Të shfrytëzohet shkenca në jetën shpirtërore (Shën Pais Agjioriti : Vitamina shpirtërore)
E gjithë e keqja nis prej trurit, kur rrotullohet vetëm rreth shkencës dhe është plotësisht i larguar nga Perëndia. Prandaj nuk e gjejnë këta njerëz paqen e tyre të brendshme dhe ekuilibrin. Ndërsa, kur mendja rrotullohet rreth Perëndisë, njerëzit përdorin edhe shkencën për kultivimin e tyre të brendshëm e për të mirën e botës, sepse mendja në këtë rast është e shenjtëruar.
- Domethënë, jerond, shkenca nuk e ndihmon njeriun?
- Shkenca ndihmon shumë, por edhe turbullon shumë. Njoha shpirtra me kthjelltësi të madhe edhe pse kishin mësuar më pak. Të gjithë ata që e kanë turbulluar trurin nga shkenca, në qoftë se kthjellohen me hirin e Perëndisë, atëhere do të kenë vegla më të shumta për punë. Ndërsa në qoftë se nuk shenjtërohen veglat, - në qoftë se nuk shenjtërohet njohuria, - mund të përdoren për punët e botës, por jo për shpirtëroren. Ato shenjtërohen shpejt po të hyjë shqetësimi i mirë. Ata që i japin përparësi arsimimit të brendshëm shpirtëror dhe e përdorin edhe të jashtmin për shpirtin, ata shpërfytyrohen shpejt shpirtërisht. Në qoftë se të arsimuarit ushtrohen edhe shpirtërisht, atëhere ndihmojnë shumë njerëz pozitivisht, sepse e nxjerrin botën nga ankthi i ferrit dhe e çojnë drejt ngazëllimit të Parajsës. Mundet që disa njerëz të Perëndisë të kenë më pak diploma, por ndihmojnë më shumë, sepse kanë shumë hir e jo shumë kartëra (diploma). Bota u mbush nga mëkati dhe duhet shumë lutje dhe përjetim. Shkrimet e Shenjta janë monedha të arta dhe vlera e tyre varet nga kompensimi. Prandaj duhet punë në “minierën" e shpirtit.
Më kujtohet një plak në manastirin e Esfigmenit i cili ishte aq i thjeshtë, saqë e konsideronte Ngjitjen e Zotit shenjtore. Ai lutej me komboskin dhe thoshte: "Shenjtore e Perëndisë, ndërmjeto për ne". Njëherë ndodhej në spital një vëlla i sëmurë dhe ai nuk kishte ç'ti jepte për të ngrënë. Zbriti shkallët, hapi dritaren që shihte nga deti, i hapi duart dhe tha: "Shenjtorja ime Ngjitje, më jep një peshk për vëllanë". Dhe menjëherë, - për mrekulli, - një peshk i madh kërceu nga deti në duart e tij. Të tjerët që e panë mbetën të mrekulluar e pa fjalë nga habia. Ai i shihte dhe buzëqeshte, sikur t'u thoshte: "Ç'gjë të çuditshme po shihni?". Ne kemi dije, e dimë se kur festohet një shenjtor, kur u martirizua tjetri, kur u bë Ngjitja në Qiell, ku u bë dhe si u bë, por nuk mund të nxjerrim asnjë peshk të vogël. Këto janë çudirat e jetës shpirtërore, të cilat nuk i kupton mendja e atyre intelektualëve, që kanë brenda vetveten dhe jo Perëndinë, sepse kanë njohuri të thata prej bote, me sëmundjen shpirtërore të botës dhe u mungon Shpirti i Shenjtë.