruajnë si një lindje të re, vdekje të njeriut të vjetër, zhveshje nga natyra e vjetër dhe veshje të natyrës së re. Kjo risi, ndryshimi rrënjësor i mënyrës së ekzistencës, nuk plotësohet me përpjekje njerëzore. Është një dhuratë nga Perëndia. Si është rrënjosur në kohën e ardhme, kjo ekzistencë e re mirëmbahet dhe ushqehet nga Falenderimi. Në çdo Liturgji Hyjnore dëgjojmë Ungjillin e Krishtit dhe hyjmë në procedurën e transformimit. Na jepet mundësia që të fitojmë mënyrën falenderuese të ekzistencës. Ngadalë-ngadalë bëhemi edhe vetë bashkësi dhe dashuri. Në Liturgjinë Hyjnore elementët tragjik të ekzistencës sonë të rënë, kryelartësia, blasfemia, hipokrizia, dhimbja, tradhtia, e pa vërteta, keqdashja, dëshpërimi, veset, grykësia, pasionet, korrupsioni, vdekja- munden vazhdimisht, që të bëhemi të aftë të bëhemi dashuri, liri dhe jetë.            

Falenderimi ofrohet në Kishë si plotësi jo si çmim, por si terapi për mëkatin, një mjet për jetën, për kungimin e Shpirtit të Shenjtë dhe një hapje për të tjerët. Çdo i Krishterë Ortodoks që është pagëzuar dhe mirosur do të duhet që të jetë marrës i rregullt dhe i shpeshtë i Mistereve të shenjta. Sidoqoftë, do të duhet që të tregojë kujdesin e duhur, në mënyrë që t’i afrohet Kungatës së shenjtë me lotë shpirtëror dhe me parapërgatitjen e duhur. Një kreshmë e plotë, siç e përshkruam më parë, i paraprinë Kungatës së shenjtë. Ruajtja e urdhërimeve të Perëndisë përbën parapërgatitjen bazike dhe gatishmërinë e duhur për pjesëmarrjen në mister.

Në Falenderim Kisha kujton dhe paraqet mistikërisht ngjarjen çlirimtare të Kryqit dhe merr pjesë në hirin shpëtimtar. Kjo nuk do të thotë që Falenderimi përpiqet që të risjellë një ngjarje të së shkuarës. Falenderimi nuk përsërit atë që nuk mund të përsëritet. Krishti nuk theret vazhdimisht përsëri. Ushqimi falenderues shndërrohet, konkretisht dhe realisht në Trup dhe Gjak të Qengjit të Perëndisë, “i cili dha veten e Tij për jetën e botës”. Krishti, Perëndinjeriu, vazhdimisht ofron veten e Tij për besimtarët përmes Dhuratave të shenjtëruara, dmth., Trupin e Tij, që është ngjallur dhe hyjnizuar, i cili për ne vdiq njëherë dhe tani jeton (Heb. 10.2, Zbul. 1.18). Për këtë arsye, besimtarët vijnë në Kishë çdo javë dhe jo vetëm, që të adhurojnë Perëndinë dhe të dëgjojnë fjalën e Tij. Mbi të gjitha, vijnë, që të përjetojnë misterin e shpëtimit dhe të bashkohen me Pësimin dhe me Ngjalljen e Zotit Jisu Krisht.

Me fuqinë e sakrificës së Tij, Krishti na tërheq drejt aktivitetit të Tij sakrifikues. Kisha gjithashtu ofron sakrificë. Sidoqoftë, sakrifica që ofron Kisha dhe pjesëtarët e saj mund të jetë vetëm një ofrim për Perëndinë, për dhënien e pasurisë së mirësisë, filantropisë dhe dashurisë. Kjo sakrificë është kryesisht sakrificë lavdërimi dhe falenderimi. Ka paralelisht edhe të tjera karakteristika, siç është qëndrueshmëria ndaj Ungjillit, bindja ndaj besimit të vërtetë, lutja e vazhdueshme, kreshmë, luftë kundër pësimeve dhe punë dashurie. Në nivelin e tij më të thellë, ky ofrim është një vepër zbrazëtie (Lluk. 9.23-25). Përbëhet nga vullneti ynë që të humbim jetën, në mënyrë që ta fitojmë atë (Mat. 16.28).

Në Falenderim pranojmë dhe marrim Krishtin e ngjallur. Shpërndajmë Trupin e Tij, që u sakrifikua, u ngjall dhe u hyjnizua “për ndjesën e mëkateve dhe për jetën e përjetëshme” (Liturgjia hyjnore). Në Falenderim Krishti na shpërndan –si një dhuratë të përhershme dhe të qëndrueshme- Shpirtin e Shenjtë “i cili siguron shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë –dhe nëse jemi bij- atëherë jemi trashëgimtarë të Krishtit” (Rom. 8.16-17).

Fryti bazik i Falenderimit është kungimi i Shpirtit të Shenjtë. Shpirti i Shenjtë është dhurues i jetës, që na parapërgatit për ngjalljen dhe na shtyn që të përparojmë drejt saj. Frytet e tjerë të Falenderimit lidhen me këtë dhuratë bazike. Foshnjëria e shpirtit, ndjesa e mëkateve, ndërgjegjja e pastër janë të gjitha parapërgatitje por edhe rezultat i kungimit tonë më Shpirtin e Shenjtë. Birësimi, komunikimi ynë me shenjtorët, shfaqja e dashurisë në bashkimin e besimit dhe trashëgimia e mbretërisë qiellore fitohet me kungimin e Shpirtit të Shenjtë.

Shën Grigor Palamai, me një paragraf depërtues, na ndihmon që të kuptojmë fuqinë e thellë dhe mrekullinë e Falenderimit:

“Krishti u bë vëllai ynë, sepse mori trupin dhe gjakun tonë dhe kështu u asimilua me ne... Na bashkoi dhe na lidhi me veten e Tij, siç bën edhe burri me gruan e tij, si u bë një dhe trup i vetëm me ne, me kungimin e gjakut të Tij. U bë gjithashtu Ati ynë me Pagëzimin e Shenjtë, i cili na bën të ngjashëm me Atë, dhe na vendos në gjoksin e Tij, siç nëna përqafon foshnjën e saj... Eja, na thotë, hani trupin tim, pini gjakun tim... në mënyrë që të mos jeni vetëm të krijuar sipas ikonës së Perëndisë, por të bëheni Perëndi dhe mbretër, të përjetshëm dhe qiellor, duke veshur veten tuaj tek unë, Mbreti dhe Perëndia”.

Lajtorja e këmbëve

Ngjarjet që filluan me Darkën Mistike të Jisuit kishin një rëndësi të thellë. Duke mësuar dhe duke u dhënë nxënësve këshillat e Tij të fundit duke u lutur gjithashtu për ata, zbuloi përsëri që është Bir i Perëndisë dhe që ka pushtet. Duke themeluar Falenderimin ruan përsosjen e qëllimeve të thella të Perëndisë për shpëtimin tonë. Duke larë këmbët e nxënësve të Tij, përmbledh kuptimin e shërbimit të Tij, tregon dashurinë e përsosur dhe zbulon përulësinë e skajshme të Tij.

Vepra e lajtores (Joan. 13.2-17) lidhet me sakrificën mbi Kryq. Dhe të dyja zbulojnë aspekte të zbrazjes së Krishtit. Ndërsa Kryqi përbën manifestim bazik të bindjes së përsosur të Krishtit ndaj Atit të Tij (Filip. 2.5-8), lajtorja nënkupton dashurinë e Tij dhe ofrimin e vetes së Tij për çdo njeri, në pajtim me afërsinë e çdo njeriu që ta marrë (Joan. 13.6-9).

Në një nga punët e tij në lidhje me shërbesat liturgjike dhe hieratike, atë Lev Gillet, i cili ka shkruar me pseudonimin “Murgu i Kishës Lindore”, vërejti këto në lidhje me rëndësinë e veprës së Jisuit. Edhe pse mendimet e tij i drejtohen priftërinjve, vlejnë, sidoqoftë, edhe për çdo të Krishterë.

“Larja e këmbëve nuk nënkupton vetëm një larje të nevojshme, largim të pluhurit që grumbullohet nga trotuaret, largim të gabimeve që vijnë si pasojë e dobësisë njerëzore. Akoma më tepër nga kjo, vepra është një mister përulësie dhe dashurie. Jisui donte që të quhej nga profeti Isaia si “Shërbëtor që pëson”. Në Ungjill e përshkruan veten e Tij si “Ai, i cili shërben”. I qëndroi faktit se në Mbretërinë e Perëndisë më i rëndësishmi duhet të jetë i fundit. Dhe tani, para se të hyjë në pësimin e Tij, i thotë nxënësve të Tij: “Nëse unë, Zoti dhe Mësuesi ju lava këmbët, keni edhe ju detyrimin që të lani këmbët e njëri tjetrit. Ju dhashë shembullin, që të bëni edhe ju siç bëra unë” (Joan. 13.14-15).

Prifti i Jisuit nuk mund që ta bëjë këtë vepër hieratike të dyfishtë –të shpërndajë bukën e Fjalës dhe të ndajë bukën e Darkës së Zotit- dhe të ketë fryte, përveçse vetëm nëse mbi të gjitha, si mësuesi i tij, gjunjëzohet para të tjerëve ne një qëndrim përulësie dhe shërbimi dhe lan këmbët e tyre. Pa këtë kusht, priftëria e tij nuk do të sjellë fryte. Si, mund të realizohet kjo vepër përulësie dhe shërbimi, në jetën e përditshme?

Çdo vepër baritore që kryen prifti dhe çdo lidhje njerëzore që themelohet nga ai, do të duhet të shënjohet nga qëndrimi i dyfishtë i përulësisë dhe shërbimit... Mbi të gjitha prifti do të duhet që të kushtojë veten e tij tek ata që vuajnë... Sepse detyra e priftit është që të drejtojë drejt Shpëtimtarit çdo formë dhimbjeje fizike ose psikike, siç gjithashtu edhe çdo nevojë për shpëtim. Prifti do të duhet që t’i kushtohet atyre që janë gati duke vdekur, të sëmurëve. Do t’ju japë lëmoshë në formën e parave dhe të ngushëllimit të tij. Nëse nuk ka para, do të thotë fjalët e ap. Petros për të paralizuarin, i cili i tha: “Argjend dhe ar nuk kam; po atë që kam, këtë ta jap” (Veprat 3.6). Ajo që kam dmth., dashurinë time dhe lutjen time... Në çdo situatë të re prifti ftohet që të kuptojë një përpjekje të re mirëkuptimi dhe dashurie... Prifti nuk do të ketë arritur asgjë, nëse edhe ai vetë nuk shpërndan peshën që sjell fqinji i tij, nëse edhe ai vetë nuk përpiqet që të mbajë të njëjtën peshë, nëse edhe ai vetë ka hyrë vërtetë brenda dhimbjes së vëllait të tij edhe nëse pjesëmarrja e tij tek ajo nuk i kushton diçka dhe nuk e drejton drejt ndonjë sakrifice konkrete.

Lutja

Ungjijtë sinoptikë ruajnë edhe një tjetër episod të rëndësishëm në radhën e ngjarjeve që drejtojnë tek pësimi. Konkretisht, agoninë dhe lutjen e Jisuit në Kopshtin e Gjesthimanisë (Mat. 26. 36-46, Mark. 14.32-42, Lluk. 22.39-46).

Edhe pse Jisui ishte Biri i Perëndisë, si njeri duhej të pranonte plotësisht gjendjen njerëzore, dmth., të përjetojë dhimbjen dhe të mësojë bindjen. I zhveshur nga çdo privilegj hyjnor, Biri i Perëndisë përmbushi rolin e shërbëtorit. Jetoi si një qënie njerëzore e vërtetë. Edhe pse ishte i pamëkatshëm, u lidh me gjithë gjininë njerëzore, u identifikua me vendin e vështirë njerëzor dhe përjetoi të njëjtat sprova (Filip. 2.6-11, Heb. 2.9-18).

Ngjarjet emocionale në Kopshtin e Gjesthimanisë me mënyrë dramatike dhe të dhimbshme zbuluan natyrën njerëzore të Krishtit: sakrifica, që duhet të durojë për shpëtimin e botës, ishte e afërt. Vdekja, me gjithë fuqinë dhe maninë e saj, vështronte drejtpërdrejtë mbi Atë. Pesha dhe dhimbja e frikshme –rezultatet shkatërrimtare të mëkatit stërgjyshëror- i shkaktoi një hidhërim dhe dhimbje të fortë (Heb. 5.7). Instinktivisht, si njeri kërkoi që t’i largohej. U gjend në një moment vendimtar. Në agoninë e Tij i lutej Atit të Tij, “Abba, o Atë, të gjitha janë të mundura për ty; largoje prej meje këtë potir; por le të bëhet jo ç’dua unë, por ç’do ti” (Mark. 14.36).

Lutja i zbuloi thellësinë e agonisë dhe të dhimbjes së Tij. Zbuloi gjithashtu “pakrahasueshmërinë e fuqisë së Tij shpirtërore dhe dëshirën dhe vendimin e patundur... të kryejë vullnetin e Atit”.

Jisui ofroi dashurinë e pakufishme dhe besimin tek Ati. Arriti kufijtë ekstrem të vetëmohimit –“jo siç unë dua”- në mënyrë që të përmbushet vullneti i Atit të Tij. Pranimi i vdekjes nuk ishte një pasivitet dhe dorëheqje stoike, por një vepër dashurie dhe bindjeje. Në atë moment të vendimit, kur deklaroi që pranimi i Tij për vdekjen ishte në përputhje me vullnetin e Atit të Tij, shkatërroi fuqinë e frikës së vdekjes me gjithë pasiguritë pasuese, ankthin dhe kufizimet. Mësoi bindjen dhe përmbushi planin hyjnor (Heb. 5.8-9).

Gjatë agonisë së Tij, Jisui nxiti nxënësit e Tij që të rrinë zgjuar dhe të luten, që të mos bien në tundim (Mat. 26.41). Kjo këshillë shërben për çdo të Krishterë të çdo brezi.

Lutja na lidh me Jisuin, i cili, me bindjen e Tij u bë adhurues i përkryer i Perëndisë. Bëhet njëkohësisht prototipi i lutjes. Kështu, me Krishtin gjithmonë në mendje dhe në zemrën tonë, nuk mundemi as që të biem në tundim edhe as të humbasim, nëse duam që të parafrazojmë një tekst të vjetër të krishterë.

Lutja është fuqi, që ushqen jetën shpirtërore. Siç fryma, ushqimi, pija dhe mendimi janë bazike për ekzistencën njerëzore, ashtu edhe lutja është element themelor i jetës së krishterë. Fryma autentike ortodokse përbëhet nga jeta e lutjes, e cila është e rrënjosur në jetën e Kishës, besimi dhe misteret e saj. Kjo jetë shpirtërore, paralelisht lidhet edhe me ushtrimin e kreshmës, e cila fillimisht nënkuptohet si bindje dhe dashuri drejt Perëndisë, siç lidhet gjithashtu edhe me çlirimin nga pasionet dhe veprat filantropike.

Lutja është përvoja më e mirë e shpirtit njerëzor. Pa atë shpirti mbetet i ftohtë, pa frymë. Nuk mund që të përparojë në një lidhje personale të qëndrueshme me Perëndinë.

Lutja është një vepër besimi. Na çon në një botë tjetër. Me lutjen arrijmë dhe kalojmë kufirin ekstrem. Prekim një botë tjetër, të cilën e jetojmë si një paqe, bukuri, mirësi, gëzim dhe besim të mrekullueshëm. Lutja hap jetën tonë në një realitet, i cili na tejkalon. Shohim Perëndinë e gjallë dhe bashkëbisedojmë me të. I vetmi Shenjt, i vetmi që ekziston, na përqafon me mëshirën e butë, me dhembshuri dhe me dashuri. Drita hyjnore tejkalon thellësitë e shpirtit tonë, që të zbulojë mëkatet tona, të pastrojë padrejtësitë tona, të shërojë tronditjen tonë, të ndriçojë mendjen tonë, të forcojë vullnetin tonë, t’i japë gëzim zemrës sonë.

Tradhtia

Siç treguam më lartë, Juda tradhtoi Krishtin me një puthje, shenjë e miqësisë dhe e dashurisë. Tradhtia dhe kryqëzimi i Krishtit e çoi mëkatin stërgjyshëror në kufijtë e tij ekstrem. Në këto dy veprime rebelimi kundër Perëndisë preku pikën më të skajshme. Mashtrimi i njeriut në parajsë kulmoi me vdekjen e Perëndisë sipas mishit. Që të triumfonte e keqja, do të duhet që të vritej drita dhe të sfidohej e mira. Në fund, sidoqoftë, kjo gjë rezulton një mashtrim, absurditet dhe çmenduri. Vdekja dhe ngjallja e Krishtit shkatërruan fuqitë e liga.

Të Enjten e Madhe drita dhe errësira, gëzimi dhe hidhërimi, përzihen kaq shumë çuditërisht. Në katin e sipërm dhe në Gjesthimani drita e mbretërisë dhe errësira e hadit paraqiten njëkohësisht. Rruga e jetës dhe rruga e vdekjes konvergojnë. I takojmë që të dyja në udhëtimin tonë brenda në jetë.

Gjithësecili që lindi në këtë jetë, në mënyrë të pashmangshme përzihet në luftën shpirtërore, ai nuk ka për t’u përleshur me trupin dhe gjakun, “por me krerët dhe pushtet, dmth., me kryetarët e kësaj bote të errët, shpirtrat e ligj, që gjenden në tokë dhe në qiell” (Efes. 6.12).

Mjerisht, ekzistojnë disa, që vazhdojnë vullnetarisht të mos i binden Perëndisë, ata që jo vetëm e refuzojnë por edhe luftojnë kundër Tij. Ekzistojnë të tjerë, të cilët e largojnë. Dhe akoma të tjerë, të cilët janë pagëzuar, por për një ose një tjetër arsye janë të vakët në lidhjen e tyre me Krishtin dhe me Kishën e Tij.

Në mes të kurtheve dhe tundimeve, që janë rreth botës dhe rreth nesh, do të duhet që të jemi të gatshëm të jetojmë në shoqëri me gjithçka që është e mirë, kryelartë, fizike dhe pamëkatshme, të shndërruar, me hirin e Perëndisë, të ngjashëm me Krishtin.  


No comments

Leave a reply







Recent Posts

  • E SHTUNA E SHPIRTRAVE
    6 Jun, 2025
  • Pashka e Madhe dhe e Shenjtë në Kishën Orthodhokse
    19 Apr, 2025
  • E SHTUNA E MADHE
    18 Apr, 2025
  • SHKENCA PËRBALLË KRYQËZIMIT DHE NGJALLJES SË JISU KRISHTIT
    18 Apr, 2025
  • E PREMTJA E MADHE
    17 Apr, 2025
  • E ENJTJA E MADHE
    16 Apr, 2025
  • E MËRKURA E MADHE
    15 Apr, 2025


  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako