Skip to main content
  • Kryefaqja
  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
    • Shenjtorët e ditës
      • Janari
      • Shkurti
      • Mars
      • Prill
      • Maj
      • Qeshor
      • Korrik
      • Gusht
      • Shtator
      • Tetor
      • Nëntor
      • Dhjetor
    • HISTORI MREKULLIE
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
    • DOKTRINA: Çfarë besojnë të Krishterët Orthodhoks
      • Historia Kishtare
    • JETA SHPIRTËRORE E KRISHTËRIMIT ORTHODHOKS
      • KRESHMA-AGJERIMI
    • Predikimet nga Veprat e Apostujve & Letrat e Pavl
    • Ikonat në Kishën Orthodhokse
    • Jeta Liturgjikale në Kishën Orthodhokse
      • Etërit e Kishës & Përvoja shpirtërore
      • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
      • KRESHMA E HYJLINDËSES MARI (1 - 15 gusht)
  • PREDIKIME KISHTARE
    • Predikimet e së Dielës : Janar
    • Predikime e së Dielës : Shkurt
    • Predikimet e së Dielës : Prill
    • Predikimet e së Dielës : Nëntor
    • Predikimet e së Dielës : Dhjetor
    • Shën Joan Gojarti: HOMELITË MBI UNGJILLIN E MATEUT
  • Tema: Fetare-Sociale
    • Miron Çako
      • 2025
      • 2024
      • SHKRIMET E VITIT 2023
      • SHKRIMET E VITIT 2022
      • SHKRIMET E VITIT 2021
      • SHKRIMET E VITIT 2020
      • SHKRIMET E VITIT 2019
      • SHKRIMET E VITIT 2018
      • SHKRIMET E VITIT 2017
      • SHKRIMET E VITIT 2016
      • SHKRIMET E VITIT 2015
      • SHKRIMET E VITIT 2014

Momente për të reflektuar dhe kërkuar Kishës Orthodhokse : Artikull i botuar në gazetën "Tema", dt. 30.09.2014 03/10/2014 Gazeta Shqiptare

20 Oct, 2021, No comments

Shkrim i përgatitur nga përgjegjesi Zyrës Katekizmit KOASH : z. Miron Çako
Artikull i botuar në gazetën "Tema", dt. 30.09.2014   03/10/2014 Gazeta Shqiptare

Ashtu si ju dhe unë si shqiptar e mirëprita vizitën e papa Françeskut dhe ndjehem krenar bashkë me ju për mikpritjen dinjitoze që u tregua ndaj tij më 21 shtator. Këtë ditë shfaqëm edhe një herë para Papës dhe delegacionit që e shoqëronte, por edhe mbarë botës që na vëzhgonte virtytet tona të lashta, mbi të gjitha mikpritjen siç thotë proverbi ynë ‘shtëpia është e Zotit dhe e mikut,’ ritreguam një vlerë të rrallë që Evropa dhe bota na e merr për shembull, bashkëjetesën paqësore. Vetë papa Françesku në fjalimet e tij i dalloi këto virtyte dhe vlera morale dhe këshilloi që këto gjëra të shenjta të zhvillohen akoma edhe më shumë për të mirën e vendit tonë dhe të rajonit.

Por ju them të drejtën, një shqetësim e kisha se mos disa “puro shqiptarë” do të rishfaqeshin në media ose gazeta të ndryshme për të kontestuar vizitën e Papës, duke kërkuar që me antimintingje të prishnin tubimin në sheshin “Nënë Tereza”, ashtu si kanë tentuar te bëjnë, kur të tjerë primatë të lartë kanë vizituar vendin tonë. Por kësaj radhe ata nuk u shfaqën, heshtën dhe mirë bënë. Mos vallë janë penduar për veprimet e tyre të mëparshme, duke fyer miqtë që na vizitojnë, apo kanë dy standarde në trajtimin e personave dhe ngjarjeve? Nga njëra anë Papa dhe gjithë përfaqësia e Kishës Katolike u pritën me madhështi dhe shumë mirë u bë, sepse kështu priten miqtë, por nga ana tjetër disa persona në emër të Shqipërisë nuk lanë gjë pa thënë kundër vizitës baritore të Patriarkut Ekumenik Vartholomeut I dhe të gjithë patriarkëve të tjerë të Jerusalemit, Bullgarisë, Rumanisë dhe Serbisë si dhe kryepeshkopëve dhe peshkopëve të tjerë  që përfaqësojnë të gjithë Kishat Orthodhokse në botë. Puna arriti deri aty, sa disa donin të prishnin me një grumbullim të paligjshëm me “parulla për shqiptarinë” momentin e veçantë dhe shumë të shenjtë të shenjtërimit të Kishës Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet, nga Tërëshenjtëria e tij Bartolomeu I dhe primatë të tjerë të Kishave Orthodhokse. Siç dimë gjithë kjo ceremoni u krye brenda territorit të Katedrales. Falë Zotit dhe ndërhyrjes së shtetit kjo gjë fyese për vetë shërbesën e shenjtë dhe për popullin orthodhoks nuk ndodhi. Në të kundërtën do të ishte një turp i madh për vendin tonë, sepse edhe atëherë si tani në vizitën e Papës gjithë bota i kishte sytë nga ne. Si Papa ashtu dhe primatët e kishave të krishtera në botë janë të barabartë si funksion dhe përfaqësi, përveçse papa është dhe kryetari i shtetit të Vatikanit.

Është për t’u përshëndetur pjesëmarrja e madhe e shqiptarëve dhe jo vetëm të krishterë në celebrimin e Meshës që u mbajt në sheshin Nënë Tereza, po ashtu dhe respekti që u tregua për atë shërbesë fetare, e cila përveç shqipes u celebrua në italisht, latinisht dhe greqisht. Për fat ose për çudi këtë radhë nuk pati kontestim nga ata shqiptarë shumë të ndjeshëm në përdorimin e shqipes në shërbesa fetare dhe që duan me forcë që Zotit në territorin shqiptar t’i lutesh vetëm shqip. Këtë radhë ata heshtën apo mos ka një tjetër standard për gjuhën greke, që përdoret në gjithë Kishat Orthodhokse të botës, si gjuha ndërkombëtare e Kishës. Për sqarim, ungjilli i parë i drejtuar kombeve u shkrua në greqisht. Por, me sa duket, vetëm ata që flasin dhe luten greqisht quhen armiq të shqiptarëve dhe ia kanë me të keq kombit tonë? Kurse ata që me të drejtën legjitime të religjionit që besojnë i luten Zotit në latinisht ose arabisht quhen miq? Është kjo një mendjelehtësi apo një standard i dyfishtë keqdashës për Kishën Orthodhokse dhe primatin e saj?

Nderim dhe mirënjohje e drejtë iu afrua papës si përfaqësues edhe në Shqipëri për kontributin e spikatur që Kisha Katolike ka dhënë dhe vazhdon të japë në rrafshin shpirtëror, moral, social, kulturor dhe politik dhe siç promovohet, ky kontribut nuk është vetëm për të mirën e katolikëve shqiptarë ,por e të gjithë kombit dhe të gjithë shqiptarëve. Por përse këta “puro shqiptarë” mbajnë një tjetër standard për atë që ka bërë dhe vazhdon të bëjë Kisha Orthodhokse dhe primati i saj Kryepiskopi Anastas, si në rrafshin shpirtëror, moral, kulturor, social dhe bashkëjetesës paqësore midis fqinjëve? Pse kjo vepër kaq e madhe në përpjesëtim me mundësitë që ka KOASH sfumohet, anatemohet, keqinterpretohet, duke u quajtur si diversion i agjenturave të huaja?

Duhet të kujtojmë se gjatë këtyre 22 viteve që Kisha Orthodhokse udhëhiqet nga Kryepiskopi dhe Sinodi i Shenjtë janë riorganizuar 460 enori orthodhokse, janë hirotonisur 150 klerikë me origjinë dhe nënshtetësi shqiptare, me arsim të lartë, të shkolluar në Akademinë Ngjallja e Krishtit në Shën Vlash, Durrës dhe në shkolla të larta jashtë vendit. Janë ndërtuar nga themeli 150 kisha të reja, janë restauruar 60 kisha, manastire dhe monumente kulture, janë riparuar 160 kisha që kishin mbetur nga shkatërrimi ateist komunist, janë blerë dhe rikonstruktuar 70 godina për kopshte, shkolla të mesme dhe nëntëvjeçare, qendra rinore, qendra shëndetësore, seli mitropolitane, shtëpi pritjeje, punishte, mensa për të varfërit dhe e gjithë kjo vepër ndërtuese shkon në 450 objekte funksionale. Ka 11 vjet që funksionon qendra mjekësore diagnostikuese “Ungjillëzimi” në Tiranë. Për këto 11 vjet janë realizuar 1 milion vizita dhe 3 mijë analiza. Duhen përmendur ndihmat sociale, për krizat dhe tragjeditë që kaloi vendi ynë në vitin 1992, 1994, 1997, 1999 mikpritja e kosovarëve nga KOASH-i, u pritën 33 mijë refugjatë. Në 2008 mbas tragjedisë në fshatin Gërdec u ndihmuan materialisht banorët e prekur të këtij fshati; si dhe një ndihmë e vazhdueshme që bëhet çdo ditë për njerëzit në nevojë, në mensa për të varfrit dhe në Zyrën e ndihmës sociale. KOASH është anëtare e Konferencës Evropiane  të Kishave, anëtare e Këshillit Botëror të Kishave ku  nga viti 2009 Kryepiskopi Anastas është president nderi i Konferencës Botërore “Fetë për Paqen”. Në vitin 2000 Kryepiskopi Anastas ka qenë edhe kandidat për çmimin “Nobël” për paqe...

I kujtojmë të gjitha këto, jo për të krijuar rivalitet ndërmjet kishave dhe personave që i drejtojnë ato, por për ta treguar më qartë standardin e dyfishtë që nga këta persona që një të huaj që drejton Kishën Katolike edhe në Shqipëri e quajnë mik të madh dhe fotografia e tij zbukuron vendin  (dhe mirë bëjnë, se i tillë është), por pse një të huaj tjetër që në mënyrë kanonike drejton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë prej 22 vjetësh dhe si primat kishtar është i barabartë me të gjithë primatët e kishave orthodhokse nëpër botë, pavarësisht shtrirjes gjeografike që ka një kishë lokale, e quajnë armik dhe e bëjnë karikaturë në faqet e gazetave, thjesht se është me origjinë greke dhe flet greqisht.

Një numër i madh klerikësh katolikë, mbi 800 meshtarë, morën pjesë në meshën që u celebrua nga papa dhe pjesa më e madhe e tyre nuk janë shqiptarë, por me origjinë nga vende të ndryshme të botës dhe shërbejnë si klerikë në shumë famulli që gjenden në vend. Kjo është një gjë e drejtë dhe e rregullt për të gjithë kishat e krishtera në botë, sepse kisha si institucion i Perëndisë është përmbi kufizimet e kombësisë dhe nacionalitetit. Po pse kur bëhet fjala për ata të huaj që shërbejnë në kishën orthodhokse  që për hir të së vërtetës janë sa gishtat e dorës, bëhet kaq zhurmë duke i paraqitur si një ushtri agjentësh që mashtrojnë dhe demonizojnë popullin sipas tyre me helenizmin a diçka tjetër?  Ky është një standard i dukshëm i dyfishtë dhe të bëjnë kujdes: Mos mendojnë se bota nuk i shikon këto gjëra. Patjetër që ata i dinë edhe ato që bëhen mbrapa fasadës. Prandaj dhe papa Françesku në takimin me përfaqësuesit e të gjitha feve në Shqipëri tha dhe këshilloi: “Dialog, duke ruajtur identitetin, pa hipokrizi.” Nuk ka njeri që nuk gabon, por gabimi nuk duhet lejuar të bëhet kolektiv dhe kështu të penalizohen të gjithë.

Është moment që ata që kanë gabuar pa dashje ose me dashje të reflektojnë dhe t’i kërkojnë të falur Kishës Orthodhokse dhe primatit të saj. Por ajo që është më e rëndësishmja ne si popull shqiptar besimtar ose ateist që duam të integrohemi në Evropën e bashkuar, në këtë bashkim kombesh ku bashkëjetojnë me respekt të ndërsjellë vlerat shpirtërore dhe kulturore, duke dashur të kontribojmë modestisht jo shumë në resurse ekonomike, por në ato vlera morale dhe etike, si mikpritja, mirënjohja dhe bashkëjetesa, duhet të distancohemi nga të tillë që kanë dy standarde në vlerësimin e personave ngjarjeve dhe veprave dhe të mos i lejojmë që me standardin e tyre të dyfishtë të prishin bashkëjetesën paqësore kaq të bukur dhe njëkohësisht të brishtë, si dhe imazhin e Shqipërisë tek miqtë tanë të huaj dhe me veprimet e tyre të papërgjegjshme ta vonojnë integrimin në Evropën e bashkuar.

"Hebrenjtë paguan 50 qeska aspra Kurt Pashën, për të vrarë Shën Kozmain" Publikuar në gazetën Gazeta Shqiptare 31/08/2014

20 Oct, 2021, No comments

"Hebrenjtë paguan 50 qeska aspra Kurt Pashën, për të vrarë Shën Kozmain"
Miron Çako, replikë me Prof.Dr. Pëllumb Xhufin Takimi i Ali Pashës dhe i Shën Kozmait  në gusht të vitit 1779, çfarë bisedun ? 






Prof. Pëllumb Xhufi


Unë një farë zoti Çako, quhem Miron Çako me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare. Në vitin 1991 kam mbaruar studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve, dega skulpturë dhe më vonë Akademinë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" që sot ndodhet në Manastirin e Shën Vlashit, Durrës. Shërbej prej gati 20 vjetësh si laik në KOASH me titullin katekist (mësues) dhe prej 15 vjetësh jam përgjegjës i Zyrës së Katekizmit (mësimdhënies) të KOASH-it. Pra, nuk jam nga Çakot që mendon ti, pavarësisht gjithëditurisë tënde.


I nderuar z. Xhufi, kur lexova rastësisht shkrimin tuaj të fundit kundër Shën Kozmait të Kolkondasit, në fillim pa ndonjë interes sepse të them të drejtën, të më falësh, por e ke bërë bozë, aq më tepër shkrimin tuaj të radhës e kishit shkruar në fillim si një i përçartur, i kapur nga sindroma e persekutimit, por në faqet më pas u tregova më i interesuar, duke lexuar me vëmendje ato që kishe shkruar dhe që të jepnin përshtypjen e një kërkimi dhe studimi shkencor dhe vërtetë prezantuese për një historian si ju që doni të thoni gjithmonë "të vërtetën". Por të them të drejtën, në fund të shkrimit tuaj të gjatë, m'u kujtua një nga profecitë e Shën Kozmait: "Edhe e keqja do të vijë nga të shkolluarit" (profecia 54).


Jam i detyruar të shpjegoj interpretimin e kësaj profecie për të mos i lënë hapësirë keqinterpretuesve. Shën Kozmai që ishte mik i librit dhe një erudit, njohës i katër gjuhëve të huaja (hebraisht, turqisht, italisht, frëngjisht) siç pranoni edhe ju, më në fund në shkrimin tuaj të radhës dhe hapi 250 shkolla në gjithë Ballkanin dhe në Shqipëri, me këtë profeci i ndriçuar nga Hiri i Perëndisë do të thotë se e keqja e popullit dhe e vetë shoqërisë do të vijë nga njerëzit që shkollohen, por diturinë që u jep shkolla, aftësitë intelektuale që kanë dhe  fitojnë do t'i përdorin për keq, me ligësi, me dinakëri, pa urtësi, duke i mashtruar dhe i gënjyer njerëzit e thjeshtë, duke e fshehur të vërtetën ose duke thënë një pjesë të saj, aq sa u intereson. Kjo është një metodë e vjetër e djallit, i cili guxoi ta bënte edhe me vetë Krishtin, Zotin tonë, por që e përdorin edhe mashtruesit e çdo kohe. Ju zoti Xhufi jeni lodhur shumë për të gjetur fakte të reja nga arkivat e Vatikanit që sipas jush komprometojnë figurën e Shën Kozmait, por edhe me këto fakte të reja që ju mendoni se vetëm ju i dini nuk thatë ndonjë gjë të re ose të panjohur për ata që i dinë gjërat si ka ndodhur me të vërtetë dhe na i kanë treguar haptazi në lidhje me vrasjen e Shën Kozmait. Ju e mbyllni artikullin tuaj me konkluzionin se "ndryshe nga ç'thonë kronikat kishtare, ku shquhet qartë nervi antisemit, vrasja e tij nuk erdhi si rezultat i komplotit të hebrenjve të Beratit, por si rrjedhojë e një dakordësie midis venecianeve të Korfuzit dhe Kurt Pashës, mikut të tyre". Por ju përsëri nuk po thoni të vërtetën dhe po e shtrembëroni atë dhe nuk e kuptoj pse? Por e vërteta është se pavarësisht se venedikasit ishin kundër Shën Kozmait, sepse ai i ndalonte orthodhoksët të ktheheshin në vartësi të kishës katolike me anë të uniatizmit, (një metodë që edhe nga vetë kisha katolike është dënuar), por ata që urdhëruan dhe paguan për vrasjen e Shën Kozmait ishin tregtarët hebrenj të Beratit të cilët e shikonin Shën Kozmain si pengesë të interesave të tyre, sepse Shën Kozmai mësonte të krishterët që pazarin ta bënin të shtunën dhe jo të dielën dhe dimë që për hebrenjtë e shtuna ose sabati, ishte ditë e veçantë dhe ditë pushimi e tyre. Kjo prishi interesat e tyre ekonomike dhe paguan me 50 qeska aspra Kurt Pashën e Beratit që kishte respekt për Shën Kozmain, madje i kishte bërë edhe një fron Shën Kozmait të veshur me kadife që shenjti e mbante me vete kudo ku predikonte, duke hipur sipër atij, por meqenëse Kurt Pasha ishte i dobët moralisht e tradhtoi shenjtorin dhe dërgoi njerëz për ta vrarë.


Armiqësinë e hebrenjve për Shën Kozmain na e tregon vetë shenjti në një letër dërguar vëllait të tij në 2 mars 1779, pesë muaj përpara se ta vrisnin. "Mbetsh me shëndet shpirtëror dhe trupor. Dhjetë mijë të krishterë më duan dhe një më urren. Një mijë myslimanë më duan dhe një jo dhe aq. Me mijëra hebrenj kërkojnë vdekjen time dhe një jo".


Pra, si nga ajo që thatë juve, jo plotësisht të vërtetë dhe si nga faktet që janë tërësisht të vërteta, Shën Kozmai nuk u martirizua, as si agjent i Portës së Lartë, sepse Kurt Pasha nuk do të guxonte ta bënte këtë, as nga revolta popullore si antishqiptar, por për hir të Krishtit nga hebrenjtë që e luftonin kishën e krishterë dhe besimin në Krishtin prej shekujsh.


Unë zoti Pëllumb nuk dua të bëj polemikë me ju nga ana historike, sepse nuk pretendoj të jem i tillë, por ca gjëra janë kaq të vërtetuara në lidhje me Shën Kozmain saqë dhe njeriu naiv nuk mund të gabojë. Por më lejoni t'ju bëj një pyetje: “Përse ju zoti historian nuk i referoheni në shkrimet tuaja historisë shumë të njohur me personalitete shqiptare, të cilët e kanë nderuar Shën Kozmain në kohë të ndryshme dhe këtu flas për Ali Pashë Tepelenën, Imzot Fan S. Nolin, Kryepeshkopin Kristofor Kisin, etj. Ju shkoni dhe gërmoni në arkivat e Vatikanit duke na servirur opinionet e agjentëve të Venedikut që fundja fundit nuk ishin në interes dashamirës ndaj popullit tone  dhe anashkaloni mendimet dhe veprimet e këtyre personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë e kombit të Shqipërisë. Kjo është fyese dhe e pamoralshme, por dhe një veprim i pafalshëm për një historian si ju që dini dhe keni lexuar shumë. Më lejoni mua që nuk jam historian t'jua  servir juve dhe atyre që do ta lexojnë këtë shkrim, opinionin dhe nderimin që i bëri Ali Pashë Tepelena Baba Kozmait. Duhet ta dinë të tjerët dhe këtë duhet t'ua thoni ju si historian se Ali Pasha dhe Shën Kozmai kishin një lidhje të veçantë, madje ka dhe dy letra midis tyre. Aliu kishte një respekt të veçantë për Shën Kozmain, sepse Shën Kozmai me hirin profetik i tregoi të gjithë jetën Aliut. Kur Shën Kozmai përndiqej nga njerëzit e Kurt Pashës në Tepelenë, u drejtua nga shtëpia e Aliut. Atje e priti nëna e Aliut, Hankoja. Pas pak erdhi dhe djali i saj, Aliu, i cili në atë kohë ishte në arrati. Tek po rrinin në sofër, Kozmai me syrin e tij tejshikues dalloi tek i riu një të ardhme të çuditshme. Hankoja e pyeti Shën Kozmain për Aliun dhe Kozmai duke parë Aliun në sy i tha: "Do të bëhesh njeri i madh, do sundosh gjithë Arvaninë, do të nënshtrosh Prevezën, do të sundosh Pargën, Sulin, Delvinën, Kardhiqin dhe pjesën e Kurt Pashait. Do të lësh emër të madh në botë". Dhe shtoi: - "Ky është vullneti i providencës hyjnore, por vetëm kujtohu që gjatë gjithë kohës të duash dhe të mbrosh të krishterët, nëse do që të mbetet pushteti edhe në pasardhësit e tu". Dhe mbasi Shën Kozmai u largua nga Tepelena bashkë me Aliun, Aliu e pyeti përsëri Shën Kozmain për të ardhmen e vet: Si dhe nëse do të shkonte në Stamboll? Dhe Shën Kozmai i tha: "Do të shkosh edhe në Stamboll, por me mjekër të kuqe". Aliu nuk e kuptoi frazën e fundit dhe u ndanë si miq. Ky takim midis Aliut dhe Shën Kozmait ka ndodhur në muajin gusht në vitin 1779, pak ditë para martirizimit të Shën Kozmait në 24 të gushtit të 1779. Martirizimi i Shën Kozmait u bë në Mujalli të Fierit dhe varrimi i tij u bë në Kolkondas, pranë Kishës së Shën Mërisë. Njëri nga ata që kishte vrarë shenjtin dhe pati marrë kalimafin e tij dhe ishte kthyer duke e mbajtur atë në kokë dhe duke tallur shenjtin, por në çast e lanë mendtë. Hoqi rrobat dhe vrapoi duke thirrur se ai e vrau shenjtin. Kjo gjë ra në veshët e Kurt Pashës. Ai e urdhëroi dhe e hodhi në burg ku hoqi keq e më keq dhe më në fund vdiq. Kurt Pasha u pendua për atë që kishte bërë dhe u përpoq ta fshihte krimin kundër Baba Kozmait. Por gjërat kishin marrë dhenë. (Marrë nga Sinaksari i Shën Nikodhimit).


Përsëri historia na thotë se si kaluan disa vjet, Ali Pashë Tepelena pasi mundi Kurt Pashën dhe u bë zot i Beratit kërkoi varrin e Kozmait dhe për nder të tij ndërtoi një kishë. Në mënyrë që kisha të bëhej sa më e mirë dhe të merrte një karakter sa më popullor jo vetëm që dha vetë një shumë të madhe parash, por urdhëroi edhe gjithë komunitetet e rrethit të ndihmonin në këtë vepër. Në një letër të Aliut shkruar në Gjirokastër thuhet: "Të interesoheni të gjithë, ta ndërtoni dhe të gjithë rumët e Beratit, myzeqarë dhe vllehë grabovarë, katunde dhe çifligje: Ju lajmëroj se ja ku vura një epitrop që të më ndreqin manastirin e plakut Kozma dhe ndihmova edhe unë me të holla dhe të ndihmoni edhe ju si t'ju thotë dhespoti, me qëllim që të ndreqet ky manastir. Dhe ata që nuk do të japin ndihmën e tyre do të më mbetet hatri dhe do ta paguajnë dyfish, ashtu si ju urdhëroj, kështu të bëni pas këtij vendimi". Në Gjirokastër, 12 shtator 1813.


Në një tjetër letër të Aliut, dërguar nga Janina na thuhet: "Ahir Duhaxhit e mi, Mitropolit i Beratit dhe Haxhi Janko! Ju përshëndes dhe ju tregoj se sa më shkruat i mora vesh dhe u informova me anën e igumenit që u kujdesët për plakun Kozma. Ja tek po vjen ay, igumeni dhe Nikolla bashkë me kryemjeshtrin dhe të vini dhe të rregulloni odat dhe kullën e manastirit që të shquhet nga të gjithë manastiret, sepse tani me ardhjen time aty dëshiroj ta gjej të mbaruar. Pra, të kujdeseni të gjithë që ta ndreqni dhe të gjithë rumët e Beratit, të mëdhenj dhe të vegjël të ndihmoni. Po i shkruaj dhe Ibrahim Arapit t'ju ndihmojë në çdo punë. Të bëni sikurse ju shkruaj. Ju përshëndes. Në Janinë në 12 shtator 1814".


Është për t'u theksuar dhe nderimi i Aliut për kokën (lipsanin) e Shën Kozmait. Ali Pasha porositi në Venecia veshjen e kokës së Shën Kozmait me flori dhe argjend, e cila u punua nga Nikolas Klykys. Shpeshherë Aliu e merrte në Janinë kokën dhe e puthte me shpresëtari të madhe. Kur një fanatik mysliman i tha njëherë se nuk bënte mirë të nderonte një të pabesë kaur, Ali Pasha i tha: "Më sillni një mysliman si këtë të krishterë dhe do t'i puth këmbët". Një herë tjetër kur i sollën kokën e Shën Kozmait në divan, një sheh Haxhi Sehriu, i thirri Aliut: "Ke bërë gjynah të madh" - por pashai qetë, qetë i tha: "Po je i marrë, o sheh i varfër. Sikur ta kishe njohur s'do të flisje kështu. Ky kallogjerë o Haxhi ishte profet i vërtetë. Erdhi në shtëpinë time në Tepelenë dhe më uroi dhe m'i tha të gjitha sa kisha bërë, sikur t'i kishte të shkruara të gjitha në qitap".


Madje, kur Aliu ishte në fund të jetës së tij bënte plane për të ngritur krye kundër sulltanit urdhëroi kallogjerët që t'i sillnin për ndihmë dhe kokën e Shën Kozmait nga Kolkondasi, duke organizuar edhe një litani madhështore gjatë gjithë rrugës deri në Janinë. Biografi i Aliut, Davenport, na kanë lënë shumë informata që kishte mbledhur nga njerëzit që e kishin parë me sy këtë nderim të madh që i kishte bërë Pashai xha Kozmait. Të gjitha këto që parashtruam gjenden në librin me titullin "Kozmai nga Etolia" me autor Fani Mihallopullo dhe përkthyer nga greqishtja prej Dhimitër Bedulit. Një fakt tjetër historik na thotë se në vitin 1918 një arkeolog austriak e përvetësoi kokën e florinjtë dhe e çoi në Vjenë ku ndodhet edhe sot në muze.


Zoti Pëllumb Xhufi si mund t'i injoroni këto fakte dhe të mos na i tregoni apo mos ndoshta për juve edhe Ali Pasha është si ata fshatarët e paditur që "nderonin si shenjtor renegatin Ballaban Pasha dhe faleshin gjithë përgjërim para tyrbes së tij?" Apo mos ju doni të na thoni se Ali Pasha ishte agjent i grekëve meqë i dërgonte letrat e tij në greqisht? Po mirë Aliun, po pse imzot Fan Nolin, të cilin ju e nderoni dhe e përdorni shumë në shkrimet tuaja nuk e përmendni për nderin që i bëri Shën Kozmait. Ju duhet të dini ose më lejoni t'jua them se Fan Noli në librin e Kremtores përkthyer nga greqishtja në Boston, mars 1947 në parathënie përmes të tjerash thotë: "Përkthimin e kemi bërë lirisht, pas kuptimit dhe jo fjalë pas fjale, nga greqishtja, me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit, të cilat i parafrazuam nga version shqip i kryehirësisë së tij, imzot Kristofor Kisi kryepeshkopit të Shqipërisë". Pra, ashtu si Ali Pashë Tepelena që guxoi të formojë një shtet shqiptar kundër Portës së Lartë nderonte Shën Kozmanë, po ashtu dhe Fan Noli një tjetër shqiptar që ishte inisiator për autoqefalinë e Kishës dhe për krijimin e një qeverie demokratike dhe u bë kryeministër, e nderonte Shën Kozmain duke e quajtur Shën Kozmai i Beratit, po ashtu dhe Kryepeshkop Kristofor Kisi i pari kryepeshkop kanonik i KOASH-it e nderonte Shën Kozmain se ishte i pari që përktheu shërbesën e tij nga greqishtja në shqip në vitin 1931. Dhe ky nderim që bëhej në kishën e shenjtit në Kolkondas të Fierit që nga viti 1815, ku në të merrnin pjesë shqiptarë të krishterë dhe myslimanë, çdo vit në 24 të gushtit, pra një shekull e gjysmë përpara se Shën Kozmai të kanonizohej shenjt nga Patriarkana Ekumenike në 20 prill 1961 dhe të njihej i tillë nga e gjithë kisha orthodhokse në botë tregon se këta shqiptarë të shquar që lanë gjurmë në historinë e popullit tonë, të shtetit shqiptar dhe të KOASH-it, po edhe për njerëzit e thjeshtë që e kujtonin dhe e nderonin shenjtin nga gojëdhënat e prindërve dhe gjyshërve të tyre, nuk e shikonin Shën Kozmain si agjent grek, si luftënxitës dhe përçarës të territoreve shqiptare, - siç thoni juve sot, por si një shenjtor të vërtetë që shkriu jetën në dashuri për Zotin dhe për njeriun dhe që ia vlen të nderohet ashtu si u bë edhe këtë radhë në manastirin e tij të rindërtuar me kontributin e KOASH-it.


Mos ndoshta ju zXhufi edhe këto personalitete të historisë moderne të Shqipërisë si Fan Nolin, Kristofor Kisin dhe gjithë ata të njohur dhe të panjohur që e kanë nderuar Shën Kozmain si shenjtor deri më sot, meqenëse në heshtje nuk janë dakord me opinionin tënd për Shën Kozmain do t'i gruponi dhe do t'i etiketoni si ata fshatarët e pashkollë që i faleshin Ballabanë Pashës si shenjtor? Ju këtë fatkeqësisht e keni bërë. Në shkrimin tuaj ju e keni thënë duke e paralelizuar nderimin e Shën Kozmait si dëshmor me atë të Ballabanë Pashës si tradhtar. Ja çfarë shkruani: "E pra, mosdija dhe fanatizmi i kohëve të shkuara na ka lënë trashëgimi edhe ndonjë hero dhe profet të rremë". Dhe përsëri shkruani: "Nëse ishte vërtetë e tillë atëherë adhurimi orthodhoks për Shën Kozmain duhet të jetë një keqkuptim, siç ishte vetë adhurimi i besimtarëve myslimanë për Ballabanë Pashën". Kjo është fyese për personalitetin dhe kulturën e atyre njerëzve, por edhe për gjënë më të shenjtë që ka njeriu jo ateist: Besimin në Zotin dhe në shenjtorët. Mos ju është mbushur mendja se vetëm ju mund t'i dalloni armiqtë e shqiptarëve, kurse të tjerët janë treguar sylesh. Dhe një nga Fjalët e Urta thotë: "Para se të vij rrënimi, vjen kryelartësia".


A mund të na thoni ju se me gjithë këtë punë që bëni prej kaq shumë kohësh, me shkrime, intervista, çfarë doni të arrini? Ku e keni qëllimin? Para disa kohësh ju akuzonit Fortlumturinë e tij kryepeshkopin Anastas si agjent të grekëve dhe antishqiptar. Tani keni filluar me Shën Kozmain po me të njëjtat teza. Mos në axhendën tuaj doni të filloni edhe me Jisu Krishtin, si agjent të hebrenjve ose edhe si agjent të grekëve meqenëse tradita na thotë se me Pilatin komunikoi greqisht si gjuha zyrtare në atë kohë; apo se edhe ungjijtë u shkruajtën greqisht. Mos doni në axhendën tuaj të mëvonshme të na urdhëroni me qarkore t'i prishim dhe t'i mbyllim kishat meqenëse ato janë të kushtuar shenjtorëve dhe që kanë emra të shkruara në greqisht në afresket e tyre. Mos doni në axhendën tuaj të ribëni atë që bëri arkitekti i Shqipërisë ateiste-komuniste me satelitët e tij në vitin 1967 duke e futur Shqipërinë në historinë e botës me faktin e hidhur se, ekziston një kohë dhe ekziston një popull, që me ligj e mohoi Zotin? Për botën e qytetëruar kjo quhet marrëzia e shekujve. Mos doni t'i riindroktrinoni përsëri masat me thënien revolucionare "Feja opium për popullin" dhe t'i nxisni me penën tuaj të marrin drapërin dhe çekanin dhe të shkatërrojnë ato që mbetën nga histeria ateiste-komuniste dhe që me shumë mund u restauruan nga KOASH-i dhe që janë dëshmi dhe fakte historike dhe kulturore për ata që duan të njohin më shumë për Shqipërinë dhe për të kaluarën e saj. Për këtë punoni ju zoti Xhufi? Por ju si historian dhe me shumë njohuri nuk e keni kuptuar këtë fakt historik dhe ekzistencial se pa tempull nuk ka qytetërim. Prapë prova do të bëjmë ne zoti Xhufi? Apo e harruat historinë e shkuar. Ju e dini se një histori e harruar rrezikon të përsëritet. Kush është qëllimi i propagandës tënde? Mos doni të prishni harmoninë fetare midis komuniteteve, duke hequr gurët e themelit të kësaj harmonie dhe bashkëjetese siç është edhe Shën Kozmai, i cili nderohet prej shekujsh nga të krishterët, nga myslimanët dhe bektashinjtë, të krishterët e nderojnë si Shën Kozmain dhe bektashinjtë si Baba Kozmai. Ju mos doni të shkatërroni edhe këtë vlerë kaq të brishtë të bashkëjetesës fetare që na ka mbetur për t'ia treguar botës, me të cilën sot na mburrin dhe na marrin për shembull. Mos jeni ju, të më falni për epitetin, një fantazmë e historisë ateiste-komuniste që kaluam? Kujt i shërbeni ju që doni t'i rivrisni shenjtorët? Mos atyre hebrenjve që paguan 50 qese për kokën e Shën Kozmait. Apo Kurt Pashës që u shit për aspra dhe e tradhtoi Shën Kozmanë. Apo Venedikut që kërkonin ta vrisnin Shën Kozmain, siç e thoni ju vetë, se ai ndalonte prozelitizmin në uniatë të popullit vendas. Sido që të jetë, çfarëdo axhende dhe qëllimi që të kesh, për mua dhe për të gjithë ata që i nderojnë vlerat morale dhe njerëzit që i shfaqin ato, kjo që po bën ti dhe grupi yt është antikombëtare, antivlerë, amorale, antihistorike, (duke shkatërruar edhe atë pak histori që na ka mbetur nga masakra e atyre që thonin "Historia fillon me ne") dhe e rrezikshme duke manipuluar turmat dhe bie ndesh me vizionin evropian që ka shteti dhe populli ynë për t'u bërë pjesë e përbashkët e Evropës. E një bashkëjetese paqësore me fqinjët, e respektimit të vlerave kulturore dhe shpirtërore, e thënies së historisë me të vërtetë, pa shtrembërime, fanatizëm dhe anathema.


Zoti Xhufi më lejo të them dy fjalë si katekist, si atë që di ta bëj mirë me hirin e Zotit. Në ungjill na urdhërohet: 'Bekoni dhe mos mallkoni'. Besoj se Shën Kozmai të bekon dhe lutet për ty si për stërgjyshërit e tu, të cilët e kanë parë dhe njohur Shën Kozmanë dhe uratën e tij kanë marrë. Edhe ne të krishterët të bekojmë dhe nuk të mallkojmë, pavarësisht se na ke fyer shumë, se jo vetëm se jemi krijesa të Perëndisë dhe ikona të tij, pavarësisht se e beson ose jo, por jemi dhe bashkëkombës, ngrohemi në një diell, jetojmë në një vend, punojmë dhe kontribuojmë për të mirën e vendit që të gëzojmë ne, por dhe të tjerët mbas nesh. Të bekojmë dhe nuk të mallkojmë, se na ke bërë një të mirë të madhe të gjithë neve orthodhoksëve, sepse të nxitur nga veprimi yt dhe i të tjerëve kundër shenjtorit dhe kishës, me dashje ose padashje, me dije ose padije, na nxite t'i rikthehemi jetës së atij, ta ristudiojmë veprën e tij, ta rivlerësojmë, ta nderojmë siç i ka hije këtij isapostulli, këtij dëshmori të madh të Krishtit, këtij miku të Zotit dhe të njeriut, këtij ndriçuesi të dijes, këtij bashkuesi të kombeve, këtij ruajtësi të besimit, domethënë: të heqim atë pluhurin e kohës nga ky diamant shpirtëror që e stolis Kishën tonë Orthodhokse, por edhe vendin tonë.


Dije se beson apo nuk beson, jo vetëm ti që je njeri, por dhe vetë djalli që është babai i gënjeshtrës dhe të gjithë ata që i falen atij, punën e Zotit bëjnë pa dashur. Sepse është shkuar: "Ai i zë të diturit në krenarinë e tyre". Dhe përsëri: "Zoti njeh mendimet e të diturve se janë të kota".


Por në fund më lejo edhe këtë: Një njeri i urtë thotë: "Mos e prish me të gjithë. Me njerëzit edhe po nuk e rregullove nuk ka gjë, të mbetet Perëndia. Por po e prishe me Perëndinë dhe Shenjtorët e tij, kush do të të justifikojë dhe të të mbrojë kur të mbetesh i vetëm?". "Është e frikshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë"!

"Duaje të afërmin tënd si veten"

Shkrim i përgatitur nga Pergjegjesi zyres katekizmit e Kryepiskopatës së Tiranës : Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë 

Z. Miron Çako   


Recent Posts

  • SEPSE PO TË MOS BESON SE UNE JAM ,JU DO TË VDISNI NË MËKATET TUAJA
    18 Jun, 2025
  • Homelia XXII mbi Ungjillin sipas Mateut
    18 Jun, 2025
  • LUFTA NË KENDVËSHTRIMIN E KRISHTER DHE RREZIKU I NJË LUFTE TË TRETË BOTËRORE.
    16 Jun, 2025
  • GABIMI QË BËJMË ME SHENJTORËT
    15 Jun, 2025
  • ÇFARË HUMBASIM KUR NUK KISHËROHEMI RREGULLISHT DHE ÇFARË REZIKOJMË KUR BIEM NË APOSTAZI?
    11 Jun, 2025
  • MOS NDËRTONI VARRE MADHËSHTORE POR LUTUNI DHE BËNI BAMIRËSI PËR SHPIRTRAT E TË VDEKURVE.
    7 Jun, 2025
  • E SHTUNA E SHPIRTRAVE
    6 Jun, 2025

Extra info

Replace this text with some additional info. If there is no extra info, you can hide this text or hide this block by clicking the icon at the above right corner.

  • Jeta & Veprat e Shënjtorëve
  • Shenjtorët e ditës
  • TEOLOGJIA E KRISHTERË ORTHODHOKSE
  • Historia Kishtare
  • Krishtlindja: Lindja Trupore e Zotit Jesu Krisht
  • PREDIKIME KISHTARE
  • Miron Çako